GJOKË DABAJ: EVROPA E MREKULLIVE DHE DEMONËT BRENDA SAJ

Tek po e përcjellim mënyrën se si po e pranon Evropa Sërbinë në “federatën” e vet, madje me procedurë të shpejtuar, në mendje po na vijnë gurët, shkëmbinjtë, që ky kontinent ia ka hedhur dhe po vazhdon t’ia hedhë vetëvetes mbi shpinë. Në të gjitha kohët, sa herë që ka lejuar të udhëhiqet nga pjesët e veta negative, jolargpamëse, ky kontinent ka hedhur male gurësh përmbi vete, i ka çuar në mjerim popujt e vet, i ka futur në luftëra popujt e vet dhe e ka shkatërruar e rishkatërruar veten pa pushim.

Evropa, simbol i progresit gjithnjerëzor! Kotinenti i kulturës së lashtë dhe të re! Me qytete të madhërishëm! Me rrugë, hekurudha, porte, tunele, aeroporte, ura të bukura, lumenj të sistemuar, herë shkumbues e të shpejtë, herë të qetë e të lundrueshëm, plantacione, toka të zbukuruara, pyje pushimndjellës! Të gjitha së bashku ia krijojnë njeriut idenë e parajsës në Tokë. Kontinenti ku njeriu ka shanse të ushtrojë talentin e vet, të bëjë karrierë, të bëhet i famshëm, të bëjë para. Kontinenti që jep shembuj se si ndërtohet shteti, shembuj të ligjvënies e të ligjzbatimit, shembuj të administratës model korrektësie. Kontinenti i universiteteve mijëvjeçarë, i librit, i diturisë, djepi i iluminizmit, i enciklopedistëvet dhe i enciklopedivet, djepi i shkencës, djepi i idevet, i filozofëvet dhe i filozofisë, i teknikës, i teknologjisë, djepi i artevet. Muzikë, pikturë, letërsi, arkitekturë! Të gjitha i ke aty!

Por ja që edhe demonët janë aty! Evropa e luftëravet! Evropa e shkatërrimevet! Evropa e krizavet ekonomike e financiare urievdekjesjellëse! Shpeshherë gjeneruese e padrejtësivet nga më të papranueshmet! Mjafton të kalojmë nëpër kujtesë vetëm disa nga luftërat dhe të lemerisemi. Luftëra 30-vjeçare, luftëra 40-vjeçare , luftëra antiosmane të pasuksesshme, luftëra napoleoniane vaterloase, luftëra ballkanike shqipërishkatërruese, 2 luftëra botërore (ndezur dhe djegur pikërisht këtu në kontinentin tonë), midis tyre një luftë e Spanjës, më në fund, edhe lufta që e bëri Sërbia, për fat, penguar vetëm në fund nga ndërhyrja thuajse personale e një Bill Klintoni!

Këto po na vijnë nëpër mendje, tek po e përcjellim mënyrën se si po e pranon Evropa Sërbinë në “federatën” e vet, madje me procedurë të shpejtuar.

 

 

Ne, në parim, nuk jemi kundër, që edhe Sërbia të bëhet dikur pjesë e Bashkimit Evropian. Por jo kështu! Bashkimi Evropian duhet të mendohet mirë, para se ta pranojë në formacionin e vet këtë shtet historikisht keqbërës dhe historikisht destabilizues.

Mirëpo, me ç’po shihet, Evropa, pikërisht në këtë rast, nuk po mund të çlirohet prej demonëvet të vet, të Mesjetës dhe të Pasmesjetës. Po bëjmë dy krahasime dhe po bëjmë pyetjen: Pse 2 qëndrime, ndryshe ndaj Gjermanisë së Pasluftës së Dytë dhe ndryshe ndaj Sërbisë së Pasbombardimit prej NATO-s?!

Pas Lufës së Dytë Botërore, Gjeranisë iu desh të paguajë reparacione për dëmet që u kishte shkaktuar Evropës dhe Botës. Gjermanisë, për denim, iu desh të ndahet dhe të rrijë e ndarë më dysh gati gjysmë shekulli. Oficerët hitlerianë, ish-nazistë, u gjurmuan për vite me radhë, deri në Brazil e Argjentinë. U kapën dhe, natyrisht, me të drejtë, u nxorën në gjyqe dhe u dënuan. (Kujto procesin e Ajhmanit.) Sërbisë nuk iu kërkua asgjë e ngjashme. Pse?

Është e vërtetë që Sërbia nuk shkaktoi dot një luftë botërore. (Nuk e shkaktoi dot, po themi. Pëndryshe, do ta kish djegur krejt Botën.) Por një luftë të përmasavet ballkanike e bëri aq të përbindshme, sa i gjakosi jo më pak se 3 popuj. Vrau mbi 200 mijë njerëz, ndoshta 300 mijë, pa i pasur ata njerëz kurrfarë borxhi Sërbisë. Pa pasur as më të voglin faj! Pa i bërë asgjë të keqe, as Sërbisë, as dikujt tjetër! Për të vetmen arsye se nuk ishin pravosllavë, sërbët vranë mijëra myslimanë, bashketnias të vet, sepse flasin të njëjtën gjuhë. (Kujto Srebrenicën.) Vranë edhe qindra apo mijëra kroatë, për të vetmen arsye se ishin katolikë e jo pravosllavë. (Kujto Vukovarin.) (Edhe me ata flasin pothuaj të njëjtën gjuhë.) Vranë, nga fillimi deri në fund, mijëra shqiptarë. I dëbuan 1 milion shqiptarë prej atdheut të vet. (Shqiptarët i kanë, jo 1, por DISA Srebrenica, pa ndërprerje, që nga shekulli XIX e deri në vitin 1999, shkaktuar pikërisht prej Sërbisë.) Më në fund, a s’janë sërbët ata që krijuan në Gadishullin Ballkanik një tablo llahtarisht tronditëse varrezash kolektive? Megjithatë, atyre nuk iu kërkua thuajse kurrfarë llogarie dhe nuk u zbatua ndaj tyre asnjë lloj sanksioni.

 Evropa, për të gjithë këta krime, që ishin genocid i pastër, i kërkoi Sërbisë gjithsej nja 2 apo 3 kriminelë. A sanksione janë këta? (Të gjithë kriminelët e tjerë ia la të lirë! Rrojnë të lirë nëpër Beograd a nëpër qytetet e tjerë të Sërbisë! Pinë shlivovicë dhe këndojnë këngë shoviniste nëpër kërçmat e panumërta të Sërbisë. Ceca e Arkanit u bën koncerte dhjetëramijëevroshe.) Ndërkaq, Evropa (Jo ajo e bukura, jo ajo e mrekullivet gjithpëlqyese, por ajo tjetra, ajo e demonevet!) u bën ftesë atyre vrasësve, u bën thuajse lutje, për t’iu bashkuar “së ardhmes së saj të ndritur”. A mund të bëhet e ndritur e ardhmja e Evropës mbi të këtilla shtylla të kalbura?! Nuk i vrasin dot 2 apo 3 vetë 200 mijë apo 300 mijë njerëz! Le të bëjmë vetëm një llogari fare të thjeshtë! Po e zëmë sikur secilit vrasës i ka takuar të vrasë mesatarisht 5 njerëz (boshnjakë, shqiptarë apo kroatë). Për të “realizuar” 250 mijë viktima, 250 mijë vrasje, Sërbisë, përfshirë edhe pravosllavët e Bosnjes, madje edhe malazezët, i është dashur “të aktivizojë” TË PAKTËN 50 mijë vrasës. Na del, kështu, që në kombin sërb (dhe midis pravosllavëvet të Bosnjes, si edhe në kombin malazias), sot jetojnë, janë gjallë, punojnë diku ose marrin pension, E PAKTA 50 mijë vrasës! Janë E PAKTA 50 mijë vrasës, por janë edhe E PAKTA 5 milionë sërbë që ata vrasës i quajnë patriotë. Madje heronj. A e keni dëgjuar nënën e Radovan Karaxhiqit se si mburrej para gazetarëvet? “Djali im është hero!”? 50 mijë nëna vrasësish mburren sot (në heshtje ose me zë të lartë), para vetes dhe përpara Evropës, si nëna patriotësh, si nëna heronjsh! A keni parë ndonjë demonstatë në Beograd kundër genocidit në Bosnje apo në Kosovë, të atillë siç bëheshin në Nju Jork e në Vashington kundër luftës në Vietnam, ose siç bëheshin në Evropë kundër aparteidit në Afrikën e Jugut?! Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë që në Sërbi ka ende pak njerëz me kulturë progresiste perendimore.

Evropa i di këto gjëra. Evropa e di shumë mirë ç’është Sërbia dhe prapë i lutet. Nuk i kërkon llogari për krimet, por i lutet. Ironikisht do ta formulonim kështu lutjen që i bën Evropa Sërbisë: “Hajde, bëhu pjesë e “federatës” sonë dhe “rregulloje” EDHE “federatën” tonë ashtu siç e pate “rregulluar” Federatën e Jugosllavisë”!

Ndërkaq për Republikën e Shqipërisë, Evropa thotë: “Ata po grinden, prandaj s’mund t’i pranojmë.” A pak po gruinden në Itali?! A pak po grinden në Greqi?! (Mbi 90% e shqiptarëvet e kërkojnë me ngulm aderimin në Bashkimin Evropian!) Republikës së Maqeonisë i thonë: “Ndryshoje emrin!” Le të kenë edhe të drejtë (Megjithse Greqia, përveç se ka qenë e pushtuar prej maqedonëvet të Antikitetit, s’ka tjetër “farefisni” me ata maqedonë dhe, në çështjen se si do ta quajnë veten sllavët e këtyre hapësirave, nuk ka të drejtë për kurrfarë diktati.). Por, sidoqoftë, duke e krahasuar me Sërbinë, sllavëvet të Republikës së Maqedonisë as që u duhej përmendur çështja e emrit. Ku e ka qëllimin Evropa që e mban zvarrë këtë përrallë emrash? Republikës së Kosovës i thonë: “Hiqe cilësimin REPUBLIKË, se e ke tepër!” Fabrikojnë gjithfarë “fusnotash” e gjithfarë “fizibilitetesh”, ndërsa nuk i thonë Sërbisë, as që u shkon mendja t’i thonë Sërbisë: “Hiqe MINISTRINË PËR KOSOVËN, suprimoje, se as Franca nuk ka MINISTRI të posaçme PËR ALGJERINË!” Evropianëvet (sigurisht, jo atyre që janë të ditur dhe që s’ pyet kush për diturinë e tyre), as që u shkon mendja t’i thonë Sërbisë: “Ti Kosovën po e quan SËRBI E VJETËR. Po SËRBINË E RE ku e ke? Mos është Shumadia SËRBI E RE?!” Republikës së Maqedonisë i vënë kusht që, po s’e ndryshoi emrin, nuk hyn në NATO. Sërbisë nuk i vënë kusht që, po nuk hoqi dorë nga termi Sërbi e Vjetër, nuk pranohet në Bashkimin Evropian.

Tani, s’na mbetet tjetër, veçse të pyesim: “Ku po e çon veten Evropa, duke iu nënshtruar në mënyrë kaq SHKURTPAMËSE pjesës së vet destruktive?! Duke iu nënshtruar kështu shokëvet të Dik Martit e të Karla del Pontes?!” Ne nuk na shqetëson fort ekzistenca e minigjallesave të tilla si Dik Marti apo Karla del Ponte. Ne na shqetësojnë ata që votojnë kuazirezoluta të atilla si ajo e ekinokokut që e ka emrin Dik Marti. Kush janë ata PARLAMENTARË, që nuk dinë të dallojnë (apo nuk duan të dallojnë) kriminelin vrasës nga viktima?! Kur krimineli e shkel me këmbë viktimën, viktima doemos do ta kafshojë kriminelin, po mundi. A ka logjikë të hapësh gjyqe kundër viktimës, sepse paska guxuar ta kafshojë sadopak me dhëmbë vrasësin?! A janë të denjë këta njerëz për t’u ulur në karrike parlametarësh?! Për ne këta njerëz nuk e kanë as seriozitetin e një lojtari bilardoje. Këta njerëz nuk mendojnë fare për Evropën! Ka mundësi madje që këta njerëz, të këtillë ithtarë “të drejtësisë së kulluar”, të mos mendojnë shumë as për familjet e tyre.

Evropa e di (ajo e mira, ajo vërtet demokratikja) cila ka qenë e kaluara evropiane e shqiptarëvet, e di si janë përballur ilioro-arbërit, nga shekulli VII deri në shekullin XV me sllavët nga njëra anë dhe me uzurpatorët e Fronit Bizantin dhe të Kishë Lindore nga ana tjetër, e di me ç’sakrifica e kanë përballuar arbro-shqiptarët pushtimin disashekullor osman, e di si është përballur Shqipëria e shekullit XIX dhe e shekullit XX me formacionet kuazievropinë të grekëvet dhe të sllavëvet. Megjithatë, Evropa ka 20 vjet që i mban peng këta shqiprarë, duke mos ua dhënë mundësinë për të zënë vendin që u takon në Bashkimin Evropian, vend të cilin e dëshirojnë, jo dinakërisht si sërbët e si grekët, por sinqerisht. Pse nuk po ndodh kjo punë?! Sepse fijet e politikës atje po i manipulojnë me shumë shkathtësi, me tinëzi të pashoqe dhe me një dinakëri banale, pikërisht ekinokokët mëlçibrejtës të Evropës a la Dik Marti.

E bëmë një krahasim me Gjermaninë. Tani po bëjmë një tjetër krahasim. Kush paraqet më tepër rrëzik (ose kush është objektivisht më i pranueshëm) për Bashkimin Evropian, Sërbia apo Turqia? Kur shohim që Bosnjen, Shqipërinë (të 2 shtetet shqiptarë), Republikën e Maqedonisë dhe Republikën e Turqisë, jo vetëm nuk i lusin, por u nxjerrin gjithfarë bishtash, është e qartë që nëpër kabinetet politikë të Evropës, sidomos në vitet pas eliminimint të rrëzikut komuniast, kanë rifilluar të fryjnë erërat e demonëvet të dofarë afrimlargimevet mbi baza FETARE. Sado që frazat shfaqen si tejet engjëllore, thelbi s’është veçse ai i djallit të para shumë shekujsh: MYSLIMANËT, të personifikuar te Ish-Perandoria Osmane, e shembur prej Qemal Ataturkut para thuajse 100 vjetësh, JANË ARMIQ TË EVROPËS. Ortodoksët, ndonëse 1054-a dihet ç’mynxyra i ka shkaktuar Evropës, mbeten prapëseprapë të krishterë dhe janë, për ne evropianët, më të preferuar, madje të dashur, madje byrazerë të pazëvendësueshëm. Janë ëmbëlsia vetë në krahasim me turqit, me shqiptarët dhe me boshnjakët, sado të evropianizuar të jenë ata. Ky është MENTALITETI, i cili, si një molë brejtëse, qarkullon nëpër trupin politiko-diplomatik të kësaj Evrope, përjetësisht të paorientuar andej nga do të duhej të orientohej. Molepsur, brejtur pamëshirshëm nga një e tillë molë brejtëse, ringjallur prej klimës së ngrohtë pas acarit të Luftës së Ftohtë, në ata qarqe, deri te Këshilli i Ministravet e të tjerë forume të lartë, harrohet që Sërbia ia sjell Evropës ROMËN E TRETË mu në mes të Brukselit. Kemi për të parë: O do të bëjë Brukseli ashtu si do e thotë Sërbia, o do të bllokohet Brukseli me seriale vetosh të palogjiktë!

Evropa po e shikon fort mirë si po i shkojnë punët me Greqinë, me uzurpuesen e ROMËS SË DYTË. Greqia, uzurpuesja e ROMËS SË DYTË, më e pandreqshmja përçarëse e krishtërimit, dmth e Evropës Mesjetare, mezi po pret që ta bashkojë votën e vet me atë të Sërbisë, e deleguara më autentike e ROMËS SË TRETË.

Evropa, duhet të dijë që, pikërisht duke iu nënshtruar në mënyrë permanente të këtilla pjesëve të veta destruktive, negative, i ka ndezur në shekullin që shkoi 2 luftëra botërore dhe është djegur e përvëluar prej atyre 2 luftërave. Është koha kur pjesa pozitive e saj, pjesa më e kthejellët e saja, prej së cilës gjithmonë kanë buruar vullneti i mirë dhe progresi, t’i marrë më mirë në dorë fatet e këtij kontinenti, i cili, me të drejtë, po kërkon rrugë më të sigurta konsolidimi. Por rrugët e konsolidimit nuk vijnë duke bërë gabime kaq flagrantë, sa ç’janë këta, me qëndrimin ndaj Sërbisë, shtetit HISTORIKISHT KEQBËRËS.
Durrës, 3 mars 2012 Gj.D.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura