Temë e lexuar në Akademinë solemne, me rastin e 145 vjetorit të themelimit, në Prizren më 10qershor, 2023
Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha, Pashtriku 13 qershor 2023
RËNDËSIA HISTORIKE DHE AKTUALE E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT (1878)
Sot, kur po përkujtojmë përvjetorin e 145, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, besoi se të gjithë shqiptarët kudo që janë, me mirënjohje i japin vendin e merituar kësaj ngjarjeje kulmore, historike dhe aktuale. Dhe, se, s’ka dyshim, se LSHP, në historinë e popullit shqiptar, përbën ngjarjen më madhore, pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të vitit 1444.
Lidhja shqiptare e Prizrenit, ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarë kombëtare. E se ishte mbarëkombëtare, e dëshmon pjesëmarrja e të gjitha krahinave të Shqipërisë, dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare, duke filluar që nga kuvendet popullore, e deri te parashtresat politike. Që nga misionet diplomatike e deri te kryengritjet e armatosura.
Duhet thënë se, edhe para formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar një mori kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë nuk kishte pranuar asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare. Po ashtu, edhe Fuqitë e Mëdha, në praktikën e tyre diplomatike, nuk kishin pranuar t’u njihnin shqiptarëve, të drejtën e formimit, të një shteti, të veçantë shqiptar. Por, shqetësimi i shqiptarëve kishte arritur kulmin me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit (më 3 mars 1878) , kur Rusia fitimtare i shkëpuste Perandorisë Osmane në favor të Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi, mjaftë territore shqiptare, me ç‘rast e gjymtonte rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë.
Duhet cekur se, nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e kishte marr Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur, të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit, si edhe më parë, kishte veprua në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend, për mbledhjen e Kuvendit, jo rastësisht, ishte caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës, dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes, për mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë për thirrjen e Kuvendit ishte ngarkua një Komision i posaçëm, që shumica e anëtarëve ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni, Ahmet Koronica, Ali Pashë Gucia e të tjerë.
Lëvizja, për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, ishte aktivizua, sidomos, gjatë gjysmës së dytë të muajit maj. Atëherë, kur u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878. Dhe mu atëherë, në viset e katër vilajeteve, u mbajtën mbledhje, për të zgjedhur delegatët, që do të niseshin për Prizren.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua, më 10 qershor 1878, nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e viseve të ndryshme shqiptare. Në të merrnin pjesë mbi 300 përfaqësues të të gjitha krahinave shqiptare si nga: Prizreni, Gjakova, Peja, Mitrovica, Gilani, Ohri, Plava, Gusia, Novi Pazari, Prishtina, Vuçiterna, Manastiri, Dibra, Gostivari, Tetova, Tirana e Elbasani. Po ashtu, në të merrnin pjesë, edhe feudalët myslimanë të cilët vinin nga Bosnja dhe Hercegovina. Qëllimi i takimit ishte: formimi i një shteti autonom shqiptar, që do të mbulonte vilajetet e Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.
Mbledhja ishte mbajtur në sallën e medresesë, ndërsa fjalën hyrëse e kishte paraqitur patrioti i madh, Abdyl Frashëri, i cili kishte thënë: ”Qëllimi i kuvendit është t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na i kanë lanë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” . Dhe, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë epiqendra e luftës çlirimtare, ajo demaskoi lakmitë e serbomëdhenjve, të shovinistëve malazezë e të grekëve.
Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni, Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri etj.
Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm, për çështjen kryesore të ditës kishin një unitet të plotë mendimi. Të gjithë qenë të vendosur, për të kundërshtuar me çdo kusht: copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të njëjtë, po ashtu, kishin shprehur edhe delegatët, që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.
Po atë ditë, kuvendi kishte zgjedhur organet e larta: Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm, me funksione legjislative, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive, u formua Komiteti Qendror i Lidhjes, i përbërë nga tri komisione, që secili kishte një përgjegjës të veçantë: për Komisionin e Punëve të Jashtme ishte caktua- Abdyl Frashëri, për Komisionin e Punëve të Brendshme, u caktua- Haxhi Shabani dhe për Komisionin e të Ardhurave Financiare, u caktua- Sulejman Vokshi.
Të nderuar të pranishëm,
Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit, dhe, pajisja e tyre me funksione pushtetore, ishin edhe një fitore tjetër, që korrën forcat atdhetare, pasi se me anën e tyre, u hodhën themelet për krijimin e një Shqipërie, të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë
Duhet cekur se, Kuvendi, mori përsipër të zgjidhte tri detyra themelore, që shqetësonin në atë kohë, opinionin mbarë shqiptarë: 1) të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt i të drejtave kombëtare; 2) të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare, të vendosur në Kongresin e Berlinit në favor të monarkive fqinje ballkanike dhe; 3) të realizonte bashkimin e mbarë trojeve autonome, në kuadër të Perandorisë Osmane, si hap i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik.
Po ashtu, për herë të parë në këtë kuvend, u hartua, u shkrua dhe u miratua nga të pranishmit programi i parë politik, që mund të themi se, ishte i pari program për ruajtjen e tërësisë territoriale të shqiptarëve në Ballkan. Programi quhej “Karar-Nameja”, që në shqipe do të thoshte “Rezoluta”, e cila njëherë doli edhe si program i Lidhjes.
Duhet theksuar se, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka rëndësi të madhe dhe, zë një vend të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Ajo, ishte e para lëvizje masive patriotike, që mori përsipër ta zbatonte Programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare e që ishte: çlirimin e atdheut, dhe formimin e shtetit kombëtar; njohjen e kombit shqiptar, si, një bashkësi të pandarë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale, në katër vilajetet shqiptare në atë të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës.
Ajo, ishte e para organizatë, që grumbulloi në gjirin e vet të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia fetare, krahinore dhe shoqërore. Ishte organizata e parë, që kombinoi, për interesa kombëtare, lëvizjen e armatosur me aksionin diplomatik dhe me veprimtarinë kulturore. E para organizatë patriotike, që shkriu, në një front të vetëm, qëndresën, kundër Fuqive të Mëdha, si të Perandorisë Osmane dhe monarkive fqinje, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut, dhe, për ta realizuar, autonominë e Shqipërisë.
Pra, Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumanshme, provoi botërisht, jo vetëm ekzistencën e kombit shqiptar, të cilën e patën mohuar në atë kohë, por edhe se, populli i saj ishte liridashës, dhe i vendosur, për t’i mbrojtur të drejtat e tij, dhe për ta krijuar shtetin kombëtar. Në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, çështja shqiptare, hyri në arenën e diplomacisë ndërkombëtare, si një, nga çështjet e mprehta të Ballkanit, që kërkonte zgjidhje.
Sot, kur po bëjmë evokimin e këtyre përpjekjeve heroike të popullit tonë, ndjehemi krenar dhe me respekt kujtojmë të gjithë ata, që në këto kushte të vështira, luftuan për çështjen kombëtare, që ka qenë, është dhe do të jetë kurdoherë e shtrenjtë për popullin tonë. Për ne, edhe sot, janë plot kuptim frymëzuese e aktual, fjalët plot optimizëm dhe besim në forcat e popullit që shprehu Abdyl Frashëri, kur ju drejtua armiqve të popullit shqiptar: ,,Puna juaj me Traktatin e Berlinit mbaroi, puna jonë si shqiptarë nga kjo ditë fillon”.
Lidhja e Prizrenit edhe pse veproi vetëm tre vjet, shënoi një epokë të tërë në historinë e shqiptarëve. Krijoi më në fund, një pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të shqiptarëve deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë –më 28 nëntor 1912. Dhe, që nga atëherë, në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar, i ruajtjes së tërësisë tokësore të atdheut dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare në vijim. Ky qëllim programor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mbeti i pandryshuar në thelb, sepse buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme e tyre për të qenë të barabartë me popujt tjerë. Duhet theksuar se, edhe pas përfundimit të LDB, organizatat ilegale të cilat filluan të vepronin në Kosovë, karakterizohen me programet e tyre që kryesisht kishin mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e që vazhdon edhe sot..
Dhe, si e tillë, ajo ushtroi një ndikim të thellë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të dhjetëvjeçarëve të mëvonshëm e deri në ditët tona. Vepra që la Lidhja e Prizrenit, që në rrafshin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, ishte një faktor vendimtar në luftën për mbrojtjen e tërësisë së Atdheut dhe për formimin e një shteti shqiptar, e cila ruan vlerën e vet, jo vetëm në planin historik–shkencor, por edhe në atë politik e aktual kombëtar. Vepra e saj ka hyrë në ndërgjegjen e kombit shqiptar, si një ngjarje, gjithnjë e gjallë dhe e freskët, që u kujton shqiptarëve të kaluarën dhe përbën njëherazi një udhërrëfyes, dhe një pikë referimi për të tashmen e të ardhmen e tyre.
Krejt në fund të nderuar të pranishëm,
Duhet përmendur gjithsesi se, në luftën e fundit në Kosovë, më 1999, se sa i pengonte dhe i tmerronte LSHP armiqtë tanë, dëshmon edhe kjo sjellje e tyre barbare, kur menduan t’i vinin zjarrin shtëpisë, ku u themelua Lidhja e Prizrenit. E pavarësisht asaj ngjarjeje, ajo shtëpi edhe sot, qëndron krenare e e pa përkulur, dhe jeton në kujtimet e çdo shqiptari, pasi pikërisht aty u hodhën bazat e kombit modern shqiptar, duke shkruar kështu historinë e Shqipërisë përpara pavarësisë.
Ju falënderoi për vëmendje
_____________________–