REXHEP KASUMAJ: RREZJA E MUNGUAR E HISTORISË! (MBI NJË PARALELE TË VËSHTIRË)

Berlin, 16. 01. 2016: Asnjë nga kancelarët gjermanë (përveç Helmut Kohl’it, i alternuar me votë elektorale), nuk është larguar vullnetlirshëm nga arena politike. Ç’i shtyri këta burra shteti, me prejardhje, dhunti e cakvënje të ndryshme, t’katrriseshin për Zyrën e epërme, deri në kufijtë e fundmë të qëndrueshmërisë?
Këtë përfundim do lexoja këto ditë nga A. Baring e G. Schöllgen në librin “Kancelari, Krizat Koalicionet”, sipas të cilëve ardhja e Gerhard Schröder’it ishte akti i kulluar i prerjes: nuk pati më kancelarë që vinin nga frontet a nga rinia hitleriane dhe as u shtrënguan të këpusnin në gjysmë mandatin pushtetar.
Demokracia është një univers sëndertimesh të lirisë njerëzore dhe, prandaj, ata do iknin detyrimisht për ti hapur udhë jetës që priste këtë prej tyre.
I pari kancelar i pasluftës, Konrad Adenaueri i lavdishëm, së toku me CDU’unë bavareze, pati në mandatin e tretë shumicën absolute, por, i prirë rezonit shtetëror, do t’përfshinte në qeverisje dhe Partinë (moti të shuar) Gjermane. Mirëpo do të dorëhiqej në nisje të legjislaturës së katërt, tashmë 85 vjeçar (15 tetor1963), pas aferës së Schpiegel’it që kje përgjuar e akuzohej për trathti të lartë.
Pasrendësi i tij e arkitekti i mrekullisë ekonomike, Ludwig Erhard, do të largohej shpejt e pafatsisht, sepse, thjeshtë, nuk kje i zoti të koaliciononte me SPD-në tek ngjitej furishëm në grafikonin e fuqimatjes pilitike. Epilog të ngjashëm do të përjetonte dhe trashëgimtari i tij, Georg Kiesinger, duke rënë në vitin e tretë të mandatit të cunguar. Në kundërshti të pakalkuluar me njëlloj pakti të nënujshëm, ai s’i rezistonte tundimit për afrimitet ndaj Amerikës, në dëm të aksit europian me Parisin ngadhnjyes, dhe afiniteti atllantist doli të ishte një mëkat i shtuar hakmarrës që do t’përnxiste mbarimin e tij.

Më pas do të trokiste në portën e madhe të kohës Willy Brandt, autori i Politikës zhbiruese të lindjes, për ta drejtuar Republikën e Bonit deri më1972, kur nuk e përballoi dot votëbesimin që do ta lamtumirëte me kupolën e strategjisë së urtë e shpupuritëse gjermane. S’ishte vetëm Günter Guillaume nga rrethi i ngushtë i Zyrës, po dhe dy deputetë të tjerë koalicionistë që rezultuan të rekrutuar nga Sigurimi i fshehtë i Henecker-it, si një fragment deshpërues ndërgjerman në rivalitetet e Luftës së ftohtë.
Ndërkaq Helmut Schmidt, më virtuozi i të gjithëve (i zgjedhur në vitin 1973), po si pararendësi i tij, do të disfatohej nga një votëbesim që mori shkas humbjen e shumicës, pasi dorëzuan pabesisht ofiqet e tyre disa ministra të FDP-së së Dietrich Gencherit, dinak e manovrues i shkathtë.
Këtë rrëzim të beftë do ta pasonin rrufeshëm zgjedhjet e reja parlamentare. Një njeri, tashmë, merrte udhën e vështirë për të bërë histori. Ishte Kancelari i famshëm i bashkimit, Helmut Kohl, që i vetmi (nga moti i largët 1982 deri vonë në ndërrim Rendesh botërorë -1998), do ti vente deri në sosje të katër mandateve shtetprijëse në Bonin, prore modest e të përulur. Mandej, meritash të tij epokale, Republika e mëkëmbur dhe krenare, do të shpërngulej përgjithmonë në Berlin. Flamuri i Gjermanisë unike do valonte prapë mbi Rajhstagun madhnor plot hir, mistikë e kujtime…
E pra, qoftë nga instrumenti i votëbesimit, qoftë nga tkurrja (edhe taktike) e mazhorancës apo, së mbrami, nga trysnia e aferave me temën e trathtisë ose bjerrjen e legjitimitetit moral – ata do të hiqnin mantelin e ftohtë të Kancelarit për të riveshur kostumin e qytetarit të lirë.
***
Në Kosovë, natyrisht, gjithëçka është ndryshe. Ajo nuk ishte ndër vite pjesë e rrezes së faktorit Habsburg, si hapsira veriperëndimore e Gadishullit ilirik, por nën hijen e gjatë të faktorit të errtë otoman. Por, prapë: përse duhet të jetë kaq shumë ndryshe! A nuk gëzojnë status afere shtetërore në kufi trathtie, Aktet e Brukselit e Vjenës, që i bën firmatarët e tyre jo vetëm moralisht, por dhe kombëtarisht të harxhuar e, madje, të rrezikshëm, për të qenë tutje në krye të punëve shtetërore?
Nëse ndonjë kancelar gjerman (Brant) qortohej pse s’arriti të shmangë syrin e keq të spiunit komunist – këta duket të jenë spiuj vetë! Rrjedhimisht, a s’është pak vështirë të funksionojë në llojin e tyre arsyeja e shtetit apo ndjesia e etikës!?
Ndaj dhe, me gjasë, i mbetet të tjerëve t’ua rrëfejnë shtegun e zbritjes këtej poshtë, ku i pret frika e makthi i natës..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SIMBOLIZMI

SIMBOLIZMI Nga Xhelal Zejneli, Shkup 23 shkurt 2022 Krijimi artistik mund të jetë i kapshëm vetëm nga rrethi…