SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (1)

Pashtriku, 26 mars 2021: Në vitin 2006 në shtypshkronjën “EMAL” në Tiranë u botua libri “METEORË LIRIE” i autorit Sabit Alidema, kushtuar personalitetit poliedrik të çështjes sonë kombëtare, Halil Alidema. Recensues të librit janë: Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Mr. Adem Murati dhe Dr. Resmije Kryeziu. Redaktor gjuhësor, Dr. Mehmet Halimi, korrektor Njazi Hajdari, ndërsa radhitjen kompjuterike e bëri Lavdim Halimi. Ndërkaq rezymet e librit i përkthyen: Mirsad Kuteli (anglisht), Arben S. Alidema (frëngjisht), kurse realizimin kompjuterik e bëri „Infograph – Ferizaj“. Në shenjë nderimi, në 40 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981 dhe 25 vjetorin e shuarjes nga jeta të Mr.Halil Alidemës, portali pashtriku.org, boton këtë libër me vlerë të prof.Sabit Alidemës.

Mr. Halil Alidema (15.03.1936 – 19.03.1996)

PARATHËNIE
Si çdo vepër tjetër edhe vepra ime me titull: ”METEORË LIRIE”, ka motivin, qëllimin, synimin dhe organizimin në pjesë përbërëse të saj. T’i shkoqisim veç e veç secilin prej këtyre faktorëve shtytës për t’i hyrë një pune sa të mundimshme aq edhe të përgjegjshme, kur është fjala për Halil Alidemën si një figurë poliedrike e çështjes sonë kombëtare. Sepse Halil Alidema u lind në një familje, ku gjithmonë në vatrën e saj pati prush patriotik, ndaj ai u rrit, u edukua dhe u burrërua me këtë ndjenjë të prusht patriotike, duke e kultivuar atë gjatë tërë jetës së vet, nuk e la kur të shuhet, por u bë flakadani i saj.
1. Duke pasur parasysh traditën fisnike e bujare, atdhetare e luftarake, trimërinë dhe vendosmërinë e paraardhësve të Halil Alidemës gjatë historisë familjare ndër shekuj e ndër ngjarje vendimtare të kësaj vëllazërie të Pozheranit të Anamoravës;
Duke pasur parasysh rezistencën e vazhdueshme dhe sakrificën e kësaj familjeje e gatishmërinë për t’iu kundërvënë çdo zaptuesi e robëruesi të huaj në mbrojtje të vatrave familjare e kombëtare, në mbrojtje të nderit familjar e kombëtar, në mbrojtje të popullit e atdheut të vet, familja e vëllazëria Alidemi u bë e njohur jo vetëm në Anamoravë, por në mbarë trojet shqiptare;
Duke e njohur Halilin edhe si të afërm, që i takonim një trungu gjenealogjik që nga fëmijëria jonë, që nga rrita e shkollimi ynë, që nga fëmijëria e puna në arsimimin e gjeneratave, pata rast të mirë ta njihja për së afërmi Halilin, ta kuptoja e ta ndihmoja në mënyra e forma të ndryshme të angazhimit të tij në çështjen kombëtare. Si vëlla, si shok, si nxënës e si edukator, e mandej edhe si veprimtar kam pasur rast ta njoh mirë Halilin.
Prandaj ruaj shumë kujtime për të, ndaj për t’i përjetësuar këto kujtime, u përpoqa që në këtë vepër timen t’i vijëzoj e skicoj në pjesën të titulluar: “Shpalime kujtimesh për Halil Alidemën”.
Pra, ky ishte motivi im kryesor, nga njëra anë, por të paraqesë edhe kujtimet e të tjerëve për Halil Alidemën si njeri e si patriot, kujtime këto që në mënyrë më të plotë, më të gjithanshme e më të fuqishme i ndërplotësojnë kujtimet e mia dhe veprimtarinë e gjithanshme të Halil Alidemës, nga ana tjetër.
2. Njëri ndër qëllimet e mia kryesore në këtë vepër ishte që t’ia paraqesë lexuesit shqiptar, në radhë të parë, e pastaj edhe atij ndërkombëtar, portretin e personalitetit të Halil Alidemës si intelektual të kompletuar, si figurë shumëdimensionale që vepron në intervale e periudha të ndryshme kohore të jetës së tij, si fëmijë e si nxënës, si edukator e poet, si patriot e pajtimtar, si shkrimtar e shkencëtar, si politikan e si strateg ushtarak, ai tërë jetën ia kushtoi zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare, duke u shkrirë si qiriri deri në frymëmarrjen e gërhamën e fundit të jetës së tij për ideale të shenjta e të shtrenjta, për qëllimin e idealin e tij më të lartë – çlirimin e popullit e atdheut të vet nga çizmja shekullore serboçetnike e sllavokomuniste.
Pikërisht për këto arsye: “Në qarqet tona intelektuale e atdhedashëse, Halil Alidema tashmë është një figurë e njohur. Për të pothuajse të gjithë dinë se ishte profesor universiteti, shkencëtar, atdhetar i radhëve të para në mbrojtje të çështjes shqiptare, rrjedhimisht edhe ndër personalitetet më të anatemuara nga pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tij që në fillimet e përballjes vendimtare të historisë me antihistorinë, ishte edhe politikan, njeri me vizion, analist… mbase në pikëpamje të përcaktimit të një personaliteti kaq të gjithanshëm do të mund të na ndihmonte definimi i Lasgushit, i cili për njerëzit e tillë – të cilët jetën e tyre shumëdimensionale e kishin bërë pjesë të jetësimit të aspiratës kombëtare – përdorte atributin e thjeshtë, por shumë të qartë dhe domethënës – shqiptar. I tillë ishte Halil Alidema kundruar nga aspekti i totalitetit të tij si personalitet” – pohon Hysen Matoshi
Prandaj, duke qenë të vetëdijshëm se të gjithë intelektualët dhe lexuesit shqiptarë, nuk e njohin në këto përmasa të thellësisë e gjerësisë intelektuale e patriotike, Halil Alidemën, vepra jonë mëton si qëllim parësor që lexuesit tanë t’i njohë me vlerat njerëzore e atdhetare, me përpjekjet mbinjerëzore dhe me gatishmërinë vendimtare të flijimit në mbrojtje të vlerave kombëtare të jetës së tij. Madje, në këtë rrugë kaq të mundimshme e plot me gjemba, në këtë udhëtim të një qëllimi kaq të rrezikshëm, por aq të shenjtë e të lartë, përkrahës moral e bashkudhëtar të pandashëm, Halili pati bashkëshorten e tij trime e fisnike, Teuta Kryeziun – Alidemën.

3. Synim imi parësor me këtë vepër kushtuar Halil Alidemës, është që ta pasurojë e ta begatojë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të çerekshekullit XX edhe me një personalitet të njohur e të çmuar si veprimtar e atdhetar në mbarë trojet shqiptare.
Personaliteti dhe veprimtaria patriotike e Halil Alidemës, duke filluar që në moshë të rinisë së tij, si nxënës i Normales së Prishtinës, por veçanërisht duke filluar që nga Demonstratat e 1968-tës dhe ato të 1981, që u zhvilluan jo vetëm në Prishtinë – si qendër universitare, por edhe në mbarë qytetet tjera të Kosovës, aktiviteti e angazhimi i Halil Alidemës u intensifikua jo vetëm si pjesëmarrës, por edhe si prijës e ideator i tyre. Shih, për këtë arsye ai u dënua nga gjyqi ushtarako-policor i Serbisë hegjemoniste me 11 vjet burg të rëndë, në cilësinë e udhëheqësit të “Grupi i intelektualëve shqiptarë”. Veprimtarinë e vet politike Halil Alidema e vazhdoi edhe pas daljes nga burgu, duke u marrë me krijimin e grupeve e celulave politiko-ushtarake deri në stërvitjen e ushtarëve të rinj kosovarë në truallin e Shqipërisë (në Labinot) për t’iu kundërvënë edhe ushtarakisht me rezistencë të armatosur okupatorit shekullor serb, terrorit e dhunës barbare, vrasjeve e masakrave të papara deri atëherë në historinë e njerëzimit.
Personaliteti luftarak i Halil Alidemës, jo vetëm që e nderon edhe e pasuron atë, duke u bërë si shembull dhe udhërrëfim, shërben si këshillë dhe porosi për brezat e rinj në mënyrë të denjë se si duhet luftuar e qëndruar besnik idealeve në shërbim të lirisë, të popullit e të atdheut të vet çdo atdhetar shqiptar.
Përpjekjet dhe lufta e vazhdueshme e patriotit Halil Alidema, në kuadër të UNIKOMB-it ishte jo vetëm çlirimi i Kosovës në kufijt e sotëm të cunguar, por ai u përpoq për krijimin e një Shqipërie Etnike të natyrshme as të smadhuar as të cunguar, por aq sa është dhe deri ku shtrihet e jeton populli shqiptar. Prandaj, kjo vepër mëton që personalitetin, aktivitetin e angazhimin dhe përpjekjet jetësore të Halil Alidemës e në fund edhe amortizimin e jetës së tij në qëllimet e synimet e lirisë dhe pavarësisë sonë kombëtare shqiptare, të përjetësohen në historinë tonë. Shpresoj se historianët tanë dhe studiuesit e Lëvizjeve Gjithëkombëtare Shqiptare do t’i japin vend të merituar Halil Alidemës në radhën e personaliteteve tona historike. Prandaj, kjo vepër kushtuar Halil Alidemës dhe bashkëshortes së tij – Teuta Kryeziut-Alidemës, do t’u shërbejë historianëve tanë si lëndë, si fakte e argumente të rëndësishme për të ndërtuar imazhin personal e kolektiv të atdhetarëve e luftëtarëve të çerekshekullit të fundit të XX.
4. Organizimi i veprës
Tërë lëndën e grumbulluar, të përpunuar e të sistemuar e kam organizuar sipas natyrës së materialeit, lidhjeve të fakteve e argumenteve për të sajuar në këtë mënyrë një tërësi homogjene që ka të bëjë me jetën, punën dhe veprimtarinë jetësore të atdhetarit e krijuesit, luftëtarit e sakrifikuesit për idealet e lirisë, Halil Alidema.
Vetë natyra e materialit dhe lëndës së veprës sime ma ka imponuar një organizim dhe një renditje kësisoji:
A. Hyrje – Jeta, veprimtaria edukativo-arsimore e patriotike e
Halil Alidemës
B. Shpalime kujtimesh për patriotin e veprimtarin – Halil Alidemën.
Janë këto kujtime të mia, që lidhen me jetën tonë të përbashkët: të autorit të veprës dhe të personalitetit që i kushtohet vepra. Në këtë kaptinë unë kam shpaluar kujtimet e mia për Halil Alidemën, duke filluar që nga mosha e fëmijërisë (si nxënës) e mosha e rinisë (si mësues) e deri në moshën e pjekurisë dhe burrërisë, kur Halili filloi të merret me tema serioze e me punë të mëdha të çështjes kombëtare, që kërkonin angazhim të madh, por edhe vendosmëri e guxim për t’u marrë me çështje të ndërlikuara e të rrezikshme, në kohë e në rrethana të vështira politike të shtypjes e terrorit shtetëror nëpërmjet langonjëve nuhatës të UDB-esë jugosllave moniste.
C. Ç’thonë të tjerët për veprimtarinë patriotike e politike të Halil Alidemës.
Në këtë kaptinë të veprës, e cila përbën boshtin kurrizor të saj, kemi përmbledhur e mbarështruar: kujtimet, dëshmitë, bashkëveprimet e angazhimet e shokëve, miqve, bashkëpunëtorëve, bashkëvuajtësve e bashkëmendimtarëve apo edhe dëshmitarëve e vlerësuesve të punës, jetës e veprimtarisë së gjithanshme jetësore si intelektualë e patriotë të Halil Alidemës. Dëshmi këto që ndriçojnë madhështinë e një atdhetari të paepur e të pakompromis deri në momentin e fundit të jetës së tij.
Se ç‘thuhet e se ç‘dëshmohet për Halil Alidemën si një luftëtar të madh të çështjes sonë kombëtare do të bindeni nga materiali, pohimet e vlerësimet superlative të një numri të madh shokësh e miqësh, bashkëluftëtarë e bashkëmendimtarë të Halil Alidemës.
D. Pikëpamjet e Halil Alidemës për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.
Në këtë kaptinë të librit kanë zënë vend të spikatur pikëpamjet, idetë, propozimet dhe sugjerimet, opsioni i Halil Alidemës i shprehur me shkrim, që u botuan në artikujt e vështrimet, analizat dhe prononcimet e tij politike në gazeta e revista të ndryshme shqiptare. Do të thotë se Halil Alidema, nuk ishte vetëm një vështrues anësor, por edhe një krijues teorik e pjesëmarrës i drejtpërdrejtë praktik i realitetit politik shqiptar, që zhvillohej në nënqiellin e truallin shqiptar.
E. Shtojcë e veprës
Në këtë pjesë përfundimtare të veprës kushtuar Halil Alidemës, bëjnë pjesë fotose, faksimile, letra (fakte e argumente), që dëshmojnë e konkretizojnë në mënryë faktike për të gjitha ato që janë thënë me fjalë në vepër.
Vepra në fjalë ka edhe një përmbyllje, ku në mënyrë të përmbledhur, në formë rezymeje paraqet brumin, gjakun e shpirtin, motivet, synimet e qëllimet e veprës që pata parasysh gjatë hartimit e sajimit, radhitjes së dëshmive e fakteve që regjistron e ofron kjo vepër.
Ndonëse, unë si autor i veprës në fjalë nuk kam pretenduar as nuk kam synuar të hartojë një vepër monografike, ndaj as nuk marrë guxim ta quaj si një monografi të mirëfilltë të shkruar për jetën e veprën e Halil Alidemës, dashtë e padashtë, vetvetiu nga materiali i shtruar dhe nga aspekti i kundruar, vepra ime ka edhe elemente monografike. Mirëpo, këtë le ta thonë, le ta vlerësojnë e le ta gjykojnë vetë lexuesit e nderuar.
Autori: Prof. Sabit Alidema

– VIJON –

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura