Pashtriku, 25 dhjetor 2020: «Formimi i personalitetit tim fillon që në moshën fëmijërore, atëherë kur fare i ri u bëra partizan. Personalitetin tim e forcuan dhe e bënë të papërkulur të gjitha krajatat që i përjetova maleve dhe nëpër burgjet e okupatorëve. Më vonë pas çlirimit e kreva shkollën e lartë të milicisë në Beograd.
Në fillim të vitit 1967 isha kryeshef i sektorit të Kriminalistikës së Kosovës. Pastaj u emërova Prokuror Publik i Kosovës, detyrë që e kreva deri pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1968. Krahas kësaj, isha edhe anëtar i Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës.
Gjatë kësaj kohe, meqë kërkova të ndiqen deformatorët, të zbuten dënimet e kundërligjshme të grupit të Adem Demaçit, dhe meqë me këmbëngulje fillova të kërkoj Republikën e Kosovës – ‘u zbulova se jam nacionalist i rrezikshëm’ dhe falë heshtjes së kolegëve të mi shqiptarë, në janar të vitit 1969 u shkarkova nga të gjitha detyrat.
Magjistrova në Zagreb dhe desha të punësohem në Fakultetin Juridik të UP-së, por pasi kolegët e mi më shpallën ‘të rrezikshëm’, vetë zoti Mahmut Bakalli strukturave të UP-së ua bëri me dije që nuk guxoj të ligjëroj në këtë fakultet. Po ky njeri e pengoi edhe komisionin përkatës që ishte caktuar për vlerësimin e tezës së doktoratës sime. Këtë që po e them, mund ta vërtetoni edhe sot.
Të gjitha urdhërat e këtij funksionari për avancimin tim si shkencëtar gjenden edhe sot e kësaj dite në Fakultetin Juridik. Që prej asaj kohe bëj një jetë, siç e shihni edhe vet, margjinale, i harruar, porse krenar kundër të gjitha mynxyrave të jetës që nuk arritën të ma thejnë mendjen se Kosovës patjetër i duhet Republika.
Isha ndër partizanët më të rinj të brigadave kosovare. Që atëherë në thellësinë e unit tim zunë vend dy armiq: okupatori dhe padrejtësitë që përjetonte populli im. Derisa për armikun e parë isha i bindur se do të thyhet, armikun e dytë me shpirt të sakatosur e shihja tek merrte udhë kah forcimi. Filloi me masakrën e shqiptarëve në Tivar, për të vazhduar pastaj në Drenicë e në Frontin e Sremit. Kjo ndodhi gjatë luftës.
Pas luftës filloi deklarimi i përdhunshëm i shqiptarëve si turq. KK i LK të Kosovës në krye me Ðorxhije PajkoviÃâ¡ filloi të kujdesej për ‘turqit’ të cilët asnjëherë nuk paskan guxuar të deklarohen për përkatësinë. Dhe fillon absurditeti. Shqiptarët ndiqen burgosen, rrihen, maltrretohen, vdesin, ndahen familjarisht, njëri vëlla bëhet turk e tjetri mbetet shqiptar, në mes shokëve, vëllezërve, familjes e kombit, në përgjithësi fillon të hetohet një përçarje. Megjithatë, meqë ky aksioni filloi të humbas efektin, sepse ata që regjistroheshin turq ishin të paktë, pushtetmbajtësit u angazhuan pë shpikjen e aksionit tjetër.
Në radhë vjen aksioni i mbledhjes së armëve, me arsyetimin se në mesin e shqiptarëve ka filluar përgatitja për kryengritje. Filluan maltretimet e fshatarëve. Shumë shqiptarë që nuk kishin armë detyroheshin të dilnin jashtë dhe të blenin ndonjë pushkë, dorëzimin e së cilës e kishin kusht për jetë. Shumë prej shqiptarëve që ishin të varfër e të paarmatosur, burgoseshin, rriheshin e vriteshin. Arsyetimi zyrtar partiak i këtij aksioni ishte ‘pengimi i gjakderdhjes së shqiptarëve mes vete’.
Gjatë këtij aksioni u vranë qindra shqiptarë, u plagosën shumë fish më tepër, edhe më shumë mbetën të gjymtë nga rrahjet e maltretimet shtazarake, e shumë të tjerë bënë vetëvrasje. Pra, tendenca ishte që te shqiptarët të mbizotërojë bindja se shpëtimin dhe rehatinë shpirtërore ata mund ta gjejnë vetëm gjetiu.
Atëbotë shqiptarët filluan të shpërngulen me të madhe në Turqi. Numri i tyre arriti mbi gjysëm milioni. Në mes shqiptarëve lindi problemi i vëllavrasjes sepse u përhapë hasmiëria në mes të atyre që e pranonin shpërnguljen dhe atyre që edhe kokën e jepnin për vatan. Fill pas kësaj vjen procesi i Prizrenit. Skenari i këtij procesi akuzonte të gjithë udhëheqësit shqiptarë të revolucionit si spiunë të ‘sigurimit’ të Shqipërisë.
Kështu, deri kah fundi i i vitit 1967, i mllefosur, i tmerruar, dhe i brengosur për tendencat e asimilimit të popullit shqiptar, mezi prisja momentin tim. Dhe kur erdha në funksion, me këmbëngulje kërkova strehimin ku kombi shqiptar do ta bënte një jetë më normale dhe ai strehim ishte Republika e Kosovës.
Ja pra, këto ishin shkaqet që i paraprinë kërkesës sime për një shtetësi shqiptare në kuadër të federatës jugosllave.
Atëbotë nuk kishte shumë udhëheqës shqiptarë. Bile, edhe ata që ishin, mjerisht ishte turp që të konsideroheshin shqiptarë sepse për ruajtjen e foteles dispononin të gjitha karakteristikat antishqiptare. Ndërsa Komisioni për Marrëdhënie Ndërnacionale i KK të LK të Kosovës vazhdimisht e përsëriste kërkesën për Kosovën Republikë, KK i LK të Kosovës e kundërshtonte këtë kërkesë me injorancë.
Komisionin e përbënin një grup intelektualësh:
– Rezak Shala,
– Hajredin Hoxha,
– Idriz Rexha,
– Gazmend Zajmi,
– Syrja Popovci,
– Fehmi Agani dhe
– Dervish Rozhaja.
Më kujtohet kur në një mbledhje, tërë mbledhja mori karakterin e një simpoziumi shkencor. Secili nga diskutuesit që i përmenda, nevojën për Republikën e Kosovës e pat paraqitur nga këndi i vet profesional. Të tjerët krejt çka mundën ishte ta ndërpresin mbledhjen dhe këtë problem ta nxjerrin në Kuvendin Krahinor, ku u formua komisioni për ndryshimet kushtetuese, kryetare e të cilit ishte heroina e popullit Katerina Peternovic – Cica, e cila në fillim ishte këmbëngulëse për Republikën e Kosovës, por pas kërcënimeve nga lart, ndërroi qëndrim dhe kërkoi falje për mendimet e gabuara. Kryesia e Komitetit Krahinor mori qëndrim kundër këtij diskutimi.
Në atë kohë krerët e lartë shtetërorë kërkonin mendim uniform, prandaj krejt udhëheqësia krahinore, pra edhe udhëheqësit shqiptarë, filluan të shprehnin patriotizmin socialist jugosllav, por edhe të bëjnë garë se kush do të jetë më i ashpër në sulmet ndaj atyre që me këmbëngulje kishin kërkuar Kosovën Republikë.
Filluan sulmet prej kërcënimeve e deri te etiketimet. Ishin brutale sulmet e
– Veli Devës,
– Kolë Shirokës,
– Asllan Fazliut,
– Ali Shukriut,
– Ilaz Kurteshit,
– Mahmut Bakallit, e me radhë.
Pra, të gjithë këta ishin kundër kërkesës sonë dhe kur me direktivë të Partisë u ndalua diskutimi për Republikën e Kosovës, më 27 nëntor 1968 shpërthyen demonstratat në të gjitha qytetet e Kosovës dhe në Tetovë.
Tendencionalisht u injorova dhe u padita pa masë. Ilaz Kurteshi, për shembull, duke mos kuptuar gati asgjë, filloi të flasë me një gjuhë të hutuar politike. Veli Deva, kërkesat e mia për Kosovën Republikë i klasifikoi ‘veprimtari armiqësore’. Ngjajshëm foli edhe Kolë Shiroka. Fadil Hoxha u mundua të më bindë për një autokritikë, duke cituar gabimisht një thënie të Leninit: ‘nuk duhet me ra në bisht të masave’. I pata thënë që masat duhet të deklarohen e ta thonë mendimin e tyre e jo të mendojmë ne në vend të tyre. Nuk mbeta pa u sulmuar edhe nga arsenali i Mahmut Bakallit.
Gjatë pauzave të mbledhjeve, iknin prej meje sikur prej dreqi. Mbeta si fëmijë pa prind. Tërë kjo ndikoi që të pëlcasin demonstratat më 27 nëntor 1968 në të cilat u brohoritë emri im, i Fadil Hoxhës, i Titos, ndërsa u fyen udhëheqësit tjerë. Për shembull Veli Devën e thirrnin Velimir Devic.
Udbashi i atëhershëm Xhevdet Hamza më pat treguar se do t’i marrë disa masa. I pata thënë se masat duhet të ndërmirren vetëm në kuadër të kompetencave ligjore sepse si Prokuror Publik i Kosovës nuk lejoj që të shkilet ligjshmëria.
Në fillim të vitit 1969, dy – tre muaj pas demonstratave, më detyruan të jap dorëheqje nga funksioni. Atëherë Kryetar i Kuvendit të Kosovës ishte Fadil Hoxha. I pata thënë: ‘Fadil, luftuam për popull apo për kolltuqe’, e ai më tha se në konsultim me Plakun (Titon) paskan vendosur të ma ndërrojnë vendin e punës. Arsyetimi i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin tim ishte tejet tendencioz sepse thuhej se prania ime po i frikon serbët e malazezët.
Arsyetimi tjetër ishte se duke kërkuar Republikën e Kosovës kam rënë në kundërshtim me politikën e LKJ-së. Ndërsa nuk ishte problemi këtu. Me kohë iu pata bërë halë në sy. I pata rehabilituar shumë të dënuar jashtë ligji, i pata ndjekur penalisht disa deformatorë, i pata zbutur dënimet marramendëse të grupit të Adem Demaçit.
Xhevdet Hamza në prezencë të Slavko Zecevic, Sekretar i Punëve të Brendshme të Sërbisë, më pat thënë ‘po të kisha mundësi të gjithëve do tua kisha zgjatë dënimet e jo tua zvogëloj’.
Filloi të ngrihet pluhur se jam bërë shkaktar i prishjes së klimës politike e çka jo tjetër. Zatën, me kohë e kuptova se dikush, pikërisht nga radhët e udhëheqësve shqiptarë, kishte filluar të ma hapë varrin. Dhe, e shihni si sillet koha? Të gjithë ranë në varr, ndërsa unë vazhdimisht kam qenë i përqafuar nga mijëra shokë».
Rezak Shala
Prishinë, 10 nëntor 1990