MEHMET HAJRIZI: LËVIZJA E PASHUAR KOMBËTARE (4)

Prishtinë, 22 mars 2019:
1.2 Lëvizja e pashuar Kombëtare
Ndërsa kalvari dhe vuajtjet e popullit shqiptar nën sundimin e ri sllav vazhdonin, Kosova e nisi Lëvizjen e re Kombëtare për çlirim nga pushtuesi, që do të zgjasë në forma të ndryshme gjatë gjithë shekullit. “Popullsia e Kosovës i filloi përpjekjet kundër sundimit serb menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe herë pas here ka pasur përleshje të përgjakshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve e po ashtu edhe dëbime masive të shqiptarëve nga territoret e Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981 29 tyre”.17
Në Programin e Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve, më 1964 shkruante: “Përpjekjet e popullit tonë për çlirim, përkatësisht për bashkim, nuk janë shue kurrë, por ato janë shprehë gjithherë në varësi më kushtet e rrethanat e mbrendshme dhe të jashtme në të cilat asht ndodhë: kur populli ynë e ka pasë të pamundur me rrokë armët në dorë, ai edhe në mënyra të tjera e ka shprehë kurdoherë vullnetin dhe dëshirën e tij të flakët për çlirimin e bashkimin e vet”.18

Po në këtë linjë, disa vjet më vonë në revistën “Liria” më 1981 thuhej: “Edhe pas rënies së Kosovës dhe krahinave të tjera shqiptare nën sundimin serbomalazez, rezistenca dhe lëvizja kundër regjimit të ri nuk pushoi asnjëherë. Çeta të shumta patriotike si ajo e Azem Galicës organizohen në krahina të ndryshme, si në Drenicë, Moravë, Llap etj. Për të organizuar më mirë këtë luftë, formohet më 1918 në Shkodër Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“.19
Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, me të cilën ishte e lidhur ngushtë rezistenca e udhëhequr nga Bajram Curri, Azem Galica etj., përbënte sintezën e përpjekjeve të para për të kundërshtuar robërinë e re të Kosovës.
Duke rikujtuar Lëvizjen e lavdishme Kombëtare dhe tribunët e saj, shtypi klandestin i viteve ’70 shkruante: “Në qershor të vitit 1924 ngadhënjen Revolucioni Demokratik Borgjez, ndërsa Zogu iku në Beograd. Kur Bajram Curri hyri në Tiranë, populli e priti krahëhapur e me nderime të mëdha, tribunin e vegjëlisë, patriotin që gëzoi gjithmonë besimin dhe dashurinë e popullit, luftëtarin besnik që kurrë nuk bëri tregti me interesat e shenjta të Atdheut dhe të popullit. Bajram Curri nuk pranoi të merrte asnjë post në qeverinë e Nolit. Atë e priste Kosova e robëruar”. 20
Kosova e tradhtuar sërish në LDB, nuk u pajtua me fatin, por ashtu siç ishte e sfilitur nga lufta, me armë në dorë e kundërshtoi robërinë e re. Për shtetin jugosllav, nuk ishte aq e vështirë ta shuante në gjak kryengritjen e shqiptarëve të udhëhequr nga nacionalisti Shaban Polluzha, për më tepër që bota e vështronte në heshtje masakrimin e këtij populli. Por as terrori dhe as administrata ushtarake e instaluar në Kosovë nuk e mposhtën rezistencën shqiptare e cila kishte marrë formën e Lëvizjes Kombëtare në ilegalitet. Në Kosovë vazhdoi rezistenca kundër pushtimit nëpërmjet organizimit të subjekteve kombëtare si, Organizata Nacional-Demokratike (1945), e drejtuar nga Ajet Gurguri, Gjon Serreqi, Halim Spahiu, Marie Shllaku etj., pastaj me përpjekjet e udhëhequra nga intelektualët, Adem Demaçi, Metush Krasniqi etj. Në vitet vijuese, pushtuesit “ndërmorën aksione perfide të planifikuara mirë kundër shqiptarëve” bënë “përtëritjen e marrëveshjes së quajtur „Xhentëlmene‟ me Turqinë”, organizuan “shpërnguljen me dhunë për në Turqi të qindra mijëra shqiptarëve, pastaj Aksionin e mbledhjes së armëve, me ç‟rast u torturuan mbi 30.000 dhe vdiqën mbi 1000 shqiptarë, kurse me mijëra mbetën invalidë”21 .
Më 1960 u formua dhe u zgjerua shumë shpejt Komiteti Revolucionar Antirevizionist i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, i udhëhequr nga Kadri Halimi, Ali Aliu etj., i cili nëpërmjet militantit të tij, Zenel Hajrizi, në rajonin e Artakollit kishte arritur të formonte madje edhe dy aradhe të armatosura luftëtarësh të gatshëm për veprime ushtarake. “Kjo Organizatë, busull kishte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe atë të Pejës si dhe vendimet e Bujanit për vetëvendosje bashkim me Shqipërinë… Thelbi i programit të saj ishte çlirimi dhe bashkimi kombëtar, bashkimi i trojeve shqiptare të mbetura jashtë shtetit amë, bashkimi në radhë të parë i Kosovës, pastaj i Maqedonisë Perëndimore, i viseve lindore që administrativisht gjenden nën Serbi dhe i viseve shqiptare nën Malin e Zi, ku shumicën dërrmuese e përbëjnë shqiptarët”. 22
Më 1964, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve me në krye Adem Demaçin, organizoi qindra veprimtarë në gjithë trojet e pushtuara shqiptare për çlirimin e tyre dhe bashkimin, siç thoshin me nënën Shqipëri. Në nenin 1 të Statutit të LRBSH shkruante: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shumicë prej shqiptarësh që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë, domethanë qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht çlirimi i krahinave shqiptare, t‟aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyne krahinave me nanën e vet-Shqipninë”. 23
Një kapitull më vete përbën Lëvizja studentore e vitit 1968, e udhëhequr nga Osman Dumoshi etj., dhe dhjetëra organizime më të vogla. Nga viti 1970 fillon një stad i ri, më cilësor dhe më masiv i Lëvizjes, të cilën e përbënin një varg organizatash të tjera më të mëdha a më të vogla, por tonin i jepte GRK. Zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë gjatë periudhës së pas LDB ka pasur kontinuitet të pandërprerë dhe ritme gjithnjë më të shpejta. Ngjarjet historike që shënojnë këtë zhvillim dhe këto ritme janë shpeshtuar, duke përgjysmuar periudhën midis tyre.
Në qoftë se nga Kryengritja e armatosur shqiptare më 1944-1945 deri te demonstratat e vitit 1968 u deshën 24 vjet, nga këto të fundit deri te 1981, u desh vetëm gjysma e kësaj periudhe. Nga zhvillimet e viteve 1981-1984 e deri te demonstratat e vitit 1988-1989, u përgjysmua edhe njëherë distanca, kurse nga zhvillimet e viteve 1989-1992, deri te formimi i formacioneve të para të UÇK-së, u deshën vetën dy vite distancë. Kjo Lëvizje, ndonëse në dukje e fragmentarizuar në kohë dhe hapësirë, ka njësinë e saj e lidhjet organike, prandaj duhet trajtuar e pandarë, pavarësisht fazave të zhvillimit dhe formave të veprimit nëpër këto faza. Aq më pak, ato mund t’i kundërvihen njëra-tjetrës, siç provohet ndonjëherë, për interesa meskine. Programi politik e kombëtar dhe mjetet e format e luftës me të cilat parashihej të arriheshin qëllimet e tij, në esencë kanë mbetur të pandryshuara gjatë gjithë historisë së Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. Por, forma më e lartë e rezistencës, lufta e armatosur, ndonëse ishte pjesë e programit, por edhe e praktikës historike të Lëvizjes Kombëtare, arriti të zbatohej në tërë kuptimin dhe gjerësinë e saj, vetëm në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, atëherë kur u krijuan kushtet e brendshme dhe të jashtme për të, kur u poqën faktorët subjektivë dhe objektivë të Lëvizjes. Brezat e mëparshëm të Lëvizjes çlirimtare, nuk mund ta bënin këtë në Jugosllavinë stabile e me prestigj ndërkombëtar. Megjithatë, revolucioni nacionalçlirimtar përgatitej dhe zhvillohej shkallë-shkallë pavarësisht valëve të egra shtypëse që ushtronte pushtuesi. Pishtari i lirisë, mbahej i ndezur nga brezi në brez, me gjithë çmimin e privacioneve e sakrificave që kërkonte.
Në këtë libër, në kuptimin e formës së organizimit dhe të veprimtarisë përdoret fjala “ilegal-e”, megjithëse ka kohë që po diskutohet semantika e saj dhe ka mendime që të hiqet nga përdorimi ndajshtimor, për organizatat politike të Lëvizjes Kombëtare, pasi kuptimi i saj themelor është joligjor, jashtëligjor, ilegjitim dhe, se me të merr domethënie komprometuese edhe emri para saj. Le të ndalemi në këtë çështje për pak çaste. Lëvizja Kombëtare e Kosovës, për shkak të ndjekjeve të pareshtura që i bënin regjimet pushtuese, ka vepruar në konspiracion të thellë dhe është quajtur zakonisht, lëvizje ilegale, patriotike, çlirimtare etj. Në gjuhën shqipe fjala “ilegale”, si nocion, ka marrë prej kohësh të “drejtën qytetare” dhe është ngulitur në fjalorin e ligjërimit të zakonshëm dhe atë shkencor, studiues, e cila kuptohet si formë e veprimit të fshehtë të organizatave të Lëvizjes Kombëtare kundër regjimit jugosllav.
Nga rrënja “ilegal”, janë formuar derivate të kësaj fjale, si ilegale, ilegalitet, ilegalist, ilegalja, ilegalisht etj. Kështu në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Rilindja , Prishtinë 1981 shkruan: “Ilegal,-e ms. 1. Që jeton, vepron e lufton si ilegal kundër regjimit e rendit në fuqi; që bëhet a zhvillohet fshehurazi organeve qeveritare të një vendi për të luftuar e përmbysur regjimin e pushtetin e këtij vendi; që është i fshehur e që s‟duhet ta dinë të tjerët…”.
Shpjegim të përafërt gjejmë edhe te “Fjalor enciklopedik”, Bacchus, Tiranë, 2002, te “Veliki rječnik stranih riječi”, (Bratoljub Klaiq) botim i “Zora”, Zagreb, 1974, te “Politička Enciklopedija”, botim i “Savremena Administracija”, Beograd 1975, te “Dictionary.com” te “American heritage dictionary” etj. Fjala “e fshehtë” vështirë se do ta zëvendësonte plotësisht fjalën “ilegale” për organizatat politike, sepse nuk e përthekon kuptimin e saj dhe është përdorur më shumë për shoqata të ndryshme të grupeve shoqërore dhe profesionale, me zhargone të veçanta gjuhësore etj., pikërisht në kuptimin pezhorativ. Fjala “ilegale” mbase duhet ruajtur, siç i ruajmë dhe i përdorim gjerësisht fjalët, “legjitime”, “legjislacion”, “legale”etj., sepse ka përdorim shumë të gjerë, tashmë është futur edhe në literaturën shkencore e publicistike, prandaj nuk ka arsye të shqipërimit ose të heqjes së saj nga përdorimi. Fjala “ilegale” nuk mund të ketë kuptim pezhorativ dhe denigrues për organizatat e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, sepse ato në të vërtetë ishin të fshehta dhe kundër politikës zyrtare pushtuese, pra edhe kundër ligjeve të tyre. Bernard Kushner në librin e tij “Luftëtarët e paqes” thotë: “…për të ndryshuar një ligj, duhet të jesh “jashtë ligjit”‟.
Pushtuesit i kanë shpallur jashtëligjore dhe kundërligjore organizatat çlirimtare, por dihet që ato nuk kërkonin aspak mbrojtjen me ligj të pushtuesit. Si përfundim do thënë që nocioni “ilegale” ka kuptimin juridik dhe politik, por edhe teknik (në kompjuterizëm ilegale quhen veprimet e papranueshme nga kompjuteri). Epiteti “ilegale” për organizatat politike, ka më shumë kuptimin politik dhe historik, por që etimologjinë e ka doemos nga drejtësia. Sipas së drejtës ndërkombëtare, ilegale janë regjimet pushtuese, por sipas legjislacionit të atyre regjimeve, lëvizjet çlirimtare shpallen “ilegale”, sepse veprojnë “jashtë ligjit” në fuqi dhe kundër tij. Sidoqoftë, në këtë libër kjo fjalë përdoret pikërisht në kuptimin politik dhe historik të saj.
__________
Referencat:
17. Arian Starova: Për Kosovën, çështjen kombëtare të shqiptarëve, Koha , Tiranë, 2000, f. 705
18. Dr. Hakif Bajrami: Dosja Demaçi, Brezi 81, Prishtinë, 2003 f. 89 19. Populli shqiptar ne jugosllavi asnjëherë nuk vendosi për fatin e tij “Liria” nr 4-5, gusht 1981
20. Trim tribun i vegjëlisë, te GMLK, “Materiale”, 1978, Arkivi i Kosovës.
21. Kadri Halimi: Shkëndijë e lirisë, Prishtinë 1995, f. 10
22. Kadri Halimi: Shkëndijë e lirisë, Prishtnë 1995, f. 6 dhe 29
23. Selatin Novosella: Kosova ‟64, Renesansa, Prishtinë 1994, f. 35
VIJON…
____________
MEHMET HAJRIZI: ÇËSHTJA SHQIPTARE DHE LËVIZJA KOMBËTARE E KOSOVËS (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8590

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura