Boston, 23 janar 2018: Me kostum ngjyrë kafe të errët, me borsalinë, hapshpejtë, pa e ndarë nga dora e djathtë një qeskë me libra, që ua shpërndan miqve të shumtë, nxiton për në NASA. Askush nuk e di që edhe poezia e ka një NASA.
I vetëm, nën drurët e Tiranës, tejet i zakonshëm për ata, që s’e njohin, një Mag nga portreti, i gjallë, i qeshur, ndonëse jeta i ka vulosur në fytyrë vuajtjen.
Mizorisht i lenë në harresë, mbi 12 vjet krejt i papunë, me pension qesharak, ndonëse është poeti më i madh i gjallë, me dituri, me prodhimtari, zëri më i spikatur artistikisht dhe më i dallueshmi në media, për kulturën e madhe dhe problemet e rëndësishme që ngre, më i sëmuri, gjithmonë me temperaturë, në ethe, me dhimbje, pagjumësi, përplot me projekte që nxiton t’i realizojë sikur të jetë i shumëzuar me shtatë (shifër biblike).
Dhe askush nuk e di përse nxiton kaq shumë, askush, përveç sozisë së tij.
Se ai ka sozi këtu mes nesh, por dhe këtë nuk e di njeri.
A mund të ketë profet në vend të vet? Jo, kurrsesi jo. Profetët, o do të vriten, o do të helmohen, o do të mbulohen me turp. Ata duhet të largohen sa më parë, ata duhet të zhduken, kjo është më e saktë për ta thënë, sepse janë një kokë mbi turmën e trutharëve që kërkojnë pasuri dhe lavdi, por jo pavdekësi.
U shpik sozia që jetëshkurtërit të merren me të, po i vërteti?
Ja, ai me atë borsalinën bojë kafe të errët, me atë fytyrë të brejtur nga mendimet, dhimbja, vuajtja, që shkon asaj rruge atje dhe unë nuk ia ndaj shikimin, bën një hap, dy, lart në ajër e shkon qiellit gjersa humb.
Ai është Moikom Zeqo, se e thamë, e ka dhe një NASA të Poezisë.
Po kaq budallenj jemi që ta besojmë se këtë denduri librash të krijuara nga një njeri i vetëm e paska bërë pikërisht ky njeri që humb lart?
Prej lart vjen imagjinata, thotë Dante te tercinat e tij.
E pa njeri raketën
Jo. Askush nuk e pa raketën.
Ai shkoi me të, unë pashë një ngjyrë të portokalltë që u shfaq dhe u bë fir ngadalë.
Shkoi në planetin e tij, që do të zbulohet në të ardhmen.
Poetët e mëdhenj e kanë nga një planet.
Dikush zbulohet më herët, dikush më vonë.
Kështu Pessoa.
Kështu Trakli.
Të gjitha mundësitë janë që ai të zbulohet sot, por nuk duan, kurrsesi nuk duan. Dhe ai ka gjetur këtë mënyrë, le poshtë sozinë dhe vetë shkon lart te laneti i tij.
Se e ka një NASA edhe Poezia.
Moikom Zeqo i madh, I paimitueshmi, I pangjashmi, I mahnitshmi, kaq sfidues dhe verbues, sa e dënojnë me harresë.
Më kot! Sot! Po nesër?
Të vijmë prap te Moikomi.
Poezia e tij kozmike, me shumë dije të ndryrë brenda organikisht, shumëplanëshe, e pajisur me arsenalin atomik amerikan të metaforave, është vetëm e Moikomit.
Ajo nuk imitohet dot.
Ai i mjerë që e bën këtë përpjekje mbetet i familjes së liliputëve, se Moikomi është Guliveri i vetëm!
Unë e lexoj me kënaqësi të madhe!
Më ngop orkestra simfonike bethoveniane e vargjeve të tij.
Tejet modern, përtej moderniteteve, që do të vijnë.
Por famën, mjerisht, do ta ketë pak më vonë. Kjo skota e lexuesve mediokër dhe populistë shpesh vjen nga bejtet e rakisë, me spec djegës dhe dasmat me mishra të therrur në sy të fëmijëve dhe të varur në degë të pemëve.
Nuk është i mësuar me estetikën e lartë dhe të kultivuar.
I pëlqen e rrafshta, shtresat e nënshtresat e kuptimeve i pëlqejnë më fort në njëqind a dyqind petët e bashbakllavave. Po, varja, Moikomi është Moikom!
E thashë: Ai është poet i madh.
Ata që e rrethojnë, turma e pafundme e trututkalleve, le të gëzojnë medaljet prej teneqeje të fabrikës së Presidencës.
Të mëdhenjtë nuk gjykohen, ata i dinë më mirë punët.
Boston, 22 nëntor 2017
Moikomi ynë planetar!