Nuk e kuptoj pse ndodh …
REDUKTIMI I PAKUPTIMTË I 28 NËNTORIT 1912!
Nga Sheradin Berisha
“Gëzuar Dita e Flamurit!” Ky ishte urimi i djeshëm në 111 vjetorin e Kuvendit të Vlorës ku u shpallë pavarësia e Shqipërisë në katër vilajetet shqiptare.
Tashmë është bërë normale, jo vetëm nga qytetarët e thjesht por, edhe nga vetë politikanët nga shtresat e ndryshme intelektuale, madje edhe nga shumë studiues të historisë, reduktimi i 28 Nëntorit 1912 në një “Ditë të Flamurit”. Nuk e kuptoj pse ndodh reduktimi i kësaj date të rëndësishme në historinë tonë kombëtare.!
Në fakt çfarë është 28 Nëntori në historinë tonë kombëtare?
28 Nëntori përfshinë dy festa mbarëkombëtare:
– 28 Nëntorin 1443 si ditë e Flamurit, dhe
– 28 Nëntorin 1912 si ditë e Pavarësisë së Shqipërisë etnike në 121 329 km².
28 NËNTORI 1443 – DITA E FLAMURIT
– 580 vjet më parë, më 28 nëntor 1443, Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në prani të popullit krutanë (arbërorëve të Krujës) ngriti flamurin e Lirisë (atë të Kastriotëve) mbi muret e Kështjellës në Krujë. Nga të dhënat shkrimore të Marin Barletit, Skënderbeu me këtë rast popullit iu drejtua me këto fjalë: “Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja”.
Marin Barleti, 1508 (fleta XV), thotë „Rubea vexilla nigris et bicipitibus distancta aquilis gerebat Scanderbegus“. (Flamur i kuq i Skënderbeut me një shqiponjë të zezë dykrerëshe). Pra, Flamuri i Skënderbeut që u ngritë në muret e kështjellës në Krujë ishte i tillë ndër shekuj dhe rrjedhimisht 28 Nëntori 1443 është Dita e Flamurit tonë arbëror (kombëtar).
28 NËNTORI 1912 – DITA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
– 469 vjet më vonë, saktësisht më 28 Nëntor 1912 në Kuvendin mbarëkombëtar të Vlorës, delegatët e Katër Vilajeteve Shqiptare (Vilajeti i Kosovës, Manastirit, Janinës dhe i Shkodrës) shpallën mëvetësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj etnik në 121 329 km².
Në këtë ditë historike Kryetari i Kuvendit, Ismail Qemali për të madhështuar këtë akt të pavarësisë, në ballkonin e shtëpisë ku u mbajt Kuvendi, ngriti Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si simbol kombëtar të shqiptarëve.
Rrjedhimisht, me plotë kuptim e pa ngatërrim, 28 Nëntori 1912 është Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë etnike.
Dhe ky 28 Nëntor si i tillë në vetvete nuk është Ditë feste e Flamurit, por Ditë feste e Pavarësisë me Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në shtizë.
KATËR VILAJETET SHQIPTARE NË PRAG TË SHPALLJES SË PAVARËSISË
Sipas vjetarit statistikor të Ministrisë së Financave të Perandorisë Osmane, situata demografike e vilajeteve shqiptare për vitet 1910 – 1911 paraqitet kështu:
1.Vilajeti i Shkodrës kishte një sipërfaqe prej 12.991 km2 dhe 233.965 banorë. Dendësia e popullsise ishte 18 banorë për km².
2.Vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 44.192 km2 dhe 1.243.501 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 28 banorë për km².
3. Vilajeti i Manastirit kishte një sipërfaqe prej 44.136 km2 dhe 880.000 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 20 banorë për km².
4. Vilajeti i Janinës kishte një sipërfaqe prej 20.000 km2 dhe 537.199 banorë. Dendësia e popullsisë ishte 27 banorë për km².
Kosova dhe Janina hynin në vilajetet me dendësi popullsie të madhe në Perandorinë Osmane. Ndërsa të gjitha vilajetet shqiptare kishin një sipërfaqe prej 121.319 km² dhe një popullsi prej 2.894.719 banorësh.
Nga kjo shifër duhet zbritur një përqindje të popullsive të përkatësive etnike tjera. Por e sigurtë se shqiptarët kalonin shifrën e 2 milionshit. (Burimi: Hasan Bello – Sa ishte sipërfaqja dhe popullsia e vilajeteve shqiptare në vitet 1910 – 1911?)
28 NËNTORI KRYEFESTA JONË KOMBËTARE
Në çdo nëntor, shqiptarët në gjeografinë etnike dhe të kudondodhur në botë, trupin, shpirtin dhe mendjen e kanë të përqendruar te Kryefesta jonë Kombëtare. Atje ku ka filluar numërimi i këtyre 111 viteve, më 28 Nëntor 1912, në këtë ditë pikënisjeje për Pavarësinë e Shqipërisë etnike, në 121 329 km².
E quaj pikënisje për pavarësi, për faktin sepse nuk u bë Shqipëria e 28 nëntorit 1912! U copëtua në Konferencën e Londrës, në korrik 1913, duke e njohur një Shqipëri të gjymtuar në vetëm 28.748 km². Prandaj të punojmë që ta bëjmë Shqipërinë e 28 nëntorit 1912!
GËZUAR 28 NËNTORIN 1443 / 1912 👐
—————
Ilustrimi, Ismail Bej Vlora
________________________
Në 111 vjetorin e Kuvendit të Vlorës
PROCEVERBALET E SHTATË MBLEDHJEVE TË KUVENDIT KOMBËTAR TË VLORËS, 28 NËNTOR – 7 DHJETOR 1912 (Dëshmi arkivore)
Nga Sheradin Berisha
***
Flamuri historik i Ismail Qemalit, përkujtim në 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë
Nga Sheradin Berisha