Berlin, 28. 05. 2014 – Çdoherë në jetë, veç krajatave të vetë kuptimit të saj, sikur më ndiqte dhe një kufizim. Një inkomocion, drojë që më rrudhte para botës. Më bënte të pasigurtë dhe ndrydhte natyrën time, jo pak të gjallë e të gëzuar. Dhe kjo ishte gjuha. Fillimisht jo imja, po një tjetër gjendej prore që t’më rrethonte me unazë moskuptimi ndër mote.
1.
Teksa vijoja mësimet e Normales në Gjakovë, prisja me ankth orën e sërbishtes. Nuk e dija asnjë fjalë. Ndoshta vetëm ato pak shprehje njatjetimi a ofeze. Por, meqë serbë në Gjakovë kishte pak (“Rruga e shkijeve” si quhej lagja e tyre e vetme), kjo gjuhë nuk kishte qarkullim të gjerë publik dhe, ndaj, nuk më pengonte mosdija e saj. Mirëpo dhe në mësime, për fatin e mirë, krekosja brutale e arsimtarit të sërbishtes nuk do vrujonte gjatë. Lënda e tij shpejt do të bëhej fakultative. E kjo do të thoshte, se ajo nuk do të notohej dhe prej saj askush nuk do ngelte në klasë. Megjithatë, edhe për afro një vit e ca, sa do zgjaste “makthi i sërbishtes”, unë kisha një ngushëllim: këtë gjuhë, si thashë, nuk lypsej ta flisje kund jashtë shkollës, dhe, mandej, ishte gjuha ime shqipe që e shkruaja më mirë se shumica e nxënësve të tjerë. Isha “i fortë”, si thuhej në zhargonin e ahershëm dhe hartimet e mia shquheshin për pedantëri shkrimi e fantazi krijuese. Kështu, së paku, mendonte Profesori im i nderuar (F. Duraku) që, madje, nuk ngurronte të shprehte njëfarë adhurimi a përkujdesi paternal ndaj kësaj dhuntie.
2.
Mirëpo episodi i qetë gjakovar, do të merrte fund një ditë. Tani, maturant, do të hyja në Fakultetin e parë të “Gazetari-Diplomacisë” (si brezi themelues), por që më pas, për arsye fondesh e kuadrosh, do të shuhej e do të fuzionohej në amzën e tij, në Juridik, duke ruajtur modestisht vetëm pjesë nga drejtimet e zhurnalistikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Vitet e studimeve, sidomos, viti i parë i “Gazetarisë…”, do të rikthenin sërish tek unë faktorin dridhmues të gjuhës: efektin që shtypte dhe thadronte ndjesinë e mundimshme inferioriale. Libra shqip nuk kishte pothuaj fare. Mungonin dhe profesorë dhe, që këtej, disa syresh u desh të vinin për të ligjëruar që nga Belgradi. Në këndin e fundmë të një rrugice të afërt e të shkurtër që dilte në udhën kryesore të posashtruar, ndodhej një dyqan i vogël që i thoshin “skriptore”. Aty mund të gjeje dorëshkrime të shumëzuara arsimtarësh shqiptarë nga lëndë të ndryshme. Po mua nuk më pëlqenin dhe nuk i konsultoja gati asnjëherë. Do ti përveshja, prandaj, mëngët për të mësuar sërbishten. Pa shkollë e dialog. Veç me fjalorë e libra akademikë. Ishte një punë titanike. E njihja pak dhe ishte një gjuhë e mërzitshme. Dhe pa vonuar shumë, do ta absorboja kuantumin e nëvojshëm elementarë. Natyrisht, u gëzova shumë. Ende nuk e flisja mirë, por mjaft sa të shfletoja literaturë serioze për provimet e shumta.
3.
Veçse mynzyra e saj nuk tretej ende dot. Pas disa vitesh, akoma pa diplomuar (ishte hapur një konkurs dhe e mendoja si rast që s’përsëritej shpesh) do të filloja profesionin e gazetarit të redaksisë së jashtme në Rtp-në atëbotshme. Konteksti i punës kërkonte që dhe ta flisja në mënyrë solide atë të shkretë gjuhë. Ndërkaq kontaktet, puna, udhëtimet a ndonjëhershme çliruan idiomën e saj të mbledhur në mua. Nisa të kuvendoja rrjedhshëm. U bëra, si më thënë, më i lirë e gjithë vetëbesim në relata pune, po dhe në vetë jetën sociale, sepse, ndryshe nga Gjakova, këtu në Prishtinë ajo ta zinte udhën gjithkah. Kështu do iknin kohët, derisa një tjetër ngushtim, përhihej në horizont. Por kësaj here, nuk kje sërbishtja që, njëkohësisht, ishte dhe gjuhë e dhunës dhe hekurave. Ishte gjuha e Gëtes: e fisme dhe e vështirë.
4.
Kur, pas një periudhe frymëmarrjeje nacionale, në mbarim të viteve 80-të, u suprimua me gjak subjektiviteti autonom i Kosovës, do merrja shtigjet e mërgimit në Berlin. Tani drama do fillonte nga e para. Ndonëse gjuhë e një kombi që kish mirëkuptuar ndër vite historie rrathët e tragjikës shqiptare, prapë ishte e huaj. Nuk e dija dhe, ndaj, sërish behnin tkurrje e memecëri, pamje injorance dhe përulje… Shqipja ime mëkuese, për dallim nga vitet e hershme, e veçanërisht gjakovare, këtej nuk bënte derman fare. Liria e mirëpritur që do të gjeja, do të hijesonte pa fajin e tyre, këtë prag madhor që duhej kaluar. Mirëpo pak me kurse e konverzim, e më shumë me libra, do ta mposhtja atë disi rrejshëm. Ky shtegtim gjuhësh, ndërkaq, pati paraprakisht, dhe epsodin e anglishtes. E kisha mësuar obligativisht në shkollë e studime, por nuk mjaftonte për të hapur të gjitha dyert. Rrjedhimisht, do ti rrekesha absolvimit të saj privatisht: me impenjim ngulmëtar në leksionet e asokohëshme. Mirëpo me të vajtur në tretdhe, mjerisht, ndodhi një betejë e vogël me saj e gjuhës vendare, në të cilën, kjo e fundit, për keqardhjen time të thellë, do ta merrte primatin përfundimisht. Porse dhe ajo, si një mushkë e sertë, më trathton ende në përqasjen e shtigjeve të thella…
5.
Mirëpo, me sa duket Hyu, kurorën e zhgënjimit do t’ma ruante për fund! Tashmë Kosova ishte çliruar nga okupatorët serbë dhe të gjithë (dikush menjëherë e dikush më vonë) do të kaptonin me gëzim rrugët e kthimit nga tretdheu. Si fryt lirie, ishte shkërmoqur dhe “perdja e hekurt” ndërshqiptare. Këmbeheshin libra e mallra, takoheshin njerëz të të dy “hemisferave”, zhvilloheshin projekte dhe ngjarje të përbashkëta kulture në shkallë kombëtare. Një lumni e pritur shekujsh…
Por, për ironi, pikërisht në kulmin e dalldisë kolektive, do të përjetoja therjen rrafshuese. Ishte hataja vetë. Në prakmuzgun e jetës, do të merrja vesh se unë, tani që kisha lënë prapa mundin e gjuhëve të huaja – nuk dija shqip! Bërtitej rreptë e ndalueshëm: kush nuk di të flasë standardisht, nuk di të flasë as shqip, e ipso facto, nuk mund të jetë shqiptar! Doli se gjuha që më kishte mësuar Nëna dhe që ndihte të mëkëmbësha rrëzimesh, ishte e vjetër. Arkaike. Nuk më dhuronte tutje mjetin hyjnor të fjalës, të marrëveshjes, të dashurisë me njerëzit…Streha e saj, jo vetëm pikonte, por nuk mbronte fare nga ernat dhe shiu i epokës së re. Ndjeva trishtim e mall për të: më kishte shërbyer aq gjatë me faqe të bardhë e besnikërisht, si një votër përplot ngrohtësi, emër e identitet dhe tani, papritmas, duhej ta braktisja pa miradije, mëshirë e kujtesë..
Të njohësh gjuhët është gjithësesi një pasuri. Një emancipim. Madje edhe ato që i deklamojnë tiranë a pushtues. Kështu ka qenë gjithmonë. Por veçanërisht kështu ngjan të jetë sot, në miljeun e frekuentimeve globaliste. Është armë a levë e vyer kompeticioni të ashpër dhe mbijetese të vështirë. Njëra prej tyre, Anglezja, tani është gjuhë bote: në biznese e politikë, diplomaci e kulturë… Mirëpo ndër bashkëvendës të mi verifolës të Kosovës, ajo është më shumë se kaq. Si gjuhë paralele, ngjan të jetë dhe një brez shpëtimi. Një struherë vetërealizimi e njëjtësie, aty ku së paku, mbajnë kryet lartë e nuk përbuzen!..
Sidomeqenë, në kalvarin e nxënjës së tyre kisha përherë një vetëpajtim. Kisha gjuhën time dhe nuk isha i pagojë. Veçse e keqja përpetuohej. Instrumenti i saj ishte prapë gjuha, por tashmë jo e tjetrit që bënte ligjin, por e gjuhës sime! Përballja me tëhuajsimin, që m’bënte dytësor e të përzitur, ishte prapë aty: në qendër të jetës. Përceptimin gërryes nuk do ta kisha kaq të thellë, sikur për këtë t’mos kishte mirësinë e përkorë dhe një gjirokastrit tjetër, tashmë i Letrave, (përveç të parit, Sundtarit), i cili në një Ditar lufte, duke evokuar Rambujenë, pohonte përçmueshëm për mërgatën kosovare parisiene (që, e trëmbur nga kurthi serb, indinjohej për Marrëveshjen), se këta njerëz nuk dijnë të flasin asnjë gjuhë. E kjo nënkuptonte – as gjuhën shqipe. Dhe unë isha njëri prej tyre…Po, megjithëse nuk duhet zënë për të madhe, sepse ishte përherë i tillë, një luledjellës që graviton lëbyrshëm drejt polit të Fuqisë, fjala e tij ka shumë helm, më shumë se ç’përballon miljeu i ndotur shqiptar…
E folmja ime veriore (e folmja e Fishtës, Shkrelit, Migjenit, Mekulit) tani shpallej ose e egër ose e vdekur. Si ishte e mundur? Si bënte që një popull të ketë pasur këtë fatalitet: të ndahej në pjesën e pajisur me parzm qytetnie, e në tjetrën, shumicën e tij, që anise kishte folur e shkruar e para këtë gjuhë dhe bënte epiqendrën e civilizimit shqiptar, trajtohej si mbetje “natyrore” e tij? Pa gjuhë, kulturë e traditë. Vetëm me kumte shenjash e klithmash?!.. Kjo hapje e ndërsjellë mrekullore do të prodhonte, prandaj, një verdikt të ri. Jo normën që ishte etabluar, por një munxë të ligë: mallkimin e të folmes sime! Nëma, natyrisht, nuk ishte e dekretuar. Aktdënimi ishte shqiptuar që herët. Ajo kësaj here vinte nga shpirtëra të vegjël e të frikësuar për shkak të mosvdekjes së saj. Kolosi rizgjohej e godiste sfidueshëm në portat e ndërgjegjes së vrarë kombëtare!…
6.
Një muzg të bukur vjeshte, në fqinjësinë time në Gjakovë derisa bëja akoma shkollën e Mësuesisë, erdhi të banonte një emigrant nga Shqipëria. Quhej Aziz dhe qahej se po ta kthenin mbrapsht, do të përfundonte si mos më keq. Nuk e di a do ti ketë ndodhur tmerri që parandjente, por pas disa muajsh atë e dëbuan: në dheun shqiptar, po nga dheu shqiptar! Ishte nga Jugu dhe, ndonëse fliste dialektin toskë, nuk ankohej kurrë se nuk më kuptonte. Flisnim shqip të dy dhe nyansat dialektore nuk rezultuan të ishin pengesë për kuvendim, mahi, rrëfenjëza e miqësi të paharruar. Ende kujtoj me dhimbje letrën lamtumirëse që kishte lënë pas ikjes. Nuk mund të mos përlotesha për fatet e zeza shqiptare…Dhe ata lotë ende nuk janë tharë.
Në mbyllje fare, do të doja që këto radhë mos cilësohen si një diverzion kulturor. Rendi e dashka që të përpiqem ta harroj dhe ta shuaj dritën e fjalës sime. Fundja a nuk e kërkojnë këtë, urdhërueshëm e prerë, protagonistët e vonë dhe atentatorët e hershëm të saj? Por unë e di fort mirë se do jetë deri në fund me mua dhe brezin që lë pas. Dhe, prandaj, për këtë sprovë kotnare, për këtë mëkatim, sepse ajo s’i bindet mortit kurrësesi, rrëfehem para Lterit të saj!