GJERGJ NIKPRELAJ: KISHA E TRIESHIT

Pashtriku.org, 14. 04. 2016: Përveç kuvendit popullor që mbahej gjithmonë përpara Kishës së Trieshit e cila ishte krahu i djathtë i jetës popullore, i bashkimit fisnor, si në malet tjera, po ashtu edhe në Triesh. Kisha kurrë prej ekzistimit të saj, edhe në rrethanat më të vështira të luftës nuk ka pushuar me punën e vetë, të shejtë. Dihet historikisht, se kisha nuk ka qënë vetëm faltore, por edhe qëndra kryesore e takimeve dhe e kuvendeve të rëndësishme. Në at kohë në kishë janë miratuar vendimet më kryesore të fiseve, bile edhe çështjet e luftës e të paqës, dhe pajtimet e gjaqeve, pastaj në kishë janë zgjidhur konfliktet ndërfisnore të natyrave të ndryshme.
Kisha e Trieshit deri në Kongresin e Berlinit më 1878, ishte në përbërjen dhe nën jurisdiksionin e Arqipeshkëvisë së Shkodrës, por pas pushtimit të Trieshit nga Mali i Zi, famullia e kësaj treve detyrimisht kaloi nën jurisdiksionin e Arqipeshkëvisë së Tivarit. Neni 27 i Traktatit të Kongresit të Berlinit thotë: “Palët në Marrëvreshje janë dakord për disa kushte vijuese: në Mal të Zi dallimi në bazë fetare dhe ceremonialit konfensional nuk do të ketë rast që ndokush të përjashtohet ose të shpallet i paaftë që të gëzojë të drejtat e veta qytetare dhe politike, pranimin në shërbimin publik, pozitë e nderim, kryerje të punëve të ndryshme profesionale në çdo vend që të jetë. Do t’u sigurohet kryerja e riteve fetare nënshtetasëve të Malit të Zi dhe të huajëve dhe nuk do te ketë kurrëfarë pëngesash në hirarkinë dhe në organizimin e bashkive të ndryshme kishtare qoftë edhe në marrëdhëniet e tyre me eprorët shpirtëror”. Për fat të keq Mali i Zi qysh nga viti 1912 nuk i ka zbatuar këto norma, por i ka shkelur në mënyrë flagrante.

Për themelimin e famullisë së Trieshit ende nuk kemi relacione të sakta. Në raportin e Arqipeshkëvit A. Zmajeviq, në vitin 1702, kur kjo famulli gjëndej në përbërjen e famullisë së Grudës, të cilën e administronin françeskanët, famullia e Trieshit kishte 74 shtëpi. Ndoshta në atë kohë është edhe mund të jetë themeluar kjo famulli? Sipas burimeve kishtare jot të mjaftueshme, vihet në dukje se në fillim, në këtë lokalitet shërbenin misionarët françeskanë nga Selca e Kelmendit dhe më vonë ata të Grudës. Në librin “Baptisatorum”At. Teodozie nga Parma e Italisë shkruante: “Secondo copmut da me fatti, per che detta Chiesa, fjala është për kishën e Trieshit da 100 anni da che edificata” që përputhet me fillimin e Librit të Pagizmeve. Mendohet se atëherë është themeluar famullia e Trieshit e cila më vonë i përkushtohet Zojës Rruzare. Sipas shënimeve të At. Teodozie në vitin 1855 Trieshi kishte 111 shtëpi. Disa shënime tregojnë se këtë famulli e kishte themeluar misionari At. Joannes Bellegrino da Bologna në vitin 1763.
Sipas mendimit tim koha e themelimit të famullisë së Trieshit është e diskutueshme. Arqipeshkëvi i Tivarit A. Zmajeviq, më 3 dhjetor 1682 i kishte dërguar regjistrin e misionarëve të Arqipeshkëvisë së Shkodrës-Kongregacionit të Vatikanit në Romë, ku gjëndej edhe Mark Buzolla frat në Triesh. (Propaganda Fide, SC, Albania, vol.3, fol 749). Ky fakt tregon se kjo famulli ka ekzistuar 8 dekada më parë kur Trieshi duhet të ketë pasur kishën e vjetër e cila ishte mbuluar me rrasa guri në vitin 1734. Dihet se të parët kishin ardhur në Triesh misionarët nga Italia At. Bonaventura Pallzolo dhe At. Georgie Novariensu dhe Kerbin da Vllebona, të cilët predikonin nëpër famullitë e ndryshme të Malësisë së Madhe rreth vitit 1640. Në raportin që kishte dërguar At. Carli dela Mirandela nga Gruda, përfektit të At Kurbinit më 16 prill 1643, pohonte se Kuçi sizmatik ishte për një kohë të gjatë në konflikt me Hotin katolik. Ai mburrej se i kishte pajtuar misionarët e tij. Ai mburrej gjithashtu se kishte pajtuar Hotin dhe Grudën, bile edhe Kuçin e Kelmendin dhe se këto pajtime ishin bërë në Podgoricë.
Hulumtuesi i historisë kishtare në teritorin e Shqipërisë At. Lovro Mihaceviq, shkruante në punimin e tij “Po Albaniji-Dojmovi s’ puta”. Në shekullin XVII françeskanët kishin filluar të vijnë në numër të madh, në tokat shqiptare. Ata themeluan famullinë françeskane në Traboin në vitin 1648 dhe vazhduan këtë mision në 9 fshatra tjera të Malësisë së Madhe, bile në Vukël dhe në Selcë në atë kohë ekzistonte shkolla popullore. Më vonë ështe themeluar famullia në Vuksanlekaj të Hotit.
Sipas të dhënave historike françeskanët kishin arritur në Shqipëri për herë të parë në vitin 1248. Këta misionarë françeskanë i drejtonte misionari i mirënjohur Ivan da Pian del Carpine, përndryshe në këtë vit është zgjedhur arqipeshkëv i Tivarit. Në atë kohë gjëndja e besimtarëve dhe e klerikëve ishte tepër e vështirë. Këtë gjëndje e keqësonte edhe më shumë konflikti midis Arqipeshkëvisë së Tivarit dhe Dubrovnikut.…….
Siç është thënë, Trieshi deri në vitin 1761 nuk kishte misionarë, por nuk kishte as kishë, as qelë. Meshtari i Trieshit jetonte në Grudë. Në Triesh e çonte meshën në një shtëpi me mure të thata. Kjo gjëndje e veshtirë vazhdoi deri kur Prekë Lepuri Dedivanaj dhuroi token e tij për ndërtimin e Kishës së Trieshit, ku gjendet edhe sot e kësaj dite. Kishën dhe qelën i kishte ndërtuar At. Lorenco. Ata kishin marrë edhe pak tokë nga një fshatar që ishte dëbuar nga vendi për sjellje jo të mira. Meshtari i Trieshit në atë kohë At. Secondiana ishte nga qyteti italian Ancona. Ai kishte qënë arkitekt dhe piktor, bile ai kishte bërë një numër të madh pikturash me përmbajtje fetare. Ato piktura u ruajtën si një pasuri e madhe arstisitike e kësaj kishe të mrekullueshme.
Në famulline e Trieshit në vitin 1697, Edigjio d’Aremnto kishte informuar Kongregacionin për Propagandën Fetare, se Trieshi kishte 103 shtëpi të gjitha katolike. Kisha më e vjetër e Trieshit gjëndej në vorre të Stjepohit. Çdo katund i Trieshit ka vorret e veta, në disa katunde ata kanë ndërtuar kapela të vogëla. Ata kanë vorre edhe ne bjeshkë: në Koritë dhe në Koshticë. Kisha e sotme e Trieshit është moderne. është ndërtuar me ndihmën e diasporës. Merita kryesore për ndërtimin e kishës së re të Trieshit i takon të ndjerit Patër Zef Jankaj, famullitar shumëvjeçar i Trieshit i lindur në Shestan.
Në Triesh kishte lindur edhe Patër Andre Luli Gjurashaj i cili ishte vrarë në luftë kundër Turqisë. Disa shkrime tregojnë se Patër Andrea kishte marrë pjesë ne Luftën e Lemajës dhe të Grabomit në vitin 1907. At. Zef Valentini duke u mbështetur në shkrimet e S. Gobceviqit thotë se në vitin 1881 Trieshi kishte 111 shtëpi me më shumë se 600 banorë. Trieshi kishte 6 katunde me nje sipërfaqe prej 30 kilometrash katërore. Trieshi pavarësisht se është në Mal të Zi e konsideron veten bajrak.
Kapiteni i Trieshit e kishte informuar Ministrinë e Punëve të Brëndshme në Cetinë se famullitari i kësaj treve At. Gjulian Pinto kishte ikur nga Trieshi dhe ishte vendosur në Shkodër. Më vonë ishte kthyer përsëri në Triesh. Ai jepte mësime fetare në shkollën fillore të Trieshit. Deri në gjysmën e shekullit XIX, një pjesë e Trieshit festonte Shën Gjonin, ndersa pjesa tjetër Krishtlindjet. Por më në fund arritën një marrëveshje që i gjithë Trieshi të festonte të dielën e parë të tetorit me miqë e bija “Ditën e Zojës Rruzare, duke i qëndruar besnik këtij vendimi për pothujase një shekull e gjysmë.
Shumë interesant është një shkrimi i famullitarit të Trieshit Patër Mirash Marinaj në lidhje me festën e Trieshit kushtuar “Zojës Rruzare”….Në Luftën e Lepantos shumë popuj të Evropës shpëtuan prej pushtimeve turke. Shqiptarët qëndruan për një kohë të gjatë nën pushtimin turk. Pavarësisht se ky pushtim ishte shumë i gjatë, shumë shqiptarë i qëndruan besnik fesë së krishtënë edhe pse hoqën shumë mundime ndër shekuj. Ndër ata që i mbetën besnik Krishtit dhe Kishës së Romës ishin edhe trieshianët. Ishte forca e traditës së tyne si të krishtënë që i bani të qëndrueshëm në fe ndër shekuj. Por me siguri ata këtë fe e ruajtën me uratë. Urata ma e përhapun ishte “Zoja Rruzare”, të cilën çdo familje e thonte në mbramje. Nuk e dijmë se kur e mori Kisha e Trieshit këtë emën. Dijmë se famullia e Trieshit asht themelua në vitin 1763. Asht ndër më të vjetrat në Dioçezin e Tivarit. Kjo kishë u ka shpëtua kohnave të vështira.
SHËNIM: Kapitulli “Kisha e Trieshit” është pjesë e një studimi të veçantë për këtë krahinë, por i pabotuar deri më tani.(Gjekë Gjonlekaj)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura