REXHEP KASUMAJ: PAVARËSI E HUAZUAR…

Berlin, 6 korrik 2018:
1.
Antonio kishte marrë një vendim të çuditshëm. Të ngrente kredi nga Shylocku, të cilën, në rast pamundësie për t’a shlyer, do t’a kthente me kiste, copëra mishi nga trupi vet.
Këtë rrëfim tronditës gjejmë tek Shekspiri (“Tregtari i Venecias”), ky mjeshtër i tëhollimit artistik të dramës njerëzore.

2.
Fragmenti mizor, në fakt, do t’i shërbejë folozofit hebre Avishai Margalit, si përqasje politike në eseun e shkëlqyer mbi fenomenologjinë e kompromisit.
Në shkrimet e shenjta ose talmudistët fjala vjen, ndonëse i përfalen vlerës së tij të epërme tek thonë se “paqja e drejtësia janë në harmoni e puthen mes vete”, pohojnë: drejtësia shpon shkëmbin…E pra, e drejta mbi të gjitha!
Në koncepte shteti, ndërkaq, ideja e Habsburgëve, kumti i saj “të jetosh e të jetosh prapë”, justifikon atë si kult për jetën.
Por, sërish, duke pasur përherë një potencial kompromitues, çdo pajtesë e midisme i hakmerret drejtësisë së tashme dhe paqes së ardhme.
Në shtjellën shpjegimore lexojmë dhe një paralele të figurshme që, si me thënë, u jep atyre tipar e funksion bakterial. Pa to s’mund të jetohet, por prej tyre dhe vdiset.

E më i ligu i të gjithëve nga i cili vdiset, e ndaj, nuk duhet bërë kurrë, as në altarin e paqes, është kompromisi i pabesë, duhmonjës, i ndyrë (gjerm. “Faulerkompromiss”). Marrëveshja mes Çembërlenit e Hitlerit në vitin e largët 1938, në Mynih, do t’ketë qenë e tillë dhe, ndoshta, pat mneruar Ajnshtajnin kur këlthiste: “Ruajuni prej tyre”!
I përskajuar thjeshtë, forma e fryma e tij të ardhur në kohën tonë, janë – fuqi e mezingelur e të dobëtit. Dhe, natyrisht, i dijepaktit – që i rikthen të mundurit fillestar të drejtën e djegur. Madje, për palën e krusmuar, do shndërrohet disi në sadomazohizëm, në kënaqësinë e vetëvuajtjes. E aherë, dikush do festojë fshehurazi, për t’lënë përshtypjen mashtruese të humbësit, ndërkohë që tjetri do bëj zhurmë teatrale duke hedhur tymnajën iluzore të triumfit.
3.
Kaq i rëndë fati? Kaq zgjimtarë të vonë? Apo kaq fatale gjeopolitika e shqiptarëve?
Si ndodhi, njëmend, gati si në makth, që shqiptarët – ngadhnjimtarë në luftë, t’a dorëzojnë një pjesë apo gjysmën e fitores në tryezën e blertë?!
Përse nuk pati pas luftës, menjëherë pas saj, një Konferencë paqësore ku serbët do uleshin si të disfatuar?
Por në vend të saj, kishte më vonë kuvendim të ndërmjetësuar, ku serbi do ulet i barabartë, madje pozicionohet fortësisht si determinues i statusit dhe rendit të brendshëm të Kosovës! Nga luftëhumbës njëherë, arithmetika e kompromisit i kthen atij pretendimin e rrëzuar dhe të drejtën e tretur!
Natyrisht që shqiptarët s’patën fuqinë rrotulluese për t’a imponuar një epilog tjetër. Këtë fuqi, mjerisht, nuk e kanë as sot.
Fundja, të tjerëve, dorës së tyre të hekurt, i përkisnin strategjitë, ravijëzimi i hemisferave, doktrinat dhe armët. I yni ishte vetëm gjaku. I gatshëm të rrjedhë prapë vrushkull, bashkë me lumenjtë e heshtur që s’ndalojnë kurrë…
3.
Tani Antonio i fillimshkrimit na rivjen njëj simbolike të trishtme.
Pavarësia e Kosovës sikur i ngjason huasmarrjes së tij, të cilën dakordohet t’a kthejë me copëra të dhimbshme nga trupi i vet.
Nga ky trup, tashmë, qindra herë i prerë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura