Pashtriku, 14 shkurt 2021: (Në vend të përkujtimit, me rastin e 30 vjetorit të vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës, Zvicër, Janar 2012)
Les amis de la vérité sont ceux qui la cherchent et non ceux qui se vantent de l’avoir trouvée. Nicolas de Condorcet (1743 – 1794) – (Miqtë e së vërtetës janë ata që e kërkojnë atë, e jo ata të cilët mburren se e kanë gjetur) (Nicolas de Condorcet (1743 – 1794)
JUSUF GËRVALLA ishte angazhuar në LNÇKVSHJ drejtpërsëdrejti nga METUSH KRASNIQI. Kjo është ana tjetër e medaljes së LNÇKVSHJ dhe e Jusufit, nga ajo që thonë Sabri Novosella e Xhafer Durmishi.
U mbushën plot tridhjetë vite (17 Janar 1982) nga vrasja mizore prej dorës kriminale serbo – jugosllave e tre yjeve të bashkimit kombëtar, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës.
TRE YJE TË PASHUARA THERORË TË BASHKIMIT KOMBËTAR
– Por, heronjt nuk vdesin kurrë, sepse emrat dhe veprat e tyre bëhen të pavdekshëm! Kjo pavdekshmëri dhe kjo përjetësi e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës edhe u ligjësua në Prishtinë, më 26 nëntor 2010, kur, në një ceremoni solemne, organizuar në Kuvendin e Kosovës, ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në prag të festave të 28 Nëntorit ka ndarë 31 dekorata e medalje për personaliteteve të njohura të kombit shqiptar – heronj, dëshmorë, kontribues të lirisë dhe të ngritjes së kulturës dhe arsimit në Kosovë. Me Dekoratën Heroi i Kosovës, u dekoruan: Hamëz Jashari, Adem Demaçi, Shaban Shala, Fazli Grajçevci, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Xhavit Haziri.
Jusuf Gërvalla, Metush Krasniqi dhe Sabri Novosella
Në këtë shkrim, si një analizë dhe hulumtim për veprimtarinë e heroit tonë kombëtar, Jusuf Gërvalla, do të përpiqem që t’i sqaroj e ndriçoj, disa raste edhe t’i përmirësoj e t’i plotësoj duke shtuar disa të dhëna të sakta që janë në kundërshti të plotë ndaj disa shkrimeve të Sabri Novosellës e Xhafer Durmishit lidhur me këtë figurë madhore të kombit tone.
Në shkrimin tim me titull “METUSH KRASNIQI – THEMELUESI I LNÇKVSH-së DHE FRYMËZUESI I UÇK-së” i kam sqaruar disa gjëra lidhur me gjenezën e LNÇKVSHJ-së duke konstatuar se, ajo e ka burimin në takimin e Dajkocit të Dardanës, në shtëpinë e Bacë Metush Krasniqit, më 2, 3 dhe 4 shtator të vitit 1974. Fatmirësisht, këtë e dëshmojnë, me gojë dhe me shkrime edhe dy protagonistët e gjallë të këtij takimi, Baca Adem Demaçi dhe Baca Zeqir Gërvalla.
TRE PISHTARËT E BASHKIMIT KOMBËTAR
Dihet se me burgosjen dhe me dënimin e grupit të Adem Demaçit prej 19 vetëve, më 1975, Lëvizja kombëtare në Kosovë, u dëmtua shumë. Për të vazhduar këtë luftë nacional çlirimtare, Metush Krasniqi takohet me ish-anëtarët e LBRSH-së, si organizatë më e madhe e kohës, me Sabri Novosellën dhe me Shefqet Jasharin, me të cilët njihej kaherë.
Metush Krasniqi kishte qenë këshilltar i këtyre dyve në demonstratat e vitit 1968, prandaj edhe nëpërmes tyre donte ta zgjeronte Lëvizjen e projektuar në Dajkoc, meqë kryetari i LBRSH-së, Baca Adem, ishte dënuar 15 vite burg. Sabriu do ta shfrytëzonte emrin dhe autoritetin e Bacës Metush, gjatë gjithë veprimtarisë së vet në kuadër të LNÇKVSHJ-së, me pretekstin për ta ruajtur si kuadër, duke u thirrur në emër të tij, gjithashtu, ai do ta shfrytëzoi emrin e Bacës Adem, gjëja se kishte lidhje me të edhe në burgjet ku qëndronte, ai madje fliste edhe në emër të tij. Në pretekstin e ruajtjes së kuadrove dhe të konspiracionit ky nuk do të pranojë anëtarë të rinj, madje as ish-anëtarë të LBRSH-së.
– Këto dredhi e manipulime shihen qartë sidomos me daljen e tij jashtë atdheut, në Turqi, pastaj në Suedi; duke folur në emër të një komiteti fiktiv, si një “Komitetit Qendror” të Lëvizjes etj.
Për historikun e LNÇKVSHJ-së, ky shkruan sipas bindjeve të veta individuale, si antikomunist i tërbuar, duke e mohuar të vërtetën e saj, pastaj i zgjedhuri i tij, si kuadër, Xhafer Durmishi, shkruan edhe sot sipas recetave të Sabri Novosellës duke i ndarë në komunistë e antikomunistë atdhetarët e devotshëm, sidomos kur flet për marrëdhëniet e luhatura të Jusuf Gërvallës me Kadri Zekën, që u kishin ndodhur pikërisht me shpifjet e trillimet e Sabri Novosellës.
Edhe në shkrimin tim me titull “Metamorfozat ideopolitike dhe historike të Sabri Novosellës”, publikuar më 1 prill, 2011, në “Albaniapress”, “Pashtriku.org.” e në gazeta tjera elektronike, si dhe në reagimet e mia ndaj shkrimeve të Xhafer Durmishit lidhur me aktivitetin tim në LNÇKVSHJ i kam sqaruar disa ngjarje duke i kundërshtuar disa shtrembërime që këta i bëjnë kësaj Lëvizje, mendoj se nuk është e tepërt nëse disa gjëra përsëriten prapë.
– Po e filloj duke i theksuar shkrimet “historike” të Xhafer Durmishit ku flet për udhëheqjen e LNÇKVSHJ-së dhe për Jusuf Gërvallën.
Ky, edhe tani në librin e vet më të ri ”Lëvizja e Jusuf Gërvallës”, Pashtriku. org. Tetor’2011); – thotë se “Sabri Novosella është ai i cili i ka ofruar anëtarësim Jusuf Gërvallës në LNÇKVSHJ. Jusufi pranon menjëherë me kënaqësi të madhe. Është meritë e Sabri Novosellës që duke e organizuar Jusuf Gërvallën në LNÇKVSHJ bëri që energjitë dhe talenti i tij të derdhen e të kanalizohen menjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështjen e popullit shqiptarë në ish-Jugosllavi. Përveç Sabriut, Jusufi nuk ka njohur asnjë kuadër më të lartë, as personalisht e as përmes ndonjë vepre. Natyrisht se, Sabriu i ka fol Jusufit se ekziston Komiteti Qendror, Kryetari e gjëra të tjera.” (Faridin Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 326).
– Kjo nuk është e vërtetë, faktet na dëshmojnë se Jusuf Gërvallën e angazhoi drejtpërsëdrejti Baca Metush Krasniqi. Sabri Novosella e heshtë këtë fakt duke menduar se Metush Krasniqi e Jusuf Gërvalla kanë vdekur dhe harron se e vërteta herët ose vonë del në shesh.
Sabriut i pëlqen ky ”informim historik” i Xhafer Durmishit dhe nuk e tregon të vërtetën se cili ishte ai, që e kanalizoi Jusuf Gërvallën në LNÇKVSHJ dhe kur!…
Nga rrjedhat e marrëdhënieve të Jusuf Gërvallës dhe Sabri Novosellës shihet se Jusufi i ka besuar Sabriut, si një nga kuadrat e ish-LBRSH-së, kurse Sabriu, gjatë tërë aktivitetit të tij e ka sabotuar, me dinakëri. Në fejtonin e Sabri Novosellës ”Njëri nga ata” (Rrëfim në veten e tretë”), faqe 28 tregon se ”Me Jusuf Gërvallën, Sabriun e kishte njoftuar Teki Dërvishi pas lirimit nga burgu i Goli Otokut”.
Në asnjë rresht të këtij fejtoni me 107 faqe, Sabriu nuk e shpjegon se si ”i ka ofruar” anëtarësimin Jusuf Gërvallës në LNÇKVSHJ. Për çdo veprimtar të çështjes kombëtare do të ishte një mburrje e krenari që ta angazhonte një hero të tillë, – siç ishte Jusufi i madh, por, Sabri Novosella ia lenë këtë detyrë ”historike” ndihmësit të vet, Xhefer Durmishit!
Xhefer Durmishi, duke u munduar që të jetë sa më ”kompetent” për anëtarësimin e Jusufit në Lëvizje e thotë edhe këtë fjali nënçmuese për heroin tonë, kur thekson se, Shefqet Jashari paska thënë: “Ta zëmë rastin kur është futur në kryesinë e ngushtë Jusuf Gërvalla. Unë, nuk kam ditur si quhet, çfarë profesioni ka, ku punon dhe jeton dhe ku ka lindur.
Sabriu, i ka thënë se e njoh një kohë të gjatë, është atdhetar i mirëfilltë, dmth i painfektuar nga ideologjia e djallit të mallkuar bolshevik.” (Drita, Trelleborg, Suedi, nr 15, 1997, faqe 15).
– Këtu, do ta demantoj menjëherë këtë konstatim, pa bërë asnjë analizë, se nëqoftëse dikush ka qenë i „infektuar“ nga „ideologjia e djallit të mallkuar bolshevik“, atëherë është vetë Sabri Novosella, i cili shpërndante literaturë nga Tirana, me direktivat e Jusuf Gërvallës, e si dëshmi është edhe vepra e Enver Hoxhës „Imperializmi dhe Revolucioni“, të cilën e pohojnë edhe disa ish-anëtarë Lëvizjes, e ndër ´ta është edhe Shefqet Jashari.
Një dëshmi tjetër historike është se familja e Jusuf Gërvallës, pas vdekjes së tij, shkoi për të jetuar në Shqipërinë e Enver Hoxhës me ndërmjetësimin e Sabri Novosellës dhe të Xhafer Durmishit, natyrisht, -të ndihmuar nga diplomati i shtetit shqiptar, Engjëll Kolaneci i cili atëherë gjendej në Vjenë. Këta të dy, deri në dështimin e tyre organizativ, ishin si „trashëgimtarë“ të udhëheqjes ideologjike të Lëvizjes së Jusuf Gërvallës…
Një argument kundërthënës me pohimin e Xhafer Durmishit se, „KOMUNISTËT RUANIN ROLIN HEGJEMON» dhe ndaj sulmeve të Sabri Novosellës që ua bënë enveristëve, komunistëve, bolshevikëve të majtëve, apo sllavo – komunistëve, -siç shprehen ata në zhargonin e tyre ideopolitik të sotshëm, është pohimi i vetë Shefqet Jasharit, i cili ndër të tjera thekson: ”Atëherë, Enveri në vetëdijen e shqiptarëve paraqiste mishërim atdhedashurie, sepse ishte udhëheqësi i shtetit shqiptar.
Populli ynë që ishte nën thundrën serbo-jugosllave nuk dinte për diktaturën e tij të egër. Populli ynë, i besonte shumë fjalëve të tij, shpresonte në fjalët e tij. Prandaj, të gjithë atdhetarët dhe i tërë populli e ka dashur atë pa masë. Vetëm tradhtarët, sahanlëpirsat e Titos, frikacakët dhe qyqarët nuk e kanë dashur, por e kanë urryer Enver Hoxhën…” (Shefqet Jashari-Strofci ”Pse jemi kështu siç jemi?!” polemika-analiza-dëshmi, Le Locle (Zvicër) – Prishtinë2002, faqe 22).
Xhafer Durmishi, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Jusuf Gërvallës, për gjashtë muaj në Gjermani, i dërguar dhe i udhëzuar nga Sabri Novosella për t’i ”ndihmuar” Jusufit, si antikomunist, bie në ndikimin e Jusufit, kjo duket në librin e tij “Protesta dhe Aspirata”, Prishtinë, 2006, në faqen shtatë, ku, pos të tjerave e thotë edhe këtë: « Me këtë rast dua të them se E. Hoxha, për mua dhe për Atë (për Jusuf Gërvallën, shënimi im) që e çmoj më së shumti në këtë jetë, ka qenë një nga inspiruesit e frymëzuesit në luftë kundër pushtetit serb. Në atë periudhë të jetës time, (gjer në vitin 1985), – Kosovës, mund të thuhet, se nuk i ka ardhë asnjë e keqe prej E. Hoxhës, por vetëm të mira. Duke u bazuar në numrin e tytave të topave e pushkëve, Shqipëria ka qenë mbrojtësja konstante, besnike dhe e guximshme e Kosovës dhe shqiptarëve nën Jugosllavi.»
Se, Enver Hoxha është çmuar nga heroi ynë kombëtar, Jusuf Gërvalla, kjo nuk ka asnjë dyshim, – kurse Sabri Novosella e Xhafer Durmishi e kanë urrejtur me mish e me shpirt, por, atëherë jo haptas, – këtë urrejtje e shprehin haptas tani, pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri. Fjalët e lartpërmendura nga Xhafer Durmishi janë vetëm një farsë demagogjike për t’u mbajtur pas figurës së Jusuf Gërvallës.
Për mos t’u zgjatur më shumë, po e jap një dëshmi, se sa ky e çmonte Enver Hoxhën, – kur në Festën e 28 Nëntorit të vitit 1982, mbajtur në Dekenpfron (Gjermani), pikërisht dhjetë muaj e dhjetë ditë nga vrasja e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, ky me direktivat e Sabri Novosellës nga Turqia, nuk lejon që të këndohen këngë për Enver Hoxhën, ja teksti: ”Baca Jahir kërkoi fjalën për të folur, por Xhafer Durmishi nuk ja dha. Ai, u prek aq shumë sa që iku dhe nuk mori pjesë në mbrëmje. Disa nga këngëtarët i kishte sjellë Xhavit Ramabaja nga Bilefeldi. “Skënderi”, (Xhafer Durmishi), kishte marrëdhënie të mira me Xhavit Ramabajën.
Në këtë mbrëmje kishte një komision drejtues; nuk u lejua që të këndohen këngë për Enver Hoxhën. Kjo ishte me iniciativë të Xhavit Ramabajës dhe me urdhër të Xhafer Durmishit, bile u tha se po të këndohej këngë për Enver Hoxhën, ata do të nxirreshin jashtë.”
Në këtë mbrëmje kërkoi fjalën edhe Ibrahim Kelmendi, por nuk ju dha; Xhafer Durmishi as që dëshironte të bisedonte për një gjë të tillë. Kur Ibrahim Kelmendi kërkoi të dinte se cilët shokë nuk po e lejonin të dilte e të fliste në tribunë, Xhafer Durmishi iu përgjegj: ”Unë i di ata shokë dhe nuk është nevoja t’i dish edhe ti”.
Xhafer Durmishi në këtë mbrëmje u tregua njeri urdhërues e kokëfortë”. (Faridin Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, “Eurorilindja”, Tiranë, 1997, faqe 68).
Xhafer Durmishi, për ta bindur lexuesin e painformuar, e përsërit X – herë këtë fjali: Xhafer Durmishi: «Jusuf Gërvalla: “Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit (Xhafer Durmishit-shën im) dhe timen në KQ (Komitetin Qendror-shën im).” (Letër Sabri Novosellës, 14 janar 1982, Faridin ”Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, 1997, faqe 452-454)
Nga letra e infektuar e Jusufit rrjedh se Jusufi është pranuar në Komitetin Qendror të LNÇKVSHJ pas 17 korrikut 1981, në të njëjtin moment apo me të njëjtin vendim së bashku me Shpendin, përmes Sabri Novosellës.
– Kjo, i pëlqen Xhafer Durmishit dhe kapet pas fjalëve të Jusuf Gërvallës për interesat e veta meskine. Sipas këtij pohimi, kuptohet se Jusuf Gërvalla qenka pranuar në ”Komitetin Qendror” të LNÇKVSHJ-së pas 17 korrikut 1981?! Se kjo, nuk është hiç e vërtetë, këtë e din edhe vetë Xhafer Durmishi, – por, pasi që ky ka qenë i dërguar, si sejmen i Sabri Novosellës, – shkruan kurdoherë sipas bindjes se të ”vërtetën” e ”Komitetit Qendror” e din vetëm Sabriu?!
Unë, kam shkruar për ”Komitetin Qendror” të Lëvizjes sonë në shkrimin me titull DËSHMI PËR AKTIVITETIN TIM SI KUADËR NË KQ TË LNÇKVSHJ’së, ku flas për Komitetin Qendror, në formim, në vitin 1978. Për “Komitetet” tjera fiktive të Sabri Novosellës, kushedi se sa, kanë folur e kanë shkruar shumë bashkëveprimtarë, e këtu shkruan edhe heroi ynë Kombëtar, sipas “njoftimit” që i kishte dhënë Sabri Novosella.
Po ta shohim se nga cili vit angazhohet Xhafer Durmishi në LNÇKVSHJ?! Le të flet ai vetë:
Sunday, 17 January 2010
«Si më njoftoi UDB’a për vrasjen e Jusuf Gërvallës?
Në janar të vitit 1981, me kërkesën e dy shokëve të Lëvizjes së Jusufit, me të cilët kam pas kontakt, (Sh.S. dhe I.S.) kam udhëtuar për në Stamboll për ta takuar Sabri Novosellën. …Sabri Novosellën e kam takuar në banesën e Tefik Strajës. … Pas qëndrimit disa ditësh në Stamboll, para se me u nda, Sabriu ma ka dhanë numrin e telefonit të banesës së vetë në Adapazar…në qershor 1981 shkova tek të afërmit e mi në Zvicër, për të punuar, ashtu siç kisha bërë një vit më parë. Me vete e kisha numrin e telefonit të Sabriut. Pas disa ditësh e kam thirr në telefon dhe i kam tregua se jam në Zvicër. Në bisedën e parë, Sabriu ma ka dhënë numrin 0049714126091, i cili ka qenë numri i telefonit të zyrës së Bardh Gërvallës në Ludwigsburg, në Solitudestrase 44, dhe më ka thënë që të merrem vesh me Bardhin dhe të shkoj në Shtutgart. Rreth, apo pikërisht më 17 korrik 1981 kam marrë trenin nga Zurichu për në Shtutgart. Jusuf Gërvallën, Bardhin, familjet e tyre dhe Naim Haradinajn për herë të parë në jetë i kam takuar më 17 korrik 1981.»
Xhafer Durmishi, më sulmon përsëri se unë e paskam akuzuar me të padrejtë Bujar Hoxhën dhe për takimin e kurdisur të tij e të Tefik Strajës gjatë qëndrimit tim në Stamboll në tetor të vitit 1979. Për këtë edhe merr mundimin e kërkon ndihmë nga vajza e Bujar Hoxhë për t’u informuar për qëndrimin zyrtar të tij në Turqi, për të pasur një alibi, kur dihet se për detyrat e shtetit, me sekrete të PPSH-së, nuk ka guxuar t’i dijë as familja e ngushtë. Po të shikohet mirë e mirë edhe fotografia e tij dhe përshkrimi im, ku them për Bujar Hoxhën: … ishte burrë i shëndoshë, fytyrëgjerë e të kuqe, pak qeros nga pjesa e përparme e kokës, dhe për habinë time zylyfet i kishte pak më të gjatë se normalisht, diçka e pakapshme dhe kontradiktore për kohën, do shihet se ka saktësi në përshkrimin tim, sidomos në zylyfet e tij të gjata për kohën e atëhershme. Bujar Hoxha, Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova ishin kategorikisht kundër pajtimit e bashkimit kombëtar, në fillim të vieteve të 90-ta, kur intelektualët shqiptarë bënin përpjekje për një pajtim gjithëkombëtar.
Ky nuk e përkrahu UÇK-në, ishte kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Ishte këshilltar i Sali Berishës dhe i Ibrahim Rugovës. Në vitin 2004 ishte bërë edhe anëtar i LDK-së së Ibrahim Rugovës…Unë bindshëm i besoj Nexhmije Hoxhës e cila thotë për Bujar Hoxhën: «Bujar Hoxha, Enver Hoxhën, që e rriti në fushën intelektuale dhe e bëri profesor, kurse në atë politike e bëri konsull në Stamboll, (ku Bujari e përçau dhe u vuri flakën kosovarëve), e tradhtoi» (Nexhmije Hoxha “Jeta ime me Enverin”)
JUSUF GERVALLA: “BASHKJETESA” E XHELATIT ME VIKTIMËN
– Se, sa e ka trazuar dhe frikësuar Xhafer Durmishin akuza ime ndaj Bujar Hoxhës, një sllavofil i dëshmuar, këtë e din vetëm ai, flet e kaluara e tij, kur Xhafer Durmishi mundohej që ta vazhdonte daljen e “Zërit të Kosovës” me “krahët e vet”, por që Sabri Novosella i cili ishte padroni i tij dhe që i kishte çelësat e arkës së Lëvizjes, nuk i jep më detyrë, sepse këta më nuk kanë mundësi që të manipulojnë me anëtarësinë e gjerë të LRSSHJ-së, sepse ishin bërë tri grupacione në udhëheqësinë e saj. “Askush nuk e din shumën e saktë të mjeteve materiale që iu është dhënë Sabri Novosellës. Në bazë të informacioneve shoqërore të asaj kohe, thuhej se Sabriu ka marrë 17-20 mijë dollarë. Asokohe me aq para mund të blihej një shtëpi bashkë me shtypshkronjë në qendër të Brukselit. Sabriu deklaron se ka marrë gjysmën e asaj shume, ndërsa gjysmën tjetër e kanë marrë njerëzit e sigurimit të Shqipërisë”. ”(Reshat Salihaj “Musa (Daut) Hoti – shënime, kujtime, përjetime, dokumente- Prishtinë, 2011, faqe 230-231, marrë në internet)
Qe faktet për ndërprerjen e “Zërit të Kosovës, në Suedi:
Sabri Novosella: «Kështu, u arrit përçarja e plotë e LRSSHJ-së dhe u krijuan dy krahë të saj. Filloi të dalë edhe një organ me emrin “Zëri i Kosovës”, me adresë në Suedi. Këtë organ e udhëhiqte Xhafer Durmishi. Xhafer Durmishi, i frikësuar tmerrsisht se mos po akuzohet si reaksionar, e kur të jepej epiteti reaksionar nënkuptohej edhe se je kundër PPSH-së, kundër Shqipërisë e tradhtar, kështu që, Xhafer Durmishi në këtë organ u bë më Lenin se Lenini e më Stalin se Stalini, për të cilën gjë e jepte bekimin diplomacia shqiptare në Stokholm për çdo numër të organit. Për këtë punë intervenova unë dhe ndala botimin e organit “Zëri i Kosovës”, me adresë në Suedi.” (Faridin Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, “Eurorilindja”, Tiranë, 1997, faqe 324).
– Se çka shkruajnë të tjerët për Bujar Hoxhën, qoftë edhe ai vetë, nuk e mundojnë shumë Xhafer Durmishin, sa dëshmia ime për takimin që kisha me këtë renegat në Stamboll. Qe disa pohime të tjera lidhur me Bujar Hoxhën:
Sabri Novosella:
“Sabriu u nda nga prof. Bujar Hoxha për të mos u takuar më asnjëherë me të dhe as me diplomatë të tjerë të Enver Hoxhës që ishin hedhur në luftë të paskrupullt për t’i përçarë veprimtarët shqiptarë nga Kosova, ashtu siç kishin vepruar ndaj të gjithë shqiptarëve në diasporë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. (Sabri Novosella NJËRI NGA ATA” (Rrëfim në veten e tretë), faqe 66).
Faridin Tafallari:
… ËSHTË KORREKTESI KUR THUA TË VËRTETËN, POR JO NGA STAMBOLLI E ADAPAZARI… (Publikuar më 26 mars, 2009, si reagim ndaj shkrimit « Letër mikut Ramadan Pllana » të datës 23 mars, 2009 të Abdullah Prapashticës, në «albaniapress »)
« ….Po ti çfarë përralla tregon, duke i parë gjërat, me dylbi nga Stambolli, gjërat e dallavereve të tua dhe të Sabri Novosellës, që s’kanë bërë asgjë…vetëm zhurmë, si gurët e mullirit në të thatë!
– Ju mund të thoni, se keni bërë “mrekullira”! Por, JO, aty ku u vranë shokët! Sabriu erdhi nga Turqia mbas vrasjes makabre, se më parë kur e kërkonte Jusufi, që të kontaktonte me të e ta ndihmonte për disa gjëra, askund nuk i dihej adresa këtij farë “burri”! Fill mbas vrasjes, ai fluturim erdhi në Gjermani i mbushur me mllefin e tij, si i çmendur, se mos po bëhej dikush tjetër “kryetar” e ai… e ai… e ai me atë mendjen e keqe, na përçau e na bëri pikë e pesë, bash ashtu, si Nuhi Sylejmani yt, para tij! Dhe, tash e ngre zërin si tellall, se ju na qenkeni ata, që bëtë namin e “madh” nga Turqia, me atë farë, spiuni Bujar Hoxhën! Kur Bardhoshi dhe Kadriu shkuan nga këtu, që të këshillohen me të, si përfaqësues dhe të marrin pëlqimin e shtetit amë, për bashkimin e dy organizatave si motra, ai shpirt- ligu, i quajturi Bujar Hoxha, u mundua t´i provokojë, t’i thyente shokët tanë, prijësit tanë, Bardhoshin dhe Kadriun…!!! I kam përcjellë të gjitha shkrimet në vazhdim, të zotit Ramadan Pllana, më janë dukur të vërteta dhe interesante dhe për ta përshëndetur në dy prej tyre i kam dhuruar nga pesë yje! Nuk e kam njohur dhe as e njoh, por shkrimet i ka shkruar ashtu si i ka parë dhe aty ku e me kë ka vepruar. Ashtu del e vërteta dhe ashtu i shërbehet popullit dhe jo me të kërcyeme nga Turqia në Shtutgart e Zvicër!? ».
– Sali Berisha, i cili si këshilltar kryesor e kishte Bujar Hoxhën, ka vepruar dhe vepron me intensitet nga dirigjimet e UDB-ës. Zbulimi serb dhe ai grek në bashkëpunim me njeri-tjetrin dhe me ndihmën e Sali Berishës kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë Shqipërinë. Ata, nuk shkatërruan vetëm ekonominë nga veriu në jug, por krahas kësaj duan të shkatërrojnë edhe kombin shqiptar. Serbët nga veriu dhe grekët nga jugu filluan zbatimin e planit të tyre…
“Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit (Xhafer Durmishit-shën im) dhe timen në KQ”. Kjo, do të thotë se me gradë, në Kosovë, Ramadan Pllana ka qenë më i lartë se Jusuf Gërvalla. Por, është modestia e tij tepër e madhe që e shtyn mos me i dalë Jusufit përpara, andaj edhe deklaron se është pranuar në KQ në të njëjtën ditë me Jusufin. Shtrohet pyetja: Pse Ramadan Pllana i shtrembëron faktet në mënyrë kaq të tejdukshme për personin kryesor të Organizatës së vetë, përkundër fakteve me shkrim të shkruara nga dora e Jusuf Gërvallës tri ditë para vrasjes? Le ta sheh të vërtetën lexuesi i nderuar, se unë nuk i shtrembëroj faktet, se unë kam thënë se Jusuf Gërvalla është pranuar në “Komitetin Qendror” pak më herët se unë, e jo në të njëjtën ditë me Jusufin.
Në vitin 1978 në «Komitetin Qendror» pranohen edhe dy anëtarë, që kishin marrë besimin nga udhëheqësit e LNÇKVSHJ-së, dhe këta:
1. “Sokoli”, alias, Jusf Gërvalla, në mesin tonë organizativ i njohur si Gazetari, i propozuar nga Sabri Novosella dhe
2. “Qemajli”, alias, Ramadan Pllana, në mesin organizativ i njohur si Studenti i Frëngjishtes, i propozuar nga Shefqet Jashari.
Më kujtohet mirë se, Gazetari ishte pranuar pak më herët se unë, sepse, Shefqeti më pat thënë, po atë vit, se e kemi pranuar Gazetarin në « Komitet » dhe ti je kandidat që së shpejti do të pranohesh. (Pohimi im, në intervistën dhënë «Albaniapress»it, më 17 mars 2009)
Se Sabri Novosella ka trilluar e ka manipuluar te Jusuf Gërvalla, këtë e ka kuptuar edhe vetë Xhafer Durmishi, – por, nuk don ta pranoj sepse i ka shërbyer me besnikëri udhëheqësit të vet, me këto “Komitete” shihet qartë edhe këtu kur mundohet t’ua hedhë lexuesve të painformuar se: “Jusufi, është pranuar në Komitetin Qendror të LNÇKVSHJ pas 17 korrikut 1981, në të njëjtin moment apo me të njëjtin vendim së bashku me Shpendin, përmes Sabri Novosellës”. Këtu, mund të flitet për një””Komitet” tjetër të Sabri Novosellës të trilluar nga Stambolli, e jo kurrsesi për ”Komitetin Qendror”, në formim, për të cilin kam folur unë dhe ka folur Shefqet Jashari,; – pra, unë e Shefqeti, edhe jemi akuzuar e dënuar si anëtarë ”Komiteti”, më 4 qershor 1980 nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës, nr.137/80. Por, tani kungulli po bie në ujë, – siç thotë një fjalë e urtë popullore, dhe e vërteta po del në shesh.
– VIJOIN –
_____________________
RAMADAN PLLANA: DËSHMI TË KOHËS – PËR ORGANIZATËN LNÇKVSHJ (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10891
***
RAMADAN PLLANA: DËSHMI TË KOHËS – PËR ORGANIZATËN LNÇKVSHJ (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10892