REXHEP MALAJ: RRUGËTIMI I NJË VIGANI, ZJARR QË NUK SHUHET KURRË!

Pashtriku.org, 05. 04. 2014 – Pas promovimit të suksesshëm të monografisë “Rexhep Malaj – zjarr Luftë që nuk shuhet” – të autorit Agim Sylejmani, në Prishtinë, në Gjilan, në Zürich, në Bronx të New York-ut, (në Monroe College), në panairin e librit në Luzern, “LiteraturFest”, më 23 mars 2014, edhe më 28 mars 2014, në prag të ditëlindjes së 63’të të viganit Rexhep Malaj (29 Mars 1951) në Universitetin Shtetëror të Tetovës u organizua një manifestim i madh promovues i kësaj monografie – bashkë me romanin “Rrugëtimi i një Vigani”. Me këtë rast u lexuan disa kumtesa, ndërsa për lexuesit e pashtriku.org, veçuam kumtesat e: Prof.Dr.Nebi Dërvishit, historian, për monografinë “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” dhe të Drc.Dr.Fatmir Sulejmani, dekan i fakultetit filologjik në Universitetin e Tetovës, për romanin “Rrugëtimi i një vigani”.

Prof. Dr. Nebi Dervishi “Rexhep Malaj – zjarr Luftë që nuk shuhet”- (monografi) të Agim Sulejmanit, botuar në janar 2014, në shtypshkronjën “Prograf”-në Prishtinë
I nderuari Rektor i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ahmeti.
Të nderuar pjesëtarë të familjes së Heroit Kombit – Rexhep Malaj – Anëtar i Lëvizjes ilegale.
E nderuara bashkëshortja e Heroit, Zonja Hanife Malaj!
E nderuar vajza e Heroit, Fitore Malaj.
Të respektuar e të dashur shokë, bashkëveprimtarë e bashkëvuajtës nëpër kazamatet e ish-Jugosllavisë të Heroit të Kombit Rexhep Malaj.
Të nderuar prorektorë, pedagogë, senatorë, studentë të USHT-së;
Zonja e Zotërinj, të nderuar mysafirë.
I nderuar autori monografisë “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” Agim Sylejmani

Sot, këtu në ambientet e USHT-së, jemi tubuar të nderojmë një ngjarje të jashtëzakonshme, të promovojmë së bashku monografinë kushtuar “Rexhep Malajt – zjarr lufte që nuk shuhet” të autorit Agim Sylejmanit, e cila do të jetë edhe një dëshmi më shumë, libër me plotë identitet, por edhe një nderim më shumë e pafund që kemi pasur, kemi dhe do të kemi për personazhin e hekurt, udhëheqësin liridashës dhe ilegalin famëmadh, çelikun e qëndresës nëpër burgjet e ish Jugosllavisë së Titos, të papërsëritshmin dhe të pavdekshmin, Heroin e Kombit, Rexhep Malajn.
Promovimi i monografisë të publicistit Agim Sulejmani kushtuar Rexhep Malajt që u botua para pakë kohe, në janar 2014, në shtëpinë botuese “PROGRAF” në Prishtinë, këtu në amfiteatrin e USHTS-së, nuk është padomethënie, sepse Universiteti ynë ndër vite, e sidomos këto tri vitet e fundit, gjithmonë ka qenë i gatshëm që në çdo moment të ndihmojë forcat shkencore, të bindur e të palëkundur nga vendosmëria se vetëm kështu, me forca dhe angazhimin tonë të përbashkët mund të çohen përpara shkenca historike shqiptare.
Personalisht kam kënaqësinë e veçantë dhe nderin me këtë rast të jem para jush miq të nderuar në cilësinë e oponencës për dy arsye tepër të veçanta. Së pari, jam i nderuar të rikthej kujtesën e dyzet viteve më parë kur me heroin studionim bashkë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë (unë Historinë e Heroi Sociologjinë) në vitin akademik 1973/1974, dhe së dyti nga organizatori i promovimit të monografisë jam i nderuar që më caktoi personalisht të referoj për veprën e Agim Sulejmanit, “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”.
Në mesin e militantëve të njohur të Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë këtu edhe luftërat e NDSH-së dhe organizatave të tjera atdhetare që kishin për synim çlirimin e Kosovës dhe trevave të tjera lindore si dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, thellësisht jamë i bindur se për herë do të mbetet i paharruar militanti i paepur i lirisë, heroi i Kombit, Rexhep Malaj.
Autori i Monografisë, Agim Sulejmani, rrjedh prej fshatit Përlepnicë, por u lind më 18 tetor1956 në fshatin Zhegër të Gjilanit, ku babai i tij ishte mësues. Shkollën fillore dhe gjimnazin e mbaroi në Prishtinë, për tu diplomuar në gjimnazin “9 Maji” në Kamenicë. Ishte student i vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Kosovës, kur u burgos dhe u dënua si anëtar i Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës me pesë vite burgim për aktivitet publik klandestin.
Pas vuajtjes së dënimit vazhdoi veprimtarinë klandestine duke u marrë intensivisht me shkrime të ndryshme për çështje politike, organizative dhe ideologjike. Një pjesë të shkrimeve i botoi në shtypin klandestin, sidomos në Organin”Zëri i Kosovës”, me adresë në Biel të Zvicrës.
Bashkëveprimtari i Heroit dhe autori i librit – monografisë Agim Sulejmani së pari ka nxjerrë në dritë romanin “Rrugëtimi i një vigani”. Ai në faqet e këtij libri ka sjellur pothuajse të gjitha ngjarjet dhe ndodhitë e jetës së Rexhep Malajt, familjes, e cila e mbështeti dhe nuk iu nda asnjëherë. Ka sjellë aktivitetin e tij në mesin e veprimtarëve qysh nga koha e rinisë së hershme e deri në momentin, kur me revole në dorë, së bashku me militantin Nuhi Berisha, si “dy vëllezër siamezë”, kanë rënë në Altarin e atdheut, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, natën e 11/12janarit të vitit 1984, në një përleshje tërësisht të pabarabartë me milicinë e UDB-së titiste e rankoviçiste.
I ndodhur përballë sfidës për të shkruar një monografi sipas teorisë së standardeve të kësaj gjinie të prozës, apo një prozë dokumentare të letrarizuar, autori ka aplikuar këtë të fundit, e cila i ka krijuar më shumë hapësirë për t’i sjellur lexuesit fakte, ngjarje, ndodhi e episode, me të cilat ka arritur të hartojë një monografi letrare të një zhanri të veçantë, të lehtë për t’u lexuar e për të kuptuar, me që ky ka qenë edhe qëllimi parësor i autorit të librit.
Agim Sulejmani është emër i njohur i Lëvizjes Kombëtare, por edhe shok i Heroit Rexhep Malaj prej nga fëmijëria. Ai si askush tjetër e ka njohur për së afërmi Heroin e Kosovës, i cili në momentet vendimtare të Lëvizjes, asnjëherë nuk ishte i kënaqur me të arriturat, por vazhdimisht kishte kërkuar më shumë, kishte ofruar më shumë, dhe kishte dhënë më shumë se të tjerët.
Shpirti i tij i lindur revolucionar, edukata e pastër në familje dhe përgjithësisht në rrethin e tij shoqëror, kontaktet me kreun e Lëvizjes së Anamoravë se Gjilanit, ku Lëvizja Çlirimtare kishte disa shtylla të saj, bënë që Rexhep Malaj me kohë të çimentohet si pjesa më e fortë e shtyllës së kësaj Lëvizjeje.
Lëvizja jonë kombëtare në kohë dhe në rrethana të ndryshme historike ka nxjerrë në dritë emra kulmorë në çdo etapë të zhvillimit e rritjes. Në mesin e atyre militantëve më të paepur të lirisë, sidomos të viteve 80 të shek. XX, ai do të mbetet promotori i Lëvizjes, veprimtari i cili asnjëherë nuk kishte ndryshuar dhe asnjëherë nuk kishte besuar se Kosova mund të çlirohet nga robëria shekullore, pa kryengritje dhe pa luftë të armatosur.
Pikërisht atëherë kur UDB-ja dhe klasa politike e njëmendësisë komuniste të Kosovës, polltronë dhe servilë të Beogradit zyrtar, kishin goditur Lëvizjen çlirimtare duke arrestuar e dënuar dhjetëra e mijëra shqiptarë liridashës, Rexhep Malaj sillte ilegalisht armë dhe municione, me qëllim për të krijuar bërthamat e para të luftës së armatosur kundër pushtuesit e robëruesit serb.
Duke qenë marthonomak i lindur, duke rrugëtuar pandalshëm nga një trevë e Shqipërisë në tjetrën, duke lëvizur legalisht dhe ilegalisht edhe nëpër vende të ndryshme të Jugosllavisë dhe Europës, Rexhep Malaj jo vetëm që nuk e ndaloi as për një çast hapin e tij, por nuk u kursue asnjëherë për ta dhënë shembullin personal.
Besimi i tij në fitore, urrejtja e papërmbajtur kundër pushtetit komunist kolonizator, ishin alfa dhe omega e jetës së tij të cilat në mënyrë analitike dhe sintetike i ka pasqyruar shkrimtari dhe publicisti Agim Sylejmani në Romanin e personazhit “Rrugëtimi i një vigani”, botuar në majin e vitit 2013, me rastin e 30 vjetorit të daljes së Rexhep Malajt nga burgu i Qarkut të Mostarit më 23 maj 1983.
Të nderuar të pranishëm!
Mongorafia “Rexhep Malaj – zjarr luftë që nuk shuhet” e autorit (shkrimtar e publicist) në 425 faqe, është e ndarë në 12 kapituj, me një parathënie nga autori, ku në mes tjerave thotë: “Ideja që të shkruaj për viganin e Revolucionit të Kosovës, Rexhep Malaj, më ka preokupuar që nga përvjetori i parë i rënies së tij heroike bashkë me Nuhi Berishën në janarin e acartë të vitit 1984, në Prishtinë”…dhe vazhdon: ”…Është e mangët të shkruajsh për Rexhepin pa e përmendur Nuhiun, meqë kurorëzimi i veprimtarisë së tyre ishte rënia heroike në altarin e lirisë e cila shënoi njërën nga kthesat e veprimtarisë revolucionalre të Kosovës, duke dhënë shembullin më të mirë se si duhet luftuar dhe vdekur për kauzën e shenjtë të atdheut. Ata mishërojnë dhe plotësojnë për bukuri njëri – tjetrin. Unë pata rastin të njoh drejtpërdrejt nga afër vetëm Rexhepin, andaj edhe librin po ia kushtoj atij, me shpresë së për Nuhiun do të shkruajnë ata që e njohën nga afër, duke e kompletuar këtë duet të luftërave të denjë për çlirim e bashkim kombëtar”.
“Me këtë libër – thotë autori në parathënie – unë nuk pretendoj se kam bërë gjë të madhe. Jo, ky libër është vetëm një shenjë e dashurisë ndaj shokut të idealit, duke dëshmuar se kujtimet për të i kam të freskëta sepse shpeshherë jetoj me to, i kujtoj dhe çmallem me shokun përmes kujtimeve. Aq më tepër ky libër është nxitje për studjuesit të merren me këtë figurë të madhe të kombit i cili tërë jetën e tij të shkurtër ia kushtoi çështjes së madhe dhe të shenjtë të kombit, duke e vënë në shërbim të tij edhe gjakun e dërdhur për të”.
Dhe ka të drejtë Hydajet Hyseni, bashkëveprimtar i Heroit, kur thotë: “Idhujt zakonisht idealizohen dhe autori nuk e fsheh idhujatrinë për Rexhep Malajn. Mund të duket si i idealizuar edhe Rexhep Malaj, por, mund të duket kështu vetëm për ata që nuk e kanë njohur sa e si duket uragani Rexhep Malaj, militanti atdhetar që ditën e fillonte me tingujt e himnit kombëtar nga valët e radio Tiranës dhe e përfundonte në orët e herëshme të ditës së nesërme me vargjet e rilindasve tanë të deklamuar nga aktorët e teatrit popullor, veprimtarit aksionist të cilin gjatë gjithë ditës ose e kishte në ballë të aksioneve, ose me libër në dorë, sa në përpjekje për të shuar etjen e pashuar për dije, sa në misionin e shenjtë të edukatorit dhe farkëtuesit të brezave të ri atdhetarë e veprimtarë, të zgjerimit të Lëvizjes çlirimtare dhe përhapjes gjithandej të flakës së lirisë”, dhe përfundon “Brezave të rinj u duhet si drita dhe rrezet e Diellit, shembëlltyra e dlirë atdhetare e Rexhep Malajt, Nuhi Berishës dhe dëshmorëve të shumtë para dhe pas tij”.
Të nderuar!
Nuk do të ndalem në përmbajtjen thelbësore të librit i ndarë në 12 kapituj, e ilustruar me 322 fotografi të Heroit Rexhep Malaj, të familjarëve, të bashkëpunëtorëve, me faksimile të dokumenteve arkivale etj, të cilat paraqesin një tërësi. Kjo është edhe arsyeja e parë, por jo e vetme pse nuk do të merrem me citime nga ky libër manuel e me interes, sepse nuk dëshiroj të zbeh kurreshtjen e lexuesve seriozë.
Autori i librit “Rexhep Malaj-zjarr lufte që nuk shuhet”, Agim Sulejmani, është për t’u përshëndetur e për t’u përgëzuar për pasionin e për durimin me të cilin ka punuar për të nxjerrë një vepër si kjo, kapitale për historigrafinë shqiptare. Është kjo jo vetëm një dëshirë, por edhe një obligim kombëtar, që kemi ne studjuesit për t’i ndriçuar, studjuar ngjarjet historike e figurat kombëtare, për t’ua dhënë vendin e merituar në altarin e panteonit shqiptar, siç e bën publicist e shkrimtari Agim Sylejmani me këtë monografi.
Në fund, edhe një herë e përgëzojmë autorin Agim Sulejmani me botimin e librit “Rexhep Malaj-zjarr luftë që nuk shuhet” – e dobishme, komplekse, interesante, si dhe t’i urojmë shëndet dhe suksese të tjera të vlefshme si kjo që po promovojmë sot.
Një vepër modern, e ideuar, disajnuar dhe e ndërtuar mjaftë mirë me kujdes e me mjeshtri, me gjuhë të pastër, të rrjedhshme e koncize.
Të nderuar!!
Historia jonë nuk është shkruar me penë e bojë, por me shpatë e gjak.
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Kombit, Rexhep Malaj!
Tetovë, 28. 03. 2014.

Fatmir Sulejmani, USHT, 28 mars 2014

I nderuari Rektor – Prof. dr Vullnet Ameti,
I nderuar staf udhëheqës i Universitetit,

I nderuar z. Agim Sylejmani – autor i romanit për të cilin jemi mbledhur sot këtu, Të nderuar veprimtarë të çështjes kombëtare, personalitete të jetës shoqërore e kulturore,
Të dashur mësimdhënës dhe studentë…
Faik Konica, krijuesi më erudit që ka pasur ndonjëherë kultura shqiptare, i porositë shkrimtarët që, kur të nisin shkrimet e tyre ta bëjnë këtë me fjali të bukura, të qarta dhe koncize, sepse, po nuk ia dolën ta përvetësojnë lexuesin që me rreshtat e parë, mund t’u shkojë huq i tërë shkrimi, e tërë vepra.
Fatmirësisht, romani me titullin sugjestiv “Rrugëtimi i një Vigani” i shkrimtarit Agim Sylejmani nuk vuan nga cenet për të cilat shkruan Konica. Pata privilegjin ta lexoj atë me një frymë dhe mund të them pa hezitim se është fjala për një vepër interesante narrative të shkruar nga një dorë e sigurt, me një gjuhë të qartë e të rrjedhshme, me përshkrime mbresëlënëse që e bëjnë për vete lexuesin, tamam ashtu siç porosit mësuesi i madh i shkrimtarëve tanë.
Vepra që përurojmë sot në hapësirat e USHT-së, nëse nuk gaboj, pikërisht në ditëlindjen e Rexhep Malajt – kryepersonazhit të romanit, na nderon të gjithëve, si Universitet dhe si pjesëmarrës në këtë eveniment të rëndësishëm kulturor, duke qenë se heroi letrar i kësaj proze të bukur është dhe hero real i kombit, njëri nga militantët më të paepur të çështjes kombëtare.
Romani është në fakt jetëshkrimi i letrarizuar i liberatorit Rexhep Malaj, është portreti i gjallë i martirit të një etnie që mbijetoi apokalipse të shumta, është rrëfimi tronditës që për lëndë të parë ka bëmat atdhetare të Viganit me të cilin autori ka ndarë bukën e hidhur të holokaustit serb, ka bërë shkollat e celulave të para të luftës çlirimtare të shqiptarëve të ndarë padrejtësisht nga trungu i etnisë.
Në këtë vepër letrare monografike, autori i shkathtë fokusohet jo vetëm në anët e jashtme të një periudhe delikate historike, por edhe tek bota e brendshme e personazhit – heroit të martirizuar për idenë e lirisë. Përmes mekanizmash estetike ai rindërton tragjizmin dinjitoz të së shkuarës, mbështetet në planin historik, prej nga huazon fragmentet domethënëse me synimin e reliefimit të realitetit të përfytyruar artistik.
Romani shpërfaq transformimin e personazhit në ideolog kombëtar, që i vë në veprim idetë e tij, I ndërgjegjshëm se pas aktesh të këtilla do të pasojnë ndëshkimet më shtazarake që ka pjellur pjesa më e errët e mendjes njerëzore.
Agim Sylejmani ka rrokur ne total jetën dhe bëmat e një heroi përmasash epike, që nga lindja e gjer në ditën e rënies së Tij heroike. Ndërmjet këtyre dy kohëve (lindjes dhe vdekjes vertikale të Rexhepit, bashke me vëllain e idealeve Nuhi Berishën), autori hedh dritë mbi epopenë që rezultoi me pavarësinë e Kosovës; mbi sakrificat e kreshnikëve të një kohë-hapësire të ngarkuar me ngjarje të mëdha – ndoshta të kohës heroike në historinë prej golgote të Kosovës; sjell pasazhe mbi stinët e burrërimit të kryepersonazhit nëpër katrahurat e aksioneve për mbledhje armësh dhe të dëbimeve masive të shqiptarëve në shkretëtirat e Anadollit; momentet e inkuadrimit të tij në Lëvizjen kombëtare; kalimet e rrezikshme të kufijve të dhunshëm shqiptaro-shqiptar për nevojat e organizimit të luftës se armatosur; aktivitetet në ekzil, aksionet e para serioze antisllave, nga koha e mbetjes së Kosovës nën kthetrat serbe, etj.
Krejt spontanisht dhe me sensin e një krijuesi të mirëfilltë, Agim Sylejmani ka inkuadruar brenda temës bosht të romanit të tij të parë edhe lindjen e dashurisë së sinqertë ndërmjet Rexhepit dhe Hanifes – bashkëshortes dhe bashkëluftëtares besnike, e cila për asnjë moment nuk u tund dhe nuk kërkoi nga i shoqi të braktisë udhën e aktiviteteve atdhetare, ta zëvendësojë atë udhë idealesh liridashëse me jetën e patrazuar familjare, duke mbyllur sytë e duke u pajtuar me jetën qençe të robit.
Ajo, njësoj si Rexhepi, e dinte se nuk ka mirëqenie dhe rehati personale në stinët kur rrënohen mizorisht ëndrrat për një atdhe të lirë, kur të merret e drejta për të qenë zot në vatrën e të parëve tu, kur grimcohet gjithanshëm substanca etnike, kur dhunohet shtazërisht fati i njerëzve të farës, të gjakut dhe të gjuhës tënde…, shkaqe këto që nxitën Heroin tonë të përcaktohet herët për udhët violente të fitimit të lirisë, në një kohë kur shumëkush nanurisej përjermshëm me floskulat e bashkim-vëllazërimit realisht të pamundur ndërmjet sllavëve dhe shqiptarëve, ndërmjet pushtuesve dhe të pushtuarve, ndërmjet xhelatit dhe viktimës. Ai e kuptoi që në rini të hershme se liria nuk falet, sepse atë ta uzurpon pushtuesi, armiku – ai që do tapinë e shtëpisë tënde. Si mund ta shihte ndryshe realitetin e hidhur ky djalë inteligjent, i rritur në gjirin e një familjeje dhe një etnie të zhuritur me shekuj për dritën e Diellit, kur para vetes kishte një histori të tërë tragjike përplot tragjedi apokaliptike, kishte vullnetet e tradhtuara dhe të shtypura dhunshëm me fuqinë e hekurit dhe barotit të çetave të Shaban Polluzhës, tragjeditë e Tivareve dhe Sremeve, ku shqiptarët qenë shndërruar në mish për topat serbë, golgotat e shpërnguljeve masive, të dhunshme e tinëzare, të përgatitura prej armiqsh të përbetuar, tmerret e goli-otokëve dhe kazamateve sllave ku hynin për t’mos e parë kurrë më dritën e diellit bijtë më të zgjedhur të kombit e kështu me radhë dhe pafundësisht kështu.
Parë nga aspekti i llojit, “Rrugëtimi i një Vigani” është roman realist, me epërsi të dukshme të dokumentares ndaj fikcionit, të cilit nuk mund t’i shmanget plotësisht asnjë krijues letrar. Ai është në vazhdën e romanit shqiptar të traditës, me heronj të jetës reale, me fabul të rregullt, me kronologji të përpiktë ngjarjesh të rëndësishme, me diskurs të përshtatur me natyrën e lëndës romaneske historike.
Nëse do të përpiqeshim ta kategorizojmë mirëfilli aty ku e ka vendin, gjithnjë duke u mbështetur ne teoritë e Hegelit dhe të Llukaçit, vepra që përurojmë sot mund të inkuadrohet natyrshëm në tipin e romanit “ep të kohëve moderne”, duke qenë se Agim Sylejmani gërsheton me sukses elementet tipike për epin me ato të romanit: shpërfaq të kaluarën historike nga distanca kohore dhe njëkohësisht vë në qendër individin, të cilin lexuesi e ndjenë si bashkëkohës të tij…
Shprehur me termet e Gëtes romani i Agimit rezulton të jetë “ep subjektiv”, biografi e letrarizuar, fillet e së cilës i gjejmë që në romanet mesjetare mbi Lekën e madh, që në prozat narrative të Rilindjes së madhe evropiane…
Pra: tipologjikisht “Rrugëtimi i një Vigani”, që si shprehje i takon traditës poetike shqiptare, është i radhitshëm ndër romanet biografikë, kurse tematikisht ndër romanet historikë, me një narrator që zhbiron me sukses edhe boten intime të personazheve.
Autori me ndërgjegje të plotë nuk u shmanget tipareve të romanit tradicional dhe nuk përfill eksperimentet moderniste: esteticizmin, akademizmin, artizmin artificial, simulimin, montazhin e pjesëve me stile të ndryshme, me tipa të ndryshëm narratorësh, me gërshetime stilesh, zhanresh letrare, me rrëfim vetjesh të ndryshme, me botë reale e fantastike njëherësh e kështu me radhë.
Fare në fund të vështrimit tim modest, më lejoni të shpreh kënaqësinë time që sigurisht është dhe juaja, sepse akti i botimit të këtij romani kushtuar Prometeut me zjarrin në shpirt – simbolit të sakrificës dhe krenarisë kombëtare, zgjatimit të forcës së brendshme të etnisë dhe të vrulleve liridashëse…, flet për pjekurinë e letërsisë sonë, sepse, më në fund kemi nisur të dokumentojmë të kaluarën, të skalitim e të pavdekësojmë personalitetet më emblematike të asaj të kaluare, si puna e martirit Rexhep Malaj, jo vetëm nëpërmjet veprave historike e kronikave të kohës, por edhe me vepra të denja letrare, si kjo e autorit Agim Sylejmani.
Edhe një herë, urime për autorin, nga i cili presim dhe libra të tjerë të suksesshëm.
Faleminderit
Fatmir Sulejmani, USHT, 28 mars 2014.

Prof. Dr. Vullnet Ameti, rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, mbajti një fjalë rasti në këtë event të rëndasishëm.

Agim Sylejmani, autori i librave – të promovuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura