NJË SKANIM I DIPLOMACISË SË KOSOVËS

NJË SKANIM I DIPLOMACISË SË KOSOVËS

Nga Dr.Islam Lauka

Me librin e saj të ri, “Kah po shkon diplomacia jonë”, Elife Luzha dëshmon se është një studiuese serioze në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të diplomacisë.

Libri përbëhet nga pesë pjesë, respektivisht: Diplomaci shqiptare – ngjarje dhe personalitete; Kah po shkon diplomacia jonë; Shtetet e vogla dhe diplomacia e tyre; Arti i komunikimit dhe komunikimi politik në Kosovë dhe Njohja dhe respektimi i të drejtave të njeriut – kusht për siguri dhe zhvillim shoqëror.

Në një vështrim të parë, mund të duket se këto pjesë nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, aq më tepër kur për secilën prej tyre mund të shkruhen libra të veçantë. Megjithatë, në përfundim të leximit të krijohet bindja e plotë, se ato janë pjesë e natyrshme dhe organike e këtij punimi, që si bosht të vetin ka politikën e jashtme të Kosovës, e cila nuk lind në boshllëk, por, siç thekson autorja, mbi bazën e një tradite të hershme dhe të pasur.

Autorja Elife Luzha

Aktor i kësaj politike është një shtet i vogël dhe i papërvojë në detin e trazuar të marrëdhënieve ndërkombëtare, si Republika e Kosovës. Arma e diplomatit është fjala, pra, komunikimi, të cilin studiuesja Luzha, me të drejtë, e konsideron si një art të veçantë. Por, një vend që nuk respekton të drejtat e njeriut, vështirë se mund të zhvillojë politikë të jashtme të suksesshme dhe të besueshme.

Siç thotë edhe titulli, vend qendror në libër zë politika e jashtme e Kosovës. Elife Luzha i ka bërë një skanim të vërtetë diplomacisë së shtetit tonë të ri, duke na dhënë një imazh të detajuar të saj, me dritëhijet që e kanë karakterizuar që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

Midis sëmundjeve që skaneri i autores Luzha ekzaminon në trupin e diplomacisë kosovare janë edhe këto:

– mungesa e një strategjie të mirëfilltë të politikës së jashtme;  

– politizimi i diplomacisë;

– mungesa e koordinimit midis institucioneve vendimmarrëse;

– mungesa e profesionalizmit në dialogun me Serbinë, që ka çuar në nënshkrimin e marrëveshjeve, të cilat dëmtojnë interesat jetikë të Kosovës;

– mosshfrytëzimi efektiv, në favor të interesave shtetërorë të vendit i mendimit këshillëdhënës të GJND-së (2010), sipas të cilit, pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare;

– mosdëshmimi i gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, të cilin Kadareja e stigmatizon si “heshtja e blerë”.

Merita e autores është se ajo nuk mjaftohet vetëm me ekzaminimin e saktë të sëmundjeve, por jep edhe recetën e shërimit të tyre:

– hartimi, pa vonesë, i strategjisë së politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare,

– ngritja e mëtejshme profesionale e diplomatëve,

– rritja e përgjegjësisë shtetërore të punonjësve të dikasterit të jashtëm,

– përmirësimi rrënjësor i bashkëpunimit dhe koordinimit midis institucioneve që merren me politikën e jashtme etj.

Si përfundim, mund të thuhet se guximi i Elife Luzhës për të shkruar mbi një fushë të re, të palëvruar më parë prej saj, aq më shumë, tepër komplekse, siç janë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacia, është shpërblyer. Në përvjetorin e 14-të të pavarësisë së Kosovës ajo i ka bërë vendit të saj një dhuratë të çmuar.

Mendoj se libri me sprova, ide dhe debate  “Kah po shkon diplomacia jonë” duhet të lexohet nga diplomatët, analistët e politikës së jashtme, ligjëruesit dhe studentët e shkencave politike. Me këtë libër ata kanë çfarë të mësojnë prej Elife Luzhës.

Zëri i saj duhet dëgjuar me vëmendje.

Dr. Islam Lauka

__________

Kopertina e librit

P.S: Librin e autores Elife Luzha “Kah po shkon diplomacia jonë” mund ta blini në libraritë “Dukagjini”, “Artini” dhe në “Kolegjin AAB” në Fushë Kosovë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura