REAGIM i KMDLNj-së: SAMITI I BE-së, MIRË SE SHKONI NË BURGUN E QUAJTUR KOSOVË!

REAGIM i KMDLNj-së: SAMITI I BE-së, MIRË SE SHKONI NË BURGUN E QUAJTUR KOSOVË!

Në konkluzionet zyrtare të Këshillit të Evropës  përkatësisht në Pikën 19 të këtyre konkluzioneve që u publikuan nga zëdhënësi i Presidentit të Këshillit Evropian, Barend Leyt ritheksohet zgjidhja e marrëveshjeve të pazgjidhura me theks të veçantë dialogun Kosovë – Serbi kurse liberalizimi i vizave as që përmendet. Kështu , shpresat e kosovarëve që do të përfitojnë nga ky Samit u shndërruan në një vazhdim të deklaratave stereotipe të burokratëve të Brukselit se: “Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim por se vendimi do të merret më vonë duke theksuar se duhet të plotësohen disa kushte specifike për t’i liberalizuar vizat dhe, në të njëjtën kohë na ridhunojnë duke deklaruar se Kosova ka perspektivë evropiane!!!”. Pritjet nga ky Samit kanë qenë të mëdha nga qytetarët e Kosovës për faktin se ka qenë një angazhim më i madh i disa shteteve hezituese për liberalizim të vizave kurse KMDLNj –ë as që ka pritur ndonjë përfundim pozitiv për faktin se BE – e e mbanë peng Kosovën qe, së paku 6 vjet duke ua dhunuar njërën ndër të drejtat elementare të njeriut e cila nuk i mohohet asnjë shteti tjetër në Evropë, të drejtën e lirisë së lëvizjes që e paraqet si të drejtë të patjetërsueshme dhe vlerë të shtuar të demokracisë perëndimore.

KMDLNj –ë nuk ka asnjë dyshim se në kushtet specifike që Kosova duhet t’i plotësojë për liberalizim të vizave e që theksohen nga pala holandeze sikur edhe nga francezët, pa asnjë dyshim është nënshkrimi i Marrëveshjes për normalizim të marëdhënieve me Serbinë përmes një procesi negociues me kompromis, fleksibilitet dhe kreativitet që nënkupton se Kosova do të detyrohet të bëjë lëshime të tjera dhe të cilat as që garantojnë njohje nga Serbia sikur edhe integrim si të barabartë në institucionet kryesore ndërkombëtare.

Ky vendim racist i Samitit të Këshillit të Evropës do të ndikojë dretpërsëdrejti në destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë përmes shantazhimit që po ua bënë institucioneve të Kosovës për lëshime të mëtejme sikur që e trimëron Serbinë në vazhdimin e veprimeve destabilizuese në Kosovë përmes strukturave paralele të cilat mbrohen nga bashkësia ndërkombëtare e cila e pengon shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës duke e dhunuar edhe integritetin territorial të Kosovës. Shantazhimi racist që i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë Kosovës BE –e , si kusht për liberalizim të vizave sikur që ishte Marrëveshja për Demarkacion, tjetërsimi i pronës publike dhe private nga Manastiri i Drçanit,  pagesa e rrymës që 20 vjet për serbët duke vjedhur qytetarët shqiptarë dhe joserbë, detyrimi i nënshkrimit të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, detyrimi i formimit të një Gjykate Speciale Raciste që dënon vetëm shqiptarët dhe UÇK-në, detyrimi i themelimit të Asociacionit të Serbisë në Kosovë, legalizimi i pastrimit etnik të veriut të Kosovës nga shqiptarët dhe kolonizimi me kriminelë të luftës dhe të tjerë serbë që kanë ikur nga Kosova, Kroacia dhe Bosnja. Të gjitha këto Kosova i ka bërë përveç Zajebnices e cila, pa asnjë dyshim do të formohet në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mirëpo qytetarët e Kosovës kanë mbetur peng të ngujuar në një hapësirë territoriale ku mbijetojnë dhe mund të lëvizin në shumë pak shtete ku nuk duhen vizat .

Ky vendim racist i Samitit të Këshillit të Evropës do të shkaktojë shumë çarje në bashkëpunimin pozitë–opozitë në Kosovë duke mos e përjashtuar as destabilizimin, me pasoja të paparashikueshme. Jemi dëshmitarë  se ende pa u shpërndarë hiri i  shpresave  të djegura në krematoriumin e Këshillit të Evropës në Bruksel të vizave të paliberalizuara, në Kosovë është rindezur një luftë verbale pozitë – opozitë për dështim të liberalizimit të vizave në kohën kur askush nuk e pyet as pozitën e as opoziten për këtë.  Përralla janë pohimet se liberalizimi i vizave ka mundur të ndodhë në vitet 2016 -2018 për faktin se as atëherë nuk ishin plotësuar kushtet specifike për liberalizim e që, ndonëse nuk thuhet publikisht nga racistët e Brukselit, nënshkrimi i Marrëveshjes me Serbinë përmes flkesibilitetit, kreativitetit dhe kompromisit të dhimbshëm për Kosovën është kushti i vetëm përcaktues apo ai kushti specifik që përmendet në Samitin e fundit në Bruksel.

Kosova, përkundër pohimeve se po përparon në çdo aspekt, në fakt është në një krizë të thellë, mos të themi se është në një situatë të jashtëzakonshme prandaj edhe duhet të marrë vendime të jashtëzakonshme. Në radhë të parë duhet të ndërtohet një konsensus kombëtar, politik dhe shtetëror pas së cilës do të vendosej si do të shkohet tutje në bisedime me Serbinë duke mos refuzuar bisedimet por duke i bërë të qarta vijat të cilat nuk mund t’i kalojë askush dhe në asnjë rrethanë sikur që duhet të pushohjë lufta e pashpallur midis pozites dhe opozites. Në këtë kontekst duhet të ulen armët ( verbale ) duke krijuar një kulturë komunikimi dhe bashkëpunimi për interes të vendit dhe qytetarëve, pa bërë asnjë dallim. Institucionet e Kosovës duhet t’i bëjnë një kërkesë zyrtare Qeverisë së Shqipërisë që t’i pajisë të gjithë qytetarët e Kosovës me pasaporta shqiptare e jo që edhe në këtë fushë të diskriminohen qytetarët duke u ndarë në ata që pajisen me pasaporta dhe shtetësi shqiptare si politikanët  dhe të tjerët në mesin e të cilëve ka shumë ish – bashkëpunëtorë të regjimit kriminal të Serbisë ndërsa përjashtohen qytetarët e tjerë të Kosovës.

Pa asnjë dyshim, edhe për një kohë, në vend të vizave qytetarët e Kosovës do të shfrytëzojnë rrugët ilegale për të shkuar në shtetet tjera sikur që e shfrytëzojnë Meksikon dhe lumin Rio Grande për të hyrë në SHBA ku, në jo pak raste edhe përfundojnë tragjikisht. Edhe për një kohë qytetarët e Kosovës do të paguajnë shuma të mëdha parash ( nga 200 – 2500 euro ) vetëm për të caktuar një termin të përshpejtuar në disa ambasada, pa e pasur të garantuar se do të pajisen me viza. Edhe për një kohë qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me një krahë dokumete dhe të paguajnë shuma të konsiderueshme për aplikim për viza në ndërkohë që pjesa dërrmuese Edhe për një kohë qytetarët e Kosovës duhet të korruptojnë zyrtarë të ambasadave të ndryshme në Kosovë për t’u pajisur me një vizë. Me refuzimin racist të Samitit të Këshillit të Evropës për liberalizim të vizave , madje me shpërfillje duke e thjeshtësuar në zgjidhje të mosmarrëveshjeve me Serbinë , BE –ë po ia vazhdon dënimin e kufizimit të lirisë së lëvizjes  qytetarëve të Kosovës për një afat të pacaktuar duke e shndërruar Kosovën në një burg. Edhe të burgosurit që dënohen me burg për shkak që dhunojnë ligjin , dënimin e kanë të afatizuar sikur që në bazë të sjelljeve të mira duke përkrahur programin e risocializimit përfitojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes jashtë objekteve të burgut për një afat të caktuar e që konsiderohet si beneficion ndërsa qytetarët e Kosovës, përkundër që edhe vet racistët e BE –së thonë se i kanë plotësuar kushtet për liberalizim të vizave ( i kanë kaluar të gjitha fazat e risocializimit përmes plotësimit të gjitha kërkesave të BE–së ), edhe më tutje penalizohen duke i dënuar, me afat të pacaktuar me kufizim të lirisë së lëvizjes . Për çfarë të drejta të njeriut mund të flasim konkretisht për rastin e Kosovës ? Këtu përfundon kuptimi dhe përmbajtja e të drejtave të njeriut dhe në mënyrë flagrante dhunohen të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare që i rregullojnë këto të drejta, nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e OKB-së, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe të tjera. Qytetarët e Kosovës, nga racistët e BE –së janë vendosur në shtratin e Prokrustit të cilin edhe e marrin si model për zbatim të të drejtave të njeriut ! Çfarë mjerimi moral, njerëzor dhe institucional i  “ligjëruesve “ dhe “ mbrojtësve “ të drejtave të njeriut, racistëve burokratë të BE –së!

24 qershor 2022  Prishtinë                                                                Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

VIRUSET ZOMBI!

VIRUSET ZOMBI! Nga Sheradin Berisha Shkencëtarët e oborrit elitarë financiarë, po paralajmërojnë një kërcënim të rrezikshëm nga viruset…