Prishtinë, 10. 03. 2015 – Në 16 vjetorin e rënies së Dëshmorit të Kombit Bedri Ahmeti-Komandant Bedi (1969-1999) – Në hyrje të fshatit Llapashticë është një kodrinë e vogël prej dheu karakteristik i cili ka një sasi të argjilës dhe me dekada është përdor për prodhimin e tjegullave dhe tullave. Nga eksploatimi i dheut është krijuar një reliev interesant. Poshtë kodrinës buron një uji jo i rëndomtë dhe është krijuar një pellg ku vazhdimisht gjatë verës dëgjohen zëra të çuditshëm që u ngjasojnë atyre te bretkosave.
Thuhet se poshtë atij pellgu ekziston rëra e gjallë e cila në kohët e shkuara ka marrë jetëra të rinjsh të cilët ishin larë aty. Më pas pushtuesit kishin sjellë kolonë nga larg dhe i kishin vendosur në rrafshin buzë kodrinës dhe kështu kishte përfunduar edhe larja e të rinjve në ujin që buron nga toka. Tokat për rreth i kishte uzurpuar fabrika e tjegullave dhe fshatarët nuk kishin pas qasje te Tabet, por i ka mbet emri Tabet e Llapashticës.
Ky emër thuhet që kishte mbetur që nga koha e luftërave kundër Turqisë. Aty kishin pas istikamet luftëtaret shqiptarë. Edhe më 1912 po aty kishin rezistuar trimat e Llapit. Në Luftën e Dytë Botërore afër Tabeve ishte postuar një njësit Ballist për të rezistuar kundër farës së kuqe, që po përhapej si kolera në këto troje…
Më vonë ai vend ishte lënë pas dore, dhe ishte përdor vetëm për mihje të dheut. Mirëpo, nga aty gjithmonë ishte dëgjuar gjëmimi i armëve. Aty ishte ndërtuar një poligon i qitjes sportive, dhe ishin ndërtuar Tabe (istikame) të reja.
Së paku, çdo të shtunë, fshatarët me qerre kuajsh, ose këmbë kishin kaluar atypari, dhe kishte qenë e pamundur që mos të merrnin llafin e Tabeve dhe toponimi tjetër, kund pesqinëmetra tutje: Qerrshiat e Llapashticës. Derisa qerrshiat trupmëdha ishin realitet për tabet kishte versione nga më të ndryshmet që si gojëdhëna ishin përcjell brez pas brezi.
Disa kilometra tutje, në Llapashtic të epërme, në lagjen e potere kishte lindur Bedri Ahmeti.
Ishte fëmija i dytë i mësuesit të devotshëm Fazliut. Meqë familja e tyre ishte ndër më të mëdhatë ne fshat dhe jetonin në bashkësi familjare,në të çilen kishte shumë fëmijë moshatarë,nuk ka pasur mundësi që te vërehej ndonjë veçantë te ata.Pasi kishin shumë bagëti, detyrë e fëmijëve ishte që t’i lëshonin në kullosë dhe në mbrëmje të futeshin ne kthinën e tyre. Por, me kalim e viteve sa lëshonte shtatë Bedriu shquhej si kureshtar i madh për çdo gjë qe ndodhte përreth.
Ai vazhdimisht e bezdiste të atin për shumë gjëra qe për moshataret e ti ishin tabu.
Edhe në shkollë ishte më i shkathti dhe shpeshherë bënte pyetje,qe i trazonin mësuesit,sidomos ata qe për një grusht para kishin shitur shpirtin te partia.
Në vitin njëmijë e nëntëqind e tetdhjet e një studentët e pakënaqur me tretmanin që u bëhej atyre dhe popullit shqiptar u ngritën në demonstrata te fuqishme dhe të papara gjerë atëherë.
Atyre ju bashkuan edhe shtresat tjera te popullsisë. Kërkesat ishin që edhe Kosova të bëhej Republikë e barabartë me viset tjera të asaj federate fantazmë.
Mirëpo kishte edhe shqiptarë të atillë që nuk i përkrahnin këto kërkesa,bilës edhe i gjykonin sepse ishin militant fanatik të partisë,dhe nuk donin të humbnin privilegjet që i ishin krijuar në kurriz të popullit të vet.
Pushtët mbajtësit kishin sjellë forca të shumta ushtarako-policore dhe paramilitare të cilat kishin ndërruar masa represive duke rrahur, burgosur e vrarë shqiptarë të pafajshëm.
Madje kishin rekrutuar milicë rezervë nga radhët e shqiptare.
Këto ngjarje ishin tema kryesore e bisedave madje edhe të fëmijët,të cilët nuk e kuptonin mirë se çfarë po ndodhte.
Bedi sapo kishte hyrë në të dymbëdhjetat. Ishte shumë kureshtarë të mësonte se çka po ndodhte. Kur dilnin për të ruajtur bagëtinë fëmijët bisedonin për ngjarje të ndryshme. Meqë dallohej më i shkathët se moshataret tjerë shpesh ju shpjegonte të tjerëve për ngjarjet e asaj pranvere të nxehtë.Pasi që i ati kishte qenë punëtor arsimi,ai kurrë nuk tregonte prej kujt i ka dëgjuar ato që fliste sepse e kishte kuptuar se pushteti kudo i kishte njerëzit e vetë dhe mund ta pësonin keq.
Buzëmbrëmjeve burrat takoheshin në një lëndinë para shtëpisë së Bedit dhe duke pirë duhan bisedonin për ngjarjet e atyre ditëve. Bedi i dëgjonte me vëmendje.
Një ditë derisa burrat po bisedonin ja kishte behur një milic me pamje te krekosur dhe shumë krenar për uniformen që e mbante.Pasi kishte përshëndetur burrat ishte shtruar këmbëkryq dhe kishte filluar ta lëvdonte pushtetin dhe te fliste keq për rininë dhe gjithë ata që i përkrahnin.E kishte çuar në qiell kryetarin e komitetin duke thënë se është trim dhe politikan i madh,andaj edhe Beogradi e çmonte shumë.Bilës ky ishte krenar që e kishin si roje personale të tij.Këtë e kishte thënë me zë të ulët dhe duke shikuar për rreth.
Sytë i kishin mbetur te Bedi dhe do fëmijë të tjerë që po dëgjonin me vëmendje.
– Po ju bre dreqen çka këtu a? U kishte bërtit milici.
– Po rrina-ia kishte kthyer Bedi.
– Hupni bre dreqen,ikni prej këtu se pasha zotin…
– A bon me te pyet diçka shok milic?-i ishte drejtuar çuni.
– Ti a?-Po çka dinë me pyet ti bre kapcimun?
– Hajt fol shpejtë e ikni prej këtu…
– Pse po e ruan kryetarin,shok milic,ai nuk është lopë me kallamboq…
– Çka bre??!!-dhe milici ishte nxehur tej mase.Madje ishte ngritë në këmbë. Njëjt kishin vepruar edhe dy burra tjerë.Disa nuk kishin lëvizur nga vendi.
– Ulu shok milic,se fëmijë janë!nuk u prehet dëm, -kishte ndërhyrë një mesoburrë…
– E ju hupni prej këtuhit se me ju shti në dorë ju tregoj diçka…iu kishte bërtit fëmijëve.
Fëmijët ishin larguar,kurse milici duke e rregulluar koburen që ja kishte dhënë pushteti ishte ulur duke sjellë kokën i çuditur.Edhe dy burrat ishin ulur.
Milici kishte ndezur një cigare.
– A dini çka burra-kishte filluar të flasë i zemëruar dhe nga goja kishte qitë stërkala.
– Pasha kuranin veç jam unët si qenë se asnjë dakik s’kisha nejtë ma këtu.
– Po fëmijëve nuk u prehet dëm shok milic-e kishte qetësuar mesoburri.
– Çfarë fëmijësh bre?ata i ka mësua dikush.-Po a po ma bini do bukë se kam edhe do udhë me e ba,se jo larg nga këtu i kanë shkrue do patrulla e duhet me marrë masa…
Pasi që kishte ngrënë bukë dhe kishte pirë shtatë çaja të “rusit’’,milici ishte ngrit dhe i kishte hipë biçikletës”Pretis’’që ja kishte dhuruar kryetari i komitetit.Burrat e kishin përcjellë me shikim derisa kishte hyrë ë kthesën e parë dhe nuk ishte duk më.
Fëmijët ishin kthye te ledina.
Bedi kishte shikuar të atin me ndrojtje.
-Pse ore djalë po flet pa të pyet kush a?!
-A e din që e merr në qafë babën tanë,e besa edhe neve?-ju kishte drejtuar me ton të ashpër mesoburri me mustaqe.
Bedi nuk kishte folur,por vetëm kishte vazhduar ta shikonte të atin.As ai nuk kishte folur,por vetëm kishte buzëqeshur lehtë dhe ia kishte lëmuar flokët të birit.
Ky gjest nuk kishte kaluar pa u vërejtur nga të pranishmit.Mesoburri ishte prekur keq.
-Ngoni burra!-Kishte filluar ai duke ndezur një cigare “Morava’’të Nishit,të cilën e preferonte më së shumti dhe bile krenohej për këtë.
– Hyqymeti edhe nëse bahet magar nuk banë me i hyp në shpinë po duhet ngrehë për kërpeshi.-Pastaj ishte kollitur me bindje se kishte thënë diçka me rëndësi.
Bedi kishte qeshur.
-Valla nëse bahet magar nuk kamë me i zbrit kurrë nga shpina.
Kjo përgjigje e djalit e kishte hidhëruar shumë, Kishte hedhur duqin e cigares në tokë dhe e kishte shtypur me maje të opingës.
-Besa nuk po te ka hije.-Ani je edhe djali i arsimtarit…
Mesoburri ishte larguar pa përshëndetur.
Të gjithë ishin shpërndarë pa e komentuar muhabetin që kishte ndodhur.
Të nesërmen në një orë mësimi në klasën e Bedit,arsimtari i cili njihej si aktivist i partisë në fshat dhe më gjerë kishte filluar ti pyeste nxënësit për demonstratat dhe në veçanti për fjalën Republikë.Nxënësit e frikësuar në përgjithësi kishin heshtur. Bedit i kishte ardhë radha shpejtë pasi që emri i fillonte me shkronjë në fillim te alfabetit.
– Bedri Ahmeti- kishte tingëlluar zëri i arsimtarit.
– Këtu-ishte përgjigj çuni dhe ishte ngritë në këmbë.
– Çka di ti për fjalën Republikë?
– Pajë e di se Kosova duhet të behët…-kishte filluar te përgjigjet me ndrojtje por e
kishte ndërpre zëri i ashpër i arsimtarit i cili ishte tmerruar nga përgjigjja e çunit.
– Mjaftë,mjaftë,ulu aty! –Qetësi-kishte bërtitur ai pasi fëmijët kishin duartrokitur
instiktivishtë dhe kishin bërë zhurmë. Pastaj arsimtari i kishte rënë me pëllëmbë
katedrës me sa fuqi kishte pasur sa që kishte bërë grimasa dhembje dhe kishte lëvizur pëllëmbën sa lart poshtë nga dhembja.
– Dëgjoni këtu- Kosova kurrë nuk do të behët Republikë,kurrë…qartë!
– Kosova e ka statusin më të avancuar në botë.Askund pakicat nuk kanë te drejta ma
shumë se në këtë shtet.e di unë kush po ua mbushë kokën po nejse. Do te flas unë me ta. Tash ikni në shpi dhe askujt asnjë fjalë për këtë se ju pinë e zeza.
Fëmijët e frikësuar kishin marrë çantat dhe qetësisht kishin dal nga klasa,kurse arsimtari ishte nisur që te raportonte në komitet helbete mos fitonte ndonjë qindarkë apo avancim. Atje kishte marrë instruksione që të organizonte një tubim në shkollën e fshatit dhe të kërkonte që te dënoheshin demonstratat si armiqësore dhe të behej njëfarë diferencimi ideo-politik.
Një fshatar i cili po lëvronte me një kali të lodhët e të paushqyer,me të dëgjuar për mbledhjen e kishte lënë kalin në pik te hallit te mprehur në plug dhe kishte marrë rrugën drejt shkollës,bilës kishte harruar në dorë shkopin me te cilin e godiste kalin herë pas herë. Ashtu i djersitur kishte hyrë në klasë mu në çastin kur votohej.
Ashtu me shkop e kishte ngrit dorën dhe e kishte frikësuar komitetliun,edhe për faktin se shumica e fshatarëve nuk kishin pranuar te bindeshin për te dënuar rinin e vetë. Komitetliu kishte rënë në hallë,dhe nuk e kishte kuptuar një te moshuar i cili kishte thënë –ai që e ruan vëllazërim-bashkimin duhet ti prihet koka…
– Të lumtë! -Ashtu ashtë-kishte bërtit komitetliu derisa te tjerët kishin qeshur pos fshatarit që e kishte harruar kalin në arë.
Fshataret ishin shpërndarë duke komentuar zëshëm dhe duke qeshur me te madhe.
Pas njëzet vjet e tre muaji i vejti arsimtar në te njëjtën shkollë dhe në te njëjtën klasë
Do të flasë me zjarr kundër okupatorit dhe meritat që ai kishte për fitimin e lirisë në këto troje.Shumica nga te pranishmit e mbante mend fjalimin e tij në tetëdhjetë e njëshin
por askush nuk ishte marrë me te,por pas tubimit e kishin biseduar mes veti.
Pas demonstratave te studentëve dhe mbarë popullit jeta sa vinte dhe vështersohej.
Filluan largimet nga puna,burgosjet,dhe masat e tjera ndëshkuese.Mjerisht kishte edhe të atillë që viheshin në shërbim të politikës ditore dhe punonin kundër interesave kombëtare.
Bedi këto padrejtësi do ti ndiente edhe në shkollën e mesme.Ai nuk mund ta kuptonte dot si një punëtor arsimi mund të jetë kundër popullit të tij,pasi që e shihte se mjerisht kishte edhe të tillë.Ndoshta e kishte më lehët se moshatarët e tij ta kuptonte pasi që babai i tij kishte qenë punëtor shumëvjeçar i arsimit.
Ai me disa shokë ishin organizuar dhe kishin marrë pjesë aktive në demonstrata dhe protesta në fund të viteve të tetëdhjeta,kur okupatori po e suprimonte edhe atë pak autonomi që kishim.Ngjarje këto që morën shumë jetëra shqiptarësh.
Fillimi i viteve nëntëdhjetë, i gjeti shqiptarët para një mjerimi total institucional,social dhe shpirtëror. Pothuajse më nuk kishte të punësuar shqiptar në institucione, bile as milicë shumica e të cilëve nuk pranuan të rrihnin bashkkombasit.Edhe milici i tregimit tonë i cili qe penduar, ndër të parët kishte lëshuar punën.Populli i lodhur dhe i frikësuar kishte filluar të ikë në mërgim.Për fat të mirë shumë shtete perëndimore ofronin azil ekonomik pasi që e dinin situatën në vendin tonë.
Kjo gjendje kishte pllakosur edhe familjen shumë antarëshe të Bedit.Babain ia kishin larguar me dhunë nga puna,dhe askush në familje nuk punonte.Ai e dinte të bënte punë të ndryshme por punë nuk kishte.Mirëpo,kjo nuk ishte e keqja ma e madhe sepse jetohej disi.
Ai dhe familja e tij ishin shënjestër e milicisë dhe regjimit serb.Disa herë ishin ndalur dhe keqtrajtuar,bile i shkonin edhe në shtëpi dhe i kontrollonin me pretekst se babai i tij posedonte armë.Kjo situatë ishte bërë e padurueshme për Bedin,i cili kësaj situate,edhepse jo rrallë haste në kundërshtime nga”strateg’’të ndryshëm të cilët pritjen e kishin parim.
Dhe një ditë kishte vendosur të mësynte perëndimin.E kur vendoste diçka edhe e bënte.
Kështu në vitet e nëntëdhjeta kishte shkuar në Gjermani. Atje kishte takuar shokë dhe familjarë.Pasi që ishte punëtorë i zellshëm i urtë dhe gojëmbël kishte fituar simpatinë e bashkëkombëseve dhe të punëdhënëseve,dhe punët po i venin për së mbari.Kështu përpos që ndihmonte familjen nuk i harronte as të afërmit që nuk i kishin punët mirë.
Vazhdimisht përcillte zhvillimet në Kosovë,duke dëgjuar me vëmendje lajmet në media,dhe më së shumti ishte gëzuar kur kishte lexuar një komunikatë në të cilën
Ushtria Çlirimtare e Kosovës merrte përsipër një aksion kundër okupatorit.
Bedi ishte gëzuar dhe kishte qeras shokët duke ju thënë:
-Për hajër na koftë!Tash e tutje duhet të jemi gati se lufta filloi…S’ka më kthim mbrapa.
Pasi që kishte kontakte me djemtë që po punonin për luftën çlirimtare,dhe që ishin në kontakt të përhershëm me organizatorët brenda dhe jashtë,ai i admironte luftëtaret që punonin pa u lodhur për një organizim dhe masivizim të luftës çlirimtare.Ai ishte në dijeni për veprimtarinë e Zahirit e Hakifit,të cilët edhe i njihte,si bashkëvendës që ishin,por kishte simpati të veçantë edhe për Regjën,Dautin,Mujen,Luanin…
Rrënja e heroit të kombit Zahir Pajaziti,e kishte prekur shumë,dhe ishte betuar se do të luftonte që ta çonte amanetin e tij në vend.
Me njëzet e tetë nëntor të vitit njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e shtatë në Kosovë do të krijohej një realitet i ri:Ushtria Çlirimtare e Kosovës.Popullata e lodhur nga pushtuesit e përqafoi me tërë qenien e vet.Edhe mërgimtarët nga të gjitha anët e botës po ktheheshin që ti dalin zot Atdheut të robëruar.Lufta tanimë kishte filluar dhe po merrte haraçin e vet.
Bedi kishte bërë përgatitjet e duhura për kthimin në Atdhe.Ishte vetëm çështje kohe kur do të nisej.Ai ishte marrë vesh me do shokë dhe kishin caktuar ditën.
Një natë para nisjes kishte rënë në gjumë më herët se zakonisht.Ishte i vetëdijshëm për rrugën e gjatë e të rrezikshme që do ta bënte dhe duhej të ishte i përgatitur fizikisht.
Të nesërmen herët kishin shkuar disa shokë dhe të afërm që të përshëndeteshin para nisjes.
Bedi kishte qenë ma i disponuar se zakonisht.Të gjithë e dinin se nuk fliste shumë por atë mëngjes ishte ndryshe.Ai iu kishte thënë se kishte parë një ëndërr të çuditshme.
Të gjithë ishin habit kur iu kishte thanë se do t’u tregonte ëndrrën.Ai kurrë nuk kishte folur për gjëra të tilla.Pasi që kishte shkrepë një rendë cigare edhe pse nuk e pinte duhanin kishte filluar ëndrren.Të gjithë ishin bërë sy e vesh.
-Ishte një mëngjes me mjegull dhe nuk dukej asgjë.
Rashë në hall si të nisesha për në Kosovë kur për çudi me dolën do krahë,dhe fillova të ngrihem në ajër.Atje ishte kthjellët dhe dukej për mrekulli.Fillova të fluturoj,mbi qytete të ndryshme dhe pas pakë hyra në vendin tonë.
Mrekulli!Kosova ishte e tëra në gjelbërim dhe pemët kishin lulëzuar.Fluturoja ngadalë duke u kënaqur me pejsazhe të mrekullueshme të atdheut.
Dhe ashtu ngadalë i afrohesha Llapashticës.Mbërrina mbi Tabe.
Ai vend ishte përmbytur në uji.Disa krijesa të zeza kishin qitë kokën mbi uji dhe krrokatnin si korba,pastaj zhyteshin dhe zhdukeshin.Unë i habitur vazhdova tutje,diçka të tillë se kisha parë kurrë,dhe nuk e kisha të qartë se për çka ishte fjala.
Pas pakë arrita afër lagjes time.Sytë më shkuan kah pishat në Gollubc.Atje ishte një gjelbërim i mrekullueshem.Pishat kishin kurora,kurse poshtë bari ishte rritur.Aty ishin ulur dy persona.
U afrova dhe pash se ata ishin gjyshi im Xhemajli dhe halla ime Nazifja,që ndjesë paçin.
Gjyshi po i tregonte diçka hallës dhe shikoni kah lagja jonë.Ugëzova shumë edhepse e dija se moti janë ndarë nga jeta.Kisha dëshirë ti takoja dhe po përpiqesha të ulem,por ata u ngritën dhe u nisen në drejtim të pishave pastaj më humben nga shikimi.Desha ti thërrasë por më doli gjumi…
Të gjithë kishin mbetur gojë hapur.Disave iu kishin njomur sytë.
-Kah nuk të çojnë ëndrrat,hajër ishalla.-Kishte fol dikush.
-Ndigjoni burra,kishte vazhduar Bedi-Gjyshi im Xhemajli kishte qenë në rini i vetëm.Nuk kishte pas as vëllezër as axhallarë.Hollë prej meshkujve si thuhet,por kurrë nuk ishte përkulur.Kishte rritë shumë fëmijë dhe kishte shtuar pasurinë.Me burrërinë,bujarinë dhe trimërinë e tij kishte arrit të jetë njëri ndër burrat më të respektuar të Llapit.
Tregojnë se në fshat kishte jetuar një shka,njëfarë Kërsmani që dreqi e ditë prej nga e kishte sjellë pushteti serb,ai ishte sjellë si kapadai dhe askush nuk kishte guxuar t’ja prishte tymin e duhanit.Gjyshi im e kishte shtruar dajak në mesë të fshatit.Pastaj së bashku me axhën Hamdi kishin vuajtur burg të rëndë.
-Edhe halla ime e madhe Nazifja ishte një grua që s’e kishte shoqen.Burrërrore që thuhet.Në moshën tetë vjeçare i kishte vdekë nana.Madje ia kishte lënë një vëlla tremuajsh të cilin e kishte rritur edhepse kishte bërë edhe punët e shtëpisë.Pasi që ishte martuar kishte lindur katërmbëdhjetë fëmijë,gjashtë prej të cilëve i kishte rritë edhe përkundër skamjes të madhe pa ju ndie kurrë zëni…Ehë..
Askush nuk kishte fol.Të gjithë kishin thithë duhanin në heshtje.
Bedi ishte ngritë në këmbë.Kishte ardhë koha e nisjës.Shokët i kishin ndihmuar ti barte valixhet deri te vetura.Pastaj ishin përshëndetur përzemërsitë.
Dhjetori i njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetës ishte jashtëzakonisht i ftohtë.Kishte rënë një borë e madhe.Popullata ishte në shtet rrethim të plot.Përkundër të ftohtit ushtarët trima nuk kishin lëvizë nga pozicioni te Tabet e Llapashtices.Ishin të vendosur që mos ta lëshonin armikun të depërtojë në fshat.Në vijën e parë ishte edhe komandant Bedi i cili me urtësinë trimërinë dhe strategjinë e tij,ishte bërë shembull për ushtarët dhe eprorët.
Dhe pikërisht në këtë dhjetor të ftohët do te zhvillohej njëra ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare kundër okupatorit shumë fish më të fortë.
Armiku ishte thyer keq.Kishte pësuar dëme të mëdha në njerëz dhe teknikë.Trimat krenar kishin qëndruar në pozicionet fillestare duke ia bërë me dije çdokujt se ata ishin zotë të asaj toke dhe për kurrfarë çmimi nuk do të lejonin që të nëpërkëmbej sa të ishin gjallë.
Ajo ditë përjetësoi emra të ri në historinë e atdhedashurisë.
Trimëria dhe strategjia e komandant Bedri Ahmetit në atë betejë do të bëhej udhërrëfyes dhe frymëzim për betejat e ardhshme që do të pasonin në këtë trevë.
Dita kur do të bindej bota se lufta jonë ishte e drejtë dhe çlirimtare kishte ardhur në marsin e nëntdhjet e nëntës.Aleatet tanë kishin vendosur që të ndihmonin luftën e drejtë dhe të pabarabartë.
Me njëzet e katër mars,egërsirat e Karpateve kishin mësy edhe një herë Llapashticen.
Në hyrje ishin shqipet,më të vendosur se kurrë për mbrojtje të trojeve shekullore.
Në vijën e parë si zakonisht Bedri Ahmeti.Karshi lisave qindvjeçar.I vendosur si gjithnjë:Mos të lëvizë nga istikami për të gjallë.Kështu kishte vendosur moti.Për këtë ishte kthyer nga kurbeti.
Ishte kthyer të luftonte dhe ishte martuar.Pa dasmë me muzikë e tupanë si e donte adeti…Meqë ishte i fejuar kishte marrë nusen me të cilën nuk kishte pas kohë të qëndrojë shumë.
Lufta nuk priste.Nuk mund ti linte shokët vetëm kurrë.
Dasmën e ,madhe do ta bënte te Tabet,me dasmorët më të zgjedhur ndonjëherë në ndonjë zijafet.
Me trimet e Lirisë.
Aty ku luftohej e vdisej duke kënduar.
Bedi nuk ishte vetëm si gjyshi i tij Xhemajli i Ahmatit kur e ngordhi stupc shka Kërsmanin.Kësaj radhe kishte shumë shokë luftë kundër Kërsmanëve.
Kishte një pozitë te mirë dhe nuk do te lëvizte dot nga aty për kuruar çmimi.Ishte nen betim,se do te luftonte deri ne frymën e fundit dhe se armiku kurrë nuk do t’ja shihte shpinën.
Njëzet e katër marsi i njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntës ishte beteja e tij e fundit.
Ra heroikisht,si burrat.Ballë për balë me armikun.Me shumë shokë…
Bedi ishte te Tabet.Përgjithmonë…
Ai na sheh,na dëgjon,gëzohet dhe hidhërohet..
Vaji halli për ata të gjallët që vdesin përditë ngapak,dhimbshëm,pa dinjitet dhe fajshëm…
Bedi me shokë e ka çuar në vend amanetin e Ademit,Zahirit,Luanit…
Ia sollën lirinë Kosovës…
Heronjtë nuk krijohen,ata lindin për të mos vdekur kurrë.
Ata jetojnë fuqishëm me ne dhe me brezat që do të vijnë.
I tillë ishte Bedri Ahmeti.
Më kishte thënë një herë moti:
-Më mirë një ditë shqiponjë se njëqind vjet sorrë dajës…-
Vaji medet për sorrat e korbat që po sorollaten përreth…