RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (19)

Nga Asllan Muharremi

Kërkesa “Kosova – Republikë” dhe sfidat

Demonstratat e mars-prillit 1981 dhe sidomos kërkesa që Krahinës së Kosovës t’i njihej statusi i Republikës në kuadër të Federatës Jugosllave, na hodhën para një sfide shumë serioze. Organizata “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi”, pjesë e të cilës ishim edhe ne, në nenin e parë të statutit të saj e kishte të shkruar se  “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës lufton për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Nënën Shqipëri, gjegjësisht për krijimin e shtetit shqiptar brenda kufijve të vet kombëtar”(Statuti i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, Neni 1). Ndërsa kërkesa “Kosova-Republikë” ishte një kërkesë që synonte që Krahina e Kosovës të ngrihej nga statusi i tanishëm, i një krahine në kuadër të Serbisë, me disa elemente konstituive në kuadër të Federatës Jugosllave, në një status  ku do të barazohej me republikat tjera në Federatën Jugosllave.

Për ne, nuk ishte një çështje e thjeshtë ta “braktisje” programin e një organizate që luftonte për bashkimin kombëtar dhe të ktheheshe e të luftoje për diçka që nënkuptonte që Kosova dhe viset tjera shqiptare do të vazhdonin të ishin pjesë e Federatës Jugosllave. Dëgjoheshin zëra që thoshin se ne po luftonim për t’i “graduar” udhëheqësit aktual të Krahinës së Kosovës dhe sikur po hiqnim dorë edhe nga lufta kundër padrejtësive  kombëtare dhe shoqërore!

Në anën tjetër, ne e konsideronim vetën tonë si revolucionarë dhe përpiqeshim për një rend tjetër shoqëror, nga rendi që mbretëronte në Jugosllavinë komuniste. Për ne, udhëheqja jugosllave dhe Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë,  ishte një udhëheqje antipopullore, revizioniste dhe që ishte në shërbim të serbomëdhenjve.  Komunistët jugosllav, i kishin të lara duart me gjakun e shqiptarëve, por edhe të revolucionarëve të mirëfilltë të kombeve të tjera, që kishin luftuar për një botë të lirë dhe pa shtypje e shfrytëzim.

Përkundër terrorit dhe dhunës së egër serbomadhe,  kërkesa “Kosova – Republikë” kishte fituar simpatinë e popullit dhe hapte një perspektivë të re për popullin shqiptar në kuadër të Federatës Jugosllave.

Ne ndodheshim në një gjendje ku qëndrimi ynë ndaj kërkesës “Kosova-Republikë” duhej të ishte i drejt dhe pa paragjykime. Për mendimin tim, ne nuk guxonim të tregoheshim dogmatikë,  përkundrazi duhej të tregoheshim dialektik dhe këtë çështje duhej ta gjykonim  mbi bazat e teorisë shkencore të materializmit dialektik dhe historik.

Ishin të natyrshme pyetjet që më silleshin nëpër kokë: A ia vlente të luftonim për barazi edhe të shqiptarëve në kuadër të federatës jugosllave? Realizimi i kërkesës “Kosova-Republikë”, a do ta avanconte pozitën e shqiptarëve në kuadër të Federatës Jugosllave apo jo? A do të bënim tradhti nëse e përkrahnim kërkesën “Kosova-Republikë” dhe “heqim” dorë nga kërkesa për bashkim kombëtar në këtë periudhë të luftës sonë?

Gjatë disa takimeve,  me Xhemën dhe Ferkiun, e kemi shtruar çështjen e kërkesës “Kosova-Republikë”, atë të programit të LNÇKVShJ-së, si dhe kemi biseduar për dilemat e sfidat që kishim para nesh. Ne të tre, ishim betuar para flamurit të Gjergj Kastriotit se “të gjitha aftësitë tona fizike, psikike dhe materiale do t’i vëmë në shërbim të popullit dhe do të jemi të lumtur po që se flijohemi për çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Nënën Shqipëri!”10 Nuk kishte mëdyshje se nga ne po kërkohej ta kishim të qartë se nga duhet të ecnim dhe se çka duhet të bënim  në atë epokë të luftës sonë? Ne nuk mund të mbyllnim sytë para kërkesë “Kosova-Republikë” dhe para vullnetit të popullit.

Gjatë debateve që bënim lidhur me sfidat që kishim para nesh, Xhema përdorte një dialektikë të shkëlqyeshme, që na çonte tek konkluzionet shumë të drejta dhe që na lëviznin në drejtim të përkrahjes pa hezitim  dhe me gjithë zemër të kërkesës “Kosova-Republikë”.  

-Duhet të veprojmë ashtu siç vepruan rilindësit tanë gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të përqafojmë  e luftojmë për realizimin e atyre kërkesave që janë të realizueshme, pa e harruar qëllimin tonë,‒na thoshte Xhema.

Pos debateve që bënim, ne të tre, si dhe ato që unë bëja në mënyrë individuale me shokët tjerë, një ndihmesë të madhe në këtë kthesë “prapa” na dha edhe Radio Tirana, e cila nëpërmjet valëve të saj nisi të na i përcjellë edhe artikujt e “Zërit të Popullit” dhe revistave të tjera nga Shqipëria, që ne i konsideronim edhe si qëndrime edhe të shtetit shqiptar.

Duke marrë parasysh edhe vullnetin e popullit në Kosovë dhe kërkesat e tij të ligjshme, duke marrë në konsideratë qëndrimin e shtetit shqiptar në mbështetje të luftës së popullit tonë për barazi e liri në kuadër të Federatës jugosllave, si dhe duke u mbështetur në mësimet që dilnin nga teoria e materializmit dialektik dhe historik, ne përfundimisht u bëmë përkrahës të zjarrtë të kërkesës  “Kosova-Republikë” dhe nisëm përpjekjet për ta dhënë kontributin tonë në realizimin e saj. Pas debateve që bëmë, kërkesën “Kosova-Republikë”, e vlerësuam si një kërkesë e drejtë dhe revolucionare dhe që i hapte perspektivë popullit tonë. Prandaj edhe ne ju bashkuam thirrjes “Kosova-Republikë”!

Ishte një kohë kur ne na duhej ta kuptonim drejtë kohën dhe hapësirën në të cilën po jetonim dhe mbi këto baza të bënim edhe përpjekjet për të gjetur edhe punët që do të duhej t’i kryenim,  me qëllim, që edhe ne të ishim pjesë e zhvillimeve të kohës sonë dhe të përpjekjeve të popullit tonë për liri dhe barazi. Një nga detyrat e para, që “zbuluam”, ishte ngritja e organizimit të radhëve tona në një nivel të ri si dhe përpjekja për zgjerimin radhëve tona. Në këtë mënyrë, e në punë e sipër, shpresonin se do ta arrinim edhe bashkimin e të gjitha forcave dhe energjive revolucionare, që tashmë kishin shpërthyer si një vullkan.

Ishim të vetëdijshëm se kërkesa “Kosova-Republikë” e kishte rritur dhe zgjeruar shumë frontin e luftës sonë dhe se pas kësaj kërkese nuk ishim vetëm ne dhe grupet e organizatat tjera politike që vepronin ilegalisht, por edhe një pjesë e klasës politike shqiptare të Kosovës.

Qëndrimi i Beogradit ndaj kërkesës “Kosova-Republikë” ishte i egër dhe thellësisht antishqiptar. Udhëheqja federative,  ishte dorëzuar para presionit serbomadh dhe në Kosovë, jo vetëm që ishin mbushur burgjet me shqiptarë, por drejt Kosovës ishin nisur policia speciale jugosllave dhe emisarë politikë serbë e shqiptarë, me një qëllim të vetëm, që ta thyenin qëndresën e popullit shqiptar dhe luftën e tij për barazi dhe  republikë.

I ashtuquajturi diferencim ideo-politik, që kishte nisur menjëherë pas demonstratave  të marsit e prillit dhe që synonte t’i përçante shqiptarët dhe frontin e tyre për liri dhe barazi në kuadër të Federatës Jugosllave, po zhvillohej me hov të madh. Kjo e rëndonte edhe më shumë gjendjen edhe ashtu të rënduar.

Politika e represionit të egër serbomadh, që shprehej me burgosje masive dhe dënime shumë të gjata të shqiptarëve, kishte si qëllim jo vetëm “shkatërrimin” e grupeve revolucionare shqiptare, por edhe frikësimin e popullit. Më këtë politikë, serbomëdhenjtë  “ëndërronin” ta mashtronin popullin se gjoja ata janë të pathyeshëm dhe se e kontrollonin në përgjithësi gjendjen!

Përballë këtij terrori shtetëror, me punën tonë, ne na duhej t’i tregonim  popullit se lufta jonë për liri ishte një kala që nuk pushtohet, se pas çdo burgosje, vrasje e mase represive, nga gjiri i popullit lindnin heronjtë e rinj, që dinë  ta çojnë luftën tonë për liri përpara, drejt fitores.

Mirëpo kjo veprimtari ishte shumë e lehtë të thuhej me fjalë, ndërsa ishte shumë e vështirë  të realizohej në praktikë. Prej nesh, kërkohej jo vetëm përpjekje e guxim, por edhe zgjuarsi. Ne duhej të bënim punë dhe të mos gabonim e të binim në burg.

Shpërndarja e shtypit ilegal, si “Bashkimi,” “Lajmëtari i lirisë”, “Liria”, librave dhe materialeve tjera propagandistike nuk ishte e mjaftueshme për t’i treguar popullit se ne vepronim dhe nuk zbuloheshim nga UDB-a. Prandaj gjatë një takimi me Xhemën dhe Ferkiun, vendosëm që ta zgjerojmë aktivitetin tonë dhe të fillojmë me shkrimin e parullave, ku do të dominonte kërkesa “Kosova-republikë!” Kërkesa të tjera si ato që ishin të drejtuara kundër revizionizmit jugosllavë, ishim të mendimit që t’i linim anësh dhe të mos i përdornim në këtë epokë të luftës për liri.

Së bashku me Ferkiun blemë ngjyrë të kuqe metalike dhe vendosëm që t’i shkruanim disa parulla: “Kosova-Republikë” në muret e Shkollë së Mesme “ Muharrem Bekteshi” në Vushtrri dhe në muret e shtëpive të tjera nëpër qytet. Për këtë çështje fola edhe me shokët:  Rexhep Ahmeti, Bedri Selmani dhe Vebi Muja. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Xhema dhe Ferkiu me shokët  e tyre. 

Një detyrë tjetër, që i kishim ngarkuar vetës ishte edhe ndikimi në familje dhe në rrethin ku jetonim në frymën patriotike dhe revolucionare. Ashtu si edhe shokët e mi edhe unë përpiqesha të ndikoja në familjen  time. Unë punoja që Shabani të përgatitej dhe një ditë të kyçej edhe ai në Lëvizje… Skënderi (vëllai im) dhe motrat dhe vëllezërit tjerë ishin ende të vegjël dhe edukimin e tyre në frymën patriotike ia kisha “besuar” RTSh-së!

Megjithëkëtë unë “luftoja” që sidomos motrat të shkonin në shkollë dhe në këtë drejtim puna ime ishte e përditshme. Propagandoja për emancipimin e femrës shqiptare dhe për barazinë gjinore në familje e shoqëri, si dhe luftoja zakonet patriarkale të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Këtë punë, e bëja edhe unë në mënyrë legale dhe kudo ku hyja e dilja. Një ndihmë të madhe në këtë drejtim na e bënte edhe RTSh-ja. Që të shikohej RTSh-ja dhe të dëgjohej radio Tirana propagandoja nëpër të gjitha ato mese ku kishim ndikim. Dalëngadalë e gjithë shtëpia ishte me mua! Edhe  im atë, që ishte anëtar i LKJ-së dhe që besonte se “uji ishte i kthjelltë tek burimi, por vinte duke u turbulluar kur arrinte poshtë tek masa, me kalimin e kohës, ndonëse kishte frikë se do të burgosesha, ishte me mua dhe me shokët e mi. Kjo kishte rëndësi shumë  të madhe për mua.

Mbas një takimi, që kam pasur me Xhemën dhe Ferkiun, u pajtuam që Ferkiu dhe unë të bënim një aksion dhe të shkruanim parulla në mbështetje të kërkesës “Kosova-Republikë”. Në atë takim zgjodhëm edhe vendin e shkrimit të parullave. 

Një mbrëmje, së bashku me Ferkiun, u veshëm me rroba që nuk i përdornim zakonisht si dhe mbathëm këpucë të tjera nga ato që i përdornim vet dhe shkuam në këmbë afër lumit Silnica. Lumin e kaluam në këmbë më qëllim që t’i humbnim gjurmët në rast se policia do të vinte pas gjurmëve tona. Pas pak u futëm në fshatin Lumi i Madh. Shkruam parulla “Kosova-Republikë” dhe “Poshtë tradhtarët!” në muret e Shkollës Fillore të fshatit pastaj u ngjitem deri tek rruga automobilistike Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë dhe edhe aty e shkruam një parullë “Kosova-Republikë” të gjatë sa ishte rruga, pra tërthorazi rrugës, diku katër-pesë metra të gjatë dhe ikëm. Në oborrin e Shkollës Fillore gjendej edhe një kishë ortodokse, por në të nuk shkruam asgjë. Këtë e bëmë sepse me këtë dëshironim t’ju thoshim serbëve nga Kosova se ne nuk kemi asgjë kundër tyre si dhe më qëllim që propaganda serbe të mos e përdorte një akt të tillë si argument për ta nxitur popullatën minoritare serbe kundër nesh.

Njohja me Shyqëri Imerin

Bashkëfshatari im, Bejtë Mustafa, gjatë një takimi të rastësishëm në rrugë, më njoftoi se gjatë një udhëtimi me tren e kishte takuar një student nga Shtitarica, i cili e kishte pyetur për mua. Bejta më tha, gjithashtu, se studenti që e kishte takuar ishte i pllanajve të Shtitaricës dhe e kishte një vëlla të burgosur.

  • Shyqyri Imeri

Disa ditë më vonë, gjatë një  takimi me Xhemën, mësova se kush ishte takuar me Bejtën. Edhe Xhema ma tregoi historinë e bisedës në tren.

Një kohë të gjatë, pas takimit, sa herë e takoja Bejtë Mustafën, më pyeste për Shokun! Ndonëse nuk e pranoja se takohesha me Xhemën, Bejtë Mustafa më thoshte: “Nëse e takon, i bënë të fala!”

Një fundjave, Bejtë Mustafa po e martonte të birin e tij, Kadriun. Ai  sipas zakonit, e ftoi në dasmë, gjithë fshatin, shtëpi për shtëpi.

Në dasmë u nisa së bashku me tim atë. Ende pa arritur tek shtëpia e Bejtës dëgjohej defi dhe zëri i vajzave duke kënduar. Para shtëpisë na pritën burrat dhe na urdhëruan të hynim në odën e mbushur plotë me dasmorë, ku buçiste kënga tradicionale folklorike shqiptare. Im atë u lut të ulej në krye të vendit, pranë burrave më të moshuar, ndërsa unë zura vend pranë moshatarëve të mi. Aty jam takuar dhe njohur me Shyqëri Imerin.

Shyqëri Imeri më njoftoi se ishte nga fshati Dumnicë e Ultë dhe se i ati i tij, ishte nip i Bejtë Mustafës. Gjatë dasmës, e mora vesh se Shyqëri Imeri ishte një nxënës i Shkollës së Mesme “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Gjatë bisedës mësova se ai e dëgjonte rregullisht Radio Tiranën, e shikonte Radiotelevizionin Shqiptar dhe se në shkollë shoqërohej me nxënës të mirë.

Në fund të dasmës u ndamë  dhe u morëm vesh të takohemi pas një jave në Lum të Madh, aty ku bashkoheshin Llapi dhe Silnica, pranë Vigut.

Gjatë takimit të parë kemi shëtitur bregut të lumit Silnica dhe kemi biseduar për shumë gjëra. Në fund të takimit i kam propozuar që të takoheshim serish në të njëjtin vend dhe të vazhdonim kështu të takoheshim edhe për një kohë. Shyqëri Imerin e kam njoftuar se në të kaluarën policia më ka arrestuar në dy raste dhe se nuk është mirë që nëse takohemi në Vushtrri apo diku tjetër të flasim dhe qëndrojmë së bashku.

Kështu kemi bërë në vazhdim. Me Shyqëri Imerin jemi takuar nëpër vende të ndryshme, ashtu siç jemi marrë vesh, por asnjëherë në Vushtrri, asnjëherë në Prishtinë dhe asnjëherë në Mitrovicë.

Gjatë takimeve me Shyqëri Imerin mësova edhe emrat e mësimdhënësve të tij, si  Rrahim Përçuku dhe Zenun Qela.

– Rrahim Përçuku, më tregoi Shyqa, na kërkon, ne nxënëseve, t’i mësojmë përmendësh vargjet e poemës së Pashko Vasë Shkodranit “O moj Shqypni e mjera Shqypni”; gjithashtu ai gjatë bisedave, me ne nxënësit, na flet se ekzistojnë revista dhe libra të ndaluara, të cilat janë shumë interesante!

Shyqa fliste me simpati të madhe, sidomos, për profsorin e tij të gjuhës shqipe, Rrahim Përçuku.

Lidhur me Rrahim Përçukun, e këshillova Shyqën, të tregohej i kujdesshëm dhe të mos ia hapte zemrën. Gjithashtu, e këshillova që t’i këshillonte edhe shokët e tij që të tregoheshin të kujdesshëm ndaj tij. Shyqës i tregova se unë e njihja Rrahim Përçukun dhe se përvoja e shokëve të mi me të na kishte ngjallur shumë dyshime se ai mund të ishte agjent i UDB-ës.

– Unë i njoh disa shokë që kanë pasur kontakte me te dhe ata sot ndodhën ne në burgje, – i thashë Shyqës.

Lidhur me dyshimet që kisha për Zenun Qelën, Shyqës ia dhashë shembullin e Jashar Durmishit:

– Zenun Qela e ka pyetur Jashar Durmishin se kush i ka shkruar inicialet “K-R” në bankën e tij dhe meqë Jashar Durmishi nuk i kishte dhënë ndonjë emër, Zenun Qelaj i jep besën  Jashar Durmishit  se shkruesi i inicialeve nuk do të ketë kurrfarë pasojash. Pas kësaj, Jashar Durmishi e pranon se është ai vet që i ka shkruar inicialet “K-R”. Menjëherë pas pranimit, Zenun Qelaj e lajmëron Jashar Durmishin tek drejtori dhe pas kësaj Jashar Durmishi përjashtohet nga shkolla.

Lajmet që ia dhashë Shyqës e befasuan dhe  i mori ato seriozisht. Këtë qëllim kisha edhe unë.        

(VIJON)

© Pashtriku.org

___________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (20)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura