Prishtinë, 05. 05. 2015 – Sipas shkrimit apostulik të krijuesve të Qarkut të Prishtinës, për shkak të Shqipërisë, Nënës Mëkatare, shpëtimtarët qarkaxhinj, bij të saj të deridjeshëm, ishin të detyruar ta mohonin dhe t’i vinin zjarrin shtëpisë së përbashkët e emrit të përbashkët.
Në shkrimet pararendëse të këtij libri jam përpjekur të zbardhë prapësitë e Ministrisë së Kulturës. Kjo asnjëherë s’u mor me problemet madhore të artit e të kulturës dhe as me dramat e krijuesve, që i kish shkallmuar aparteidi deri në palcë. Ministrat e saj, veçan gjatë kohës së sundimit të UNMIK-ut, erdhën kryesisht nga LDK-ja, ose siç e quanin me shaka Lëvizja për Qyqërim Paqësor. E kjo parti e sqimës dhe e graciozitetit, siç kish dëshirë ta thërrisnin, vetëmjaftohej me pandehmën se ishte lulja e tumulja e etnisë në këtë Shqipëri të Epërme. Prandaj vetëm duhej të rrinte nën hije manxuranash dhe të kujdesej për “gjenitë” e Qarkut të Prishtinës: t’u jepte privilegje, çmime, favore e para. Kryesorja këtyre të mos u mungonte gjë. Kohën që i tepronte do t’u këndonte psalme sundimtarëve të botës dhe pastaj do t’i binte fyellit. E kur t‘i lodheshin gishtërinjtë, do të binte në gjumin profetik. Të tjerat ishin punë për sundimtarët e botës, që nga mëkëmbësi e deri te sekretari i OKB-së.
Ndonëse në shikim të parë duket paradoksale, megjithatë mendësia e Lëvizjes për Qyqërim puçej në masë të madhe me qëllimin e kolonialistëve të rinj: derisa sundimtarët e UNMIK-ut mision parësor kishin gjuetinë e pashpirtë mbi ish-ushtarët e UÇK-së dhe shlyerjen e kujtesës historike të popullit shumicë, demokratët e Lëvizjes për Qyqërim Paqësor luftonin për ndarjen më dysh të letërsisë, të traditës e të kulturës dhe për krijimin artificial të një identiteti të ri. Thashë se duket paradoksale në shikim të parë, ngaqë këta apostuj të paqes hiqeshin të djathtë, domethënë mbrojtës të devotshëm të traditës. Megjithatë, ndarjen e kombit në dysh, në mënyrë shumë finoke, e kishin projektuar më herët, gati njëzet vjet përpara se të themelonin Lëvizjen e Qyqërimit Paqësor. Pastaj rrjedhimisht çdo gjë vetë do të binte në shtratin e mendësisë së tyre feudale, kur kurorën e sovranit do ta merrnin hirësitë e Qarkut.
Kjo nuk është kurrfarë përralle e stisur nga rivalët. Fatin e Qarkut e të qarkaxhinjve dhe rrjedhimisht fatin e Shqipërisë së Epërme, e kish shkruar në kartë vetë Inkuizitori i Madh. Madje myhibët e tij i kishin rënë tamburesë dhe e kishin shpallur publikisht: “Fenomeni letrar i quajtur Qarku letrar i Prishtinës, kulturalisht e tipologjikisht, lidhet me traditën e modernitetit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX, me bashkëkohësinë kulturore e letrare evropiane e përtej, dhe diferencohet vetë si një shkollë e trashëgimi letrare”. Myhibët e Inkuizitorit të Madh (njëri nga ata një ditë do të bëhej Kalorësi Katërt i Apokalipsit), do të vazhdonin ta shpleksnin historinë e tyre prej shpëtimtarësh: “Ky qark e shpëtoi letërsinë e Kosovës, kur zbuloi nga fillimi traditën letrare shqiptare dhe kur iku hapur nga realizmi socialist, të cilin Shqipëria komuniste tinëzisht e shpallte ideologji nacionale.” Pastaj myhibët vazhdonin rrëfimin e lavdisë së vet: “…autorë të Qarkut të Prishtinës, kur po rrezikohej qenia nacionale e shqiptarëve të Kosovës, nga shkrimtarë e mendimtarë, u bënë veprimtarë.” Pra, myhibët e Inkuizitorit të Madh do të shpallnin mbylljen e kurbës së vetë si shkrimtarë dhe hyrjen në kurbën e veprimtarëve politikë:“…Qarku letrar i Prishtinës u shfaq në fundin e viteve ‘60 të shekullit të kaluar, mbretëroi përgjatë viteve ‘70 dhe u përmbyll me fundin e dekadës së tetë, kur elita letrare e Kosovës u bë edhe elitë politike. Kështu, ky Qark nisi si fenomen kulturor e letrar dhe u përthye në veprim nacional.”
Në këtë tekst të cituar apostulik, lexohet lehtë profetizimi i qarkaxhinjve: fillimisht ndarja e kulturës dhe letërsisë nga trungu në emër të ideologjisë (si shpëtimtarë, ishin të detyrar të ndaheshin nga trungu letrar shqiptar, pasi që Shqipëria e kish shpallur “realizmin socialist si idologji kombëtare”) dhe pastaj, pas metamorfozës së elitës letrare të Qarkut në elitë politike, shpalljen e feudës të mëvetësishme, marrjen e pushtetit dhe më në fund shndërrimin e gubernës në pronë private. Në mos asgjë tjetër, kjo ndarje ishte plangprishësi antihistorike, ngaqë sfidonte hapur idealin kolektiv qindravjeçar të shqiptarëve.
Krejt kjo çon te pandehma se qarkaxhinjtë qenë lajmëtarët më herakë të lindjes së kombit të shpifur “kosovar” dhe gjithashtu kumtarë se të dy dialektet e shqipes një ditë do të bëheshin gjuhë më vete. Këtë do ta bënin, sipas shkrimit apostulik, për shkak të gabimit fatal të Shqipërsisë që realizmin socialist e pati shpallur “ideologji nacionale”. Pra, për shkak të Shqipërisë, kësaj Nëne Mëkatare, këta shpëtimtarë do t’i vinin zjarrin shtëpisë së përbashkët e emrit të përbashkët dhe rrjedhimisht do të ndanin përgjysmë historinë, traditën, kulturën, eposin, madje dhe jetën e vdekjen. Kishin harruar, megjithatë, se Shqipëria e shqiptarët nuk ishin skrraja shiu, që do të mund të ndaheshin me një të prerë në mes.
Qyshdo që të ketë qenë, të katër ministrat, që do të mbanin shenjën e Kalorësve të Apokalipsit dhe që gjithmonë do të vepronin sipas kësaj mendësie, i drejtoi nga prapaskena vetë Inkuizitori i Madh. Prandaj këta Kalorës nuk bënë, madje, as përpjekjen më të vogël që flamuri ynë shtetëror të kish bile ndonjërën nga ngjyrat kombëtare dhe as himni të përmbante qoftë një shkulm drite nga shpirti i etnisë.
KALORËSI I PARË: “Erdha e shkova pa e kuptuar ç’po bënin me mua”
Kalorës i Parë, një nga militanët e Lëvizjes për Rrahje Paqësore, me profeson ekonomist, skajshmërisht i ndershëm, i urtë e paqësor, gati asnjëherë nuk e mori vesh përse i dhanë titullin e Kalorësit. Nuk kuptoi gati kurrgjë as kur i deleguari i Inkuizitorit të Madh me orë i çuçuriti në vesh se çfarë guxonte të bënte dhe çfarë nuk guxonte. Do të ishte blasfemi po qe se do t’u jepeshin para, pozitë, apo qoftë larg, çmime të vetëquajturve krijues jashtë Qarkut, ngaqë të mençur, madje më gjeni se Solomoni, mund të ishin vetëm qarkaxhinjtë. Kalorësi ministër, ndonëse bëri atë që i thanë, asnjëherë s’mundi ta kuptonte si mund ta përcaktonte fuqinë krijuese dhe shkallën e mençurisë të qenit në një Qark. Për fatin e tij të keq, këtij Kalorësi i qëlloi për këshilltar një poet i talentuar, por tepër finok, që i falej vetëm Perëndisë së Parasë. Ky i çuçuriti në vesh se në këtë kohë, popullit të porsadalë nga zezona, më së shumti i duheshin mbretëreshat e bukurisë. Këtij populli hëpërhë i duhej gëzimi e ngushëllimi, që të mund t’i shërojë plagët e luftës dhe këtë mund t’ia sillnin vetëm shtojzovallevet e magjishme, i tha këshilltari finok. Prandaj s’duhet të kurseheheshin paratë veçan për karnavale mbretëreshash. Madje, nimfat do të bëheshin frymëzim i pashterrshëm për poetët. Pra nesër, fill pas karnavalit, do të kemi qindra libra poezish në mendjen e poetëve. E sheh? Me një gur vrasim dy zogj. E vetë ti, Hirësi, do të mbahesh mend dhe do të hysh në histori si ministri me mendjen më pjellore. Madje, ke për të parë, për këtë do të të mburrin shumë miqtë ndërkombëtarë. Kështu i tha poeti finok dhe ministri e besoj, ngaqë kultura i dukej më e panjohur se vetë xhungla e Amazonës. Ministri i gjorë Kalorës, pa e marrë vesh ç’po bëhej me të, pa u hamendur i dha paratë që i kërkuan. Por, ende pa nisur karnavali, i thanë se paratë s’mjaftonin as për gjysmën e fustaneve, të stolive e të manikyrit dhe sërish kërkuan para shtesë. Fshehurazi, finoku bënte pazare me organizatorët dhe qeshte duke futur në xhep përqindjen që u kish zhvatur. E u kish marrë hiç më pak se tri të katërtat e shumës.
Sherri plasi kur Mbretëresha e Bukurisë i hyri ministrit në zyrë dhe i kërkoi automobilin e shtrenjtë, që i kishin premtuar.
“Unë s’ditkam gjë”, – u çudit Kalorësi i Parë, – “kush të paska premtuar?”
“Ai, pra, këshilltari yt. Dhe unë i besova. Dhe unë i dhashë atë që më kërkoi. Dhe nuk do të lejoj të më shkojë humbur djersa e derdhur.”
“Zonjë”, – u nxeh Kalorësi, -“Ministria nuk jep llogari për allishverishet private.”
“Zonjushë!” – e korrigjoi Mbretëresha.
“As zonjushave nuk u paguajmë atë që u premtojnë sevdallinjtë“, – i mëshoi zërit Kalorësi. – “Jemi Ministri e administrimit ndërkombëtar. Kupton ti? I përgjigjemi vetë mëkëmbësit të sekretarit të pëgjithshëm të OKB-së. S’i thonë shaka?”
“Atëherë u dashka të përgjigjet vetë sekretar i OKB-së për nderin tim të humbur!” – u hodh Mbretëresha. Ministri sakaq u ngrit dhe pa thënë asnjë fjalë, e pa nga koka te këmbët. Pas pak doli qetë-qetë. Kur po zbriste në fund të shkallëve, urdhëroi rojën e sigurimit të ngjitej në zyrën e tij dhe ta nxirrte Mbretëreshën jashtë.
Të nesërmen, në dhjetë padadite, e përzuri këshilltarin dhe deri në fund i shërbeu vetëm Inkuizitorit të Madh.
KALORËSI I DYTË: “Mburrem që kurrë s’lexova asnjë libër”
Kalorësi i Dytë, Ministri me Vath, mbeti më i papërsëritshmi në këtë histori Kalorësish. E para, qe i vetmi Ministër me Vath i Kulturës në krejt botën rrumbullake ku kish shtete dhe ku kish popuj që pretendonin se kishin kulturë. E dyta, qe i vetmi Ministër i Kulturës në botën në formë pjepri, që s’kish lexuar asnjë libër, madje as “Postën e porositur” të Mark Krasniqit. Dhe sërish qe i vetmi që mburrej që s’e kish lodhur mendjen me këto shkarravina shkrimtarësh, ngaqë kish qëlluar mjaft i mençur. Bile kish frikë se po të habitej dhe pahiri të shfletonte ndonjë libër, sakaq do t’i ikte mençuria. Ky Kalorës mburrej gjithashtu se ishte më i patriot se Adem Demaçi. Për kapardisjen prej patrioti, përveç tek-tuk ndonjërit në partinë e vet, të tjerët nuk e besonin. Por, Vathi kish argumente. “Më thoni, i mëshoi zërit Ministri me Vath, a mund të ketë dikund në botë atdhetarë jashtë elitës politike të Qarkut? Jo, këtë e dinë edhe milingonat. Dhe a ka mundur Adem Demaçi të hyjë në këtë elitë? Jo, edhe këtë e dinë krejt zogjtë e laraskat. Kot ndenji në burg njëzet e tetë vjet, kur s’deshi të bëhej i mençur dhe tash kurrë kurkush s’do t’ia hap dyert e Qarkut.”
Dhe derisa kundërshtarët heshtën kokulur, çoi zërin Inkuizitori i Madh dhe e thirri Vathin në interpelancë.
“Pse flet marrëzira?” – i bërtiti me drithërima koke majtas-djathtas. –“Kush të ka thënë se je në elitën politike të Qarkut? Duhej ta kishe mbajtur mend se ajo ishte fillimisht elitë letrare, pastaj u bë elitë politike. E ti që s’e ke lexuar as “Postën” e plakut Mark, ku ta merr mendja se mund të hysh në elitë?”
“Unë jam brenda” – tha Kalorësi me Vath. –“Kur erdha në këtë botë, vetë Rugova m’i preu flokët dhe më premtoj se kur të rritesha, do të më merrte në Qark. Jo në atë tufën letrare, ngaqë njëmend s’kisha lexuar asnjë libra, po në këtë të dytën, grigjën politike, sepse vetë Zoti më bëri për sundimtar.”
“Nuk e di si ke lindur, por e di se ke mbetur rrugaç. Por, haje në paqe bukën e shërbëtorit, mbasi t’i paska prerë flokët ai. Dhe vazhdo t’i përbuzësh sa më shumë këta të shpifurit si shkrimtarë, muzikantë, aktorë. Nuk duhet të ketë krijues jashtë Qarkut! Këtë mbaje mend! Pastaj, kur të vijë koha dhe kur ta kemi bërë me ligj këtë gubernë pronë tonën, në qoftë se mbetet ndonjë pahiri, do ta dëbojmë me stap. Tash për tash, derisa ta kemi UNMIK-un nëpër këmbë, lufta duhet të ketë brenda ferrin, ndërsa jashtë kurtuazinë diplomatike.”
“Kam bërë krejt ç’më urdhëruat, Hirësi: i hodha me qindra në rrugë dhe i lashë të bridhnin e të vdisnin si qentë. Madje, as kur vdiqën, s’më shkoj mendja t’i ngushëlloja. Le ta kuptonin se kishin lindur mëkatarë dhe po vdisnin po kaq të përbuzur, derisa s’kishin denjuar t’i mëgjunjeshin brerores suaj prej gjeniu.“
“Megjithatë, ende s’e ke bërë as gjysmën e punës.”
“E çka? E shpalla poet nacional Rren Hajdutin, ndonëse të gjithë e dinë se vjershat pikë për pikë i kish vjedhur nga ai poeti frëng. Ia dhashë, madje, çmimin e gjeniut, siç më urdhëruat, edhe Makushit të Makocit, të cilin Mëhalla e Hudumit në Gjakovë s’do ta honepste as për mushk për t’ua çuar zonjave tinarët me mazë në shtëpi kur t’i blejnë nga katundarët.”
“Ty të ka mbetur të vlerësosh cili poet qenka plagjiator, kush gjeni mushk e kush kalë i fismë? Ty, që s’e ke kexuar as “Postën”, madje s’e ke parë me sy as filmin vizatimor “Liza në botën e çudirave”? Se po ta kishe parë bile këtë të fundit, do të kuptoje se çudirat ndodhin pikërisht përtej mendjes tënde varfanjake!”
Inkuizitori i Madh ishte nxehur shumë. Ministri me Vath e kuptoi vetëm kur pa t’i ngriteshin lart dy bishtrat e mustaqeve. Prandaj vendosi të mbyllte gojën dhe të mos e hapte më deri në fund të mandatit.
KALORËSI I TRETË: “Unë jam Dionizi vetë”
Një të mërkurë me cikna hipi në fronin e ministrit të Kulturës Kalorësi i Tretë nga Lëvizja për Rrahje Paqësore.
Emrin e këtij Kalorësi opinioni e kish dëgjuar tek-tuk si përkthyes dhe sidomos si zëdhënës të Ekipit të Unitetit. Për komunitetin e krijuesve ai qe gati anonim. Thashë gati, domethënë jo krejt i panjohur, ngaqë ky pati dalë në faqet e gazetave, sidomos në rubrikat e humorit, kur njëherë, si anëtar i Ekipit, pas negociatave të lodhshme me serbët, porositi një shishe verë prej 300 eurosh, që e pagoi me buxhetin e këtij atdheu të vuajtur. Krijuesit, prandaj pyetën të habitur: meqë zoti ministër s’ka as vepra, as bëma në veprimtaritë kulturore (në qoftë se s’merret kulturë pirja e verës së vjetër), në ç’merita e mbështeti Lëvizja për Rrahje kandidimin e tij? Pikërisht këtu gabonin të shtrenjtët kolegë! Partia, që hiqet si ruajtëse e traditave, madje herë-herë ringjallë rituale të lashta, e mori pirjen e verës së vjetër nga Kalorësi si shenjë të identifikimit të tij me Dionizin dhe që nga ai çast s’u hamend më ta hipte në fron. Partia që e mëkoi dhe e rriti si militantin më të devotshëm (thoshin se kish mbetur shtatshkurtër pikërisht nga malli zhuritës për Lëvizjen), mendoi se e kish gjetur pikërisht njeriun që i dukej kulturës: pirësin e verës së shtrenjtë dhe rrjedhimisht adhuruesin e perëndisë së bimësisë, rakisë dhe vitikulturës, që do të thoshte se krijuesve do t’u jepte të pinin me ibrik e me bucelë, mjaft që të deheshin dhe të mbeteshin të pirë derisat’u vinte koha për të vdekur.
Megjithatë, të mërkurën, kur shkatvogli Kalorës hipi në fron, krahas verës së bekuar që do të na jepte, m’u kujtua një libër dhe tregimi “Mbreti e Kryeministri”, që kish një fabulë të rrallë: një katund që mëtonte të dilte më vete, domethënë të bëhej mbretëri. Kryeplaku i katundit, që e kish bërë mend të bëhej mbret, emëroi kryeministrin dhe e urdhëroi atë të formonte qeverinë. Puna shkoi mbarë deri në çastin kur i kryeministri u desh të emëronte ministrin e Kulturë. Atëherë i ra ndërmend se kandidati për ministër, dinte më pak se 36 shkronja.
“S’ka gjë”, tha kryeplaku, “mjafton të thërrasë me zemër “rroftë mbreti” dhe t’i dijë aq shkronja sa të formojë këto fjalë. Madje, në qoftë se është nevoja, ne do të ndryshojmë edhe albabetin.”
“Qysh?”, pyeti kryeministri.
“Do ta bëjmë me aq shkronja sa i di ministri.”
Këtë dialog e bënë heronjtë e tregimit “Mbreti e Kryeministri”, në mbretërinë që s’mbërriti të formohej kurrë.
KALORËSI I KATËRT: “Një ditë do t’ju përzë nga guberna jonë”
Vetëm kur hipi në fron Kalorësi i Katërt i Apokalipsit, Inkuizitori i Madh mundi të flinte zbathur. Ky Kalorës me stinë e mote i kish hapur vetes udhë drejt fronit. Që në fillim, kur Lëvizja për Rrahje Paqësore mbeti në opozitë, i kish bërtitur me zë të lartë pararendësit, ministrit të Partisë së Hashimçinjve, se po i bënte gropën kulturës, ngaqë vetë kish qëlluar pa kulturë. Madje thoshin se nga e bërtitura e madhe, pati dhe një çarë truri. Ç’është e vëreta, ministri i Hashimçinjve s’kish bërë ndonjë mbarësi për t’u mbajtur mend, por as nuk i kish ndarë në vathë të veçantë tufën e krijuesve hashimçinjistë nga tufat e tjera. Të gjithë i kish lënë të kullosnin bashkë, të bisedonin, të përlaheshin e të gëzoheshin. Madje bashkë dhe mund të vdisnin. Bile dhe kur të vdisnin, mund t’i këndonin elegji shoqi-shoqit sa të mjerë dhe të humbur kishin qenë. E pikërisht kjo po e bënte Kalorësin e ardhshëm t’i rridhte mendja pikë-pikë: ku ishte parë të liheshin në të njëjtën lëndinë shkrimtarët e Qarkut, pra vetë lulja e qytetësisë së gubernës, me të vetëquajturit shkrimtarë ruralë, që ende metaforë për flokun e gruas kishin rremetën e ahut? Pra, t’i lije në të njëjtin lëndinë lulen solomoniane me ruralët barbarë, ishte më shumë se mëkat.
Prandaj, Hirësia Kalorës, ditën që u ul në fron, pati një takim kokë më kokë me Inkuizitorin e Madh. Biseduan prapa dyerve të mbyllura, natyrisht, andaj gjithçka mbeti nën vellon e konfidencës. Megjithatë Kalorësi foli një fjalë në ndarje e sipër nga Inkuizitorin i Madh. Tha se deri tash kishin qenë modestë për së tepërmi, andaj ruralët barbarë ua kishin keqpërdorur mirësinë. Tash e pas, megjithatë, secili do të ulej në vendin që i takonte: barbarët, që e quanin veten krijues, hëpërhë do t’i linte të mallonin të lirë lëndinave të atdheut, ndërsa krijuesit me brerore të Qarkut do të zinin vend në panteon, aty ku u kish vendosur fronin vetë Zoti.
Dhe menjëherë nisi t’i kthente gjërat për së mbari: dërgoi me urgjencë ekzekutorët në Teatrin Kombëtar. Këta, ekzekutorët, në kundërshtim me frymën paqësore të Lëvizjes për Qyqërim, i nxorën zvarrë jashtë të dy drejtorët bashkë me bordin drejtues duke i sjellë menjëherë qarkaxhinjtë në vend të të dëbuarve. Ndonëse në fillim sjellja ca e vrazhdë e ekzekutorëve të Kalorësit shkaktoi habi, të nesërmen u pa se kish qenë një strategji e mençur: shumë nga udhëheqësit hashimçinjistë të institucioneve ikën vetë duke ia dhanë vrapit me sa u hëngrën këmbët, përpara se t’i tërhiqnin zvarrë. Dhe gjithashtu në vend të tyre, pa e pritur emërimin zyrtar, ia behën qarkaxhinjtë.
Kalorësi i Katërt, duke marrë zemër nga ofensiva e shpejtë në Teatër, bëri hapin tjetër të mençur: krijuesve dhe asociacioneve të tyre ua ndau paratë sipas peshës që kishin në universin artistik të gubernës. Për shembull, Lidhjes së Shkrimtarëve, që kish 300 frymë brenda dhe që ende shihej si reprezentuese e shkrimtarëve të Republikës, i ndau më pak para se njëfarë shoqate anonime të katundit të humbur Neperbisht, madje shumë më pak se shoqatës private të rapsodit Halim Ziu të Qallapekut. Dhe tha se më me dëshirë nuk do t’i kish dhënë asgjë, sikur kryetarja e shkrimtarëve të mos kish qëlluar e Partisë së Hashimçinjve, me të cilën, fatkeqësisht, ishin në koalicion. Kryetarja, nga ana e saj, sakaq vuri në njërën anë të peshores mallin për Partisë e Hashimçinjve dhe në anën tjetër hodhi 300 shkrimtarët lakuriq. Dhe kur pesha e shkrimtarëve doli më e pakët, kuptoi se ruajtja e aleancës së Hashimçinjve me Lëvizjen e Qyqërimit Paqësor, kish urtësinë e thënies hamletiane “Të rrosh a të mos rrosh”. Prandaj pa u hamendur vendosi t’u grahte shkrimtarëve drejt altarit të flijimit, madje sikur të ishin mëzorë të vërtetë. Më vonë, në konferencën për shtyp, tha me gjysmë zëri se zoti Kalorës, megjithatë, do të duhej të ishte treguar një çikë më i mëshirshëm kundruall shkrimtarëve. Pra, të mos i bënte me vaj, ngaqë ata janë të prekshëm dhe ia marrin të qarës si fëmija. Qyshdo që të jetë, gjithmonë qeveria i di punët më mirë se populli, prandaj edhe shkrimtarët janë popull, madje krejt lakuriq.
Kalorësin e Katërt e çuditën për të mirë fjalët plot sqimë të kryetares. Së paku zonja e parë e shkrimtarëve e dinte se kish ardhur koha që shpirtin e këtij populli proletar ta linte në duar të Qarkut. Shkrimtarët ruralë, ndërkaq, për shembull këta të LSHK-së, nxinin kot letrën me rremetë metaforash prej ahu duke e bërë gruan më të vrazhdë e më epike. Domethënë në kundërshtim me natyrën e saj.
Kalorësi i Katërt, megjithatë, shumicës së shoqatave të krijuesve, që e hiqnin veten gërxhelinj të vërtetë të artit, nuk u ndau asnjë cent. U mblodhën artistët dhe bërtitën me zë të lartë se nuk do ta duronin më një ministër të tillë mospërfillës. Madje kërkuan nga kryeministri që ta shkarkonte urgjentisht. Kryeministri kish qenë në gjumin profetik, kur e zgjoi britma e kokëkrisurve. Dhe u çudit sa njerëz të papërgjegjshëm kish bota shqiptare: ta nxirrnin gjumin, madje, për një gjë aq të kotë, siç ishte puna e artit!
Vetë Kalorësi, si dëgjoi thirrjen për shkarkim të kokëkrisurve, shkoi urgjentisht të takonte Inkuizitorin e Madh.
“Hë? Ke frikë? Po ti bëre atë që do të duhej ndodhte kaherë. Qentë lehin, karvani ecën. Dhe tash dëgjo! Qarku duhet të mbërrijë patjetër në cak!” Kaq tha Inkuizitori i Madh, pastaj i çuçuriti gjatë në vesh. Kalorësit të Katërt pak nga pak iu kthye hareja.
Kurrkush nuk e di ç’i pëshpëriti Inkuizitori i Madh Kalorësit të Katërt të Apokalipsit, por të gjithë thonë se ministri qysh atë ditë u ul dhe hartoi tekstin, që do ta shpallë me daulle e me trumpetë ditën që kjo gubernë të bëhej me ligj pronë private e Lëvizjes për Qyqërim Paqësor. Megjithatë, përpushësit e sofistikuar kanë arritur ta lexojnë tekstin, madje ta mbajnë mend pikë për pikë:
“Urdhërohet që urgjentisht të ikin nga guberna jonë të vetëquajturit shkrimtarë, artistë figurativë, muzikantë e aktorë. Të ikin, ngaqë me artin e tyre të shpifur po ia pakësojnë dritën fjalës, po ia zbehin ngjyrën pikturës, po ia rrëzojnë oktavat këngës, po ia vjedhin gëzimin lojës. Ata që s’do të ikin vetë, do të marrin dhjetë stapinj kurrizit dhe do të dëbohen. Ata që kthehen vjedhurazi pas dëbimit, do të marrin tridhjetë stapinj dhe sërish do të dëbohen. Ata që zihen për herë të tretë me presh në dorë, do të marrin njëqind stapinj shpinës dhe do të dënohen me skllavëri të përjetshme. Kjo gubernë është prona jonë dhe prona është e shenjtë. Prandaj nuk do të lejojmë që kjo të barbarizohet.”
Megjithatë, përpushësit e sofistikuar kanë parashikime të zymta. Thonë se këtë urdhëresë Kalorësi i Katërt i Apokalipsit nuk do ta shpallë kurrë. “Lëvizja për Qyqërim Paqësor”, – thonë përpushësit, -”s’ka fuqi t’i sundojë gratë e veta, e lëre më ta bëjë gubernën pronë private.”