GJOKË DABAJ: PSE NUK DESHI ME VENDOSË VETË POPULLI I KOSOVËS?!

Durrës, 10. 06. 2014 – Do të mund të shpreheshim edhe më ashpër: “Pse s’pat qejf populli i Kosovës me qenë vetë zoti i fatit të vet?! Pse deshi, pse kërkoi të vendosin të tjerët për fatin e tij?! Pse i hëngri kurrizi ta lërë edhe këtë herë fatin e vet në duart e hallkut?! Në tekat e të tjerëvet! Në interesat e të tjerëvet! Në paragjykimet e të tjerëvet! Në opinionet e të tjerëvet! Në diplomacirat e njërit apo tjetrit!” Është vërtet, sa e çuditshme, aq edhe shqetësuese! Në logjikën e arsyetimevet, në atë që populli i thotë: me mend në kokë, ose: kush i ka 2 pare mend në krye, këtë herë Lëvizja Vetëvendosje duhej t’i kish marrë të gjitha votat. Pa as edhe 1 votë më pak!
Por, ta zëmë, megjithatë, se 5 a 6 të atillë që s’i kanë mendtë në kokë, ka gjithandej. Ta zëmë se edhe 5 a 6 që shpirtin e kanë shitur dikund, gjithashtu ka. Ka edhe 5 a 6 nga ata që kanë marrëdhënie tregtie me dikënd që s’na e do të mirën, s’do që ne të mund të vendosim vetë për punët që lidhen me jetën tonë. Edhe nga 5 a 6 mund t’i kishte secila parti, për shkak të lidhjevet familjare apo asaj që i thonë nepotizëm. (Megjithëse unë i lë mënjanë, edhe kushëririn, edhe vëllanë, edhe shefin e zyrës apo vetë kryeministrin, dhe nuk votoj për hatrin e askujt, sa herë të më mbushet mendja që kështu është më mirë për interesat e kombit tim.)

 

Me këtë rrugë arsyetimi, Vetëvendosjes do të duhej t’i jepeshin 70% e votavet. Nuk ish nevoja për ndonjë mençuri të madhe. Secili katundar apo qytetar do të mund të shikonte vetë: “Me ç’flamur dalin nëpër rrugë partitë e tjera dhe me ç’flamur del në rrugë Vetëvendosja?” Me flamurin tonë. Kaq! Nuk duhet asgjë tjetër!
PDK-ja e pat flamurin shqiptar sa qe në luftë, pastaj e ndërroi. Vetëm kjo do të mjaftonte për të mos i dhënë asaj partie as edhe 1 votë të vetme.
LDK-ja e ka “modifikuar” flamurin e kombit, që do të thotë se e ka veçuar, e ka ndarë një pjesë të kombit të vet nga pjesa tjetër e kombit të vet. As kjo, vetëm për këtë, nuk e meritonte as edhe 1 votë!
Të njëjtën gjë kanë bërë edhe partitë e tjera. Dikush të kaltër, dikush të verdhë, dikush me vija, dikush pa vija. Që të gjithë e miratojnë “Ahtisarin”, që të gjithë e miratojnë “marrëveshjen Kosovë-Sërbi”. “Amin, ju të huaj! Na s’dimë as bukë me hanger!”
Vetëm Lëvizja e Albin Kurtit i është përmbajtur një ideali, të cilin ne shqiptarët kemi nevojë ta konsiderojmë të shenjtë.
Mundet që edhe këta të na e kenë me hile. Ka në historinë tonë shumë prej atyre që e kanë tundur flamurin shqiptar sa iu kanë lodhur krahët dhe, më në fund, s’kanë bërë asgjë për shqiptarët. Por kjo duhej lënë për më vonë. Pas 4 vjetësh, nëse Vetëvendosja nuk do t’i plotësonte kërkesat tona, populli shqiptar i Kosovës do të mund ta shprehte zhgënjimin duke mos ia dhënë as asaj as edhe 1 votë.
Mundet që djemtë e Vetëvendosjes, që janë shumica bij të atyre që e kanë shkrirë jetën për Kosovën, të mos e kenë sqaruar popullin ashtu si duhej. Mundet që të mos kenë qenë në gjendje t’ua mbushin mendjen njerëzvet. Por unë prapë ngul këmbë që populli i Kosovës ka pasur e pakta 2 arsye të fuqishme për të mos u mëdyshur, për të mos u lëkundur: Flamurin kuq e zi me shqiponjën në mes dhe emrin Vetëvendosje.
Dihet që shtetet e mëdhenj nuk e kanë fort qejf t’i lejojnë më të vegjlit për t’u qeverisur vetë. Por dihet, gjithashtu, që ata nuk mund ta ndalojnë cilindo popull për ta shprehur vullnetin e vet, sepse janë vetë ata shtete që e kanë proklamuar parimin e lirisë.
Pra, ngado që ta marrësh, arsyeja e shëndoshë e çdo shqiptari thotë që këtë herë lëvizjes sonë për vetëvendosje i duheshin dhënë të gjitha votat, hequr vetëm ato që i përmendëm e që as do t’i duheshin. Them: KËTË HERË. Nuk them: TË GJITHA HERËT, sepse “të gjitha herët” ia jep votat së njëjtës parti vetëm një popull budalla. Për herën tjetër popullin duhej ta kish udhëhequr parimi i provës: “Është mbajtur apo s’është mbajtur fjala? Deri në ç’masë është realizuar programi për të vendosur vetë?!”
Mirëpo, në vend të këtyre PSE-ve, ne jemi të detyruar tash të bëjmë vetëm 1 pyetje: “Pse populli i Kosovës nuk deshi apo nuk diti të vendosë vetë?!”
Përgjigjja ime (e, besoj, edhe e shumë shqiptarëve të tjerë) është kjo: “POPULLI I KOSOVËS ËSHTË ENDE I ROBËRUAR NË SHPIRT E NË MENDJE.”
Shprehja “I ROBËRUAR NË SHPIRT E NË MENDJE” është tepër e rëndë, prandaj është koha që MENDJET E KTHJELLËTA të Kombit tonë t’i hyjnë punës për ta çliruar popullin e vet nga një e këtillë ROBËRI.
Duhet në radhë të parë të çlirohet inteligjenca: mësuesit (arsimtarët, profesorët, pedagogët), gazetarët, klerikët, sociologët, mjekët, juristët, ekonomistët, inxhinierët.
Mësuesit të mos mendojnë se, me largimin (në dukje!) të pushtuesit, ka mbaruar misioni i tyre dritëpërhapës. Mësuesit, pikërisht tash duhet të shndërrohen në agjitatorët më të përkushtuar. Në shkolë, në fakultet dhe në të gjithë mjediset ku ata jetojnë.
Në të kaluarën klerikët kanë bërë punë të mëdha në zgjimin e ndërgjegjes në kombin tonë. Puna ka arritur deri atje, sa hoxhët t’u thoshin besimtarëvet, përballë ekspeditavet ndëshkuese të Perandorisë Osmane: “Kush jep jetën për vatan, bie shehit dhe shpirti i shkon në xhenet.” Klerikët tanë, në kohën e Rilindjes sonë Kombëtare, gjetën mënyrën, mund të themi, madhështore, për t’u mirëkuptuar midis konfesionevet. Po sjell këtu vetëm njërin prej qindra shembujsh: Atë Gjergj Fishta, klerik i krishterë, dhe Hafiz Ali Ulqinaku, klerik mysliman (i cili shërbeu shumë kohë në Lezhë), kanë shkuar mire njëri me tjetrin dhe e kanë vlerësuar shumë mendjen e njëri-tjetrit. Që të 2 kanë punuar për çlirimin, për nxjerrjen nga robëria të shpirtit dhe të mendjes së besimtarëvet të vet. Edhe tash, misioni i të gjithë klerikëvet tanë është e duhet të jetë: çlirimi i shpirtit e i mendjes së njerëzvet tanë.
Në Gjermani klerikët luterianë ia treguan kombit gjerman rrugën e të vetëvendosurit. Klerikët anglikanë në Angli e mësuan popullin e vet si duhet ta vendosë ai vet fatin e vet.
Masa e madhe e gravet do të duhej e gjitha të ishte me Vetëvendosjen. Edhe në pikëpamje simbolike, lidhur me pozicionin e gruas në familje, kjo do të kish vlerë shumë të madhe: Gruaja tashmë nuk është skllave në familje. Ajo vendos vetë për fatin e saj.
Armata e madhe e mediavet, le ta marrë rrogën ku të mundë. (Dikur e merrte rrogën në zyrat e shtetit sërbo-sllav, por punën e bënte për çlirimin e shqiptarëvet prej sërbo-sllavëvet.) Le ta marrë, pra, rrogën ku të mundë gazetari, por le të punojë me të gjitha format për të mos e lënë në robëri shpirtin dhe mendjen e popullit të vet. Këtë herë, që të gjithë gazetarët do të duhej të kishin votuar për Vetëvendosjen. Me deklarim, pa le të pushoheshin edhe njëherë nga puna, si në kohën e Millosheviqit!
I them këto me këmbëngulje, sepse, kushdo që është sadopak i aftë për të menduar me kokën e vet dhe i sinqertë, jo artificial, duhet ta ketë kuptuar se në Republikën e Kosovës, sot për sot, nuk ka asnjë alternativë më të besueshme se alternativa e vetëvendosjes dhe e Flamurit tonë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura