Berlin, 8 shtator 2020: (Mbi disfatën vullnetare)
1. Pështymëlëpirje
Fundverë. Entuziazëm festiv, madje ngadhënjimtar në Prishtinë.
Traktati historik i firmosur në Uashingtonin e Trumpit, ka hallakatur kënetën politike ballkanëse. Ndikesa e tij vete përtej kohës. Por në ç’drejtim? E drejta e dyshimit sokratik, ashtu si për shumëçka, më sugjëron distancën fillestare.
Minishengeni i riaktivizuar, Ujmani në treg plaçkash, pika 10-të ose apotheoza e saj, porti detar në thellësi të adriatikut, sikur promovojnë heshtur Zotninë e vjetër. Atë që njeh mirë kurrizi i thyer i Kosovës.
Marrëveshjen me pikat fatale (pa të madhen, të munguarën 10-të) shpejtuan t’a mbështesnin t’gjithë oligarkët e molepsur e dredharakë që dikur rreshtoheshin fort kundër elementëve të sipërcekur të saj (Berisha, Mustafa, Haradinaj, vetë firmëtari i trafikuar e fatkeq Hoti…).
Sa lehtësisht lëpijnë ata pështymën e vet!
2. Hije…
Posa do t’mbyllej ceremonia hijerëndë e traktatit, në një moment elektoral, e pa të udhës të reagonte dhe Joe Biden.
“Kosova duhet të jetë e pavarur, e jo të kthehet në Serbi”!
Kështu tha miku i sprovuar i shqiptarëve dhe tani pyetja: ç’shtysë kishte e, ndaj, përse u ngut të thoshte se “Kosova nuk duhet të kthehet në Serbi”?
Një anëvështrim interesant i “Amerikës së thellë”, si cilësohet pjesa alternative e saj, mbi eventin diplomatik brenda muresh të Shtëpisë së bardhë…Një parandjesi e atmosferë hijesh në teatrin e dhimbjes…
3. Indipendencë e varur
Ne nuk do t’jemi instancë koloniale në Kosovë, i thoshte Presidenti Klinton kryeadministratorit të parë Kushner.
Në fakt, sovranitetin e kufizuar në fuqi e territor, as atë, nuk arrin t’a ushtrojë akoma Kosova, e vetme dhe në gjysmështegun e vetëjetesës. Aleatët janë rojat e tyre. Po, fundja, nuk është shenjë ligështie e deshpërimi. Shtete më të vjetër e të mëdhenj gëzojnë këtë asistencë sigurie. Kudo në botë. Fati i të vegjëlve varet shpesh dhe nga hiri i kancelarive të mëdha.
Por kujdestaria, internati politik a pedagogjia e zezë janë epruvetë për popuj adoleshentë. Më keq ende: dalëzotësit favorizojnë mashtruesit, korruptantët e dhunëtarët. Ata që, duke mos nxënë dot kulturë shtetërore, rrëzojnë internat-shtetin dhe kompromitojnë miqësinë.
Ndërkaq, i ashtuquajturi popull e vështron sylëbyrur, anësh e pa pjesëmarrje gjithnajën e turbulluar rreth tij.
I lumtur, sa i prehur që të tjerët vendosin për të: sot, nesër e gjithmonë!
Postime të Lidhura
ALI MEHMETI: ZGJEDHJET NË SHQIPËRI – NUMRI MAGJIK 71!?
Gjenevë, 23 qershor 2017 – Zgjedhjet në Shqipëri të datës 25 qershor mund t’i japin fund kaosit, Gërdecit,…
REAGIM I KMDLNj-së: KUSH PO THËRRET PËR LUFTË NË KOSOVË?!
REAGIM I KMDLNj-së: KUSH PO THËRRET PËR LUFTË NË KOSOVË?! Persona të papërgjegjshën nga studiot televizive po deklarojnë…
RREZIQET NGA ZAJEDNICA, KISHAT DHE MANASTIRET SI “MINISHTETE SERBE” (VIDEO)
RREZIQET NGA ZAJEDNICA, KISHAT DHE MANASTIRET SI “MINISHTETE SERBE”! Nga Sheradin Berisha, Facebook 26.12.2022 – Pashtriku 20.01.2023 “Asociacioni…
MR.VAXHID SEJDIU: PËR ҪKA KANË NEVOJË SHQIPTARËT NË IRJM?!…
(Zürich, 18. 05. 2012) – …Shqiptarët në IRJM nuk kanë nevojë për luftë sepse luftën e kanë fituar…