AHMET QERIQI: LOGJIKA E DYZUAR E POLITIKËS SË DËSHTUAR

Pashtriku.org, 09. 07. 2013 – Politikanët, që përpiqen me çdo kusht t’ i arsyetojnë veprimet e veta edhe atëherë kur ato bien ndesh me interesin e kombit, edhe atëherë kur nuk mund të arsyetohen me asnjë të dhënë apo dëshmi relevante konkrete, në radhë të parë janë politikanë të papërgjegjshëm, sikur janë aktualisht shumica e atyre, të cilët tash për tash i drejtojnë institucionet e Kosovës.
Përpjekja për ta shpjeguar veprim politik si veprim të dyzuar apo si bashkëveprim, (disa herë në vend të kuptimit mëdyshje), bëhet në radhë të parë për t’i ikur përgjegjësisë, sidomos tani kur drejtuesit e Kosovës kanë sharruar në zallin e gjallë të politikë-bërjes së tyre, nga ku nuk mund të dilet, pavarësisht retorikës, pavarësisht përpjekjeve për ta bindur opinionin se askush nuk ka mundur të bëjë ndryshe, meqë për fatin e Kosovës po vendoska vetëm Brukseli dhe “partnerët” tanë ndërkombëtarë.
I tillë, “i dyzuar”, inert dhe i pasuksesshëm ka qenë rezonimi i politikës paqësore të Ibrahim Rugovës në vitet 90, në kushte dhe rrethana të tjera, kur me politikën e durimit dhe pacifikimit të masave nuk mund të veprohej ndryshe, pos të pritej mos po na vinte diçka nga qielli. I tillë është edhe mendimi i shprehur i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili mbase shpreh mendimin aktual politik të PDK-së, përderisa brenda kësaj partie nuk ka reagime lidhur me publikimin e komenteve e tij dualiste, në esencë eklektike dhe tërësisht të paqëndrueshme, komente këto që kanë të bëjnë lidhur me Marrëveshjen Kosovë Serbi, të arritur më 19 prill 2013 në Bruksel si dhe qëndrimin e tij dhe të PDK-së për Amnistinë.

Këngëtarët e PDK-së: Xhavit Haliti dhe Adem Grabovci!

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka qenë e dyzuar, sikur shkruan Xhavit Haliti, “as nuk ishte një luftë, të cilën e mbështeten sakrificat supreme të mbarë shqiptarëve”, derisa dihet botërisht se atë luftë e mbështetën vetëm një përqindje e shqiptarëve idealistë e atdhetarë. Këtë fakt e di më së miri ky zotëri, sepse dihet botërisht numri i shqiptarëve liridashës, që morën armët dhe luftuan kundër sundimit dhe okupimit serb, ashtu sikur dihet përafërsisht edhe përqindja e atyre, që e kanë përkrahur luftën, kanë qëndruar në frontet e luftës deri në mbarimin e saj. Nuk besoj se “përkrahësit sublimë” të luftës kanë ikur, apo janë dëbuar nga Kosova pikërisht sepse e donin dhe e ndihmonin këtë luftë, apo sepse u digjte zemra për Kosovën, të cilën serbët po ua digjnin para syve të tyre. Ata ikën pikërisht sepse nuk i besuan luftës së UÇK-së, ndërsa fitoren ia atribuuan NATO-s, me qëllim për të fshehur mungesën e gatishmërisë së tyre, për t’u sakrifikuar për atdhe. Nuk mohohet fakti se Aleanca Veriatlantike ka pretenduar të parandalojë një katastrofë “humanitare” në Kosovë, meqë nuk kishte arritur ta parandalonte në Kroaci, as në Bosnje e Hercegovinë, katastrofë e tragjedi të cilën edhe nuk ka arritur ta parandalojë as në Kosovë, ashtu sikur nuk mund të mohohet fakti se asnjë ushtar apo epror i NATO-s ka rënë, apo është vrarë gjatë 78 ditëve të bombardimeve. NATO-ja kishte qëllim ta shkatërronte makinerinë e regjimit të Milosheviqit dhe jo ta çlironte Kosovën nga robëria shekullore serbe. Fetishizimi, që shqiptarët durimtarë i kanë bërë dhe i bëjnë intervenimit të NATO- është përpjekje për të fshehur qyqarinë e mjerimin e tyre për kohën e luftës në Kosovë, sepse po të kishin pasur mundësi ta çlironin Kosovën me politikë të dyzuar, të zezuar dhe durimtare atë do ta kishin bërë gjatë tetë viteve të qeverisjes së tyre në “institucionet” paralele, në Kosovë, prej vitit 1990 deri në vitin 1998.
Sipas z Haliti, e dyzuar paska qenë dhe vazhduaka të mbetet edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ja si e përshkuan ai këtë “dyzim”. Megjithëse pavarësia e Kosovës u njoh menjëherë nga aleatët tanë ndërkombëtarë, kurse nga Serbia dhe aleatët e saj u quajt dhe vazhdon të cilësohet si një “akt i njëanshëm” i autoriteteve të Prishtinës. Pas më shumë se 5 vjetësh pavarësi, përballja e këtyre dy opinioneve politike me përmasa ndërkombëtare, ku ndahen edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, vazhdon të jetë i pranishëm dhe me peshë për statusin aktual dhe të pritshëm ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Mbase z. Haliti ka problem edhe me njohjen e frazeologjisë politike, por nuk ka fare logjikë të thuhet se Pavarësia e Kosovës ka qenë dhe ka mbetur e dyzuar. Duket se z. Haliti nuk dëshiron ta pranojë se Kosova ka një pavarësi të cunguar, të mbikëqyrur e tani të rrudhur deri në fund, me pranimin e krijimit dhe legjitimimit të entitetit serb në Kosovë, ashtu sikur ndodhi me krijimin dhe legjitimimin e entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, edhe pse pjesa e veriut nuk do të quhet Republika serbe e veriut, ajo realisht është e tillë dhe e tillë do të mbetet madje e vulosur me një marrëveshje ndërkombëtare mes BE-së, Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje e cila krejtësisht është në dëm të shqiptarëve të Kosovës, madje një shkallë më poshtë se edhe vetë pakoja e zezë e Ahtisarit. Tashmë kemi një pavarësi surrogat, dhe jo pavarësi dualiste apo të dyzuar, sikur përpiqet në ta shpjegojë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.
Gjithnjë duke qenë i dyzuar në perceptimin e tij politik, z. Haliti mundohet të na bind se në të gjitha segmentet politike për dhe rreth Kosovës u dashka ta pranojmë “shpikjen” e tij për dyzimin, apo për ndarjen dysh të opinioneve për dhe kundër bisedimeve me Serbinë, për dhe kundër ligjit për Amnistinë e të tjera si këto. Duke shprehur mendimin e tij lidhur me refuzimin e Projektligjit për Amnistinë, ai në shkrimin e tij të botuar në “Telegraf” shkruan: “Dyzimi (në këtë rast, mëdyshja) i fundit mendoj se është “argumenti” më i rëndësishëm i mosmiratimit nga Kuvendi i Projektligjit për Amnistinë. Nuk u miratua, sepse prej tij mund të përfitonin edhe serbët “kriminelë”, por edhe shqiptarët “kriminelë”, që nga 1999 deri më 20 qershor 2013. Këtë arsye është vështirë ta kundërshtosh. Por, kundërshtimi me të njëjtën armë, me arsye të njëjta politike, konsiderohet figurshëm, vetëvrasje. Mendoj se Kosova është ende larg komoditetit për të zbatuar këtë lloj vetë-ndëshkimi. Amnistia u kërkua si kusht në kuadër të normalizimit dhe zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ky kusht nuk u miratua nga Kuvendi i Kosovës, i cili ka aprovuar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Miratimi i Projektligjit për Amnistinë nga kuvendet në Prishtinë dhe Beograd është parakusht për vazhdimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Eufemizmi politik i z. Haliti përfaqëson mendësinë reale të nënshtrimit e të kapitullimit pa kusht, ndoshta edhe kapitullimit të shantazhuar, por duke e trajtuar dhe duke e shprehur atë në mënyrë lakonike, duke shpikur shprehje të reja gjuhësore për t’i qitur hi syve sidomos partiakëve të painformuar dhe turmave të aminxhinjve të përjetshëm. Nënshtrimi dhe kapitullimi nuk kanë nevojë të na zbukurohen gjuhësisht, as me ndonjë stilistikë eufemistike, përderisa esenca, e përmbajtja mbetet e njëjtë. Nuk bëhet ujku qengj, nëse e quan “gojëmbyllt”. Opinioni liridashës në Kosovë nuk ka harrur mënyrën sesi ishte dyzuar dhe zezuar autonomia e Kosovës në vitin 1989.
Mendësia e dyzimit, pranimi i planit të Ahtisarit, tani pranimi pa kusht i bisedimeve me Serbinë, arritja e marrëveshjeve mes palëve, ku Serbia i realizon të gjitha kërkesat dhe ku kreu i Kosovës lëshon pe në të gjitha ato kërkesa, statusin e Kosovës po e degradon drejt statusit të republikave të dikurshme autonome, sovjetike. Pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe pavarësisht se deri tani shtetin tonë e kanë njohur 100 shtete të botës, procesi i njohjes ka stagnuar, ndërkohë që Kosova iu ka kthyer bisedimeve me Serbinë lidhur për shumë tema, të cilat kanë vënë në pikëpyetje statusin, kushtetutën dhe ligjet e Kosovës së pavarur.
Presioni i BE-së dhe i një pjese të shteteve të botës që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë po shkon drejt ridefinimit të statusit, në mënyrë që Serbisë t’ i plotësohen të gjitha kërkesat, të cilat minojnë dhe mbajnë peng pavarësinë e vendit tonë. Kufizimi i pavarësisë po bëhet me pajtim gjatë bisedimeve të kreut të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Modeli i propozuar nga Serbia dhe i përkrahur fuqishëm nga Bashkimi Evropian, por edhe nga Amerika e Anglia po degradon drejt reduktimit të statusit, ngjashëm me atë të republikave të dikurshme autonome, sovjetike. Modeli i tillë është i pranueshëm për Serbinë dhe Rusinë dhe vetëm me një kufizim të tillë të pavarësisë së Kosovës, Serbia de “de facto” do të pajtohej, por “de jure”, jo, sepse ajo është zotuar se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Krerët e vendit tonë me politikën e tyre “largpamëse”, të dyzuar, të varur krejtësisht nga sugjerimet e miqve ndërkombëtarë, apo të “partnerëve” sikur quhen me zhargonin e Qeverisë, i kanë lejuar Serbisë kthimin në veri dhe krijimin e një autonomie substanciale, e cila nuk do të quhet autonomi, por Asociacion i Komunave Serbe, që do të jetë më shumë se kaq, me faktin se vendimet që merr ky farë asociacioni nuk i zhbën dot Qeveria as shteti i brishtë i Kosovës, meqë statusi i kësaj pjese të Kosovës është përcaktuar me marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 dhe kjo marrëveshje konsiderohet ndërkombëtare, që nuk zhbëhet as me referendum, por vetëm me fuqi ushtarake, të cilën as e kemi, as pritet ta kemi ndonjëherë. Përpjekja në të ardhmen për ta rikthyer këtë territor të humbur mund të bëhet shkas për intervenim nga Serbia ashtu sikur bëri Rusia në vitin 2008, kur ndërhyri ushtarakisht kundër Gjeorgjisë dhe e mori me dhunë pjesën e Osetisë jugore, të cilën edhe e shpalli shtet të pavarur.
Në procesin e bisedimeve politike për ridefinimin e statusit të vendit tonë, Qeveria ka lëshuar pe qysh prej fillimit dhe pavarësisht retorikave, pavarësisht interpretimeve krejtësisht të hamendësuara dhe kalkulimeve alegorike, realiteti demanton çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe procesin e bisedimeve dhe nënshkrimin e marrëveshjes së 19 prillit. Të kota janë përpjekjet e tilla. Ato vetëm sa e përforcojnë edhe më tepër shkarjen drejt kapitullimit.
Veriu i qytetit të Mitrovicës vazhdon të jetë i ndarë nga Kosova ashtu sikur edhe komunat me shumicë serbe. Atje, Kosova as ka pasur, as ka shtrirë ndonjë sovranitet tjetër, përveç sovranitetit virtual dhe dërgimit në dogana të disa zyrtarëve nën përcjelljen e EULEX-it. Të gjitha enklavat serbe që janë krijuar në Kosovë, qendrën e tyre do ta kenë në Veri. Serbia, me ndihmën dhe përkrahjen e fuqishme të BE-së po arrin ta ndajë dhe ta bëjë pjes-pjesë Kosovën duke e kthyer në një shtet me kompetenca të kufizuara, një shtet “të dyzuar”, një shtet surrogat pa kufi me Serbinë, por kufi me Shqipërinë e shtetet e tjera fqinje. Nuk është vështirë të prognozohet sesi do të funksionojnë ky shtet invalid në të ardhmen, të cilin Serbia do ta mbajë peng përgjithmonë, apo krejt derisa shumica shqiptare në Kosovës të bindet se nuk shtyhet më tej, ashtu sikur ishte bindur pakica në mars të vitit 1998.
Ahmet Qeriqi: Robit, mbase i paska edhe hije të logjikojë me mendjen e robit
Edhe 14 vjet pas luftës dhe fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk i ka mjaftuar një klase mendje-robërish për t’ u zgjuar nga gjumi i rëndë i robërisë, ku është katandisur. Për hir të së vërtetës, në mendësinë e tillë kanë ngelur vetëm dhjetëra emra, të vetëquajtur analistë e gazetarë, dhe, mbase nuk është aq keq, që ata kanë mbetur varur në çengelat e zinxhirit të robërisë të së kaluarës, që tashmë ka filluar të ndryshket, sepse çdo kohë, çdo kapitull i historisë sonë kombëtare ka pasur mendje-robëruar dhe kjo nuk është për t’ u habitur. Tipa të tillë, degjenerikë, ka pasur dhe ka në mesin e të gjitha kombeve të botës, ku më shumë e ku më pak. Në përpjekjet e tyre për ta ndërruar botën, për ta kthyer prapa kohën, në vajtimin e tyre për bashkim-vëllazërimin e dikurshëm, për kohën kur gjithçka, sipas rezonimit të tyre, ka qenë në rregull dhe në pamundësi për t’ u pajtuar me kthesën e madhe, që ndodhi në historinë tonë më të re dhe e cila nuk kuptohet dot pa UÇK-së, ata kanë ngelur sikur insektet në rrjetin e merimangës, derisa ajo i mbyt ngadalë, ose derisa të ngordhin nga pamundësia për t’ u çliruar nga rrjeti.
I kuptoj ata që kanë “hangër dajak” nga UÇK-ja, pse jo edhe ndonjë plumb, i kuptoj deri diku edhe ata që kishin bashkëpunuar me regjimin e Milosheviqit, në Kosovë, i kuptoj edhe ata shpirtshitur që për përfitime të caktuara kishin pranuar të bëheshin vegla qorre të regjimit dhe madje kishin veshur edhe uniformat e MUP-it, por nuk kuptohet soji i atyre “biçim intelektualëve” që kishin ikur sa më larg Kosovës gjatë luftës, edhe pse lufta nuk u kishte sjellë asnjë dëm, por vetëm dobi. Ata, tërë kohën nuk i kishin ndalur llomotitjet e tyre kundër UÇK-së, duke e etiketuar si fajtoren kryesore të të gjitha atyre, që ata i quajnë tragjedi të ndodhura në Kosovë. Dihet rasti kur një gazetar shërbëtor, ishte shpallur i vdekur, gjatë luftës dhe ishte “ringjallur” diku në Gjermani, apo ku di ku, duke shfryrë tërë mllefin kundër UÇK-së, e cila sipas tij duhej t’i jepte llogari popullit për fillimin e luftës. Më vonë ky gazetari i vetëquajtur profesionist, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës Lindore dhe të Iliridës i kishte quajtur grupe të armatosura katundarësh, “lufta katundarësh”. Pak më vonë, këtë gazetar (ish-ndërmjetës vullnetar për ta takuar Stanishiqin dhe Mahmut Bakallin në Brezovicë, diku në vitin 1997), e kishin rehabilituar dhe e kishin rekrutuar në radhët e veta disa krerë me rëndësi të luftës, madje i kishin bërë të mundur edhe marrjen e licencës për një TV-kabllor, ku ai ushtron njëmendësinë e tij të robit.
Robit, sikur i ka hije të logjikojë me logjikën e të robëruarit, sepse i tillë është fiksioni i tij njëdimensional, i tillë është shpirti dhe bota e tij e të menduarit dhe të perceptuarit. Ai, për përfitime materiale, nuk heziton të shfryjë mllefin kundër UÇK-së, duke e akuzuar për krime lufte, duke e lavdëruar EULEX-in për punën e “ndershme” që po bën në arrestimin e kreut të luftës çlirimtare, të dyshuar për krime lufte. Ky mendje-rob mendon se me arrestimin e kreut të luftës, merr fund edhe lufta e UÇK-së dhe mendon se do të harrohen krimet fashistoide që ka kryer Serbia, në Kosovë, për të cilat kurrë nuk ka folur as ka shkruar. Kapardisjet e tij, madje fyerjet drejtuar personaliteteve të caktuara të luftës, prepotenca prej një deliranti të katranosur, janë në funksion të mendësisë së “Bosit” të tij të shklluqur, i cili i quante akte fashiste hakmarrjet individuale të ndonjë shqiptari kundër ndonjë serbi, pas dëbimit të ushtrisë e policisë serbe nga Kosova. “Bosi” me qëndrimin e tij stigmatizues kundër UÇK-së, fillimisht mori simpatinë e qarqeve antishqiptare, doemos edhe të Beogradit zyrtar, sepse policia e Milosheviqit e kishte marrë nën përkujdesje speciale, gjatë tërë kohës së luftës, por disa vjet pas luftës e humbi betejën në përballje me elektoratin. I shkoi kot një vit rrugëtim, madje në disa raste duke ecur edhe këmbë, duke udhëtuar nga fshati në fshat, në përpjekje për t’i bindur shqiptarët se tashmë kishte arritur “Ora” e tij, e cila nuk ishte “komprometuar” me UÇK-në, ndërsa nuk përkrahte as pacifistët e Ibrahim Rugovës. Titistët, “drugarët” e babait e “pobratimët” e serbëve, ia dhanë besimin, por nuk mjaftoi aq sa për ta mbajtur të kurdisur “OREN” e tij të ligë. I zhgënjyer me humbjen, i mbetur pa asnjë post, ai kurdisi orën tjetër rezervë, e cila kishte rrahur tik-taket e saj qysh nga rinia e tij e hershme. Ajo orë, e kurdisur në kohën dhe amanetin e Titos, me moton: Druzhe Tito mi ti se kunemo, da sa tvoga puna ne skrenemo, (Shoku Tito ne të betohemi, se nga rruga jote kurrë nuk do të largohemi), i mbeti besnike teorisë së bashkim-vëllazërimit dhe multietniciteti aktual, duke u përvijuar në të gjitha skutat, me qëllim për ta rikthyer jo vetëm nostalgjinë e kohës së kaluar, por edhe porositë e saj.
Mendje-robëruarit e tjerë, që shfryjnë bulçitë kundër UÇK-së, dalin nga përzierja e gjakut shqiptaro-serb. Këta janë “kosovarët”, të cilët promovojnë dhe pranojnë identitetin e ri, që nuk është puro shqiptar, por as serb, por një përzierje nga këto të dy, një si bastardim, amalgam eunuk, një si qenie mushke, që për fatin tonë dhe për fatkeqësinë e tyre, nuk ka gjetur, as po gjen vegjetacion, sepse ngjizjet e tilla shqiptaro-sllave, turko-shqiptare, serbo-shqiptare, shqiptaro-greke, nuk i kanë rezistuar kohës, meqë si të tilla janë të panatyrshme, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për fqinjët tanë. Nuk mohohet dot e drejta e përcaktimit, për ta identifikuar veten si shqiptar, kosovar, serb, malazez, rom etj, kur kemi të bëjmë me raste të veçanta, të izoluara. Mirëpo pretendimet e disa ‘biçim’ analistëve për t’ua ndërruar identitetin historik shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, por tregohen se janë përpjekje donkishoteske. Idesë e kosovarizimit të shqiptarëve i ka dhënë përgjigje vetë populli në regjistrimin e fundit të popullsisë.
Disa mendje-robëruar janë ngrehur kundër gjuhës së njësuar të kombit, kundër idesë së bashkimit kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm dhe kundër homogjenizimit pozitiv të shqiptarëve, në Ballkan. Këta ithtarë, pjellë e kozmopolitizmit të dikurshëm jugosllav, të cilët kishin studiuar dhe ishin formuar si “intelektualë” në “druzhinat” serbe, kanë mbetur robër të jugosllavizmit edhe tani, në kohën kur shtetit të dikurshëm të sllavëve të jugut i ka humbur edhe emri. Këta mundohen ta prishin unitetin dhe homogjenizimin kulturor e gjuhësor të shqiptarëve, edhe pse e dinë mirëfilli se gjuha e njësuar shqipe është në përdorim në të gjitha institucionet arsimore, kulturore, shtetërore, kudo në Shqipëri, Kosovë, Iliridë, në Kosovën Lindore, në Plavë e Guci, në Malësi të Madhe, në Tuz e Ulqin. Kjo gjuhë, reflekton në të gjitha mediet shqiptare, të shkruara dhe elektronike, me ndonjë përjashtim, krejtësisht të parëndësishëm. Gjuha e njësuar e kombit është në përdorim të gjerë në tërë mërgatën dhe diasporën shqiptare. Këta mendje-robër, i pengon shumë ky homogjenitet gjuhësor, meqë ata nuk kanë arritur kurrë ta mësojnë dhe ta përvetësojnë gjuhën letrare shqipe, ashtu sikur e mësojnë dhe e përvetësojnë pjesëtarët e të gjitha kombeve të botës gjuhën amëtare. Qëndrimi i tyre kundër gjuhës të njësuar kombëtare, zbulon egon e tyre të sëmurë, shpirtin e katranosur dhe prepotencën vulgare kundër etnitetit, të cilit po e zëmë se i takojnë, derisa nuk janë përcaktuar hapur për ndërrimin e identitetit kombëtar.
Kundër idesë së bashkimit të shqiptarëve janë rreshtuar një taraf i pseudo-intelektualëve, sidomos nga klasa e politikanëve shqiptarë, në Tiranë, Prishtinë e në Shkup, të cilët për të ruajtur favoret, që iu sjellë pushteti, nuk e marrin dot me mend formimin e një shteti unik shqiptar, ku do të kishte vetëm një Presidencë, një Qeveri dhe një Kuvend, ashtu sikur e ka Greqia, Serbia, Bullgaria dhe të gjitha shtetet e botës. Të mësuar me historinë fatkobe të ndarjes dhe jetën nën robëri, kjo klasë e mendje-robërve po i mbetet besnike status-quosë, krahinarizimit të trojeve të Atdheut dhe shkapërderdhjes së kombit. Ata, në kalkulimet e tyre politike, sidomos në prag të fushatave zgjedhore, lëshojnë zëra patriotikë për bashkim, por sapo kalon periudha e zgjedhjeve, me të njëjtën gojë flasin për pamundësinë dhe pa dobishmërinë e krijimit të Shqipërisë së Madhe, sepse, sipas mendësisë së tyre, me krijimin e shtetit unik shqiptar irritojmë dhe armiqësojmë fqinjët tanë, të cilët mbi kurriz të trojeve tona kanë formuar shtetet e tyre, duke vrarë e duke masakruar shqiptarë dhe duke i përndjekur nga trojet e tyre.
Një segment tjetër i mendje-robëruarve buron edhe nga fanatizmi fetar, i shprehur në ekskluzivitet dhe në dogmatizmin tashmë të njohur ekstrem, i cili po i vërsulet madje edhe historisë kombëtare, identitetit të mirëfilltë kombëtar, me pretendime për ta shlyer kujtesën historike të kombit dhe për ta rivlerësuar atë. Të tillët, pretendojnë se Perandoria Osmane nuk ka qenë pushtuese, por vetëm sunduese. Kjo klasë e klerikëve, por edhe e zyrtarëve e intelektualëve të caktuar, nuk e atakon luftën e UÇK-së edhe pse është treguar krejt indiferente me rastin e arrestimit të kreut të luftës nga EULEX-i. Ky segment i mendje-robërve, po përforcohet për shkak të diskriminimit, që po iu bëhet femrave myslimane, të cilat në mënyrë vullnetare duan ta praktikojnë veshjen islame gjatë shkollimit, veshje kjo e cila nuk e dëmton bazën e moralit njerëzor, as bazën morale të asnjë feje monoteiste. Fanatizmi ekstrem i disa myslimanëve shqiptarë, gjithnjë ka gjetur dhe gjen shkas në trajtimin e pabarabartë dhe në një intolerancë, që shpreh ndaj islamit një klasë e tërë e intelektualëve dhe e zyrtarëve, shumica dërrmuese shqiptarë të besimit islam, mbështetës të futjes së Kosovës në BE, meqë Brukseli zyrtar, myslimanët shqiptarë i konsideron si trup të huaj, si tradhtarë të krishterimit dhe dorë e zgjatur për depërtimin e islamit në Evropë.
Veçoritë tipike të mendje-robërve i përshkon pakënaqësia me të gjitha të arriturat e kombit në dy deceniet e fundit. Ata janë unikë në pretendimet e tyre për t’ i njollosur të gjitha vlerat kombëtare e historike të shqiptarëve. Ata i bashkon qëndrimi i tyre nopran për ta paraqitur luftën çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së, si luftë të bandave e grupeve të caktuara. Mendjet e robëruara kontestojnë të gjitha personalitetet dhe figurat shqiptare, prej Skënderbeut, Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, Enver Hoxhës e deri te Adem Jashari, Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ismail Kadare e të tjerë.
Mendjet e tilla të robëruara asnjëherë nuk e kanë kontestuar pushtimin turk e sllav në trojet shqiptare. Ata kurrë nuk kanë folur as kanë shkruar për rolin antishqiptar të Nikolla Pashiqit, Drazha Mihailoviqit, Josip Broz Titos, Eduard Kardelit, Llazar Mojsovit, Aleksandër Rankoviqit, Azem Vllasit, Ali Shukriut, Rrahman Morinës e shumë të tjerëve. Ata, nuk flasin as shkruajnë për krimet që ka kryer ushtria dhe policia kriminale serbe në Kosovë, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci. Në të njëjtën kohë gjurmojnë çdo faqe të mundshme të internetit, për të gjetur ndonjë shkrim kundër luftës së UÇK-së, të cilin pa vonuar e përkthejnë dhe e plasojnë në të njëjtën kohë në mediet për të cilat punojnë, apo i drejtojnë.
Në luftën e tyre pa kompromis kundër UÇK-së dhe kundër vlerave historike, shoqërore e kulturore të shqiptarëve, kundër gjuhës letrare, kundër homogjenitetit pozitiv të shqiptarëve, ata përfaqësojnë mendësinë retrograde, polin negativ në shoqëri, duke bërë përpjekje të pareshtura për t’i penguar proceset pozitive të zhvillimit, përparimit, emancipimit dhe bashkimit kombëtar. Trashëgiminë e tyre klasore e shoqërore e arsyetojnë dhe e bazojnë në të drejtën demokratike për mendimin ndryshe, për shprehjen e lirë, edhe kur ajo shprehet kundër interesit të kombit e Atdheut, kundër gjakut të derdhur për liri, kundër sakrificës së sa e sa brezave, që kanë rënë në mbrojtje të dinjitetit kombëtar e njerëzor.
Mendje robëruarit nuk kanë arritur të ndalojnë asnjë proces pozitiv të kombit shqiptar drejt unifikimit e bashkimit, nuk kanë arritur të ushtrojnë kurrfarë ndikimi te shqiptarët liridashës, nuk kanë arritur ta dëmtojnë normën gjuhësore. Ata thjesht bëjnë punën e Sizifit dhe le ta bëjnë, meqë kanë kohë dhe pretendojnë se do të arrijnë cakun e tyre pa cak.

– Autori është Drejtor i Radios Kosova e Lirë.

===================================

NJË FOTO FLET MË SHUMË SE 10 000 FJALË!

Maskarenjtë e para, gjatë dhe pasluftës në Kosovë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura