PROF.DR.AGIM ZOGAJ: BE-ja NUK MUND T’I ZËVENDËSOJË SHB-të

Prishtinë, 14 Prill 2020: Amerika – flamurtare e ideologjisë së lirisë
Raportet, BE – SHBA, nuk janë çështje e retorikës, akademike e as asaj diplomatike. Së fundi, në tërë historinë moderne, ato raporte midis SHBA-ve dhe shteteve evropiane, ishin shumë thelbësore, u determinuan, me kërkesën e vazhdueshme të shteteve evropiane për forcimin e bashkëpunimit me SHBA-të, por, në radhë të parë, për ruajtjen dhe sigurinë e paqes. Dhe, jo vetëm bashkëpunimin, por, edhe me kërkesën e vazhdueshme të shteteve evropiane, për praninë sa më të fuqishme amerikane në kontinentin evropian. SHBA-të, ndër të tjera, nëpër tërë historinë moderne, ishin fuqia kryesore e cila, vendeve evropiane, popujve evropianë, pastaj, BE-së u erdhi në ndihmë për të shuar konfliktet, luftërat, që, aq shumë e përgjakën kontinentin. Dhe, kjo ndihmë vendimtare amerikane, kjo ndërhyrje edhe ushtarake e SHBA-ve, u kërkua nga BE-ja edhe në dekadat e fundit të shekullit të XX-të, për shumë çka, shekulli i vdekjeve. SHBA ishte dhe është ajo fuqi ekonomike, financiare e cila, edhe BE-së ia mundësoi një perspektivë më të sigurt ekonomike, forcimin dhe përhapjen e tregjeve gjithandej. Ndërsa, në aspektin kulturor, të ideologjisë së lirisë, SHBA, në vazhdimësi, Evropës i dha mësim, leksion të humanizmit dhe të solidaritetit, në radhë të parë me ligjet dhe me Kushtetutën ku garantohen liritë dhe të drejtat e njeriut, të gjitha racave, besimeve fetare, bindjeve politike. Liria dhe demokracia për të menduar, për politikë, për besim, për kuptimin e lirisë individuale dhe asaj kolektive, shoqërore, djepin e ka në truallin e politikës amerikane.

Kështu, në mbarë shekullin e kaluar, SHBA, guximshëm dhe me vendosmëri e ngriti lartë flamurin e lirisë, si vlerë universale, si vlerë të një qytetërimit të ri, me emrin, Rendi i Ri Botëror! A do të shembej Muri i Berlinit pa SHBA-të, pa betejën e gjatë të saj, me historinë e ideologjisë së errësirës, e cila, miliona popuj nëpër botë, pra edhe në zemrën e Evropës, i kishte pushtuar nën sistemin e komunizmit, totalitarizmit, tiranisë? A do ta krijonte, Evropa e përçarë, projektin e BE-së, të bashkimit nën një ideologji dhe për një të ardhme të përbashkët pa përkrahjen, ndihmën e SHBA-ve? Çfarë pamje, së fundi, do të kishte BE-ja pa ideologjinë e lirisë dhe të sistemit të ri të vlerave e të qytetërimit, i cili, qytetërim, atdheun e lindjes, e ka në SHBA? Dhe, meqë jemi te vlera e lirisë, përse, katër shtetet e BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pra, për cilën arsye nuk na e njohin të drejtën tonë, për liri në tokën, Atdheun, shtetin tonë të themeluar me gjakun e dëshmorëve, të rënëve? Mosnjohja e shtetit të Kosovës, jo vetëm që është sprovë për BE-në, si institucion, por, është edhe pjesë e mynxyrës së saj etike, para vlerave të qytetërimit të sotëm mbarë botëror, vlera, në të cilat ka hise edhe ajo vetë!
A do të përfundonte kasaphana serbe në Bosnjë, a do të mbahej Konferenca e Dejtonit, Konferenca e Rambujesë, për më tepër, kush do ta merrte vendimin, përveç SHBA-së për sulmet e NATO-së mbi caqet e ushtrisë pushtuese serbe në Kosovë, a do të ngadhënjente e drejta e shqiptarëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pa drejtësinë amerikane? Pra, kush, krahas Shqipërisë, përpos diplomacisë amerikane, do të na jepte përkrahjen vendimtare diplomatike, për ta shpallur shtetin e pavarur të Kosovës ? Me këtë rast, nuk duam të kthehemi në historinë diplomatike të viteve të 80-ta, veçmas viteve të 90-ta, kur shtetet evropiane, heshtën ndaj agresionit të përgjakshëm të Serbisë mbi popullin liridashës të Kosovës, i mbyllën sytë dhe, as që raportonin në mediet e tyre për vrasjet e të rinjve shqiptarë nga shteti jugosllav/serb? Cili ishte reagimi për suprimimin me dhunë, tanke dhe me gjak të Autonomisë së Kosovës? Ndërsa, diplomacia amerikane, përmes kongresistëve, senatorëve, madje edhe Sekretarëve amerikanë të shtetit dhe, presidentëve e kishte ngritur zërin e saj, i kishte dalë në përkrahje, më tepër se morale popullit tonë në rrugën e çlirimit! Evropa, pra, me përjashtim të disa shteteve mike, të cilat ne edhe sot e asaj dite i respektojmë, heshti, me çka, u nënkuptua se, edhe sipas tyre, çështja e Kosovës, na paska qenë “çështje e brendshme” e ish Jugosllavisë, për më keq, “çështje e brendshme” e Serbisë!
SHBA-ja, në shërbim të vizionit evropian
Prandaj, sot, kur i dëgjon, si të fshehura, gjysmë refrene, edhe në nivel të mendimit diplomatik evropian, dhe të vetë qytetërimit modern, se SHBA-të gjeografikisht janë larg, se, e kanë kryer misionin e tyre historik në kontinentin evropian, pra, edhe në Ballkanin Perëndimor, se, Amerika gjoja nuk na qenka më ajo Amerika e Reganit, Klintonit, Bushit, Obamës, sigurisht se, na inspiron për qasje dhe ballafaqime kritike të këtyre hipotezave. Aq, më tepër, kur, në relacion me çështjen shqiptare dhe në veçanti me çështjen e Kosovës, dëgjojmë e lexojmë referenca, sikur, BE-ja është ajo fortifikatë e cila është vendimtare për ecjen e suksesshme të rrugëtimit tonë kombëtar, sikur ajo e ka formulën e dialogut, ndaj, miqësia, aleanca me SHBA-të thuajse nuk është e domosdoshme!? Kur Trump ka thënë, “Amerika e para”, ai e ka menduar se, Amerika prijëse, Amerika simbol i sistemit të vlerave, do të ishte mirë edhe për BE-në!
Në rast se, qarqe të caktuara të diplomacisë evropiane, të mendimit akademikë, ekonomikë evropianë, vërtetë e mendojnë BE-në, rrugëtimin dhe suksesin e saj, pa bashkëpunimin, mbështetjen, përkrahjen e SHBA-ve, në rast se, janë të ngazëllyer përtej lazdrimit dhe krekosjes, atëherë, çështja, për ta, vërtetë është serioze!
E para, sepse, ta nënçmosh fuqinë amerikane, rolin e saj prej liderit të botës së fillim shekullit XXI, do të thotë, mosnjohje e realiteteve të sotme në arenën ndërkombëtare.
E dyta, një mendim i tillë, i cili, sikur Covid 19 i padukshëm, po shëtitë, tinëzisht nëpër nën qiellin e diplomacisë evropiane, nënkupton se, vërtetë vende të BE-së janë në lajthitje me pikëpamjen se, janë të vetë mjaftueshme në vizionin e tyre evropian!
A nuk marrin mësim nga, dalja e Britanisë së Madhe nga krijesa BE?
Apo, janë të shtrënguar nga Moska zyrtare?
Ndryshe, do të ishte tepër e “guximshme”, pretencioze të përmendin, madje, të flisnin edhe për krijimin e ushtrisë evropiane?
Shqiptarët, dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, me politikën e tyre të jashtme dhe atë në nivel mbarëkombëtar, do të vazhdojmë të jemi konsekuent në forcimin e bashkëpunimit me aleatin tonë, historik, SHBA-të si dhe të aspirojmë anëtarësimin në strukturat evro-atlantike. Ndërsa, të vërtetën e madhe që, si hapësirë jetike shqiptare, me tokë, det e me qiell, pra në gjeopolitikën bashkëkohore, jemi, sferë e interesit dhe e influencës amerikane, e pranojmë, e njohim, e kultivojmë si realitet!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura