BEDRI ISLAMI: MJERIM I POLITIKËS APO POLITKË E MJERUESHME

 (Pashtriku.org, 21. 07. 2012) – Çfarë mund të sjellë më shumë ky grupim i ri prej pesë vetësh në ndryshim me grupimin e mëparshëm të bërë fillimisht prej 15 vetash? Përse Rugova tani e përqendroj gjithë forcën e grupit tek njerëz të afërm me politikën e tij, që me parë kishin qenë së bashku anëtarë të kryesisë së LDK-së dhe të njohur njëkohësisht për tendenca autonomiste? Përse u „trimërua” Rugova pas ofensivës serbe dhe tani kërkonte dëshmi bindje edhe mbi forcat çlirimtare? Ky plan ka ardhur nga mendjet e njerëzve në Prishtinë apo nga „dajallarët” e tyre në Beograd? Përse Rugova sa herë që Millosheviqi i derdh kupën dhe perëndimi mendon të veprojë bën lëshimet e duhura?
Në çastin kur zoti Rugova bëri të ditur lajmin për krijimin e një grupi të ri negociator për bisedime me pushtuesit serbë, nuk kishte asgjë të papritur dhe asgjë të jashtëzakonshme. Me përjashtim të slloganit për një Kosovë të hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë, ai thuajse asnjëherë nuk ka qenë i parashikueshëm nga bashkëpunëtorët e tij (për të mos folur për të tjerët) por njëkohësisht asnjëherë nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. E të gjitha veprimet e tij politike kanë qenë të papritura, por mjerisht nuk kanë qenë në krahun e dëshirës së popullit për lirinë dhe pavarësinë shtetërore, për sendërtimin e Republikës së Kosovës.
Edhe tani, në çatet kur flitej për krijimin e një qendre të përbashkët politike, në mes të cilave ashtu si e meritonte dhe me forcën reale do të ishte e pranishme edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Rugova bëri diçka krejt tjetër- krijimin e G-5, një vazhdim i lojës së mëparshme me G-15, të cilin as që e pyeti kur vajti të takohej me Millosheviqin. (*) Lexoni në fund shtojcën e pashtriku.org: Historia e Grupit Negociator G’15 – G’5, dhe takimi Rugova – Millosheviq në Beograd…!)

Ibrahim Rugova, Fehmi Agani dhe Xhemail Mustafa.

…………………………………

Megjithëse Rugova dukej në ditët e fundit me i tërhequr dhe më i gatdhëm për të bërë marrëveshje të dobishme, edhe pse kishte kundërshtime të mëdha në klanin titist LDK-ist, ai përsëri i injoroi të gjithë dhe vendosi veton e tij: të bëhet G-5.
Çfarë mund të sjellë më shumë ky grupim i ri prej pesë vetësh në ndryshim me grupimin e mëparshëm të bërë fillimisht prej 15 vetash? Përse Rugova tani e përqendroj gjithë forcën e grupit tek njerëz të afërm me politikën e tij, që me parë kishin qenë së bashku anëtarë të kryesisë së LDK-së dhe të njohur njëkohësisht për tendenca autonomiste? Përse u „trimërua” Rugova pas ofensivës serbe dhe tani kërkonte dëshmi bindje edhe mbi forcat çlirimtare? Ky plan ka ardhur nga mendjet e njerëzve në Prishtinë apo nga „dajallarët” e tyre në Beograd? Përse Rugova sa herë që Millosheviqi i derdh kupën dhe perëndimi mendon të veprojë bën lëshimet e duhura? Të gjitha këto pyetje të vijnë përnjëherësh në mendje dhe është e natyrshme të pyetet për to. Sepse tashmë nuk është vënë në rrezik fati i një klase titiste (të cilët kanë qenë gjithnjë të siguruar), por është vënë në rrezik fati i tërë popullit shqiptar në Kosovë dhe më tej se kaq.
Mendimi naiv politik se ky grupim i ri prej pesë vetësh do të sjellë diçka të re në jetën politike në Kosovë është lehtësisht i dështuar. Ai do të sjellë një nuancë të re nënshtrimi, si vazhdim i lojës së vjetër, tashmë në një situatë të re. Nëse grupimi i mëparshëm kishte në përbërjen e tij edhe figura të cilët gëzonin besimin e të gjitha forcave politike edhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ky grupim prej pesë vetësh gëzon vetëm besimin e lëdëkëistëve të thekur, gëzon besimin e titistëve të hapur dhe të fshehur, gëzon edhe besimin e Beogradit. Jo më kot, në fazën e parë të euforisë, Beogradi e përshëndeti krijimin e këtij grupimi. Ata i njohin mirë „nipërit” e vet dhe e kanë të qartë se këto „nipëri” po përgatiten të venë tek „dajallarët” e tyre.
Është e vërtetë se zoti Rugova „u trimërua” nga ofensiva serbe.
Nuk është i vetmi shqipfolës që trimërohet kështu
Besimi se ky grupim mund të bëjë diçka më shumë është po ashtu lehtësisht i rrëzueshëm, sepse ata nuk kanë as forcën dhe as autoritetin e duhur për të vendosur diçka për Kosovën. Ata janë as më pak e as më shumë një grup sejmenesh, të vënë në role të pavërteta, dhe sado që të mundohen ta fshehin këtë të vërtetë, nuk do të munden.
Të gjithë këta njerëz të emëruar në G-5 kanë qenë më parë të lidhur ngusht me klasën titiste rugoviste ose me Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, të cilës i kanë shërbyer besnikërisht deri në çastin e fundit. Është e vërtetë se zoti Agani, z. Tahiri apo z. Sejdiu kanë qenë funksionarë të lartë të LDK-së, dhe dy të parët të njohur edhe si përcaktues të vijës disfatiste dhe përçarëse të kësaj Lidhje. Largimi i përkohshëm i tyre në prapaskenë e ka rritur forcën. Po ashtu zoti Rodiqi, i njohur për dënime të ashpra ndaj djemëve dhe vajzave të Kosovës që kërkonin pavarësinë e Kosovës, tani po u përgatitka për të „mbrojtur” këtë pavarësi. Ai as e ka dashur atëherë kur shqiptonte dënime të ashpra me shumë vjet burgim për shokët tanë, as e do tani. Ai sidoqoftë duhe të jetë i qartë se koha e tij nuk vjen më kurrë, por është thirrur në këtë mision si dëshmi e një politike të merueshme. Është thirrur për t‘i thënë atyre djemve që luftojnë se gjykatësi është përsëri këtu – dhe përsëri ne jemi që ju gjykojmë. Është thirrur zoti Kurteshi si përfaqësues politik i asaj klase autonomiste të ardhur në pushtet përmes diferencimit, për të dëshmuar se kjo klasë autonomiste është rishtas në pushtet dhe se megjithë gjakun e derdhur janë përsëri ata që vendosin. Në këtë grupim prej pesë vetesh ka nga të gjitha përcaktimet pro autonomiste – por edhe përfaqësues të klasës politike komuniste jugosllave. Harresa është vërbëri dhe nuk duhet qëndruar gjithnjë i vërbër. A do të munden këta njerëz, gjithnjë të përulur dhe gjithnjë të përgjunjur që të mbrojnë dinjitetin e Kosovës? A mund të besohet një gjë e tillë kur njeriut qoftë edhe për një moment i rikujtohet ajo buzëqeshje poshtëruese e Aganit përballë Millosheviqit? A do të mundet gjykatësi i djeshëm dhe fallsifikuesi i kutive të votimit i sotëm të ngrihet mbi veten dhe mbi idetë që ka mbrojtur me mish e me shpirt deri dje?

Beograd, 15.V.1998: Buzëqeshja e Rugovës dhe Aganit gjatë takimit me Millosheviqin!

……………………………………..

Është e vërtetë se zoti Rugova „u trimërua” nga ofensiva serbe. Nuk është i vetmi shqipfolës që trimërohet këshu. Po ndeshemi edhe me shqiptarë apo shqipfolës të tjerë që po trimërohen nga ofensiva serbe. Të strukur deri me tash nga shtrirja dhe përhapja e gjerë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këta „trimoshë” së bashku me të tjerë, tani kërkojnë disfatën e UÇK-së pa e ditur mjeranët se ajo është edhe disfatë e popullit të tyre. Pas ofansivës serbe dhe pas tërheqjes së përkohshme taktike të UÇK-së është trimëruar edhe pushtuesi serb dhe nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, sikur mendimi për të krijuar një G-5 të ketë ardhur më parë nga qendrat e fshehta të Beogradit. Sepse, sa herë që Beogradi e ka ndjerë nevojën e një përkrahje morale, politike të Prishtinës (të klasës politike legale) kjo ndihmë ka qenë e plotë dhe deri në sakrifikimin e çështjes shqiptare. Kështu ka ndodhur me marrëveshjen për arsim, kështu ka ndodhur me shpalljen e zgjedhjeve të 22 marsit dhe me zhvillimin e tyre, kështu ka ndodhur me „konstituimin” e parlamentit kukull, kështu ka ndodhur me bisedimet e para Millosheviq-Rugova, kështu ka ndodhur me caktimin e G-5. Pas lajmeve për masakrën serbe ndaj shqiptarëve në Rahovec, por edhe për gjakosjen e tërë popullit shqiptar në Kosovë, pikërisht atëherë kur dukej se bota po shkundej nga harresa, atëherë erdhi edhe lajmi i G-5. Bota u qetësua. Zemërimi që duhej të derdhej si prush kundër gjakësorve tani ka filluar të derdhet ndaj shqiptarve që nuk po u merrkan vesh të qëndrojnë „sus” para politikës së Rugovës. Nuk është hera e parë që ndodh ky përgjunjëzim. Edhe atëherë kur bota ngriti zërin për masakrën ndaj familjes Jashari apo Ahmeti-edhe atëherë Rugova shpejtoi të shpallte ditën e zgjedhjeve të 22 marsit. Duke mos qenë hera e parë nuk do të jetë as e fundit.
Shqiptarët sillen rreth vetes të formojnë qeveri apo komitet, të jetë qeveri e shpëtimit kombëtar apo e përkohshme, të jetë e varur nga parlamenti apo e pavarur prej tij, të jetë kjo qeveri me qendër në Prishtinë apo të jetë në perëndim, të jetë Ushtria Çlirimtare apo të mos jetë. Ndërkohë serbët gjakojnë tërë popullin shqiptar.
Ky është mjerimi i politikës sonë. Kjo është të mos shikosh se tërë fuqia serbe është bashkuar për të rirobëruar Kosovën, për të robëruar shpirtin e saj të lirisë dhe të qëndresës, se ajo është bashkuar për gjunjëzimin tonë dhe nuk do të ndalet makineria serbe, nëse atë nuk e ndalin shqiptarët e bashkuar.
Ndërkohë Shtabi i Përgjithshëm i jep besimin e plotë zotit Demaçi për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë. Ky është një zhvillim i ri në jetën politike shqiptare në Kosovë. Ndoshta është pritur që kjo të bëhej edhe më parë. Është pritur që Shtabi i Përgjithshëm të kalojë nga deklaratat politike në veprime politike, çka edhe ndodhi. Sepse tashmë Ushtria Çlirimtare e Kosovës duke qenë njëkohësisht ajo që vendos dhe bën ligjin dhe politikën në Kosovë, ata e kanë edhe të drejtën për të shpejtuar përcaktimin e institucioneve për lirinë e Kosovë. Është pozitiv fakti që zoti Demaçi shprehet tashmë se ideja e ballkanisë është ide vetjake e tij – dhe do të jetë faktor për zbatimin e ideve të mëdha që mbart Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në të kundërtën kjo ide fisnike do të ishte që në fillim e kompremetuar jashtë ideve dhe idealit fisnik të shqiptarëve në Kosovë për të jetuar të lirë dhe të pavarur. Megjithatë nuk duhet pritur gjatë.
Sepse koha është e tillë që kërkon veprime të menjëherëshme. Shekulli i ri, njëkohësisht edhe mijëvjeçari i ri, është në pragun e derës, por shqiptarët vazhdojnë të jenë të copëzuar.
A do të arrijë zoti Demaçi të bëjë, të realizojë atë mision fisnik që i ka besuar Shtabi i Përgjithshëm? Vështirësit do të jenë të mëdha, tepër të shumta. I vetëm ai nuk mund të bëjë asgjë. Së bashku mund të bëhet shumë. Le të shkojmë nga shumësia.
*) Nga cikli i shkrimeve: „Shansi i fundit në mbarim të shekullit”, të botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i Kosovës” – në fund të vitit 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999.

=======================================
(*) SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
HISTORIA E GRUPIT NEGOCIATOR G’15 – G’5,
DHE TAKIMI RUGOVA – MILLOSHEVIQ NË BEOGRAD…!

Janari i vitit 1998, solli me vete kumtin e fundit të paqes së rrejshme në Kosovë. Atëkohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po bëhej gjithnjë e më shumë mbizotruese e situatës në Kosovë, u vu në lëvizje diplomacia ndërkombëtare, për të parandaluar rrjedhën e ngjarjeve që çonin pashmangshëm drejt një lufte të përgjakshme. Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ndërtohej mbi qëndrimin e njohur siç ishte “mospranimi i gjendjes status quo” dhe “kundërshtimi i aspiratave të shqiptarëve për pavarësi”. Mbi këtë bazë, gjatë vitit 1998, Grupi i Kontaktit dhe qendrat tjera ndërkombëtare të vendosjes përmes diplomacisë së ashtuquajtur lëvizëse (Shuttle diplomacy), do të ngarendin sa në Beograd e sa në Prishtinë për të gjetur një zgjidhje politike për Kosovën, përmes negociatave. Ngjarjet më kulmore që i dhanë kahje zhvillimeve politike në Kosovë, konsiderohen vizitat e shpeshta të ambasadorit amerikan Robert Geldbard, i deleguari special i SHBA’ve për ish’Jugosllavinë, në janar – mars të vitit 1998 në Prishtinë dhe në Beograd. Ambasadori Robert Geldbard në një nga takimet e tij ( 22. 02. 1998 ) me kryetarin e LDK’së në Prishtinënë publikisht e akuzoi UÇK’në si “organizatë terroriste”.

Lexoni deklarimin e z.Geldbard – CNN, 23. 02. 1998:

………………………………………….

Me këtë veprim ai ashiqare kërkonte forcimin e lidershipit politik në krye me Ibrahim Rugovën. Një ditë më vonë z.Geldbard gjatë një takimi me Millosheviqin, i dhuroi Beogradit lehtësira, duke deklaruar se disa nga sanksionet ekonomike që ia kishin vënë Serbisë do të hiqen! Ky veprim i diplomatit amerikan, skajshëmrisht akuzues për UÇK’në, në të vërtet i dha forcë shtytëse në aspektin politik kreut të LDK’së, ndërsa në aspektin ushtarak e trimëroi satrapin Sllobodan Millosheviq, për të marrë një ofensivë për zhbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vrasjen e shqiptarëve dhe shkatërrimin e vendbanimeve të tyre. Dhe, në të vërtet kjo nbdodhi! Më 28 shkurt 1998 forcat ushtarake-policore të Millosheviqit në “emër të spastrimit të terenit nga bandat terroriste të UÇK’së“ sulmuan fshatrat Qirez dhe Likoshan, me ç´rast vranë e masakruan 24 shqiptarë, gra, fëmijë e pleq të pafajshëm në shtëpitë e tyre. Ndërkaq, një javë më vonë, më 5, 6 e 7 mars 1998, forcat barbare serbe sulmuan fshatin Prekaz, duke përdorur gjithë arsenalin ushtarak modern, kundër familjes së Shaban Jasharit. Pas një lufte tre ditore (të pabarabartë), çetnikët e Beogradit vranë mizorisht 56 anëtarë të familjes Jashari, në mesin e të cilëve ra për të mos vdekur kurrë edhe komandanti legjendar i UÇK’së Adem Jashari. Kryekrimineli Millosheviq dhe disa qarqe ndërkombëtare gjykuan se me vrasjen e Adem Jasharit kanë shuar edhe UÇK’në, por ngjarjet që pasuan më vonë dëshmuan të kundërtën. Pas këtyre ngjarjeve, ndërhyri diplomacia ndërkombëtare, e cila kërkojë ndërprerjen e dhunës së armatosur për t´i lënë rrugë zgjidhjes së problemeve përmes dialogut në mes palëve. Më 9 mars 1998 në Londër mbahet mbledhja e Grupit të Kontaktit, ku do të diskutohet për gjendjen e rëndë në Kosovë. Në deklaratën e Grupit të Kontaktit, kritikohet „përdorimi i tepruar i forcës“ dhe „tejkalimi i autorizimeve“ të njësive speciale të policisë serbe, „që ka sjellë për pasojë së paku 80 humbje jete“, ndërsa denohen në tërësi siç theksohet në deklaratë „aksionet terroriste të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të çfarëdo grupi apo personi.“ Pra, Grupi i Kontaktit, operacionet shfarosëse të njësive speciale serbe kundër shqiptarëve i cilëson si përdorim i tepruar i forcës, ndërsa veprimet e UÇK’së që ishin në mbrojte të popullatës shqiptare nga forcat serbe, i cilësonte si “arsione terroriste”! Për më tepër në konkluzat e Grupit të Kontaktit, vijëzohet qartë kundërshtimi për pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që RSFJ-së gjegjësisht Serbisë po i ofrohej një shans shtesë për t´iu shmangur sanksioneve ekonomike të përgatitura prej kohësh. (Lexoni të plotë deklaratën e Grupit të Kontaktit:
http://pashtriku.beepworld.de/files/Rugova_2008/Foto/deklarategrupittkontaktitprkosovn.htm )
Kush e përbënte G-15´shin e Ibrahim Rugovës për dialog me Serbinë?!
Në frymën e qëndrimeve të Grupit të Kontaktit, më 18 mars 1998 i deleguari amerikan për çështje të Ballkanit ambasadori Geldbard, në një takim që pati me Ibrahim Rugovën në Selinë e LDK-së, merrë pëlqimin e tij, të këtij “kolosi të brishtë” (siç e cilësonin analistët perëndimor Rugovën) për formimin e Grupit Negociator për dialog me Serbinë, ani pse ky “KOLOS” ato ditë bënte fushatë për zgjedhjet “presidenciale e parlamentare“ të 22 marsit 1998!!! Më 18 mars, Ibrahim Rugova pas takimit, në hyrje të selisë së LDK-së bashkë me z.Geldbard zhvilluan një konferencë me gazetarë. Ibrahim Rugova ndër të tjera ka deklaruar: ”Në bisedë me ambasadorin amerikan Geldbard, unë rikonfirmova zotimin tim të fuqishëm për dialog, si të vetmen mënyrë për zgjidhjen e problemeve të ngutshme në Kosovë.” “Për të qenë i suksesshëm dialogu”,- theksonte Rugova, “duhet të përfshihet patjetër këmbimi i hapur dhe i pakushtëzuar mes përfaqësuesve të zgjedhur të udhëheqjes së Kosovës dhe përfaqësuesve të presidentit Millosheviq, siç është bërë thirrje javën e kaluar në Londër nga ministrat e jashtëm të Grupit të Kontaktit”. Për më tepër shikoni këtë videomaterial nga takimi Rugova – Geldbard, më 18 mars në Prishtinë.

………………………………………

Vini re!
Më 22 mars 1998 mbahen zgjedhjet “presidenciale dhe parlamentare” në Kosovë, ndërsa të nesërmen më 23 mars në Prishtinë nga grupi 3+3( i përcaktuar qysh në marrëveshjen Millosheviq-Rugova më 1.09.1996), në mes palës serbe dhe asaj të Kosovës, nënshkruhet aneksi për normalizimin e arsimit shqip në Kosovë. Grupi 3+3 që nënshkroi aneks marrëveshjen më 23 mars ishte vazhdimësi e bisedave të mëhershme në mes të Ibrahim Rugovës me Sllobodan Millosheviqin, dhe nuk kishte të bënte drejtpërdrejt me themelimin e grupit të ri negociatorë, që do të quhet G-15, edhe pse kemi të bëjmë me të njejtit njerëz në krye të këtij grupi.

Shikoni foton nga takimi ….më 23 mars 1998!

…………………………………………………….

Më 24 mars 1998 (atë ditë kur kishte shpërthyer lufta frontale në fshatin Gllogjan të Dukagjinit, në mes të forcave pushtuese serbe dhe UÇK-së) Ibrahim Rugova pasi shpalli rezultatin e zgjedhjeve, ku ai dhe partia e tij kishin “triumfuar bindshëm në këto zgjedhje farsë”, do të kumtojë listën prej 15 negociatorëve të Kosovës “G-15”, të cilët Rugova i quan si “Grup Këshilldhënësish”, për të përgatitur një platformë për bisedime me përfaqësuesit e Millosheviqit.
Në listën e G-15-shit, me sugjerimin edhe të ambasadorit Geldbard u përfshinë: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Edita Tahiri, Bujar Bukoshi, Rexhep Ismajli, Mark Krasniqi, Pajazit Nushi, Esat Stavileci, Adem Demaçi, Veton Surroi, Mahmut Bakalli, Hydajet Hyseni, Shkëlzen Maliqi, Bujar Dugolli dhe Blerim Shala. Adem Demaçi, ndonëse nuk ishte pyetur fare për këtë punë, është prononcuar kundër pjesëmarrjes në këtë grup, duke e quajtur këtë nismë si “mashtrim të ri të Ibrahim Rugovës…”, ndërsa Hydajet Hyseni e Bujar Dugolli largohen nga ky grup me 13 maj 1998, në momentin kur merret vesh se pa dijen e “G-15” Ibrahim Rugova kishte vendosur të takohet me Millosheviqin më 15 maj në Beograd.
Blerim Shala, ish-zëdhënës i grupit G15, kujton se „sesioni i parë i G-15 që u mbajt më 25 mars, do të jetë një mbledhje e paorganizuar, pa fillim dhe pa fund, pa pasur të qartë pse jemi thirrur, çka jemi në të vërtet, këshilltarë apo negociatorë, dhe cili është misionin ynë i njëmendtë. Rugova në fillim na tha se janë disa pika të cilave duhet t´u përmbahet pala kosovare në negociata…dhe ato ashtu si ishin hedhur në letër prej tij, diheshin përmendësh prej secilit shqiptar të Kosovës. Në këtë takim të parë, ne – thotë Shala, nuk morëm vesh se çka jemi, nuk filluam fare bisedën për strategjinë negociuese dhe fare pak folëm për luftën, e cila tashmë po hynte në muajin e dytë.“( B.Shala- Vitet e Kosovës 1998-1999, Prishtinë 2000, fq.41) Një rrëmujë e tillë, e shkaktuar nga Ibrahim Rugova, do të vazhdojë deri deri në korrik të vitit 1998, kur do të shuhet ekzistimi G-15-shit.(…)
Reduktimi G-15´shit në G-5 nga Ibrahim Rugova
Ibrahim Rugova meqë vetë vendoste e vetë vuloste për ecurin e procesit negociator brenda faktorit politik shqiptar, më 6 prill 1998 në një mbledhje të radhës të G-15 ai grupin G-15 e reduktoi në G-5, të cilët sipas tij duhej të përbënin Grupin e mirëfillt Negociator të Kosovës.
Në G-5 ishin:
1.Ibrahim Rugova
2. Fehmi Agani,
3. Mahmut Bakalli,
4. Pajazit Nushi dhe
5. Veton Surroi.

Pas këtij propozimi të Rugovës, pjestarët e mbetur të G-15, nuk e dinin se cili do të jetë roli i tyre në këtë mishmash të krijuar nga Ibrahim Rugova. Këto marifetllëqe politike të “presidentit historik”, po zhvilloheshin në Prishtinë, pikërisht në kohën kur në shumë pjesë të Kosovës, UÇK-ja zhvillonte luftë çlirimtare kundër forcave pushtuese serbe.
Në gjysmën e dytë të muajit prill diplomatët e huaj që vizitonin shpesh Kosovën kishin hedhur idenë që negociatat me Serbinë të zhvilloheshin në dy faza. Në fazën e parë mendohej që prania ndërkombëtare të kishte një nivel të ultë diplomatik, ndërsa përmendej Shoqata “Shën Exhidio” dhe Monsinjor Paglias si ndërmjetësues kryesor në mes palës Serbe dhe asaj të Kosovës. Gjatë negociatave të fazës së parë, kur do të kuptoheshin më qartë pozicionet e palëve në bisedime, do të vijonte faza e dytë me involvimin e Grupit të Kontaktit dhe të diplomacive kryesore perëndimore.

Takimi Rugova – Hollbruk…

……………………………………………

Më 25 prill 1998, vetëm katër ditë para mbajtjes së takimit të Grupit të Kontaktit në Romë, Umberto Vattani, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Italisë qëndroi në Prishtinë dhe gjatë takimit me Ibrahim Rugovën zyrtarisht i propozoi këtij të fundit fillimin e menjëhershëm të negociatave me Beogradin, me ndërmjetësimin e shefit të Shoqatës: “Shën Exhidio”, Minsinjor Paglias.
Derisa në Prishtinë po bëheshin përgatitjet për negociata me Serbinë, lufta me shpejtësi po përhapej në shumë pjesë të Kosovës. Ushtria Çlirimitare e Kosovës, gjatë operacioneve ushtarako – policore serbe, me të gjitha njësitë e saj të organizuara ishte vënë në mbrojtje të popullatës shqiptare. Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në një deklaratë Politike të datës 27 Prill 1998 lidhur me negociatat me Serbinë deklaron, se, bisedimet janë të pranueshme “vetëm pasi të jenë larguar trupat e pushtuesit nga trojet shqiptare. Çdo lloj tjetër marrëveshjeje dhe pa praninë tonë do të jetë e pavlefshme dhe e denueshme.”
Takimi Millosheviq-Rugova më 15 maj 1998 në Beograd
Më 9 maj 1998 nis një proces i ri përpjekjesh për fillimin e bisedimeve Beograd – Prishtinë. Atë ditë në Beograd, një delegacion amerikan në krye me diplomatin e njohur Riçard Holbrook, takohet me Sllobodan Millosheviqin, ndërkaq më 10 maj ky delegacion vjen në Prishtinë për tu takuar edhe me Ibrahim Rugovën. Gjatë tri ditëve në vijim (10 – 13 maj) Holbrook dhe Geldbard zhvilllojnë një turne diplomatik në relacionin Beograd-Tiranë-Prishtinë-Shkup dhe anasjelltas. Më 12 maj (ditë e martë) Ibrahim Rugova ka pranuar para Holbrook’ut që të takohet me Sllobodan Millosheviqin më 15 maj në Beograd. Një ditë më vonë, më 13 maj të gjitha agjensitë e rëndësishme botërore kanë dhënë lajmin, se: “Dr. Rugova do të takohet në Beograd, të premten, më 15 maj, me Sllobodan Millosheviqin, kryetar i RFJ-së.”

Beograd, 15 Maj 98: Takimi i G’5-shit me kryekriminelin Millosheviq!

……………………………….

………………………………………….

_________________________________

Për këtë vendim të Rugovës nuk kishte ditur as G-15, dhe këtë lajm, i cili për shumë kënd ishte fillimisht sensacional dhe i pabesueshëm, ata e morën vesh nga mediat perëndimore. Ibrahim Rugova ka pranuar të takohet me Millosheviqin pa i plotësuar kërkesat e Grupit të Kontaktit, të Mbledhjes së Londrës, të 9 marsit 1998 për tërheqjen e njësive speciale serbe nga vendbanimet shqiptare ku zhvilloheshin luftimet dhe për ndërmjetësimin e Misionit të Filipe Gonsalesit në bisedimet Beograd – Prishtinë. (B.Shala, Vitet e Kosovës 1998 – 1999, Prishtinë 2000, fq.54-60.)
Më 15 maj 1998 Ibrahim Rugova ka udhëtuar për në Beograd me grupin G-5 të përzgjedhur nga G-15’shi, si me: Dr. Fehmi Aganin, Mahmut Bakallin, Pajazit Nushin dhe Veton Surroin. Adnan Merovci – Shef i protokollit dhe i sigurisë së Ibrahim Rugovës, thotë: se për në Beograd kemi udhëtuar me tri vetura dhe një ka qenë si përcjellje. Ne shkuam deri në hyrje të Beogradit, aty na priti një makinë e shërbimeve serbe dhe na shoqëroi gjatë tërë kohës.” – kujton z. Merovci. (Lexo Librin “Pa protokoll-Bisedë me Adnan Merovcin”, Prishtinë, 2003, fq. 78)
Ky takim do të zhvillohet në selinë presidenciale të Millosheviqit në Beograd, pa ndërmjetësimin ndërkombëtar, pa plan të qartë, madje pa pika të rendit të ditës. Po atë ditë derisa po mbahej takimi Millosheviq-Rugova në Beograd, (ku Televizioni shtetëror serb gjatë gjithë kohës jepte pajme duke buzëqeshur Rugova me Millosheviqin) forcat serbe në Kosovë kishin ndërmarrë një operacion të gjerë luftarak dhe me këtë rast vranë e masakruan dhjetra shqiptarë të pafajshëm. Po atë ditë, (në orët e pasdites) Millosheviqi vendosi edhe një bllokadë ekonomike ndaj Kosovës që gjithësesi kishte prapavijë politike. Qeveria serbe në rrugën Nish-Prishtinë kishte ndaluar të gjithë kamionët me mallra ushqimor që ishin nisur për në Kosovë, dhe në ditët që pasuan takimin Millosheviq-Rugova në Beograd, Kosova do të përballet me probleme serioze në furnizimin me artikuj elementarë ushqimorë.
Vazhdimi i dialogut Beograd-Prishtinë më 22 maj 1998 në selin e LDK-së në Prishtinë pa ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare!
Pas takimit të 15 majit 1998 filluan përgatitjet për mbajtjen e takimit të radhës Prishtinë-Beograd. Siç vihet në dukje në këtë mes, faktori UÇK ishte lënë anash, duke u injoruar plotësisht nga Ibrahim Rugova, edhe pse përhapja e luftës kishte marrë një dinamikë të përshpejtuar. Z.Rugova akoma nuk e kishte kuptuar, në të vërtet ai nuk donte ta kuptonte, se zgjerimi i luftës në Kosovë e bënte të pakuptimt dhe absurde tërë procesin e negociatave me Serbinë.
Takimi tjetër i negociatorëve shqiptarë e serbë, ishte caktuar të mbahet më 22 maj 1998 në Prishtinë. Ky takim u mbajt në ambientet e selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Palës serbe i printe Nënkryetari i Qeverisë së RFJ-së Nikola Shainoviq, i përbërë nga nënkryetari i qeverisë së Serbisë Ratko Markoviq, Nënkryetari i Partisë Radikale të Sheshelit, Tomisllav Nikoliq, Radoslav Rajkoviq dhe Leposava Miliçeviq, ndërsa palës shqiptare i printe Dr. Fehmi Agani ku bënte pjesë: Mahmut Bakalli, Pajazit Nushi, Veton Surroi, Bajram Kelmendi dhe Blerim Shala.


Takimi serbo-shqiptarë në selinë e LDK-së, më 22.05.1998. Në delegacionin serbë duket edhe pjesëmarrja e radikalit – presidentit aktual të Serbisë Tomisllav Nikoliq duke buzëqeshur!

…………………………………………………

Bajram Kelmendi dhe Blerim Shala, G-5´shit ( që ishte takuar me Millosheviqin më 15 maj në Beograd) ju bashkua më 21 maj, një ditë para mbajtjes së takimit në Prishtinë. Ishte i propozuar edhe dr.Esat Stavileci të jetë pjesë e delegacionit shqiptar, por ai nuk ka pranuar të jetë pjesë e këtij takimi të dëmshëm për Kosovën, për faktin sepse z.Stavileci ka kërkuar që të bisedohet vetëm për statusin e Kosovës, e jo për paketa sigurie, si zhbllokimi i mallrave e çështje të tjera, sipas të cilave Millosheviqi dëshironte të fitonte poena para bashkësisë ndërkombëtare.” Për takimin e përfaqësuesve të Rugovës me ata të Millosheviqit në selinë e LDK-së në Prishtinë, ka shkruar gjerësisht edhe numri revial i gazetës “Bota Sot” e datës 24 maj 1998 faqe 5.
Ky takim u mbajt pa ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare edhe pse atë ditë në Prishtinë ishte ambasadori amerikan Christopher Hill dhe Brian Donelly, ambasadori i Anglisë në Beograd. Blerim Shala, ish-zëdhënësi i grupit negociatorë të Kosovës, thotë se, ambasadori amerikan Hill, në kohën kur po zhvilloheshin bisedimet me palën serbe, ka qenë në ambientet e selisë së LDK-së, saktësisht në dhomën ku zakonisht rrinte Ibrahim Rugova, për të krijuar kështu, për palën tonë dhe mediat shqiptare, një përshtypje se, megjithatë, negociatat po zhvillohen me ndërmjetësimin e diplomacisë amerikane (!!!). Ndërsa Ibrahim Rugova gjatë katër orëve sa zgjatën bisedimet në selinë e LDK-së, ishte në rezidencën e tij në Velani së bashku me ambasadorin anglez Brian Donelly.
Derisa po mbahej takimi në selinë e LDK-së, Ibrahim Rugova ambasadoritBrian Danelly në Velani, i tegonte për cilësinë e verës së Kosovës!
Ish-zëdhënësi i G-4 Blerim Shala, përkujton se pas përfundimit të takimit, me palën serbe, në dhomën e Ibrahim Rugovës në Selinë e LDK-së së bashku me Veton Surroin, kanë pasur një takim me ambasadorët Hill dhe Brian Donelly, të cilët i kanë njoftuar për rrjedhën dhe atmosferën e takimit me delegacionin serb. Ndërkohë, thotë z.Shala “Danelly na informoi se kishte kaluar një kohë të gjatë me dr. Rugovën, në rezidencën e tij private, në lagjen e Velanisë, duke pirë verë të zezë dhe duke ngrënë djath Sharri. “Unë e pyeta (Ibrahim Rugovën-vërejtja ime Sh.B) se cila është platforma negociatore e delegacionit tuaj dhe çka pritet të arrihet në takimin e sotëm…”, na tha Danelly. Dr. Rugova iu kishte përgjigjur se nuk ka dyshim që negociatorët kosovarë do të mbrojnë si duhet interesat e Kosovës dhe pastaj ia kishte shpjeguar, hollë-hollë, cilësinë e verës së Kosovës. (!!!) (Lexo: B.Shala: Vitet e Kosovës 1998-1999, Prishtinë 2000, faqe. 68-71.) Çdo koment për këtë veprim të Ibrahim Rugovës (në kohën kur Kosova po digjet flak) është i tepërt.
Zhvillimet dramatike në zonat e luftës, përveç që zhvlerësuan procesin e nisur negociues me takimin Millosheviq-Rugova në Beograd më 15 maj, treguan qartë se, këto bisedime nuk do t´i sillnin asgjë të mirë Kosovës. Për më tepër, vrasjet, ekzekutimet dhe masakrimet në mënyrë barbare të shqiptarëve në fshatrat e Dukagjinit dhe të Drenicës nga forcat policore-ushtarake të Millosheviqit, e mbuluan me padenjësi mundësinë e vazhdimit të negociatave me Beogradin, në formën që nisi në Prishtinë, më 22 maj 1998.

………………………………..

Shikoni video’materialet në vazhdim:

Lufta në Drenic – Prill 1998

……………………………………………..

==============================


Nga Sheradin Berisha, Kryeredaktori i pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura