GJOKË DABAJ: LETËR MIQËSORE Z. P.RASMUSEN

(Durrës, 24. 11. 2012) – Z.P.Rasmusen (Anders Fogh Rasmussen), Ju mbani sot postin më të rëndësishëm në organizatën politiko-ushtarake të Aleancës së Atlantikut NATO, dhe kjo ka shumë rëndësi për krejt Kombin Shqiptar, rrjedhimisht, edhe për mua, si një nga individërt e këtij Kombi. Nisur nga kjo, nga konsiderata për organizmin që Ju drejtoni dhe për Ju vetë, unë po i jap vetes të drejtën për t’jua shkruar këtë letër, në të cilën po e quaj të domosdoshme, madje më se të domosdoshme, të parashtroj disa sugjerime.
Do t’jua parashtroj këta sugjerime, duke Ju kërkuar paraprakisht shumë ndjesë, sepse e di që, për të gjitha çfarë nuk shkon në problemet që unë po trajtoj, deri tash nuk jeni Ju fajtori, por tjetërkush.
Në shënimin e 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ju, sipas njoftimit që dhanë mediat, u shprehët kështu: “Shqipëria është anëtare e denjë e Aleancës së NATO-s.”

Sekretari i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Së pari, Ju nuk duhej të kishit thënë SHQIPËRIA, por REPUBLIKA E SHQIPËRISË. Kjo, sepse nocioni SHQIPËRI ndryshon shumë prej nocionit REPUBLIKA E SHQIPËRISË. Nocioni SHQIPËRI nënkupton hapësirën gjeografike në të cilën, në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, u formësua, u krijua, Kombi Shqiptar. Ky territor me emrin SHQIPËRI, shtrihet nga kufijtë e Nishit, i cili sot gjendet në Rep. e Sërbisë, deri në kufijtë e Gjirit të Prevezës, i cili sot gjendet në Rep. e Greqisë. Ndërsa në orientimin perendim-lindje, territori i Shqipërisë (gjeografike) shtrihet nga ujërat territorialë të Detit Adriatik e Detit Jon deri në rrjedhat e lumenjvet Moravë e Vardar. Kjo është SHQIPËRIA. Ky është nocioni, i cili përfshin hapësirën gjeografike me emrin SHQIPËRI. Ndërsa REPUBLIKA E SHQIPËRISË është krejt tjetër. Me nocionin REPUBLIKA E SHQIPËRISË përcaktohet ajo pjesë e Shqipërisë së cilës i është dhënë e drejta për të qenë shtet më vete në Konferencën e Londrës në vitin 1913 dhe më tej në dokumentet e mëvonshëm ndërkombëtarë.
Kështu që Ju, në shënimin e përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, o duhej të kishit sqaruar çfarë nënkuptoni me emërtimin SHQIPËRI, ose duhej ta kishit kaluar atë moment thjeshtë jo duke thënë “SHQIPËRIA është anëtare…e Aleancës së NATO-s”, por “REPUBLIKA E SHQIPËRISË është anëtare… e Aleancës së NATO-s”. E them këtë, sepse, Ju, si strateg, si një prej komanduesve të një Aleance politico-ushtarake më të kompletuar, më të përsosur dhe më qëllimmirë që sot ekziston në planetin tonë, duhet ta dini që një pjesë e madhe e Shqipërisë nuk përfshihet sot në strukturat e kësaj Aleance. Disa territore të Shqipërisë, të cilët sot ndodhen në Rep. e Sërbisë, nuk janë anëtarë të NATO-s. Disa territore të Shqipërisë që gjenden në Rep.e Malit të Zi, nuk janë anëtarë të NATO-s. Një pjesë shumë e madhe e territorit të Shqipërisë që ndodhet në Ish.Rep.Jug. të Maqedonisë, nuk është anëtare e NATO-s. Vetë Rep. e Kosovës, që është gjithkështu pjesë gjeografike e Shqipërisë, ndonëse ndodhet nën mbrojtjen e forcavet ushtarake të NATO-s, nuk është ende anëtare e kësaj Aleance.
Rrjedhimisht, a mund të thuhet “SHQIPËRIA është anëtare… e Aleancës së NATO-s”? , kur territore kaq të mëdhenj të SHQIPËRISË nuk bëjnë pjesë në strukturat e NATO-s? Natyrisht që jo. Prandaj edhe nuk duhej thënë SHQIPËRIA, por REPUBLIKA E SHQIPËRISË.
Sugjerimi im i dytë është ky:
Ju thatë “është anëtare e denjë”. Unë nuk e gjej me vend këtë shprehje Tuajën, sado që kjo është thënë me një qëllim shumë të mirë. Nga rreth 2000 tanke që i kishte në vitin 1990, Ju e dini më mirë se unë sa tanke ka sot Rep.e Shqipërisë. Nga rreth 300 avionë lufte që i kishte në vitin 1990, Ju e dini më mirë se unë sa avionë lufte ka sot Rep.e Shqipërisë dhe sa helikopterë ka. Ju e dini më mirë se unë sa topa ka, sa kundërajrorë, sa tokësorë, sa artileri të rëndë, sa artileri të lehtë, sa njësi raketore ka Rep.e Shqipërisë. Ju e dini më mirë se unë, sa mjete të blinduar ka sot ushtria e Rep.së Shqipërisë. Ju e dini më mirë se unë si është gjendja e armës kimike apo e ndërlidhjes sot në ushtrinë e Rep.së Shqipërisë. Ju, më në fund, e dini më mirë se unë, sa forcë të gjallë ushtarake, sa oficerë e ushtarë, të aftë për t’i dalë zot vendit të vet dhe për të dhënë denjësisht kontributin që i takon për ruajtjen e paqes në kuadër të Aleancës Euroatlantike të NATO-s, ka sot Rep.e Shqipërisë.
A mund të thuhet, kur i kemi të gjitha këto parasysh, që Rep.e Shqipërisë është një anëtare E DENJË e NATO-s?! Për mua, ne jemi anëtarja MË E PADENJË e kësaj Aleance. Thënë më saktësisht, ne jemi TURPI i kësaj Aleance politiko-ushtarake, e cila pretendon të jetë forca më shpresëdhënëse e ruajtjes së paqes në këtë Botë. Përfytyroni nëse SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Rep.Franceze, Gjermania etj, të ishin, qoftë edhe PROPORCIONALISHT, po kaq “të armatosura” sa Rep.e Shqipërisë! Prej një të tillë Aleance politiko-ushtarake nuk do të kish frikë, nuk do të trembej, as edhe një tufë macesh, jo më një çfarëdo force ushtarake.
Unë e di, z.P.Rasmusen, që qëllimi Juaj është tepër fisnik, kur shpreheni në këtë Jubile të shqiptarëvet në atë mënyrë. Unë, në pozitën e një banori të rëndomtë të këtij vendi, Ju jam shumë mirënjohës që Ju e trajtoni Rep.e Shqipërisë me shprehje aq dashamirëse. E di edhe këndvështrimin, nga i cili Ju e shikoni anëtarësinë në NATO të Rep.së Shqipërisë. Ju, doemos, keni parasysh pozitën gjeografike të këtij shteti të vogël këtu në Gadishullin Ballkanik. Keni parasysh edhe disponimin tonë, si Komb, për të qenë sa më kontribues në politikën gjeostrategjike të asaj Aleance. Por e gjithë kjo nuk mund të jetë kurrsesi e mjaftueshme për t’u quajtur Rep.e Shqipërisë një anëtare E DENJË e NATO-s.
Rep.e Shqipërisë mund të bëhet realisht E DENJË vetëm atëherë kur kjo të bëhet E ZONJA jo vetëm SHPIRTËRISHT, por EDHE USHTARAKISHT, sa për të mbrojtur veten, aq edhe për të kontribuar në konsolidimin e paqes rretherrotull.
Rep.e Shqipërisë është ÇARMATOSUR EGËRSISHT pikërisht në kohën kur kjo u bë edhe me deklarata aleate e NATO-s. Themi EDHE ME DEKLARATA, sepse REALISHT dhe FAKTIKISHT Rep.e Shqipërisë ka qenë aleate e kësaj force euroatlantike e pakta që nga viti 1976, kur është shkëputur edhe nga Rep.Pop. e Kinës. U çarmatos egërsisht për shkaqe qe Ju sigurisht i dini më mirë se unë, por që, nga këndvështrimi im, ajo çarmatosje shkonte qartësisht edhe në dëm të NATO-s. Madje, jo EDHE në dëm të NATO-s, por TËRËSISHT dhe KRYEKËPUT në dëm të NATOs. Akti i të çarmatosurit të Rep.së Shqipërisë pas vitit 1990, në historiografi do të konsiderohet , pa dyshim, si një veprimtari subversive e një lloji të veçantë të Kolonës së Pestë pikërisht kundër NATO-s. Themi kundër NATO-s, sepse, po të dobësohej Rep.e Shqipërisë, vetëvetiu dobësoheshin edhe pozitat e NATO-s në këtë rajon, jo pak të rëndësishëm për NATO-n. Çarmatimi i Rep.së Shqipërisë pas vitit 1990 është një thikë pas shpine që i jepet NATO-s. Se kush ia ka ngulur këtë thikë pas shpine NATO-s, Ju sigurisht e dini edhe konkretisht.
Por tani shtrohet problemi i madh:
Si të riarmatoset në mënyrë të denjë e të mjaftueshme Rep.e Shqipërisë? Me fjalë të tjera: Si të bëhet Rep.e Shqipërisë REALISHT faktor paqeje në këtë rajon të Botës? Sepse, gjithkush e di që nuk mund të jesh faktor paqeje, pa pasur edhe forcën në dispozicion. Armatosni vetëm Greqinë dhe Sërbinë dhe të shohim çfarë faktori “paqeje” do të bëhen, edhe Rep.e Shqipërisë, edhe Rep.e Kosovës, edhe Ish-Rep.Jug.e Maqedonisë! Ose: Le të çarmatoset NATO-ja siç është çarmatosur Rep.e Shqipërisë dhe të shohim ç’faktor “paqeje” do të bëhet ajo në Botë!
Për të riarmatosur Rep.e Shqipërisë, dihet që nuk mund të mbështetemi në potencialin ekonomik të këtij shteti. Nuk mund të mbështetemi në potencialin ekonomik, për arsye se edhe ekonomia e Rep.së Shqipërisë u rrënua drastikisht pas vitevet 1990, gjë që gjithkështu përbën një thikë pas shpine për NATO-n. Rrënimi i një vendi, ku NATO-ja ka interesa jetikë, interesa ekzistencialë, s’ka si shpjegohet ndryshe, veçse si një DISFATË e NATO-s në këtë rajon. Dhe, e vetmja mënyrë për ta riparuar këtë disfatë, është riarmatosja e Rep.së Shqipërisë, si dhe e krejt Kombit Shqiptar, në ata shtete ku ai është subjekt shtetëror vendimtar, si në Rep.e Kosovës dhe në Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë.
Për mënyrën se si duhet të rifuqizohen ushtarakisht vendet ku jetojnë shqiptarët, Evropa dhe Amerika duhet të shikojnë kritikisht qëndrimin e Evropës Perendimore ndaj Heroit Kombëtar të shqiptarëvet, Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe në përgjithësi ndaj arbërvet. Nëse Evropa Perendimore do t’i kish ndihmuar arbërit në shekujt XIV, XV, XVI, XVII, në të gjitha fushat, financiarisht, ushtarakisht, politikisht, PA KURSIM, duhet të kemi bindjen që Perandoria Osmane, forca më e errët antievropiane e Mesjetës së Vonë, nuk do të kish arritur as në Hungari, as nën muret e Vjenës. Nëse Evropa do të qe treguar më largpamëse PËR VETE, në krejt shekujt që i përmendëm, historia e vetë Gadishullit të Ilirikut, që turqit e ripagëzuan Ballkan, do të qe shkruar krejt ndryshe. Rrjedhimisht, edhe historia e krejt Evropës mund të ish më pak e përgjakur.
Për të riarmatosur Rep.e Shqipërisë, pra për t’ia kthyer kësaj DINJITETIN që Ju e përmendët, e vetmja rrugë është DHURIMI. Ose financimi në formë DHURATE, ose DHURIMI I DREJTPËRDREJTË. Të gjithë prodhuesit e armëvet, të atyre shteteve që bëjnë pjesë në NATO, duhet të caktojnë një KUOTË DHURIMI për forcat e armatosura të Rep.së Shqipërisë. Të gjitha fabrikave, të gjitha uzinave, të gjitha firmave, kompanive e korporatave, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Komandës supreme të NATO-s, duhet t’u caktohet një KUOTË e përshtatshme dhurimi për Rep.e Shqipërisë. Nga 2 apo nga 5 avionë, nga 2 apo nga 5 helikopterë, nga 5 tanke, nga 1 nëndetëse, nga 1 luftanije e 2 apo 4 anije më të vogla lufte, nga 10 apo 15 topa, nga 5 raketa, që të gjitha moderne, prodhimi i fundit, krejt të reja dhe krejt FALAS. Fshehtas ose hapur, duke pasur shumë kujdes nga SABOTIMET E BRENDSHËM që i bëhen pa pushim kësaj force të rëndësishme njerëzimmbrojtëse. Vetëm kështu dhe vetëm kështu mund të bëhet reale shprehja “Republika e Shqipërisë është anëtare e denjë e aleancës së NATO-s.” Përndryshe, as vetë NATO-ja nuk mund të jetë E DENJË në misionin që ia ka caktuar vetes.
Me respekt, Gjokë Dabaj
Durrës, 24 nëntor 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura