SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (8)

Pashtriku, 7 prill 2021:
NJË VIZITË FAMILJES SË LILIT
Të nesërmen shkova ta vizitoja bashkëshorten besnike të Lilit, Tinën në Prishtinë. E takova në shtëpinë e saj. Pasi u përshëndeta me të dhe biseduam gjërë e gjatë për fatin e Lilit dhe gjendjen e tij të vështirë në burg, ajo më tha:
– Sabit, nesër do të shkojë në vizitë te Lili. Ja kam bërë gati disa ndërrime, më duhet t’i dërgojë edhe cigare, edhe …. dhe filloi t’i numëroj një varg artikujsh ushqimor, por me çka? – bashkoi gishtin e madh me gishtin tregues dhe i fërkoi në shenjë mungese e skamjeje… dhe u ngushtua tepër nga unë. Unë e kuptova menjëherë gjendjen e saj kritike, se s’kishte mjete financiare.

– Për këtë ti mos u shqetëso, dërgoj të gjithë artikujt për të cilët momentalisht ka nevojë Lili. Ja të gjitha i ke aty brenda në qese najlloni – i thashë unë Tinës.
– Ah, more Bit, këto janë shumë e nuk m’i pranojnë të gjitha, ndaj do të m’i refuzojnë – më tha ajo.
– Këto nuk janë vetëm për kësaj here, por edhe për hera tjera – ia ktheva unë përgjigjen asaj.
Fëmijët e Lilit ishin të vegjël. Linda nuk kishte lëshuar ende shtat dhe s’kishte kurrnjë faj: Fëmijët si gjithkund në botë kanë të drejtë të rriten e të zhvillohen në një jetë normale. Kjo ishte dëshira edhe e Lilit, jo vetëm për fëmijët e vet, por për mbarë fëmijët e popullit shqiptar. Lili gjithnjë këmbëngulte se rruga e tij jetësore ishte e mbarë dhe e drejtë. Unë po luftoj për atdheun tim, për popullin tim, për ardhëmërinë e fëmijëve tanë, sepse i huaji në tokat tona mbetet gjithmonë i huaj. Prandaj, kundër tij duhet luftuar gjithmonë derisa të çlirohemi definitivisht prej tyre, prej zaptuesve të huaj. Fëmijët tanë duhet të zhvillohen normalisht, të mendojnë të lirë, me trurin e tyre, të shetisin e të qarkullojnë të lirë në të gjitha trojet shqiptare.

Ai ishte tepër i drejtë dhe i sinqertë. Madje kështu u soll edhe para gjyqit. Ai ishte trim dhe luftëtar dhe nuk lëshonte pe në rrugën e realizimit të qëllimeve të veta. Ai nuk mund të rrinte indiferent ndaj të keqes dhe bartësve e shkaktuesve të saj, por me ngulm e vendosmëri, me të gjitha mundësitë që kishte në disponim e luftonte të keqen. Ishte tepër i ndjeshëm kur dikush e prekte në tel, në interesat e Kosovës. Ai qëndroi burrërisht, ballëlartë e krenar edhe para gjykatësve. Ishte i kënaqur që kishte rast t’ua thoshte troç në surrat mendimin dhe qëndrimin e vet, pothuaj vetëm sa s’këndonte Selman Litën, vetëm për t’i plasur armiqtë. Sepse ne e kishim zakon kur kryenim ndonjë punë të rëndësishme të këndonim me Lilin. Në gjyq ai u tha gjykatësve:
– Mund të më shkelni, mund të më vrisni, veproni si të doni; por nuk mund kurr të më gjunjëzoni. Do të luftoj gjithmonë për atdheun tim, për fëmijët e popullit tim që do ta gëzojnë lirinë – u thoshte gjykatësve.
– Mirëpo, ti nuk do të jeshë gjallë dhe nuk do ta shohësh këtë liri – i thonin Lilit gjykatësit.
– Edhe kur të vdes unë, edhe ju nuk do të jeni më këtu në Kosovë, e unë do t’i shoh fëmijët kosovarë, sepse ata janë trashëgimia e pasuria e gjakut të trimave dhe dëshmorëve tanë.
Tina ishte shumë nervoze, sepse armiqtë e kishin pushuar nga puna. Mirëpo, megjithëkëtë ajo e mbante veten. Si një grua kreshnike që ishte qëndronte në mënyrë stoike. Ajo i jepte shpirt dhe gjallëri shtëpisë, ishte një shqiponjë mali, duke shetitur nëpër dhomë më thoshte:
– O Bit, kur jam e shqetësuar, shetitjet nëpër dhomë sikur m’i lehtësojnë hallet. Ndërsa, vizitat e njerëzve të mi më sjellin gëzim e freski. Po ta them të vërtetën se sikur të mos ishe ti dhe i shoqi i Bylës – Sherifi, nuk di se ç‘do të bëja, do ta kisha shumë më vështirë. Prandaj, kur ju shoh juve e shoh se nuk jam vetëm, nuk jam e braktisur. Përkundër presionit që ushtrojnë në ty organet shtetërore për diferencim nga Lili, ti nuk po dorëzohesh dhe po qëndron burrërisht. Madje, ti po m’i sjell gjitha të mirat, për çdo gjë që ka nevojë shtëpia e familja ime. Jam shumë mirënjohëse dhe këto të mira nuk do t’ua harroj kurrë as ju e as Fatës, do të vijë koha dhe do t’ua kthej këtë borxh. Vetëm mirënjohja ime, falënderimi dhe mirëkuptimi ndaj jush ka kuptim, sepse përndryshe nuk do ta thoja, as nuk do ta zija ngoje fare. Ndonëse Lili ka edhe njerëz të farefisit të vet me gjendje të mirë që më ndihmojnë, por megjithatë edhe ndihma juaj materiale e morale kurrë nuk më mungoi. Ju më forcuat e më dhatë zemër. Tani more kunat e ti moj kunatë – na u drejtua ajo neve – po më duket që jam bërë një grua e keqe që po ju përmendi të mirat e të këqiat ndërsy.
– Oj Tinë, mund të thuash ç‘të duash, por nuk është ashtu siç po thua, sepse unë si kunatë që të njoh fort mirë, si një grua jo vetëm të edukuar mirë, e njerëzishme dhe e sjellshme, por edhe elegante pedagoge e amëvise e mirë, shtëpiake e vërtetë, je një trimëreshë, je burrë e gjysmë, e të lumtë oj Tinë kunata ime, sepse unë krenohem me ty njësoj si me Lilin.
– E dij fare mirë se edhe Byla, motra e Lilit, me bashkëshortin e vet Sherifin i ndihmonin shumë Tinës kur shkonte ajo në vizitë te Lili. Më kujtohet njëherë kur unë e Tina bashkë me ta shkonim për vizitë te Lili, në Burgun e Nishit. Pasi na mbeti defekt një gomë e veturës, mbetëm në rrugë.
– A ke frikë? – e pyeti Shera Tinën
– Përse more të frikësohem? – ia ktheu Tina dhe ndonëse krejt ishim afër Nishit, – jam në tokën time – tha ajo, sepse Lili shpesh e zinte ngoje se kufijt e Kosovës shtrihen deri te Molla Kuqe.
– Ku i bie kjo Molla e Kuqe lum dhëndri? – e pyeta unë Sherifin, por ai vetëm rrudhi krahët dhe vazhdoi ta rregullonte gomën e veturës së vet të firmës Volksëagen.
Gjithmonë i shtroja vetit pyetje, si është e mundshme që Tina të ketë një zgjuarsi intelektuale aq të zhvilluar. Ishte e pamundshme ti tregoje asaj diç, sepse ende pa e thënë fjalën, ende pa e hapur gojën ajo e kuptonte se ç‘do të thuash, ta lexonte edhe mendimin e pashprehur.
Tina ishte e qartë dhe e kuptueshme për çdo bashkëbisedues. Ajo kishte shprehje të përkryera, si një perëndeshë që del nga dallgët e detit, radhiste mendimet dhe fjalët e fjalitë e veta të bukura si të ishin një koleksion si kokrrat e radhitura në kallirin e misrit.
Tina pa punë, e Lili nga burgu porosiste që ta martonin Lindën sepse sipas tij martesa ishte një obligim i trefishtë; personal, familjar e kombëtar.
Unë herë pas here i dërgoja të holla Tinës në vendin e caktuar afër Hallës së Sporteve – 25 maji. Të gjithë çuditeshin se si po ia del Lili dhe Tina me tre fëmijët e vet. Studimet e shënimet deri më tani të pabotuara dëshmojnë se Lili, jeta dhe veprimtaria e tij politike e patriotike nga publiku i gjerë nuk është e njohur sa duhet. Nuk është shkruar mjaft për veprat e tij, që ia kushtoi ai popullit të vet e Kosovës në përgjithësi. Idealet e tija ende nuk janë ndriçuar sa duhet. Për këto mendoj se do të shkruajnë edhe të tjerët e veçanërisht shokët e tij, bashkëvuajtës të dënimit në burgjet e kazamatet serbosllave.
Lili qëndroi një kohë të gjatë në burgjet famëkëqia serbosllave, ku përjetoi vuajtjet më të mëdha e aktet më shtazore të regjimit serb. Sepse po ky regjim inskenoi dhe organizoi farsën e rrejshme gjyqësore kundër intelegjencies shqiptare në përgjithësi dhe grupit të njohur intelektual në krye të të cilëve qëndornte Lili, të cilin e dënuan 11 vjet burg. Gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, që organizoi pushteti barbar serb kundër këtij grupi, Lili edhe në gjyq tha:
“Shqiptari gjithmonë është armik për këtë pushtet tiranist, i cili ushtron terror shtetëror kundër popullatës shqiptare. Edhe shqiptari i porsalindur, ende foshnje, ende i pavetëdijshëm, për ju është armik. Sepse u lind shqiptar. Edhe nëna shqiptare për ju është armike, sepse ajo vazhdimisht lindi shqiptarë e shqiptare, e për ju çdo shqiptar është armik. Mirëpo, dhuna, terrori e presioni juaj kurrë nuk mund ta gjunjëzojnë këtë popull, pra as mua. Ne do të fitojmë luftën kundër jush. Liria jonë nuk është larg. Unë atë po e shoh, po e ndjej dhe po jetoj me të, ne shpejt do ta festojmë lirinë tonë, kurse ju do të pësoni disfatën shekullore.
Forca pa drejtësi kalon në tiranizëm dhe terror. Ai që humb drejtësinë, humb edhe forcën, ju i keni humbur që të dyja. Ne do të ngadhnjejmë, ndaj Lili në gjykatore ua uron festën e bajramit shokëve, që simbolizonte fitoren e lirisë dhe të pavarësisë”.
Organet e pushtetit serb mbetën pa tekst, të habitur nga ky qëndrim i Lilit. Revista NIN shkroi se si një shqiptar i dënuar në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës ua uroi bajramin jo vetëm shokëve të vet, por edhe mbarë popullit shqiptar të Kosovës, urim ky nga zemra e një patrioti sypatrembur e largpamës që parandjente ditët e lirisë.
Dhe vërtetë pothuaj pikërisht kështu ndodhi, kur më 2 korrik të vitit 1990, deputetët e Kuventit të Kosovës para derës së mbyllur të Këshillit Ekzekutiv Krahinor dhe para hundëve të policëve serbë, me këshillat e ekspertes Eva Brendli, shpalli Kushtetutën e 2 Korrikut, me anë të së cilës Kosova shpallej si subjekt i barabartë me republikat tjera jugosllave. I gjithë populli i Prishtinës dhe i Kosovës ishte bërë sy e vesh dhe prisnin rezultatet.
Kur u shpall Deklarata Kushtetuese, populli e ndjeu me shpirt dhe me zemër dhe filloi të rrah shuplakë rrap-rrap! Dhe të brohoriste meqë atë ditë ishte edhe ditë bajrami. Lumët na të lumët për dy bajrama! (për dy festa), etj. Shumë qytetarë i hodhën në ajr kapelat e veta, i dogjën kravatat e këmishat, në shenj ahengu dhe gazmendi të festës më të madhe historike deri më atë moment. Policët serbë shikonin të hutuar, nuk dinin se ç‘po ngjet. Mirëpo, kur e morën vesh mirë, filluan ta përdornin forcën, të sillnin në popull të afajshëm me kërbaç. Në qytet u bë rrëmujë, por edhe festë e vërtetë.
Ky ishte ai paralajmërimi i parandjenjës së patriotit Halil Alidema – në farsën gjyqësore, që kishte inskenuar pushteti serb kundër intelektualëve shqiptarë.
Kundër Lilit u ushtruan tortura të papara në kazamatet serbosllave, por më kot. Hetuesit dhe ndëshkuesit fizikë të UDB-ës nga Lili nuk mundën të nxirrnin asnjë fjalë në dëm të shokëve, në veçanti e të çështjes shqiptare, në përgjithësi.
Emri i Lilit do të mbetet kujtim i nderuar dhe i adhuruar për qëndrimin e durimin e tij, për peripetitë e sakrificat, për dashurinë ndaj lirisë e pavarësisë, për idetë dhe idealet e larta, te të gjithë ata që e njohën si shok e vëlla, si bashkëvuajtës, por edhe tek ata që dëgjuan për trimërinë e vendosmërinë e tij – të një patrioti të vendosur e shembullor.
Lili ishte dashamirë e adhurues i madh i futbollit kosovar. Ai nëpërmjet klubit futbollistik, ilegalisht kalonte në Shqipëri dhe sillte literaturë jo vetëm sportive, por edhe literaturë historike e shkencat tjera albanologjike.
Lili pasi doli nga burgu (ku qëndroi 10 vjet, ai meqë nuk gjente punë apo gjente, por nuk e lejonin të punonte, ushtronte zejen e prodhimit dhe të riparimit të kauçave, zeje të cilën e kishte mësuar gjatë vuajtejes së dënimit në kazamatet serbosllave. Madje, këtë zeje një kohë e ushtroi edhe pasi u zgjodh si kryetar i UNIKOMB-it të Kosovës.
Vitet e fundit të jetës së vet i kaloi në Prishtinë, e pastaj meqë i kanosej rreziku i arrestimit të sërishëm, ai kaloi në Tiranë, ku vazhdoi veprimtarinë e vet patriotike dhe propagandën e lirë politike.
I vetëdijshëm se kishte të bëjë me një armik të egër e tepër të ndytë, i cili nuk njeh norma, rregulla e ligje as shtetërore e as ndërkombëtare, ai propagandonte që populli shqiptar të organizohet e të armatoset dhe të luftojë me armë kundër këtij armiku shekullor. Sepse edhe Lili përkrahte idenë e forcës, siç thoshte edhe veterani i luftës Hysen Tërpeza se “pushta ëshë e vogël, po zani i nihet larg”. Prandaj, Lili filloi të merret edhe me armatimin e UÇK-ës, e cila do të dalë në skenë pas vdekjes së Halil Alidemës.
Halil Alidema, tërë jetën e vet ia kushtoi çështjes kombëtare, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai ushqente idealin për krijimin e një Shqipërie Etnike, as më të madhe as më të vogël, por aq sa është, deri aty ku gjëllijnë popullata shqiptare, ku flitet gjuha shqipe dhe ku ujit i thonë ujë, e bukës – bukë. Për një Shqipëri të këtillë luftontë dhe punonte Halil Alidema. Mirëpo, për këto ide përparimtare e patriotike, ai tërë jetën u ndoq, u dënua dhe u përsekutua pamëshirshëm. Ndonëse, shpirtërisht e moralisht ishte optimist i madh dhe besonte në një të ardhme të lumtur të popullit të vet, kurrë nuk u dorëzua as nuk u ligështua, fizikisht ishte dërrmuar nëpër burgjet mesjetare barbare serbe, ndaj i lodhur, i dërrmuar dhe i rraskapitur, i sëmurë rëndë, ai ndërroi jetë më 20 mars 1996, në vigjilje të shpërthimit të luftës së UÇK-ës, të cilën me padurim e priste, sepse ishte njeri ndër frymëzuesit, nxitësit dhe strategët e saj.
– VIJON –
___________________________________________
SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (7)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=11107

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura