Berlin, 10. 03. 2014 – 1. Ndërsa kthehej në shtëpi, tashmë i liruar nga burgjet ku ishte kalbur një jetë të tërë, At Zef Pllumi do të ndalonte një çast mbi një urëz, poshtë së cilës rridhte rrëke uji, e prajshme dhe e vjetër. Dhe i menduar, ofshante me deshpërim: asgjë e re, po ai uji, po ajo botë…O Zot, si ishte e mundur që njeriu të kishte mbetur poaq barbar si tash e 4000 vjet më parë!..
Njëmend, si është e mundur? Dhe si është e mundur, veçanërisht, një barbari e tillë e njeriut shqiptarë! E njeriut që vijon ende ta mbajë në vuajtje dënimi pa afat poetin kombëtar, Gjergj Fishtën: fjalën dhe frymën e tij të amshuar. “Nji kryq drunit, t’kjosha true…” e asgjë më shumë. Madje dhe ai i përdhosur urrejtshëm nga turma flamurtarësh të paemër e hallakatur, të mnirur e inferiorë, të “botës së re”.
Tek fliste për anatemën politike të Poetit dhe riardhjen e tij nga vdekja, Aurel Plasari thoshte bukur se “ jo veç Fishta duhet të gjej vëndin që i takon, por letërsisë shqipe duhet ti kthejmë atë që i mungon..! “Vota e dashurisë” që Aureli kërkonte për traditën letrare, do të jepej e kursyer ose e padrejtë. Ndërkaq tani flasim për njëlloj tjetër pieteti, për një tjetër kujtesë të shkrimtarit të madh. Në botën e emancipuar ngado shihen pllaka përkujtimore sipër muresh e portash, pas të cilash kanë jetuar krijues, dijetarë e prijës të shquar. Ato evokojnë çdo gjurmë, krajatë e dhimbje të tyre, si promemorje nderimi për breznitë që vijnë.
2.
Si u bë, prandaj, që afro tre dhjetëvjetësha të pastiranisë, shtëpia e Homerit të shqiptarëve të mbetet një gurinë gjysmë e rrëzuar?
Kryehershëm, komunistët do ta poentifikonin atë si pinjoll të anës përballëse të barrikadës gjatë Luftës së dytë, kur pat nisur të hidhte rrënjë rendi i tyre. Tevona, rolet sërish do të fortifikoheshin pse, derisa Poeti mallkonte artistikisht dyndjen e re dhe të përgjakur të fiseve sllave në pragjet arbnore, ata shejtorët e së kuqes, tashmë të betuar në faltoren e internacionalizmit proletar, shpallnin dashurinë vëllazërore me bijtë mashtrues e dhuntarë të tyre.
Pas rënjes së dinastëve, kur pritej me ngazëllim rikthjellimi i arsyes, do të përsëdytej gjëma: dënimi vijonte e s’kish të sosur kurrë. Guvernat e pasandejme të agut të quajtur lirak, do t’shpërfillnin të gjitha njësoj Korifeun e ndaluar! Nëse më parë ekskomunikimi i tij ishte i tipit censural, më pas do t’ishte i tjetër forme. Titani braktisej në harrim: me shtëpinë, bibliotekën, gjuhën, varrin…Shurdhimi nuk kje asnjëherë çështje limitesh (donatorët, vullnetmirët…) të arkës së shtetit. Nuk mund të ishte as pasojë e obskurancës shfajsuese. Megjithatë, inercia e mendësisë klasore dhe klanësore, si një ndëshkim i epërm, do t’çojë prapë në përfundimin se kjo, në një kuptim, është eminentisht një klimë dhe gjëndje e përndritjes së vobektë kolektive. Një shkollë e mirënxënë e revanshizmit bolshevik të hatruar e të dyfishtë: politik, për shkak të dogmës dhe kulturor, për shkak të smirës ndaj letrave sipërore të klubit të iluminuar françeskan. Ngjan i habitshëm, sidomos, mohi i së djathtës që kryesoi politikën shqiptare me dorën dhe vullnetin e hekurt për gati 13 vjet radhas. Më saktë, i shtetarit të saj të parë që do të duhej të kishte ruajtur në konstitucionin e tij shpirtëror zjarrin vullkanik dhe muzikën shungulluese të vargjeve fishtjane apo kulturën e madhërishme të kullave dhe hijerëndën e tyre!..Por, meqë pothuajse të gjithë ishin ngjizur e vinin nga e njëjta epruvetë, aherë në qendër të shpjegimit s’ka si t’mos qëndrojë trashëgimia e moteve të komunizmit, tek shtjellet akoma në trajta e ngjyresa të gjithëfarshme alternuese. Persekucioni i kuq do ti linte, ngadalë, vëndin – heshtjes së zezë dhe mpirjes së verdhë, simbole të dekulturimit paradoksal në epokën e dijeve dhe interferencave globaliste.
Ka tretur shumë kohë, kohë e rikëndelljes kombëtare dhe (si më ka rastisur të lexoj diku) vetëm pasunarët, veç e bashkë, arrijnë të kompensojnë shpejtësisht atë. Qëndrimi ndaj postamentit material të Fishtës është, në fakt, qëndrimi ndaj kulturës, e pra, ndaj vetë kombit dhe finikërimit të tij. Kurse përbuzja e tij e ultë, për pasojë, jep mnerisht atë shenjë qytetnie zhelane ndër shqiptarë që, si do shkruajë Kamy (“Letra mikut gjerman”), kanë humbur keq ekuilibrin mes shpatës e shpirtit në miljeun e gjatëpritur të lirisë, thuase robnia e shekujve i shkonte më mirë e harmonishëm shtatit të tyre.
3.
Gurina e mbetur nga shtëpia e Fishtës është, që këndej, dhe një metaforë e kulluar e përceptimit të Europës dhe refuzimit të saj të fshehtë. Hipokrizia e kastave politike tharmohet, ashtu, në një pozicionim të dyfishtë: fjalamani e bezdisshme me gjuhë e apotheozë epike, për reintegrim në strehën e kombeve të bashkuar të saj dhe, njëherësh, tkurrje autarkike, braktisje e kriptuar e shtegut të largët përmes prishjes brutale të ëndrrës së njeriut të vogël e të pafaj të nënqiellit të tyre. Është e njohur, ndërkaq, se çdo krizë sociale a politike, në imanencën e saj s’është, veçse gjenealogjiksht, krizë e etikës. Pikërisht ky rrjedhon të jetë defekti i ndërgjegjës së amullt demokratike dhe i higjienës së munguar nacionale të Shqipërive të shumta lumturake.
Porse e keqja fantaziplotë, përveç si makth i përzgjatur i diktatit njëmendimësor, redimensionohet tani në rrafshin tjetër përplotënues, gjithnjë humbës e të lig, në pellgun e dyzimit identitar, që bën kurorën verbuese të saj: duan vallë shqiptarët të rimbyllen në autarki ose, nga skaji i kundërt i absurdit, të katapultohen (si do ti përkufizonte Bassam Tibi) në “hixhra-misionarë”, të programuar? Në përçues e flijues absurd për zemrën e doktrinës së huaj e cila pretendon alternativën e vetme universaliste e mohimtare të “Europës së pafe”?! Apo, si e do interesi dhe mesazhi i lashtë, të bëhen, krejt mirë e natyrshëm, “qytetarë civiliteti”, individualistë e kultivues të lirë fatesh të saj!
Vrujimet përshfaqin çarje e hamendësim orientimor dhe kjo është, definitivisht, krusma e trishtimit të vërtetë: sëmbimi dhe terri i tij kafshues. Një vetëmohim i çuditshën negativ në dishrimin e egër për zhbërje entuziaste të krijesës amtare!
“Dantja nuk e ka shkruar Komedinë hyjnore për ju, po për ne”, i pat thënë At Pllumi (sipas rrëfimit të Kadaresë) një mikut italjan gjatë një evenimenti letrar në Tiranë, pak para se të ndërronte jetë. Mjerisht, monumenti i gjallë i rezistencës që ishte zotuar të “rrnonte për me tregue”, kishte sërish të drejtë. Shqiptarët që kanë mbuluar Poetin sublim me pëlhurën e qefintë të mosqenies, janë ende brënda, gjithmonë banorë të saj!…
*********************
(SHTOJCË E KRYEREDAKTORIT TË PASHTRIKU.ORG, SH.B )
SI PO SHKATËRROHET SHTËPIA E HOMERIT SHQIPTAR – AT GJERGJ FISHTA!?!
Nuk është i panjohur fakti, se, Lezha është një nga qytetet më të lashta dhe me shumë vlera historike, kulturore, arkeologjike dhe etnografike, por fatkeqësisht shumë prej këtyre vlerave kombëtare për shkak të pakujdesisë – vazhdojnë të shkatërrohen. Ky shqetësim edhe pse është ngritur disa herë në opinion, janë mbi 810 objekte historike-etnografike, që po rrezikohen çdo ditë nga rrënimi, dhe në mesin e këtyre objekteve është edhe shtëpia e At Gjergj Fishtës. “Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj” – kështu ka thënë Giuseppe Valentini i quajtur nga shqiptarët Zef, italian i lindur në rrethinat e Padovës, në një fshat të quajtur Brenta, më 1 korrik 1900. Zef Valentini vdiq më 16 nëntor 1979 në Palermo.
At Gjergj Fishta dhe Gurina e mbetur nga shtëpia e tij!!!
* * *
Gjergj Fishta lindi në një familje fshatare në Fishtë të Lezhës më 22 tetor viti 1871, nga baba Ndok Simoni dhe nëna Prene Lazer Kaçi, të pa arsimuar, i ardhur nga një vend i prapambetur, për shkak të pushtimeve të egra osmane, ku shkollimi ishte një mollë e ndaluar, madje dhe i dënuar me ligj.
Para se të bëhej frat ai e kishte emnin Zef. Ishte trup madh dhe me një urtësi dhe zgjuarsi të veçantë. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt, kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës.
Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 përfundoi studimet shkëlqyeshëm.
Ndërrimi i emrit të tij nga Zef në Gjergj përbën kuriozitet. Siç shpjegojnë studiues të tij, ka qenë zakon që kur një person bëhej frat, ndërronte emrin e tijd he zgjidhte vetë një emër tjetër të preferuar prej tij.
Kjo bëhej për të qenë i vetëdijshëm se fillonte një jetë e re, gjatë së cilës do ti përkushtohej qëllimit të përkushtimit. Kësisoj Zef Fishta vendosi ta quante veten Gjergj Fishta. Madje kur përmendet hsitoria e emrit të tij, nuk mund të mos shtohet një shprehje e thënë prej vetë poetit me shaka: “Sikur të mos isha ba frat, unë do të isha nji alamet Zefit”.
* * *
Shtëpia ku ka lindur e jetuar At Gjergj Fishta, nga pamja e jashtme duket se është në prag të rrënimit të plotë. Pa dyer e dritare, me fragmente muresh të rënë e të plasaritur, me çati të shkatërruar…
Kulla dykatëshe ofron në pamjen e saj ballore një imazh të mjerueshëm. Një derë e kalbur ku duken ende gjurmët e bojës së shpërlarë, një e gjelbër e vakët e shuar, në krah të saj pllakati që na njofton se pikërisht kjo është shtëpia ku lindi At Gjergj Fishta, poeti që shkroi të famshmen “Lahutë të malcisë”.
Pak më përtej në dritaren me hekura është tendosur një flamur kuq e zi dhe ai i dalë boje. Ndërsa një e çarë e frikshme e murit, që ngjitet deri në katin e dytë të kullës jep alarmin sos. Mbase ky fragment muri mund të rrëzohet shumë shpejt. S’do të jetë asgjë më shumë, veçse një lajm i zakonshëm në rradhën e gjatë të lajmeve për shkatërrime në trashëgiminë tonë kulturore.
Pas tij do të bjerë një fragment tjetër muri, e mandej një tjetër e një tjetër…Derisa asnjë gjurmë të mos mbetet edhe nga kjo shtëpi ku lindi një prej mendjeve më të ndritura shqiptare. Siç nuk ekziston më asnjë gjurmë nga shtëpia e dikurshme e Luigj Gurakuqit, krejtësisht e masakruar dhe tjetërsuar, edhe pse shumë debate janë zhvilluar rreth rrënimit të saj, e shumë projekte janë hartuar për ta kthyer në identitet.
* * *
Pasardhësit e At Gjergj Fishtës, fajësojnë strukturat qeveritare se nuk e kanë trajtuar me vëmendjen e duhur shkrimtarin e Madh, që ka lënë pas kryevepra, si: Lahuta e Malësisë. Ata thonë se, me ngelizhencën e treguar gjatë këtyre viteve në demokraci, ndjehen sërish si të përsektuar, ndërsa kanë apeluar vazhdimisht për kthimin e shtëpisë në muze. Në një realitet të tillë të hidhur dhe trishtues, nipat e gjeniut të letrave shqipe apeluan për kthimin në identitet të kësaj shtëpie – në 100 vjetorin e Pavarësisë, e cila dikur ishte shpallur monument kulture, por që sot të ngjan me një rrënojë!
TV – “Vizion Plus” ka kontaktuar, specialistë të monumenteve në Lezhë, të cilët premtojnë se do të ndërhyhet, por pa dhënë një afat konkret. Një premtim të tillë e bëri edhe Ish Ministri i Turizmit Aldo Bumçi (me rastin e 141 vjetorit të lindjes së Fishtës), kur në muzeun kombëtar në Tiranë u ekspozuan 250 objekte të përdorura nga shkrimtari, duke përfshirë nga mjetet e punës e deri tek ato të jetës së përditshme. Ndërkaq, ka më shumë se 10 vite që kërkohet ndërtimi i Muzeut Historik-Etnografik në Lezhë, por, kjo kërkesë ka hasur në vesh të shurdhër dhe vazhdon të jetë si një premtim i pambajtur…!
Derisa drejtues të institucioneve justifikohen me premtime mbi këtë çështje, shtëpia ku ka jetuar Homeri i letrave shqipe rrezikon që në një të nesërme të mos ekzistojë madje as si rrënojë!
Shikoni emisionin e “Vizion Plus”, për At Gjergj Fishtën:
* * *
SI U FESTUA 142 VJETORI I LINDJES SË AT GJERGJ FISHTËS?!?!?