RA KJO DEKË E U PAMË, N’AMERIKË!
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 21 prill 2022
Në përkujtim të lavdisë dhe dyfytyrësisë
Te popujt që e kanë të theksuar kompleksin e inferioritetit e që tërë jetën e kanë të përshkruar në folklor, reputacioni, besueshmëria, qëndrueshmeria, cilësia e të punuarit dhe të vepruarit në politikë dhe jo vetëm në politikë, si njësi matëse përcaktuese e kanë, jo sa e keni përkrahjen qytetare apo të votuesve por se sa e keni përkrahjen e miqve ndërkombëtarë apo miqve të interesit. Që nga përfundimi i luftës beteja që është bërë midis pozitës dhe opozitës nuk është mbështetur në punën e bërë apo të pabërë por sa jeni amerikanë, sa e keni përkrahjen e BE-së, me kend jeni takuar dhe në çfarë niveli ndërkombëtar jeni takuar, çka ju kanë thënë këta miq dhe të tjera e që popujt e qytetëruar me këto broçkulla merren aq sa me borën e vitit të kaluar.
Në kohën e ish – Jugosllavisë dhe Serbisë shqiptarët që kishin përkrahjen e tyre sepse ishin në shërbim të tyre jetonin pakrahasimisht më mirë se të tjerët që përndiqeshin për shkak të bindjeve politike dhe të drejtës për të jetuar në liri, sikur edhe të tjerët. Baca Adem Demaçi bëri thuaja 30 vjet burgje në llogoret e ish – Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe pasi doli nga një Burg i Vogël në një Burg të Madh të quajtur Kosovë nuk e kishte përkrahjen, as të ndërkombëtarëve dhe as të ashtuquajturve pacifistë të Kosovës për shkak se nuk pajtohej me një liri gjysmake sipas Kushtetutës së popave të Shën Exhidios, prandaj ishte cak i linçimit dhe pushkatimit medial të vazhdueshëm, sidomos pas kundërshtimit të Marrëveshjes së Rambujesë. E cilësonin si antiamerikan, si antievropian, dogmat dhe kundër demokracisë që punon për të nxitur një luftë.
Në periudhën pasi doli nga burgu në mesvitin e vitit 1990 e deri te shpërthimi i luftës në Kosovë, Baca Adem Demaçi u luftua pamëshirshëm, fillimisht nga shqiptarët me një të kaluar jugosllave dhe serbe që ishin përbiruar me shumë sukses dhe forcoheshin në të ashtuquajturën lëvizje pacifiste por edhe nga diplomatët e dorës së dytë, second hand të cilët te të pashpresët dhe ata që nuk ishin në gjendje të sakrifikonin asgjë për Kosovën e gëzonin statusin e zotërave ku i varnin të gjitha shpresat, sikur një lypës që e shtrinë dorën. Ishte antologjik sulmi i ulët dhe i kurdisur se: “Adem Demaçi ia mbylli telefonin Sekretares së Shtetit, Medllin Ollbrajt …” për ta dëshmuar antiamerikanizmin e Bacës Adem e që nuk ishte fare e vërtetë. Po në këtë bazë Ibrahim Rugova krijoi një mit me të cilin, duke u mbështjellur me pëlhurën e një amerikanizmi dhe miqësie të përjetshme që e cilësonte si partneritet strategjik e bëri një dallim me të tjerët duke e shndërruar në një moto të veprimit politik me të cilin lehtësisht i fitonte zgjedhjet ndonëse kishte mungesë kronike të aktivizmit dhe marrjes së përgjegjësive për postin që e mbante. Sidomos kjo ishte e theksuar pas përfundimit të luftës deri në kohën kur ndërroi jetë.
Udhëheqësit e UÇK-së, ndonëse deklaroheshin proamerikanë thuaja asnjëherë nuk e fituan besimin e plotë të amerikanëve dhe aleatëve tjerë madje e pësuan nga po këta aleatë të çastit. Pastaj, loja me proamerikanizëm dhe antiamerikanizëm ka vazhduar sidomos pas daljes në skenë të LVV-së , tash parti në pushtet dhe me pushtet absolut e që nuk është shumë larg diktaturës. Lufta kryesore kundër LVV-së dhe Albin Kurtit bëhej duke e cilësuar si antiamerikan dhe rrezikues i marëdhënieve me partnerë strategjikë. Kjo, jo vetëm se nuk e dobësoi as LVV-në e as Albin Kurtin por i forcoi deri në masë që në zgjedhjet e fundit parlamentare fituan mbi 50 % të votave.
Çuditërisht e që nuk ka asnjë logjikë opozita e tashme ende e këndon “Këngën e Mjellmës të antiamerikanizmit të Albin Kurtit“ duke e matë me numrin e takimeve, vizitave dhe takimeve që i ka Albin Kurti me amerikanët në Kosovë dhe mungesën e vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikes. Politikisht është dështim strategjik i opozitës në vend se t’i përvjelin mëngët dhe ta bëjnë punën e opozites së vërtetë.
Tash, më në fund Albin Kurti, kryeministër i Kosovës duket se do ta realizojë viziten në SHBA, bashkë me Vjosa Osmanin, presidenten përçarëse dhe jounifikuese. Tash po spekulohet për nivelin e takimeve dhe për temën në këto, duke harruar se Kosova, si vend i vogël dhe me një buxhet social, në planin global e luan një rol të papërfillshëm. Jo vetëm Albin Kurti dhe Osmani por edhe të gjithë paraardhësitë politikë nuk janë pyetur asgjë për proceset por se kanë pranuar detyra dhe miqësia apo partneriteti me ndërkombëtarët është përkthyer në përqindjen e realizimit të detyrave të caktuara nga ndërkombëtarët.
Ky ka qenë kusht i mbijetesës politike i udhëheqësve kosovarë dhe ky kusht vlenë edhe për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, pa asnjë dyshim. Madje, jam shumë i sigurt se kryeministri dhe presidentja, pra Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë të qartë se çka do të kërkohet nga ata në këto takime dhe se nuk kanë shumë hapësirë manovruese. Kjo është ajo çka ndodhë brenda takimeve kurse fjalët e forta që fliten para mediave apo për opinion janë për përdorim të brendshëm e që nuk çojnë fare peshë. Të drejtën e përdorimit të fjalëve të forta dhe premtimeve, gjithashtu të forta e kanë pasur edhe liderët e mëparshëm. Rezultatet janë të njohura. Albin Kurti, ose do të vallëzojë sipas muzikës amerikane dhe evropiane ose do të largohet nga skena politike, nuk ka ndonjë mundësi tjetër. Sikur edhe të tjerët. Për aq sa shihet, Albin Kurti me asnjë çmim nuk do të largohet nga pushteti vullnetarisht prandaj edhe do të vallëzojë sipas kësaj muzike!
Pretekst për vizitë e kanë pjesëmarrjen në varrim të ish Sekretares së Shtetit Medllin Ollbrajt që ndërroi jetë kohë më parë. Nga Kosova, deri më tani janë konfirmuar se do të marrin pjesë në varrim, me lejen dhe kërkesën e familjes Ollbrajt, Vjosa Osmani, presidente aktuale, Atifete Jahjaga ish – presidente dhe Albin Kurti, kryeministër i Kosovës. Nivel shumë përfaqësues. Mendja ma thotë se pjesëmarrja në varrim të Sekretares së Shtetit, Medllin Ollbrajt është vetëm pretekst kurse qëllimi kryesor është që Departamenti i Shtetit të mësojë nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani se si ta ndalin luftën në Ukrainë, si të mposhtet Rusia dhe si të pengohet ndikimi rus në Ballkan dhe Evropë përmes instrumentalizimit të Serbisë aq më parë që prej fillimit të luftës në Ukrainë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kryesisht janë marrë me Ukrainën duke ofruar receta për zgjidhje kurse në mënyrë fakultative janë marrë me Kosovën. Me këtë po dëshmohet se liderët kosovarë, që nga përfundimi i luftës e deri me sot në mungesë të autoritetit vendimmarrës gjithmonë kanë përdorur armët e huaja politike për të mbijetuar politikisht. Duket se ky është fati i popujve të vegjël e që prodhojnë liderë megalomanë!
Bisedimet me Serbinë në tunelin e Sabatos
Kjo gjendje që është në marëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës më së shumti iu përgjigjet Aleksandar Vuçiqit dhe Albin Kurtit. Aleks Ujku , pasi i fitoi zgjedhjet në Serbi bindshëm edhe për një mandat mund ta vazhdojë ta luajë rolin e viktimës dhe vajtojcës së Serbisë duke e fajësuar Kosovën për gjithçka, që nga beteja e Mëllenjave e deri më sot dhe se në këtë aspekt po i shitet malli shumë në tregun ndërkombëtar. Serbia nuk është aspak e interesuar për marrëveshje me Kosovën qoftë edhe nëse e merr veriun e Kosovës të cilin edhe ashtu e kontrollon.
Serbia ka arritur dhe po ka sukses që Kosovën ta mbajë në gjendje të tensionimit dhe destabilizimit të përhershëm strategjik. Serbisë i përshtatet kjo gjendje në Kosovë edhe 500 vjetët e ardhshëm. Edhe Albin Kurtit i duhet kjo gjendje për të fituar kohë deri sa të kapë çdo segment të jetës në Kosovë. Deri sa të ketë pushtet 100 % nën kontrollë. Gjykata Speciale ia ka dhënë votën përcaktuese fitores së Albin Kurtit dhe, nëse ka interes politikë do ta mbajnë në pushtet edhe për 20 vjet të ardhshme, bashkë me këtë Çetën e Profetëve të analfabetëve politikë me të cilët i ka mbushur institucionet dhe mbetjet biologjike të ish bashkëpunëtorëve të Jugosllavisë dhe Serbisë që janë shumuar shumë në thuaja të gjitha institucionet.
Do të ishte shumë me ineteres për publikun të bëhet publikë lista e dëshmitarëve të mbrojtur dhe bashkëpunues të Gjykatës Speciale për ta kuptuar më mirë dhe përfundimisht rolin e ndyrë të disa individëve në luftë për pushtet. Aktualisht Kosova nuk ka opozitë vepruese por, nëse i kthehemi të kaluarës atëherë e kemi të qartë se aty ku nuk e keni pritur, kanë shpërthyer pakënaqësistë. Nëse vazhdohet me këtë represion institucional dhe hakmarrje politike dhe jo vetëm politike, Hanibalin (dhunën) pashmangshëm dhe vet do ta sillni te porta!
A ka ma abnormale se kur një shtet bisedon me shtetin tjetër, skajshmërisht armiqësor për rregullim të brendshëm siç është Zajebnica dhe a ka diçka më idioteske se kur bisedoni me një shtet për dukjen dhe përdorimin e tabelave të regjistrimit për vetura! Kështu bëhet shteti a?! Nëse një burokrat mashtrues si puna e Miroslav Lajçak për një pagë mujore afërsisht 50,000 euro mund dhe luan me Kosovën dhe qytetarët e saj, kjo nuk vlen për një burokrat tjetër si puna e Besnik Bislimit të luajë me këtë! Për aq sa po bisedojnë për tabela, shtetet kanë zgjidhur marrëveshje më të mëdha politike dhe ushtarake.
Të gjithë për Ukrainën, futja Kosovës
A keni dëgjuar ndonjë intervistë apo paraqitje publike të presidentes dhe kryeministrit sikur edhe sufleres së Ministrisë për Punë të Jashtme e cila, duke bërë punën e Sizifit ia ka futur vetes në kokë se është ministre për Punë të Jashtme e që nuk përmendet Ukraina, Rusia kriminale, Zielinski, sanksionet kundër Rusisë, ndikimit rus në Serbi dhe rreziku për luftë të re në Kosovë etj.?! Nuk e gjeni! Fitohet përshtypja se nuk po lufton Ukraina me Rusinë por se në luftë është Kosova. Kjo frikë e imponuar nga një luftë eventuale është riciklim i doktrinës politike dhe ushtarake të Rugovës që thoshte se: “rrini urtë se Serbia na shkatërron me robë e me dhi…”. Tash, qeveria aktuale, në vend se të merret me qytetarët e Kosovës dhe problemet që janë të shumta, tërë aktivitetin, kryesisht me ministra të baushtellës dhe disa ministra profesionalisht anlfabetë po e zhvendosë problemin në Ukrainë. Po kush na pyet neve për Ukrainën, pashë Zotin. Pa asnjë konkurs, në shtëpinë e vetme publike me letra në Kosovë e quajtur RTK-ë u pranua në punë një gazetare e Ukrainës për të lënë edhe tre vende tjera të lira. Në ndërkohë fshesa eliminuese në këtë shtëpi publike po punon me të madhe për të fshirë një numër të gazetarëve e për t’u zëvendësuar me gazetarë të regjimit aktual. Qofshin edhe nga Ukraina!
Ukraina nuk e pranon pavarësinë e Kosovës e as që do ta pranojë në të ardhmen. Këtë e bëri të qartë ambasadori i Ukrainës në Beograd disa herë. Më kujtohet se kur u ekzekutuan Arben Xhealdini dhe Mon Balaj, në kordonin prej 124 policëve të UNMIK-ut , para Teatrit Kombëtar, ky kordon përbëhej nga policë të Rumanisë dhe të Ukrainës. Isha dëshmitar okular sepse isha, si vëzhgues prapa kordonit bashkë me Veton Elshanin, ndërkaq para kordonit ishin Baca Adem Demaçi, Albin Kurti, Fexhrije, Shkëmb dhe Blin Shala, Avdullah Dërguti dhe të tjerë të LVV-së. Oficeri ishte gjerman kurse urdhër për intervenim kundlër protestuesve e ka dhënë një oficer amerikan. Ishte kjo skena e krimit!
Mbeta pa tekst kur lexova dikund se qeveria e Kosovës paska kërkuar që disa ekspertë të forenzikës dhe mjekoligjorë nga Kosova të dërgohen në Ukrainë. Mbase për të hetuar krimet e luftës në kohën kur në Kosovë nuk e kanë lënë asnjë rast të krimeve të luftës pa e zgjidhur! Lavdi marrëzisë! Po më duhet ta përkrahë një vendim të kësaj qeverie; emrimin e Agon Vrenezit ambasador në sulltanatin e Erdoganit. Po lexoj se ka kritika shkaku se Agoni qenka mik i Mytes dhe Hajrullah Çekos. Agon Vrenezi është person i kompletuar në aspektin njerëzor, moral dhe kombëtar, jo për ta mbikëqyrur dhe drejtuar Ambasadën e Kosovës në Turqi por edhe për ta drejtuar Ministrinë për Punë të Jashtme. Më së paku!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 21 prill 2022