Pashtriku, 15 prill 2021: Lili kryetar i UNIKOMB-it
Lili me veprimtarinë e vet të dendur patriotike, nderoi autoritetin e vet si njeri; si atdhetar dhe si politikan. Ai kishte një strategji të sjelljes së vet politike, komunikonte me njerëz intelektualë e fshatarë, por që qëndrimet e tyre përputheshin me ato të Lilit. Kështu sa qëndroi në vendlindje – në Pozheran, apo edhe pasi u largua nga Pozherani, e shkoi në Prishtinë, kur vinte në vendlindje i pëlqente të rrinte në oda burrash, ku zhvilloheshin biseda serioze, për ngjarje historike të së kaluarës së Pozheranit. Kishte dëshirë të rrinte e të bisedonte me Abdyl Korranin, një plak i urtë dhe liridashës i flaktë, me Rexhep Pirën, i cili kishte kaluar vite në burgjet serbosllave, që me humorin e vet alegorik aludonte për gjendjen aktuale politike, me Abdyrrahman Kurteshin, të birin e Hamdi Kurteshit, i cili kishte një qëndrim burrëror që dallohej për mençuri e urtësi, që e kishte trashëguar nga babai i vet Hamdiu, Imer Alidema, Mustafë Beqolli, Musli Pira e shumë të tjerë.
Synimet dhe qëllimet e tij ishtin të qarta, ai angazhohej për ardhmërinë e Kosovës. Prandaj, në këtë drejtim përpos ndikimit politik e veprimtarisë së vazhdueshme patriotike, Lili më në fund propagandonte edhe përdorimin e forcës, organizimin në ushtri të rregullt dhe armatimin e saj me armë të kohës për luftë guerile në fillim, e pastaj sipas nevojës e mundësisë, duke u mbështetur në armatim më modern edhe për luftën frontale kundër armikut shekullor serbosllav. Mirëpo, për t’i arritur këto suksese, nevojitej bashkimi dhe uniteti kombëtar. Ai këtë rol u përpoq ta luaj me anë të partisë së UNIKOMB-it. Propagandonte tolerancen ndërpartiake.
Nuk duhet të krijohet hendek ndërmjet partive shqiptare, por një afrim dhe një bashkëpunim i ndërsjellë ndërvëllazëror për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët përfundimtar. Sepse të gjitha partitë kanë një synim dhe një qëllim të përbashkët parësor – çlirimin nga robëria sllave – lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kuptohet të gjitha partitë drejt realizimit të qëllimeve të tyre, kanë strategjitë, parimet e qëndrimet e tyre, që në thelb shumë pak dallohen njëra prej tjetrës. Mirëpo, në këtë drejtim, Lili ishte më radikal dhe më revolucionar. Ai shumë çështje në meditimet e veta politike i kishte konstruktuar në imagjinatën dhe bindjet e veta, ndaj shpesh më fliste për to. Ai parashihte Kosovën si shtet të lirë e të pavarur.
– O Bit, kjo që po të them unë ty, një ditë patjetër do të realizohet. Sepse këtu dalin dy çështje: në mesin tonë kemi njerëz që besojnë dhe punojnë në realizimin e synimeve tona, por ka edhe asish që përpiqen ta pengojnë, madje edhe bashkëpunojnë si kolaboracionistë e si spiunë të armikut, duke punuar për armikun, ata ruajnë interesat e tyre dhe janë në shërbim të tij, e kundër interesave të popullit të vet. Mirëpo, do të vijë një ditë që këta do të pendohen, disa të tjerë do të turpërohen e do të kërkojnë edhe falje e do ta diferencojnë vetveten, disa do të bëjnë edhe vetëvrasje kur ta shohin Kosovën e lirë e demokratike, kundër së cilës kanë luftuar tërë jetën e tyre. Liria e Kosovës, atyre do t’ua verbojë sytë e do t’ua pëlcas zemrat, ndaj do ta dënojnë vetveten me vetëvrasje. Mirëpo, do të ketë edhe të atillë, të cilët do të maskohen e infiltrohen në radhët tona si demagogë e pseudopatriotë, e nuk do të mund t’i zbulojmë dot. Kështu një numër i vogël i tyre do të shpëtojë nëpër gishta.
Mirëpo, asgjë e shenjt dhe e shtrenjtë siç është liria e pavarësia nuk vijnë pa përpjekje të vazhdueshme, pa flijime e sakrifica të mëdha, sepse asgjë nuk ka më të shtrenjtë se liria.
Pra, racizmi i tyre thuaja se është i caktuar o Bit – më tha ai mua. Dhe kur po fliste ai kaq me emocione, mua m’u parafytyruan disa njerëz spiunë, që e akuzonin Lilin dhe bashkëpunonin me organet SPB-ës së Jugosllavisë.
– Ti o vëlla i mirë, Lil, i ke dhënë besën atdheut, e ke lidh besën për të, ndaj në ballë, në fytyrë e në zemër të qeshë dielli i lirisë, ndaj edhe para njerëzve të pushtetit ngrehe ballin lartë e të jeshë krenar. Shikoj drejt në sy, sepse shikimi yt ata i vërbon, kurse krenaria jote ata i pëlcet – i thosha unë në raste dëshprimi të tij momental.
Krah i djathtë dhe forcë e madhe e Lilit ishte edhe bashkëshortja e tij besnike – Tina. Portretin e së cilës e vijëzoi në vija të trasha dr. Mehmet Halimi, me rastin e përvjetorit përkujtimor, më 22 mars 1997, i cili në fjalën e vet përkujtimore, ndër të tjera veçoi:
“Madhështia e ndjenjës së atdhedashurisë së Halil Alidemës u rrit, u kultivua, u theksua e u shqua edhe më tepër, duke u ushqyer vijimisht nga përkrahja e sakrificës morale e materiale për kauzën e atdheut edhe nga bashkëshortja e tij besnike e bujare, trime e atdhedashëse e zonjës Teuta Kryeziu – Alidema, e cila duke qenë bashkëmendimtare e bashkëvuajtëse, ia lehtësoi hallet e jetës, i dha kuptim, qëllim dhe orientim të caktuar idealeve të larta liridashëse të Halil Alidemës, sepse nëna (gruaja) është dora që përkund djepin, gëzon me fatin e një kombi, të një vendi dhe të një shteti – thotë populli ynë. Prandaj, këta dy, ky çift bashkëshortor, duke ndërplotësuar njëri – tjetrin, plotësuan dhe përmbushën komponentet më të shenjta të jetës së tyre: karakterin, nderin dhe bsnikërinë ndaj atdheut”.
Këta dy bashkëshort Lili e Tina, ishin një çift ideal, kishin qëllime e synime të përbashkëta në jetë: atdheun, dashurinë e mirësinë, shpresën për një të ardhme më të lumtur, qëndresën në ditë të vëshira e kritike, stoicizmin dhe heroizmin. Së bashku i përballonin të gjitha vështirësitë e jetës. Ata ishin të nevojshëm për njëri – tjetrin si ajri e uji, si buka e kripa, si melodia e këngës së përbashkët, si freskia e mëngjesit dhe aroma e luleve, shëronin plagët shpirtërore të njëri – tjetrit. Mirëpo, vdekja nuk ështa as dënim as dhunti në jetë, ajo është ligj, i cili nuk privilegjon askë në botë. Pikërisht, në kohën kur po frynin erërat e demokracisë, e liria e pavarësia e Kosovës po dukeshin në horizont, Tina u sëmurë. Ajo mori botën në sy për të gjetur shërim. Ndërsa, Lili ndonëse ishte në shtëpi, ishte i dërrmuar nga pasojat e qëndrimit nëpër burgje, kurse Atdheu, Linda e Yllka u tretën në Gjermani. Tërë familja u shpërndanë anembanë botës si zogjt e fëllënzës, u bënë pikë e pesë – siç thotë populli. Shtëpia u zbraz nga dhuna e terrori serb. Lili mbeti i vetmuar në shtëpinë e vet, pa punë dhe pa mjete financiare. Edhe në gjendje të këtillë ai mendote për fatin e Kosovës, sepse ky ishte edhe amaneti i babës. Më në fund edhe Lili u shtrëngua të shkonte në Shqipëri.
– O Bit, ne po nisemi për Shqipëri, me shpresë se një ditë do të kthehemi në Prishtinë, në Kosovën e lirë. Mirëpo, para se të shkojë dua ta sodis edhe njëherë mirë me sy e me zemër qytetin tim, Kosovën time, tokën tonë pjellore që më ka ushqyer kaq vite, malin, gurin e drurin, kodrat, shtëpitë e këto kasolla sa të bukura më duken, sepse këto e përbëjnë Kosovën, në to flitet shqip dhe frymon jeta shqiptare njësoj si ajo në Shqipëri, sepse kudo që flitet shqip, e kudo në troje, ku jetojnë shqiptarët i thonë Shipëri o Biti im i dashur!
Dhe pas këtij rrëfimi nostalgjik, që ndjente Lili nga ndarja e tij me Kosovën sikur e prandjeu se kjo ishte hera e fundit, bashkë me të hipëm në makinë dhe u nisëm në drejtim të Shkupit. Me pasaportën time ai kësaj here kaloi kufirin pa një therë në këmbë. Në këtë rast qeshi dhe qajti në të njejëtn kohë. Qeshi, sepse u gëzua që pa problem kaloi kufirin, por i rrodhën lotët se e parandjeu se kjo ishte ndarja jonë e fundit.
– Përse o Lil po ligshtohesh, kjo s’është cilësi jotja, sepse ne do të shihemi përsëri. Nuk ke arsye të mërzitesh, sepse kjo është rruga që ti e ke zgjedhur vetë. Pastaj, nuk takohet mali me mal, por njerëzit me njerëz takohen. Do të shkosh në Shkup te Bibët, mysafirë në Gjenevë të Zvicrrës, ku të pret “Zhuti” i Smirës.
– Po more Bit, këto që po m’i thua ti, unë i di të gjitha, por Kosovën nuk mund ta marrë me vete – ma ktheu Lili.
Kështu pas këtij dialogu nostalgjik u ndamë ndërmjet kufirit Kosovë – Maqedoni. U ndamë vetëm fizikisht, por shpirtërisht ishim tepër të lidhur ngusht.
Kështu Lili pa pikë faji, u shtrëngua të largohet nga Kosova, e të shkojë në Shqipëri, njësoj sikurse fëmijët e tij. Kësaj radhe ai u nda prej meje shumë i shqetësuar, nga frika se nuk do të takohemi më. Ndonëse, nuk fliste keq për partitë tjera e për udhëheqësitë e tyre, ai thoshte:
– Dëgjo o Bit, ishalla unë e kam gabim, e nuk kemi nevojë të bëjmë luftë kundër armikut, vetëm pa luftë nuk mund të fitojmë asgjë. Cili popull apo shtet në botë e fitoi lirinë pa gjak? Le të dalë e t’ma thotë kush – më tha në fund.
Lili në Shqipëri vazhdoi veprimtarinë e vet patriotike si kryetar i UNIKOMBIT. Ai luftonte për bashkimin e të gjitha partive dhe për pavarësinë e Kosovës. Në kohët e fundit, Lili në Shqipëri katandisi në një gjendje të vështirë financiare. Mirëpo, miku e shoku i tij i ngushtë Rexhë Gjakli nga Amerika e ndihmonte materialisht, por përveç tij atë e ndihmuan edhe disa shokë nga Siria e Suedia. Ndihmë i ofroi edhe një shok me epitet Bugari, të cilin e takuam në Shqipëri kur shkuam edhe unë e Fata.
Lili kishte shumë shokë e bashkëpunëtor anembanë Kosovës. Madje jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosove. Krahët e njeriut janë shokët, sepse nuk rron dot njeriu pa shokë. Nuk e ka thënë kot shkodrani: Nuk rron sorra me një kokërr fik. E as njeriu me një mik.
Kahdo që shkonim dhe kudo që arrinim me Lilin takoheshim me shokët e tij. Ishin këta shokë të idealit, e shokë të veprimeve, të synimeve dhe të qëllimeve të përbashkëta. Ishin këta shokë besnik në të cilët Lili kishte besim të plotë, ndaj mbështetej në ta me sigurinë më të plotë. Këta nuk i kishte vetëm shokë të fjalës, por edhe shokë të veprës, të aktivitetit e të sakrificës. Ishin shokë të sprovuar në jetë. Miku i mirë – në ditë të vështirë. Lili i porosiste shokët që të vepronin drejt pavarësisë dhe pluralizmit. Shokët e dëgjonin Lilin, sepse Lili kishte përvojë dhe se jeta e tij ishte bërë një odisejadë e vërtetë, me plot vuajtje e peripeci. Ai kishte përjetuar një jetë të vështirë në burjget serbosllave. Gjakpirësit serboçetnikë gjatë hetimeve në burg, Lilit ia kishin thyer dhëmbët e brinjët, ndërsa shpinën ia kishin djegur me hekur për hekurosje. Këto i dija unë, sepse ai më kishte treguar mua, por nuk dëshironte të fliste për vuajtjet, peripecitë e torturat, që kishte përjetuar në burg. Shpesh më thoshte:
– Nuk dua të flas shumë për burgun, jetën time në të, vuajtjet dhe përipecitë. Sepse fjalët nuk janë vepra, ato te miqt e dashamirët shkaktojnë shqetësim e hidhërim, kurse tek armiqtë kënaqësi. E unë nuk dua, as nuk kam për qëllim as t’i shqetësojë miqtë e as t’i kënaqi armiqt. Të burgosurit nuk duhet të jenë gjithmonë shtylla telekomunikacioni – kështu më fliste Lili kur ishim vetë ne dy, unë e ai.
Në kohën kur Lili qëndronte i sëmurë në Tiranë, ai kishte rënë në kontakt me një delegat nga Kosova, i cili kohën e dhunës e terrorit që ushtrohej në Kosovë nga pushteti terrorist jugosllav kundër popullit shqiptar në përgjithësi, kurse kundër delegatëve në veçanti. Ky delegat ishte nga Kabashi i Vitisë.
Më kujtohet si sot kur me Lilin patëm bërë një udhëtim deri në Lubjanë. Për të kaluar rrugën më shpejtë e për zhdavarritur mendimet e këqia e frikën, Lili filloi të këndojë. Këndonte disa këngë me të cilat ai shprehte shpresën për një të ardhme apo shpesh edhe dëshprimin momental, siç ishin vargjet:
-A del për mua pranvera.
A del për mua dritë.
A gëzon kjo zemër e mjera?
Apo rrin kot tue prit?
– O Bit, unë kur këndoj më duket sikur shpirtërisht lehtësohem dhe kënga më duket sikur më hap rrugë në horizontin jetësor. Pa këngë nuk jetohet dot. Sepse kënga është historia jonë kombëtare. Populli ynë me anë të këngës ka përjetësuar ngjarjet e veta shpirtërore e historike. Kënga të përgatitë edhe për jetë edhe për luftë. Kështu disa këngë janë bërë himn i luftës dhe i kushtrimit, siç është himni i flamurit dhe bashkërisht filluam ta këndonim në udhëtim e sipër Himnin Kombëtar:
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.
Në dorë armët do t’i mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vend.
Se Zoti vetë e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhé,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.
Ndërkaq, pas këngës, ai sikur fitonte forcë fizike e morale dhe vazhdonte të flasë. Ai ishte një ligjërues i përgatitur politik. Fliste me bindje të plotë. I besonte asaj që fliste, por e bënte të besojë edhe bashkëbiseduesin e vet. Ishte vërtetë një orator, që nuk të linte vend për kundërshtim.
Kështu kur ishim duke pritur në aeroportin e Lubjanës, ku qëndruam disa orë, pa pritmas erdhën disa njerëz, sigurisht ishin shokë e miq të Lilit, ndër ta ishin edhe dy zonja të moshës mesatare, të cilat nuk flisnin, por vetëm dëgjonin. Ndër ta fliste vetën njëri, por unë lëre që nuk e kisha parë kurrë, ndaj nuk e njihja, por as emrin nuk arrita t’ia mësoja, atëherë, madje as sot nuk ia di dot. Se nga erdhën në aeroport të Lubjanës për mua ishte enigmë. Ata bisedonin me Lilin, ndërsa unë isha pasiv në bisedë, unë vetëm dëgjoja dhe vëreja grimasat e fytyrës së Lilit. Sigurisht që flitej për gjëra konspirative e ndoshta edhe të rrezikshme. Përkundër situatës së ndërlikuar, Lili kishte një mirësjellje e kulturë bashkëbisedimi. Unë dëgjova prej njërit që zuri në gojë Sirinë, e me këtë rast u përmendën edhe emrat vetjakë Sharr e Nazif…
Kur u ndamë prej tyre i thashë:
– Lil, krisja se ja ku më ke pranë teje, jam për çdo rast.
– O Bit-o, nuk ka asgjë të keqe këtu, çdo gjë është në rregull, por gjërat duhet të zhvillohen sipas radhës, si abdesi i myslimanit. Njëherë merr abdes e pastrohet, e pastaj lidhet në namaz, e varësisht se cili vakt është, aq reqate edhe falen. Kështu qëndorn puna edhe këtu. Punët e ngjarjet duhet të ndjekin rrjedhën e vet, sepse ndryshe nuk punohet. Rrjedha e kundërt e sjelljes mund të përfundoj me dështim, e dështimi nuk është synim imi, as yti. Qëllimi ynë është ngadhënjimi dhe fitorja. Fitorja pa njerëz e pa shokë nuk arrihet. Është mjeshtri e madhe t’i përfitosh njerëzit dhe t’i inkuadrosh e orientosh në një qëllim të caktuar – më fliste bindshëm Lili.
Kështu për çdo ditë unë mësoja shumë gjëra nga Lili, nga puna e tij, nga vepra sjellja dhe takti i tij politik.
Mali Sharr, Brezovica e tërhiqnin shumë Lilin. Kjo bukuri e rrallë natyrore u bë hobi i tij, ndaj shpesh më propozonte të shkonim bashkë. Atje takonim shumë njerëz të njohur e të panjohur. Ndërkaq, unë për të mos i penguar shpesh, ndahesha nga Lili dhe qëndroja pak më larg derisa ai kontaktonte e bisedonte me shokë, që për mua ishin njerëz të panjohur. Gjatë kësaj kohe unë shtihesha kinse po lexoja gazetën. Me këta njerëz pashë edhe Nazifin, të cilin unë e njihja shumë mirë. Kështu në kontakte të vazhdueshme me njerëz – Lili kryente punët e veta konspirative. Tani e kuptova se nuk ishte bukuria e Sharrit dhe Brezovicës, që e tërhiqnin Lilin, por ishte ideali, synimi e qëllimi i lartë i takimit të tij me bashkëluftëtarë e bashkëmendimtarë të tij. Këtë e kuptova kur Lili i kënaqur nga këto biseda më tha:
– Meqenëse sot, këtu në Brezovicë kryem shumë punë të mirë, tani po ia therrim për Prizren, prej nga do të kalojmë në Gjakovë, ku na pret një shok imi – Shahini.
Posa u takuam me Shahinin, ai na dërgoi me një zyrë pune. Këtu filloi të zhvillohet një bisedë konspirative. Sepse Shahini zuri ngoje emrin e Lokës, duke thënë:
– Uka nuk do të kundërshtojë për pamfletet e përgatitura, por më parë duhet caktuar njerëzit, orën e caktuar dhe vendin ku do të shpërndahen. U përmend Tetova dhe Presheva, e duhet të merremi vesh edhe me shokët nga Rahoveci. Në Rahovec shkuam unë e Lili te njëfarë miku, që mbante mbiemrin Shehu. Këtu, në Rahovec na pritën shumë mirë, por nuk hymë brenda në shtëpi, por u vendosëm në një restorant të vogël për të pirë nga një kafe dhe për të shpaluar qëllimin e vizitës sonë miqësore e patriotike. Meqenëse ishte bërë tepër vonë plani për të shkuar për Gjakovë sonte na dështoi, sepse nuk premtonte koha. Për të kryer çdo punë lypset kohë, sepse punët kryhen në intervale kohore. Për një ditë as nuk hahet as nuk pihet, ndaj as punët nuk kryhen për një ditë.
– Po ta them të vërtetën o Bit, se ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët të vetëdijësohemi një herë e përgjithmonë. Mendimi e qëllimi i shprehur me ndjenja dhe emocione, me gjaknxehtësi, pa arsye e pa logjikë, pa maturi e pa modesti, nuk na çon askund, por vetëm sa shpreh konservatizmin dhe primitivizmin tonë. Ne duhet të dalim pa tjetër nga lëvozhga jonë dhe të marrim shembull Evropën dhe botën e qytetëruar. Vetëm kështu, me sjellje të civilizuara me maturi e pjekuri intelektuale ne mund të bëhemi të njohur jo vetëm në përmasa ballkanike, por edhe evropiane e botërore. Kështu që emri shqiptar, deri dje i përbuzur dhe i injoruar do të bëhet i njohur dhe i nderuar.
E vetmja rrugë shpëtimi për ne sot është uniteti e solidariteti ndërvëllazëror e ndërnjerëzor. Shqiptari kurrë nuk ushtroi dhunë e terror, ai nuk u mor me dhunime e kidnapime. Këto vepra të shëmtuara nuk ishin cilësi e popullit shqiptar. Mirëpo, si çdo popull tjetër në botë, edhe te populli ynë ka përjashtime. Në mungesë të edukatës, arsimimit e vetëdijësimit, disa individë na kanë dalë doresh, madje edhe grupe njerëzish, të cilët ushtrojnë vepra të këqia. Ata merren me dhunime, kidnapime, vjedhje e vrasje për interesa të ngushta personale klanore e grupore. Këta bëhen dorë e zgjatur e armikut tonë shekullor e në dëm të kombit tonë. Vrasja prapa shpine është qyqaria më e madhe për popullin tonë. Mirëpo, do të vijë koha kur këta kriminelë e qyqarë do të përgjigjen para ligjit. E drejta vonon, por nuk arron. Qyqarët kriminelë e bastard do të përgjigjen para popullit të vet.
Duke nxjerr në pah këto përjashtime të rralla, sot nuk mund të flitet për një ndarje dhe përçarje të popullit tonë. Ndonëse po jetojmë në një kohë pa ligje pa institucione shterërore, megjithatë të themi të vërtetën jemi mjaft të bashkuar e unik, jemi bërë grusht kundër armikut. Sot tërë bota po çuditet me sjelljet tona, me durimin dhe vendosmërinë tonë, me unitetin dhe solidaritetin e një popullit të robëruar nën çizmën shekullore sllave.
Fëmija nuk di se ç‘është skamja, ai kërkon ushqim e nevoja tjera. Ai nuk di se ç‘është shteti, ç‘detyrë ka polici e ushtari, ndaj ai këto duhet t’i shoh, t’i njoh e t’i përjetoj praktikisht e konkretisht. Jeta duhet të njihet sido që të jetë, qoftë edhe e hidhur, sepse vetëm kështu fëmija ynë e rinia kalitet. Edhe fëmija i qytetit duhet punuar gjatë pushimit që ta dijë se ç‘është lopa, kali, pula, shtallat, të mësojë se si fitohet buka nga gruri, elbi e thekra, si bëhet mielli, etj.
– Eh, ku je Lil, pedagog e psikolog don të na dalësh. Lëri këto gjëra more merru me sport! – i thashë unë në shaka.
– Të flasësh fjalë të mira goja as të dhem as të lyp qira. Ruaju e mos gabo. Sepse më mirë o Bit është të mos gabosh fare, sesa të gabosh të kërkosh falje. Njeriu falet deri në tri herë. Mirëpo, nëse gabon shumë herë gjithmonë askush nuk të falë. Të jeshë i matur dhe i vendosur është detyrë njerëzore dhe intelektuale. Fjala e mirë dhe buka o Bit nuk kursehen. Sepse fjala ushqen shpresën e shpirtin, kurse buka ushqen trupin dhe zgjatë jetën. Këto cilësi të mira duhet të shrytëzohen si Kopilaça e Morava. A ka vende më të bukura se Kopilaça dhe Morava jonë? Mirëpo, bukuritë e tyre janë të pashfrytëzuara. Këto të mira tonat i kanë shfrytëzuar të huajt. Cilido zaptues që vjen, i bën turr Kopilaçes, duke i prerë pyjet e saj pamëshirshëm shëmton bukurinë e saj dhe varfëron pasurinë tonë pyjore. Mirëpo, megjithatë Kopilaça është e pashtershme. Ajo përfaqëson vendin më strategjik në tërë Anamoravën dhe Karadak, ku zëri ynë, zëri i banorit autokton gjithmonë jehon në këto male të larta. – Kështu fliste nganjëherë gjerë e gjatë Lili ynë.
– Disi o Lil po më duket se je zgjeruar tepër. I ke marrë të gjitha çështjet dhe po përpiqesh që t’i shpjegosh në mënyrë profesionale. Mirëpo, unë e kuptoj o Lil se tani për tani çështja më urjgente dhe më madhore kombëtare për ty e për popullin tonë është liria e ardhmëria, që siguron një jetë të qëndrueshme dhe të përhershme, sepse ai që e do jetën, ai edhe e çmon atë, ndaj për këtë jetë ai punon, vepron e lufton. Jeta e një populli ka vlerën e vet të vërtetë vetëm në liri të plotë. Edhe natyra edhe vetë jeta e njeriut marrin shpirt, gjallëri e bukuri në liri, ndaj të respektojmë jetën tonë dhe të luftojmë për lirinë e atdheut, me qëllim që ta bëjmë jetën tonë dhe të ardhmen tonë më të bukur e më të lumtur.
– VIJON –
________________________
SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (8)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=11111