REXHEP KASUMAJ: KALËRIMI FATKEQ I PRESEDENTES

(Berlin, 11. 10. 2012)
“Ndërgjegjja njerëzore ka vdekur; n’aheng zhyer,
Ai shkryhet mbi të; kjo kufomë i pëlqen;
Ndonjëherë, gjithë gaz, sygjak e i ndërkryer
Ngre dorën e i bie së vdekurës që s’ndjen…”
Ja ky është vaji dhe, njëkohësisht, thirrja kushtrimore e Hygosë për Francën e tij. A do të hamendësonte ai, vallë, se qindra vjet më pas, në truallin e tij, Europë – kjo pjesëz e yllit tokë, në një skaj të saj me emrin Kosovë, këto vargje do të gjenin ende kuptimin përzitës!

Natyrisht protagonistja e shkrimit është vetëm njëra nga ata, ndoshta më pak e errta dhe, kur ajo duket e tillë, a mund të imagjinohet se ç’maska mneruese kanë të tjerët sygjak e adhurues kufomash… Për këtë specie të edipëve politikë kemi shkruar shumë. Anise nuk është kurrë mjaft, sepse kjo krimbnajë shtohet frikërisht, kësaj radhe hedhim ca fjalë për atë që do të ulej në tempull për të ftillzuar nyjen duhmonjëse!
1.
Qysh në orët e para të shërbimit të saj, Presidentja e Kosovës, veç karizmës dhe sharmit të munguar, do të veniste shpresat duke përshfaqur mjerueshëm defiçitin e saj lapidar të kulturës politike dhe inkompetencën dramatike për punët shtetërore.
Nëse disa skeptikë pozitivistë do të kenë thënë dje se ajo akoma është në nxënje të zejes, se ende përshtatet me ofiqin madhor dhe publikun politik dhe se shkitjet spektakulare i referohen pikërisht fillimit të virgjër në politikë – ç’kanë për të thënë tani? Tani kur shohim dëshminë fatkeqe, se gur mbi gur si një kala e obskurancës dhe imorales, shkëndijon kjo zezonë e saj?! Ç’do të thonë kur, në çdo societet normaliteti politik, higjiene nacionale dhe qytetnie eprore demokratike, do të shpërthente një skandal rrafshues tektonik?! Atje ku, rrëmbimthi, do të përqëndrohej opozita, do të përndizej shtypi i lirë, do të shfrynin organizmat civilë dhe do të hallakatej bota akademike?!.. E të gjitha me një të vetme pyetje: si është e mundur? Dhe, ca më keq akoma, si ndodh që, në kufi cinizmi, Presidentja të ruajë qetësinë olimpike? Madje të sfidojë të gjithë me shpërfillje e arrogancë pështymore?!

Kryeministri Hashim Thaçi, presidentja Atifeta Jahjaga, zv.kryeministri Hajredin Kuçi dhe Ramush Tahiri, Këshilltar i presidentes.

…………………………………………….

Këshilltari i saj, i njohur tashmë si këshilltar i gjithkujt e për gjithçka, do të deklaronte këto ditë bombastikisht: strukturat paralele serbiane matanë lumit Ibër nuk janë të tilla. Pra, janë rregullare, legale e legjitime! Si për të betonuar besueshmërinë, ai do të pohonte menjëherë se qëndrimi i tij nuk binte ndesh me atë të Presidentes, sepse ajo paskësh takuar disa herë personalisht krerët e tyre.
Skandaloze?
Absolutisht!
Po përse?

(Lexoni: Srpske institucije na sjeveru Kosova su legitimne
http://www.info-ks.net/clanak.php?id=22132&naziv=srpske-institucije-na-sjeveru-kosova-su-legitimne&nav_id=1&pod_nav=10  – Shen.Sh.B)

2.
Arsyeja është e qartë deri në dhimbje: pozicioni i tij e, si thotë, dhe i Presidentes, përballet kundërshtueshëm, tmerrsisht kundërshtueshëm me interesat nacionale të Kosovës, me Kushtetutën e saj dhe me pikëpamjet kohezive të mentorëve të indipendencës sonë të brishtë. A nuk është kjo arsye e mjaftë për shqetësim, madje trandje të shpirtit politik dhe ekzistencial të njeriut shqiptar të këtij visi të landit arbnor?
Por pas një dridhjeje jo fort të zallahishme të tregtizës politike, këshilltari i vënë në zjarr, me gjasë i sugjëruar prej shefes së tij që orvatet të shplajë duart e përlyera keq, do të bëjë një tërheqje justifikuese dhe distancë taktike. Thotë: ky nuk është qëndrim i njëkohshëm i Presidentes! Athua? Jo vetëm shija e hidhur e gënjeshtrës por dhe kundërthënja plastare e fakteve është fundbotshëm demantuese dhe e trishtme!
Ja përse: në deklaratën fillestare ai siguronte se qëndrimi i tij nuk është i ndryshëm nga ai i Presidentes, ngaqë ajo, si provë kruciale e të thënmeve të tij brisante, është parë vetë me prijësit e strukturave paralele serbiane – ndërkohë që vetëm disa ditë më vonë do të mohojë bishtnueshëm prononcimin paraprak. Le ta cilësojmë, për një çast, se mbase atij i është dukur ashtu, i qenka bërë hijadhë se ajo, shefja e tij, nuk mendon njësoj. Madje rezonon krejt ndryshe prej tij, ndonëse vijon ta mbajë afër vetes për këshillat e vyera dhe besnikërinë e shtruar. Dhe, poashtu për një çast, le ta marrin në konsideratë si të mirëqenë shfajsimin me pretendimin e çiltërsisë! Por a ngjan ai i tillë? Druajmë se aspak! Përkundrazi! Është aparente rropatja e tij dhe e punëdhënëses së kapur në flagrancë, për të mashtruar! Dhe ja mbyllja rrethore e mëkatit në sfondin e ligsisë: fillimisht njëherë, do të shpallte legjitime falangën e strukturuar kriminale serbiane, proces që kalon logjikshëm në kahun substancialisht të kundërt, në delegjitimimin e saj dhe të shtetit që ajo përfaqëson e, pastaj vjen loja mashtruese për të fshehur këmbët, pas aktit të dyshimtë të kryer prapa krahësh të institucioneve legale që, përpara saj, formulojnë politikat shtetërore të Kosovës!
3.
Mirëpo, çuditërisht, përveç një apeli të lodhur e apatik të opozitës drejtuar Presidentes për sqarim të çështjes, nuk pati asgjë tjetër. Legjislatuara kuvendare dhe qeveria e ronitur nga rrëzoma e krimit shumëftyrësh janë shurdhuar në pritje prurjesh të kohës apo të kasnecëve të fuqisë. Shtypi që bënë bujën për një komunar të humbur a komuniteti akademik që çon pluhur për ca epoleta kalimtare, nuk bëzajnë fare. U zhytën në llumin e meskinërisë. Të opozitës veçanërisht! Reagimi i saj ishte, disi, i shtirur, i plogët dhe i shprishur. Një format opozitar (LDK) qysh tash i është dorëzuar rrmujës çorientuese në ethet e parakohshme elektorale, të tjerë me flamurin e jakobinizmit të kulluar (VV) rrëzojnë me abstinencë principialiste politikat e veriut, kurse një palë e tretë margjinale (AAK) mban syrin vetëm tek bashkëngjitja në fron, anipse sovrani popull i ka rezervuar vendin tek dera, apo kjo e mbrama (AKR), amorfe dhe e paidentitet siç është, nuk e ka as idenë e as moralin politik për të hartuar strategji të hollë kombëtare! Përgjithsisht, prandaj, pati flashkje për mënyrën e pagjak e të squllosur dhe heshtje për esencën e fajit: jo për stonimin e këshilltarit, i cili, fundja si qytetar i lirë, mund të flasë ç’të dojë, por për takimet e fshehura të Presidentes me udhëheqës të ndërkryer fashistizantë të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë! Rrjedhimisht, ajo e askush tjetër, duhet të bartë mbi supe rënjen e kobshme! Ka cënuar rëndë, si thamë, interesin kombëtar në dy rrafshe tepër rrënues: duke përligjur negatorët e shtetësisë së Kosovës, në një anë dhe, në anën tjetër, duke përtallur aleatët që rrjeshtohen gjithnjë ndanë shqiptarëve mbi këtë plagë gjakrrjedhëse. Miku i sprovuar tejatllantik më kot vijëzon limitet prerëse apo kancelarja Merkel gjatë vizitës në Prishtinë (që shtypi gjerman asokohe quajti figurshëm “Nëna e Kosovës”) më kot kushtëzon Serbinë dhe integrimet e saj europiane pikërisht me zhbërjen e këtij pushteti paralel në truallin sovran të Kosovës.
E tash mësojmë pak me vonesë se këto reparte zgjatuese serbiane, nuk u dashkan shformuar. Dhe përse? Sepse ato, thjeshtë, sipas përceptimit konkludent të Presidentes dhe zbulimit të shprehur të këshilltarit të saj, nuk janë gërryese të shtetësisë. Janë plotfuqimisht të ligjshme. Dhe, për pasojë, në një lidhje kauzale mes tyre, i tillë, pra i ligjshëm, rezulton të jetë dhe pushteti i shtetit të Sërbisë në territorin unik të Kosovës! Ky zhvillim katapultiv që të kujton një arketip politikash të vjetra, ngjan të jetë aq më prishës pse përvijohet tani, në prak kuvendimesh me fqinjin verior, që aspiron ekspandimin e sërishmë në tokën e huaj shqiptare! Pse, pra, nëvojisin këtë prolog? Këtë mpakje paradialoguese? Përse? Rastësi, injorancë, joshje mizanskenash të huaja? Sidoqoftë të gjitha bashkë sikur ravizojnë prepozicionimin bisedimor fatal: një depozit negativ dhe dimensionim statusor i dialogut të pritshëm me Belgradin për Kosovën e lirë. Për Kosovën e pavarur, presidentja e së cilës afishon gatishmërinë dorëlirë pët të falur copa të saj që, ex oficio, pra sipas detyrës kushtetuese, duhet tu dalë zot!

………………….

Strukturat serbe në veri – Paralele apo legjitime?

…………………………………………

4.
Për Kosovën historia ende nuk ka mbaruar. Kjo rrethnajë e re ngërthen gjithë tiparet emanativë për të gëzuar statusin e aferës. Të aferës përmbystare. E tillë që ka djegur shumë karriera të stisura e të kulmuara mbi fate të poshtëvëna popullore në historinë politike të botës!..
Ndërsa Eco, si thotë vetë në një ese, bluante idenë se feja më shumë se opium, ishte kokaina e popujve, aherë ç’u bë me shqiptarët, që s’ishin asnjëherë të dhënë flijueshëm ndaj saj? Do të bëheshin demokratë mondanë por do të përfundonin në tabelë numrash të paemër, sikundër që ishin luftëtarë të paepur e, për gazin e botës, do të shndërroheshin në të mundur! Ndaj ç’i mban, ashtu, kolektivisht të dehur, të përulur e shtangur përpara fatkeqësisë së tyre?
Opozitarizmi, aherë kur pluskimet politike nuk duken ordinere, duhet të shkojë përtej emocioneve dhe lakmisë pushtetare, kurse, nga anë e tij, elektori i zhgënjyer mund ta revokojë vullnetin e deformuar dhe, në vend të tij, të mbrojë ndryshe të drejtën natyrore të jetës!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura