Berlin, 10 Qershor 2019: Marrëveshja historike e Kumanovës kujtohet me frymë çlirësie nga të gjithë shqiptarët. Dhe, natyrisht, eksponentët politikë bëjnë vlerësimet brenda shërbesës të tyre.
Nga lajmet, evokimet, ndjesitë triumfale e interpretimet që vërshuan mediat, do t’më ndalonin veçanërisht dy qasje mjeshtërore.
I pari, premieri Haradinaj, thotë:
“Marrëveshja e Kumanovës i dha vulë drejtësisë sonë…”.
Në gjithë klimën e haresë, ngathtësia mendimore e tij, më solli një tis të hollë deshpërimi.
Si është e mundur, thashë, që të mos e di akoma se ajo nuk vulosi “drejtësinë”, por të drejtën tonë. Ndryshe, rezultonte se bëhej fjalë për sistemin pozitiv të së drejtës, e pra, për rendin e mëpasmë juridik në Kosovë. Jo, ore. Marrëveshja njohu e legjitimoi të drejtën politike e natyrale të shqiptarëve për vetëjetesë në vendin e tyre të lirë.
Dhe i dyti, Pacolli, krejt i humbur pohon: “Marrëveshja i dha fund tiranisë…”.
Ç’lehtësi e padurueshme e injorancës. Prej tij, ndërkaq, mund të ishte e pritshme. Sepse më ngjan një vegëzim klasik i idiotit dhe punëligut.
Po si do të ishte mbarimi i një lufte mes dy kombesh, fund i tiranisë? Mes kombesh, njërit pushtues territori e resursesh të huaja jetike dhe tjetrit, që ngrihej e vdiste për të drejtën ekzistenciale në truallin e vet?
Me definimin “dhënje fund të tiranisë”, Pacolli dëshmonte se nuk e njeh (e si do t’a njihte?) këtë lektyrë elementare, e që këtej, kulturën e historisë. Kjo, në fokusin e tij, nënkuptonte vetëm luftën për çlirim politik e social nga zgjedha e regjimit, por jo dhe nga okupimi qindvjeçar serbian.
Ndaj, a do mjaftonte rënja e Millosheviqit që shqiptarët të ishin të lirë? Asnjëherë. Të gjitha Serbitë – monarkike, republikane a komuniste, ushtruan pushtim e sundim mbi Kosovën. Identike e patën doktrinën dhe, njëkohësisht, armën për dhunë, grabitje e poshtërim të shqiptarëve.
E tillë, pa fije dyshimi, do ishte edhe Serbia e Vuçiqit apo e atyre që do vinin pas tij.
Mirëpo, zhgënjimi im ngjizej dhe nga ideja se nomenklaturësi që ka më shumë ministri sesa kuvendarë, ndoshta nuk vuan vetëm keqkuptimin historik. Mjerimin e thellë intelektual. Ndoshta ende, si një rudiment, në votrën e tij shpirtërore gëlon ëndrra e hershme e “Nënës Serbi”!
Them sërish ndoshta, sepse nëse jo dija a morali, së paku instinkti do t’i pëshpëriste: mos, është kauzë e djegur!