Pashtriku.org, 23. 04. 2015 – Lëmshin në Këshillin Prokurorial të Kosovës duket se nuk e kanë shkaktuar vetëm vendorët prandaj edhe pati ngecje disa muajshe për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit. U krijua një situatë kur Këshilli Prokurorial i ngjante një bastoreje apo një debati të partive politike gjatë fushatës zgjedhore me ç’rast fjalët dhe akuzat e ndërsjella nuk mateshin fare në peshoren e përgjegjësisë njerëzore, morale, profesionale e mbase edhe penale prandaj dukej se po përcillnim një cirk amatoresk. Më në fund Presidentja e vendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për përmbushjen e kërkesave të kësaj Gjykate pas dështimit të parë të emërimit të kryeprokurorit të Shtetit, e dekretoi z. Aleksandër Lumezi në postin e kryeprokurorit të Shtetit për një mandat 7 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje, ashtu siç e parashikon ligji. Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga gjatë tërë kësaj kohe i ishte nënshtruar një presioni publik duke u akuzuar se me qëllim po e zvarritë dekretimin e kryeprokurorit të Shtetit. Duket se presionet publike nuk ishin asgjë krahasuar me presionet jo publike të bëra nga ai që ka mandat, edhe si këshillëdhënës por edhe ekzekutiv, për: “forcimin e shtetit përmes zbatimit të ligjit” e që është misioni më i kushtueshëm i BE-së, Misioni i Ev(u)ropian për Sundim të Ligjit i njohur me akronimin EULEX.
Po bëhet publike fakti që dëshmon presionin ndaj Presidentes së vendit përmes një njoftimi, letreje apo denoncimi që e bëri prokurori i EULEX-it, Heikki Wendorf me të cilin prokurori finlandez i këtij misioni të diskredituar dhe mbase të korruptuar moralisht, materialisht dhe profesionalisht kërkon nga Presidentja Jahjaga të mos dekretojë z. Lumezi për kryeprokuror të Shtetit për shkak të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij për korrupsion dhe vrasje. Në ndërkohë, i pari i këtij misioni, z. Gabriele Meuci distancohet nga ky denoncim (mbase edhe shantazh që i bëhet presidentes) duke deklaruar se zyra e tij nuk ka të bëjë asgjë me pohimet e prokurorit Wendorf mirëpo në anën tjetër nuk thotë se çfarë mase dhe a do të ndërmerren fare masa ndaj prokurorit të EULEX-it. Nëse EULEX nuk qëndron prapa prokurorit Wendorf duke e mohuar vërtetësinë e pohimit të tij atëherë ai duhet të hetohet për shpifje dhe përpjekje për pengim (përmes shantazhit) të dekretimit të kryeprokurorit të Shtetit. Nuk mund të jenë dy të vërteta në këtë rast!
Me këto dyshime që e kanë trajtën e akuzës për krime shumë të rënda dhe serioze po bëhen përpjekje që të komprometohet i tërë procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit si dhe të vihet në dyshim integriteti moral i kryeprokurorit të Shtetit që në ditën kur është dekretuar nga Presidentja e Kosovës. Prokurori në fjalë apo ata që janë prapa tij (nëse janë), së pari kanë pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pasi ai vendim ka qenë pozitiv atëherë kanë dalur me opsionin rezervë të hetimit për korrupsion dhe vrasje. Kjo ka ndodhur në intervalin kohor prej 48 orësh dhe pikërisht këtu qëndron dyshimi për tendencë diskualifikuese për procesin e dekretimit, kundër Presidentes dhe kundër kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.
EULEX-i duhet të sqarojë opinionin kosovar si edhe atë ndërkombëtar dallimin e dy letrave që i janë dërguar Presidentes së Kosovës nga prokurori i EULEX-it i cili përmban akuza të rënda si dhe letra e Gabriele Meucit që e përgënjeshtron prokurorin që njëkohësisht është vartës i z. Meuci.
Kryeprokurori i Shtetit, pas këtyre letrave është i hendikepuar në ushtrimin normal të funksionit që i takon në bazë të mandatit të besuar pas dekretimit të Presidentes për aq kohë sa nuk sqarohen përmbajtja e këtyre letrave dhe nuk vërtetohen apo nuk eliminohen dyshimet e ngritura. Deri atëherë kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi duhet t’i jepet përkrahje të plotë në ushtrimin e detyrës që i takon.
KMDLNj është e shqetësuar se skandalet brenda misionit të EULEX-it nuk kanë të ndalur dhe këto veprime po shkaktojnë huti në opinion dhe po e destabilizojnë situatën. Me këto veprime, jo që nuk po forcohet sundimi i rendit dhe ligjit por vetëm se po fuqizohet rritje e veprave të rënda kriminale si korrupsioni, krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore, trafikimi me narkotikë si dhe po fuqizohet ekstremizmi fetar dhe politik. Edhe me kontributin e EULEX-it , pa dyshim.
Shërbimi për informim i KMDLNJ’së,
Prishtinë, 23 prill 2015