SAIME ISUFI: VLERAT HISTORIKE, STUDIMORE E SHKENCORE TË LIBRIT ‘HISTORI E NJË ORANIZATE POLITIKE DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981’

Pashtriku, 12 tetor 2020: Rreth librit të autorit Mehmet Hajrizi: „Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981” – Botimet Toena, Tiranë 2008
Mehmet Hajrizi, librin e tij “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”, e shkroi në një kohë shumë të qëlluar dhe në rrethana të favorshme për njohësit e historisë, për aktivistët e veprimtarët, për të gjithë ata që janë të interesuar të shkruajnë saktësisht pjesë të historisë sonë, sepse pikërisht te kjo vepër do të gjejnë të dhëna dhe dëshmi të sakta për një periudhë vperimtarie të një organizate, në ballë të së cilës qëndroi duke vepruar që nga themelimi e deri në shuarje të saj, autori i librit, Mehmet Hajrizi.
Mehmet Hajrizi librin do ta fillojë dhe do ta përmbyllë me kontributin dhe vlerësimin që i bën njërit prej udhëheqësve të Organizatës, Kadri Zekës, rënë më 17 janar 1982 në Gjermani. Në këtë libër voluminoz i cili përmban më shumë se 550 faqe dhe i botuar nga shtëpia botuese “Toena”, autori i është përkushtuar seriozisht trajtimit të veprimtarisë së Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK), që nga themelimi i saj. Kapitull i rëndësishëm në këtë vepër është edhe trajtimi që u bën autori demonstratave të pranverës së vitit 1981, e për të cilat hidhen teori e dilema nga më të ndryshmet. Kush dëshiron të dijë saktësisht se cilat ishin shkaqet, arsyet dhe pse shpërthyen demonstratat e atij viti, përgjigjen e saktë do ta gjejë në këtë libër. Ndërsa ata që nuk duan të dinë se si dhe pse e kush i organizoi dhe si rrodhën këto ngjarje, le të merren me spekulime e lojëra fjalësh. Mbase s’duan ta mësojnë kurrë të vërtetën.
Autori na jep dëshmi historike të një aktiviteti dhe veprimtarie zinxhirore të patriotëve të shumtë të organizuar në grupe e organizata me emra të ndryshëm, për shkak të rrethanave në të cilat vepronin në atë kohë, por të gjithë me një platformë dhe qëllim të përbashkët: çlirimin e trojeve shqiptare nën Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me shtetin amë – Shqipërinë. Ngjarjet zhvillohen ndryshe nga parashikimet dhe grupet e organizatat ndërrojnë taktikën e veprimit; orientojnë popullin drejt realizimit të kërkesave të tij, në rrugë më të mundshme të realizueshme.

Duke filluar me bërthamën e parë të organizmit siç ishte Grupi Revolucionar i Kosovës, autori sheh nevojën e një trajtimi shkencor që duhet t’i bëjnë historianët këtij grupi, të shndërruar më vonë në OMLK. OMLK thekson autori, ishte pjesë e lëvizjes moderne kombëtare shqiptare, me një përvojë veprimi të pashkëputur dymbëdhjetë vjeçare. Poashtu në parathënien e librit, do të shkruajë se për të shkruar një libër të tillë, është nxitur nga shumë veprimtarë dhe personalitete shkecore, por mbi të gjitha nga detyra morale e dëshmitarit që e ka përcjellë për së afërmi (duke qenë gjithmonë në krye të saj-shën.imi) këtë Organizatë që nga themelimi e deri në shuarje. Siç e thamë më herët, libri fillon me atë që i dha vulën e gjakut kësaj organizate, Kadri Zekën, duke shkruar: “Në natën e 17 janarit 1982, në Untergrupenbach të Gjermanisë, kanë ndodhur tri ngjarje historike për Kosovën: në bazë të Tezave të Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, u arrit marrëveshja për bashkim e tri organizatave çlirimtare shqiptare, u vranë tre sendërtuesit e atij bashkimi dhe pushoi së vepruari OMLK….” “Më 1982, theksoi ai, nga udhëheqja e saj, Organizata kishte të lirë vetëm Kadri Zekën, të cilit i binte barra e riorganizimit të radhëve dhe e realizimit të projektit të Frontit të Bashkuar”.
Në këtë libër voluminoz, autori vazhdon me përshkrimin e historikun e Kosovës që nga koha e shkëputjes së trojeve shqiptare nga Fuqitë e Mëdha më 1913 dhe vënia nën pushtim të tyre nga Jugosllavia, për të shkuar më tej, te Traktati i fshehtë i Londrës më 1915, te Konferenca e Paqes në Paris më 1919, të cilat nuk e morën fare për bazë të drejtën e vetëvendosjes së kombeve, por e lanë Shqipërinë të copëtuar. Pastaj padrejtësia që iu bë shqiptarëve që jetonin të copëtuar në trojet e tyre nën Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore. Me një fjalë, shqiptarëve iu mohua bashkimi me shtetin amë -Shqipërinë edhepse në mbeldhjen e Bujanit, mbajtur nga 31 dhjetori 1943 deri më 1-2 janar 1944 nga delegatët e parlamentit të Kosovës, ishte miratuar një Rezolutë e cila ua njihte këtë të drejtë shqiptarëve. Meqenëse Kosova, përkundër luftërave të përgjakshme, mbeti prapë nën sundimin e Jugosllavisë dhe shqiptarëve iu mohuan të drejtat më elementare, doli si nevojë dhe domosdoshmëri organizimi i grupeve dhe organizatave që të kundërshtonin veprimet e padrejta dhe ripushtimet e trojeve shqiptare nga Jugosllavia.
Mehmet Hajrizi përshkuan shumë qartë dhe pa anashkaluar asnjë grup ose organizatë që veproi që nga vitit 1945. Ai në libër është përpjekur që në mënyrën më objektive të japë emrin e organizatave, të grupeve e të personave që kanë vepruar në to, pa patur tendencë të ulë apo të ngre vlerat e veprimtarisë së ndonjërës prej tyre. Për këtë fakt, libri ka vlerat e tij të veçanta, nga i cili studiuesit dhe historianët do të mund të nxjerrin dokumente e fakte bindëse e kokëforta, qoftë të veprimtarisë së një organizate qoftë të ndonjë studimi veprimtarie të përmbledhur.
Mehmet Hajrizi fillon me formimin e grupeve të para, për të vazhduar pastaj me Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, në krye me personalitetin e lëvizjes kombëtare, Adem Demaçi, me organizatat tjera si “Grupi Revolucionar i Kosovës, më 1973, në krye me Kadri Osmanin. Para formimit të GRK, anëtarët e tij ishin treguar shumë aktivë në organizimin e demonstratave të vitit 1968. Nga ky grup formohet edhe Komiteti i Studentëve, në krye me Xhafer Shatrin. Autori përmend aksionet dhe aktivitetitn e Grupit Revolucionar të Kosovës, i cili nxori edhe organin “Zëri i Kosovës”, i cili për fat të keq, për shkak të veprimit ilegal të grupeve dhe organizatave, u përpoq të përvetësohej më vonë nga persona karrieristë, matrapazë e bajraktarë.
Duke shkruar gjerësisht rreth Grupit Revolucionar të Kosovës, i cili më vonë u shndërrua në Organizatë Marksiste-Leniniste të Kosovës, autori flet për format organizative, veprimtarinë ilegale të kombinuar me formën legale, zgjerimin e Organizatës në tërë territorin e Kosovës dhe jashtë saj, mënyrën e pranimit të anëtarëve të rinj, duke shpjeguar se anëtar i Organizatës mund të bëhej çdo njeri i verifikuar për pastërtinë e së kaluarës së tij e besnikërinë ndaj çështjes së Atdheut. Ai shkruan më tej se Organizata kishte karakterin e luftës nacionalçlirimtare dhe të rezistencës kundër pushtimit. Ideologjia e saj sunduese ishte ajo e çlirimit dhe e bashkimit të atdheut. “Në programin politik të Organizatës ishin përcaktuar format e veprimtarisë në ilegalitet të thellë, – thekson Mehmet Hajrizi, për të arsyetuar këtë mënyrë të domosdoshme veprimi…” “Në kushte të sotme d.m.th. në kushtet e një tërbimi të egër të të gjithë rrjetës së agjentëve policorë… Në njërën anë armiku, me teknikë dhe mjete moderne për gjurmim, me kuadro të specializuar dhe me mjete përrallore materiale; të gjitha këto për kundërveprim ndaj veprimtarisë sonë revolucionare.”
Mehmet Hajrizi, vazhdon librin e tij me një kapitull mjaft të rëndësishëm, organin “Zëri i Kosovës”, qëllimin e botimit të tij, vështirësitë e papërshkruara për nxjerrjen e tij në ato kushte ndjekjeje e përcjelljeje policore; jep emrat e autorëve dhe veprimtarëve të asaj kohe që punuan në gazetë. Jep atë më kryesoren: efektin pozitiv që bëri kjo gazetë në popull: sqarimin e drejtë të masave popullore në të gjitha fushat e jetës: ekonomoke, poltike e sociale. Ishte pra gazeta e parë që po nxirrte realitetin e hidhur lakuriq. Gazetat zyrtare në atë kohë nuk e bënin këtë gjë. Për nxjerrjen e një gazete “ilegale” siç ishte “Zëri i Kosovës”, kishte edhe pasoja të rënda. Çmimi ishte i shtrenjtë, por vepritmarët nuk shmangeshin nga kjo veprimtari. Gjithçka e bënin me ndërgjegje, anise shumë nga ata do të burgoseshin e dënoheshin me vite të rënda. Ata që mbeteshin jashtë grilave, e vazhdonin veprimtarinë. Burgosja e veprimtarëve nuk ishte si pasojë e moskujdesit të vepritmarëve, por duke qenë nën një rrethim të hekurt me përcjellje dhe survejim tepër të specializuar, ishte e vështirë të shpëtoje pa rënë në sy. Pasojat e veprimtarisë, i kishin parasysh veprimtarët, por ata ishin betuar të vazhdonin rrugën e tyre, deri në pikën e fundit të gjakut. Ky ishte betimi i tyre dhe kthim prapa nuk kishte.
Pas përmbylljes së kapitullit rreth veprimtarisë së Grupit Revolucionar të Kosovës, Mehmet Hajrizi vazhdon me kapitullin tjetër, pra me grupin Marksist-Leninist të Kosovës, i cili u ristrukturua dhe u organizua duke ndërruar edhe emrin, krejt kjo për të humbur gjurmët e veprimtarisë, pasi Grupi Revolucionar i Kosovës, me burgosjen e anëtarëve të tij, ishte dëmtuar shumë. Pjesa e veprimtarëve të mbetur, të pazbuluar nga armiku mori emrin Grupi Marksist Leninist i Kosovës. Organizatë kjo që u rrit dhe u zgjerua shumë shpejt, duke formuar organin udhëheqës, Komitetin Drejtues të përbërë fillimisht nga autori i librit, Mehmet Hajrizi, i cili edhe pse ka bërë një veprimtari të bujshme në këtë organizatë, duke qenë gjithmonë në ballë të saj, tregohet shumë modest dhe përmend emrin e tij vetëm atëherë kur nuk i ikën dot kësaj të vërtete, Gani Sylaj e më vonë edhe Hydajet Hyseni, Kadri Zeka, Jakup Krasniqi, Berat Luzha, Bejtullah Tahiri e të tjerë.
Grupi Revolucionar i Kosovës, duke e zgjeruar dhe shtrirë aktivitetin e tij me anëtarë të rinj nga të gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi, u shndërrua në organizatë, duke u quajtur kështu Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës. Veç organit më të lartë udhëheqës, Komitetit Drejtues, u formua më 1978 edhe Komiteti Ekzekutiv. Ky Komitet u formua me qëllim të drejtimit të Organizatës në rast burgosjeje të anëtarëve të Komitetit Drejtues. Organizata Marksiste-Leninste e Kosovës kishte disa forma veprimi dhe aktiviteti. Ajo shërbehej me materiale të brenshme të saj, të cilat udhëzonin për mënyrën e të bërit propagandë dhe agjitacion në masa, ngritjen teorike dhe formimin e anëtarëve, organizimin e jetës së brendshme të organizatës, mbledhjet, unitetin dhe debatin, kritikën dhe vetëkritikën, konsipracionin, disiplinën, zgjerimin e radhëve sipas kritereve të pranimit të anëtarëve të rinj, etj.
Të gjitha këto cilësi e bënin e plotësonin figurën e anëtarit të OMLK-së. Përveç emrit të ri, Organi i OMLK-së kishte marrë poashtu emër të ri, (edhe kjo për të humbur gjurmët) nga “Zëri i Kosovës”, në “Pararoja” dhe më vonë “Liria”. Përveç shtypit klandestin, shkruan Mehmet Hajrizi, shfrytëzohej edhe shtypi legal, për aq sa ishte e mundur që edhe atje të depërtonte propaganda revolucionare e kohës.
“…Disa nga veprimtarët duke qenë gazetarë profesionistë si Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Berat Luzha etj., shfrytëzonin mediat ku punonin për të përhapur idetë e lirisë e të bashkimit kombëtar”.
Një pjesë të veçantë në libër zë edhe trajtimi i temave që bën organi “Liria”, sepse atëbotë në Kosovë mungonte liria e fjalës dhe e shtypit. Autori përmend edhe organet e organizatave tjera të atëhershme si “Bashkimi”, “Lajmëtari i lirisë” e “Revolucioni”. Është e rëndësishme të përmendet se Organi “Liria” përgatitej dhe redaktohej në Kosovë, pra në vendin e ngjarjeve dhe botohej jashtë nën përkujdesjen e Kadri Zekës. Shpërndahej edhe jashtë edhe në Kosovë nga veprimtarët e organizatës. “Pa Kadri Zekën, shkruan Mehmet Hajrizi, “Liria” nuk do të mund të botohej në atë formë dhe në atë tirazh, por roli i tij në këtë ndërmarrje serioze dhe të vështirë, ka qenë i një rëndësie të veçantë edhe në përmbajtjen e saj…” Se çfarë ndikimi pati edhe tek organizatat tjera organi “Liria” me nivelin e lartë të saj dhe temat që trajtoi, tregon edhe veprimi i Jusuf Gërvallës, i cili me daljen e këtij organi e pushoi botimin e “Lajmëtarit të lirisë” duke kontribuar në botimin e “Lirisë”. Në “Lajmëtarin e lirisë” ai shkruan: “Këto ditë na ra në dorë numri i parë i revistës kosovare “Liria”, organ i Marksitë-Leninistëve të Kosovës. Duke u nisur nga përmbajtja e saj, nga qëndrimi marksist-leninist në të shqyrtuar të temave të qëlluara vitale, si dhe nga gjuha e stili përkatës shumë i pëlqyeshëm, si dhe nga entusiazmi për punën e ndershme të autorëve të kësaj reviste, të gjithë lexuesve tanë u rekomandojmë ta gjejnë e ta lexojnë me kujdes “Lirinë” (“Lajmëtari i lirisë”, 1980).
Më tej autori, duke analizuar artikujt që përmban organi “Liria”, nxjerr emrat e autorëve, deri atëherë të panjojhur për publikun. “Liria” kishte dalë në gjashtë numra. Mund të themi se “Liria” ishte organi i vetëm që paraqiste objektivisht gjendjen politike, sociale e ekonomike për të gjitha shtresat e popullsisë së Kosovës dhe prandaj u përqafua me dashuri nga të gjithë lexuesit.
Veç nxjerrjes së organit “Liria”, autori shkruan edhe për traktet e shpërndara nga anëtarët e Organizatës dhe efektin e tyre sqarues në masa, si ai i nëntorit të vitit 1973 në Universitetin e Prishtinës, pastaj i dhjetorit 1973, i shpërndarë te xehetarët e “Trepçës”, i 6-7 korrikut 1974 në Daerdanë, i 24 dhjetorit 1974 në konviktet e studentëve në Prishtinë, i 22 shkurtit 1975 në Preshevë, Rahovicë e gjetiu, për të vazhduar me traktin tjetër shpërndarë me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 11 qershor 1978, me atë të 27-28 tetorit 1979 kundër vitzitës së Titos në Kosovë, tjetrin më 27-28 mars 1981 në Maqedoni etj.
Mehmet Hajrizi duke folur për shkrimet artistike të anëtarëve të Organizatës do të shkruajë: “Më 1980 pa dritën edhe përmbledhja “Këngët e lirisë”. ”…Këngët e lirisë janë shkruar për popullin dhe qëllimi ynë është t’i pëlqejnë popullit tonë, ta frymëzojnë atë, ta mobilizojnë dhe t’i shërbejnë sadopak në luftën e tij të madhe”, shkruhet ndër të tjera në parathënien e “Këngëve të lirisë”.
Në pjesën e dytë: “Demonstratat e vitit 1981”, Mehmet Hajrizi përshkruan me hollësi dhe duke iu bërë një analizë shumë serioze rrethanave ekonomike, politike e sociale që çuan deri te demonstratat e atij viti; duke thënë me zë se ato ishin të pashmangshme; se laku i kishte ardhur në fyt popullit tonë të shumëvuajtur që një ditë shpërtheu duke dalur në rrugë. Popullit tonë që flinte në ar e anë anën tjetër i mungonin gjërat më elementare për jetesë; i nëpërkëmbej gjithçka: dinjiteti dhe pasuria kombëtare. Këtu autori shpjegon për veprimtarinë e organizatave të ndryshme e të shumta që vepronin atëherë në Kosovë. Thika e armikut e kishte prekur në fyt popullin tonë dhe një mënyrë ose në një tjetër ishin pjekur kushtet dhe rrethanat për të shpërthyer revolta siç edhe shpërtheu së pari te studentët, të cilëve pastaj iu bashkëngjitën gjithë shtresat popullore. “Asnjë organizatë nuk kishte rolin ekzekutiv të organizimit të këtyre demonstratave, por veprimtarët e tyre, aty ku ndodheshin, merrnin rolin prijës të masave ose mbanin fjalë improvizuese të mbështetura në përmbajtjen e shtypit klandestin të kohës. Para masës demonstruese në qendër të Prishtinës, më 1 prill 1981, mbajti fjalë dhe e orientoi demonstratën, veprimtari Hydajet Hyseni, anëtar i Komitetit Drejtues të OMLK-së, duke theksuar rolin historik të demonstratave të viti 1981, problemet sociale, pozitën kolonialiste, karakterin çlirimtar të lëvizjes dhe duke kërkuar kundërshtimin e gjendjes së rëndë, dënimin e dhunës e terrorit mbi demonstruesit, brohoritjen e parullave, sidomos “Kosova Republikë”, për lirimin e të burgosurve, rregull në demonstratë, pa dëme, pa eksese etj.”
Demonstratat e vitit 1981, siç u tha më lart, ishin një shpërthim i revoltës gjithëpopullore. Në ballë të tyre dolën ata që orientuan dhe ditën ta orientonin masën në drejtim të duhur dhe në kërkesa të arsyeshme dhe të realizueshme. Kjo kohë nxori në ballë bijtë e saj, bijtë më të mirë si Naser Hajrizin e Asllan Pirevën, dy veprimtarë të organizuar në OMLK dhe organizatorë të demonstratës së 2 prillit në Prishtinë. Në ballë të saj ranë dëshmorw, për të mos vdekur kurrë. Autori nuk lë pa përmendur edhe veprimet e egra të Beogradit gjakatar me gjithë makinerinë e tij tokësore e ajrore kundër një populli duarthatë për të shtypur me gjak kërkesat e tij paqësore. Duke iu bërë analizë serioze këtyre ngjarjeve autori shkruan në librin e tij: “Shtypja e kryengritjes së vitit 1981 qe njëkohësisht fillimi i luftës së pandërprerë dhe finale të popullit shqiptar të Kosovës drejt fitores së sigurt”.
Në nëntitullin “Qëndrimi i zyrtarëve jugosllavë dhe kosovarë”, autori, paraqet deklaratat dhe qëndrimin qyqar të udhëheqësve kosovarë, (sepse për ata jugosllavë dihej), si Ali Shukrija, Veli Deva, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi e ndonjë tjetër, të cilët paturpësisht dhe pa dinjitet, dolën menjëherë në krah të kundërshtarëve të egër të kërkesave gjithëpopullore, duke i etiketuar, ndejkur e dënuar bashkëkombasit e tyre.
Ata flisnin më me revansh se sa udhëheqësit jugosllavë kundër demonstruesve. Edhe intelektualët ishin të paktë që dolën në mbrojtje të demonstratave. Ndër ta shquhet Ukshin Hoti “njëri prej përfaqësuesve të denjë të inteligjencies përparimtare patriotike, por edhe zyrtar i lartë insitucional, kishte kërkuar hapur që me një diskutim partiak brenda LKJ-së të trajtohej kërkesa për Kosovën Republikë”.
Në libër, një vend të rëndësishëm zë edhe qëndrimi i Shqipërisë ndaj ngjarjeve të vitit 1981, duke ua mbyllur kështu gojën me fakte atyre që vjellin vrerë kundër Shqipërisë dhe ndihmesës së saj të pakursyer për çështjen e Kosovës dhe ngjarjet e atij viti. Ai sjell artikujt e “Zërit të Popullit”, të cilët i dëgjonim me ëndje në Radio Tiranë edhe unë me moshataret e mia studente në atë kohë. “Shqipëria, thotë Mehmet Hajrizi, nëpërmjet vetë udhëheqësit të saj doli në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar, u solidarizua me demonstruesit e kërkesën e tyre për Republikën e Kosovës…”
Një pjesë të veçantë, i kushton edhe “Tezave të Frontit për Republikën e Kosovës”, në të cilin Front do të përfshiheshin masat e gjera popullore në përpjekje për realizimin e të drejtave të tyre. Aty ftoheshin të gjitha organizatat të bashkoheshin në një front të vetëm dhe të fuqishëm, për t’i dhënë grushtin dërrmues armikut.
Mehmet Hajrizi nuk lë pa përmendur në libër edhe rolin e rëndësishtëm që luajti mërgata. Ai përmend vepritmarët e parë të organizuar politikisht si Hasan Malaj, Kadri Avdullahu, Jusuf Gërvalla etj., ndërsa për Kadri Zekën dhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në organizimin e mërgatës shkruan: “Kadri Zeka me të arritur në Zvicër më 1978, mblodhi veprimtarët më të përparuar e më të isgurt dhe i hyri ndërtimit të një strukture të re organizative e të qëndrueshme, që po rritej dita më ditë”.
Këtu Mehmet Hajrizi përmend edhe rolin e rëndësishëm që luajti Kadri Zeka në bashkimin e organizatave që vepronin në mërgim, në Frontin Popullor për Republikën e Kosovës, duke përmendur fjalët e Kadriut se :”Kosovës i duhet një zë i vetëm, i fortë e kumbues dhe jo disa zëra të mekur”. Shkruan edhe për afrinë që kishin Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla, ani se u përkisnin organizatave të ndryshme; shembull prej të cilit duhet të mësojnë sot politikanët tanë, sepse në fund të fundit, Kosova është e të gjithëve dhe u takon ta duan dhe të punojnë për të të gjithë. “Në bazë të Tezave të Frontit për Republikën e Kosovës, shkruan autori, u arrit marrëveshja e tri organizatave çlirimtare…”.
Duke arritur te fundi i librit, autori shkruan për burgosjen dhe vrasjen e vepritmarëve të OMLK-së, për përvojën 12 vjeçare të saj. Shkruan për dëshmorët e saj gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981 si: Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Zijah Shemsiu dhe Afrim Zhitia. Flet për anëtarët e OMLK-së që më vonë u bënë luftëtarë të UÇK-së si: Xhevë Lladrovci, Abdullah Tahiri, Avdilgafurr Luma, Hafir Shala etj., duke nxjerrë kështu më vonë edhe emrat e dy grupeve të mëdha të pjesëtarëve të OMLK-së, të cilët dolën në gjyq dhe u dënuan me dënime të rënda, në Prishtinë e në Gjilan.
Libri përfundon me pjesët tjera: përshkrimi i asaj ku dhe si është ndier ndikimi i OMLK-së në Lëvizjen Kombëtare në vitet vijuese dhe përpjekjet e pjesëtarëve të mbetur e të shpërndarë, për t’u konsoliduar dhe për të vazhduar rolin historik të OMLK-së. Autori nxjerr përfundimin që “Lëvizja Kombëtare e Kosovës për çlirim nga sundimi serb përbën një nga kapitujt më të dhembshëm dhe njëkohësisht më të lavdishëm të historisë së kombit shqiptar”.
OMLK është cilësuar si “Organizata që pati më së tepërmi jehonë në qarqet e përgjithshme të popullatës shqiptare dhe e cila kontribuoi që rrjedhat e shoqërisë ish-socialiste në Kosovë të merrnin kah krejt tjetër, ishte pasardhësja e Grupit Revolucionar që më vonë u shndërrua në OMLK”. (Sabile Keçmezi-Basha ).
Dhe krejt në fund janë dhënë biografitë e anëtarëve të saj, me materiale të grupit të OMLK-së, të artikujve të gazetës “Liria”, me letrën protestuese të të burgosurve politikë shqiptarë; janë vendosur fotografitë e veprimtarëve të organizatës, duke futur këtu edhe simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçin dhe komandantin legjendar Adem Jasharin, me të cilin mbyllet kapitulli i veprimtarisë ilegale e i luftës me armë në dorë, të cilin qëllim e kishte në program edhe OMLK.
Libri kapital i Mehmet Hajrizit “Histori e një Organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”, është vepër me vlera të mëdha studimore e shkencore, që ia vlen të studiohet e të mësohet shumë për ngjarjet që përshkruan autori. Është një histori e jetuar dhe është një thesar që u duhet historianëve, nxënësve në shkolla e studentëve në katedra. Është libër që do t’u shërbejë gjeneratave për mësimin objektiv të historisë sonë të lavdishme. Them, pa hezituar dhe pa patur frikë se po e teproj se autori librit, Mehmet Hajrizi, është një enciklopedi e gjallë e asaj kohe; si dëshmitar i asaj kohe të bujshme ka akoma për të thënë; prandaj studiuesve, historianëve e shkencëtarëve, u mbetet për detyrë ta shfrytëzojnë kapacitetin e dëshmitë e tij ende të pashfrytëzuara. Ai ka akoma për të thënë dhe ne presim të thotë e të shkruajë akoma.
Zvicër, më 2 qershor 2009
***
Fakt Plus – Mehmet Hajrizi – 07.02.2018
https://www.youtube.com/watch?v=_4kcgPyP-5E

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura