REXHEP KASUMAJ: BASHKËPUNËTORË …

Berlin, 26 korrik 2018: Është paksa i keqkuptuar, sepse, ndërsa këshillonte Princin për fron, Machiavelli i kërkonte atij një distancë të ekuilibruar: midis forcës dinake dhe dedikimit popullor. Madje, i sugjeronte të bëj kujdes, sidomos, me popujt që kanë kujtesë lirie…
Megjithatë, posi ai, dhe mendtarë tjerë politike, janë rrekur, pa ua kërkuar kush, të ngrejnë teori e t’mbajnë predikte mbi artin e sundimit.
Ndërkaq, njëj mjesi të hershëm kur rreze të kursyera parathoshin ditë të vagëllimtë, kolegu im i mirë pakistanez, burrë i shtyrë në moshë, më dhuroi një libër. Në fakt ishte një broshurë. E hollë dhe e lehtë si masë fizike, por rëndshëm e thellë në mendimësi filozofike: e epërme, vepruese e frytbartëse për kohët e vështira.
“Nëse dikush nga ju vëren të Keqen, duhet ta mposhtë me dorë atë; po t’ mos jetë në gjëndje ose i aftë ta bëj, aherë nëvojitet ta kritikojë me fjalë. Nëse sërish nuk e pëlqen këtë, aherë duhet ta dënojë, së paku, me zemër. Veçse kjo e fundmja është shkalla më e ulët e besimit.”

Dhe ja, teksa lexoja ëndshëm për të disatën herë këtë Hadis të Profetit Muhamed, u mrekullova nga përskajimi i përsosur i kulturës së Refuzimit. I kundërshtimit aktiv të së Ligës.
Nëse, ndaj, i transponuar veçorisht në botën e errtë politike t’një trualli me kufijë shteti, besimi rezulton ekuivalent i Rezistencës – aherë miljeu shqiptar vuan stadin më të poshtëm të saj.
E Keqja që shihet e ndjehet mbi krahët e lodhur, dënohet shumë me zemër, kritikohet pak me fjalë dhe nuk preket hiç me dorë. Ky shpirt i abstinencës do t’i shndërrojë ata, elektorë të shpërdorur e banorë të nënshtruar: në pëlhurë merimangash e gjah ekzotik për zogorinë dhunëtare të kohës. E, si përfundim i natyrshëm, ajo, madje, arrinë t’u dhurojë privilegjin e rrallë të bashkëpunëtorëve të paepur e mizorë në skalitjen e fatkeqësisë së vet..!
Por, si thotë dhe Niccolo, tribalëve të pushtetuar, nuk iu duhet shumë përpjekje, stil e mund. Poshtë tyre janë, me ç’duket, ata që vuajnë një mungesë të dhimbshme: kujtesën e lirisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura