SADRI RAMABAJA*): ALEANCA E FJETUR RUSO – GJERMANE, MIT APO GJEOPLOTIKË?!

Prishtinë, 25. 06. 2014 – Tolerimi I luftës speciale që iu lejua Serbisë ta ushtrojë në veriun e Kosovës, është ana më e dobët e Brukselit. Tashmë është sekret publik se këtë krizë e mbëltoi Franca, por pa përgjegjësi nuk mbeten as Britania e Madhe dhe Gjermania.
Kancelarja gjermane ka arritur në aparencë ta menagjojë mirë krizën e euros në Eurozonë, ta shtyjë për kalendrat greke çështjen e veriut të Kosovës (i lënë jo pa qëllim si “konflikt i ngrirë” duke improvizuar me të ashtuquajturën marrveshje të 19 prillit 2013), ndërkaq në rastin e përballjes paksa më serioze, siç ishte aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë, ajo, por edhe Evropa, sërish na shpërfaqen të tilla çfarë në realitet janë – tejet labile. Ky dualizëm ka të bëjë me mungesën e vizionit të qartë për politikat e jashtme dhe ato të përbashkëta të Gjermanisë, siç vëren me të drejtë Steven Hill, (www.Steven-Hill.com) përveç tjerash edhe autori i librit Europe’s Promise: Why theEuropean Way is the Best Hope in an Insecure Age (Premtimi i Europës: Pse rruga evropiane është shpresa më e mirë në një epokë të pasigurtë).
Në historinë politike gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore secili nga kancelarët i dha vulë epokës së tij, duke u shndërruar në personalitet lider dhe me ndikim edhe në rrafsh botëror. Të kujtojmë ndikimin e kancelarit Villy Brandt me vizionin e tij për politikën gjermane në raport me Lindjen ose Helmut Kolin që shkoi në histori si kancelari që bëri bashkimin e Gjermanisë.

Angela Merkel ka një shansë ideale për veprim në Evropën Juglindore, duke përçuar mesazhe të qarta si në adresë të Beogradit zyrtar në raport me veriun e Kosovës, ashtu edhe në adresë të Shkupit zyrtar lidhur me çështjen e emrit të Shtetit dhe koegzistencës me shqiptarët atje, por edhe me përafrimin me Greqinë, të gjitha tok në hap me proceset integruese të rajonit në NATO dhe në BE, e me këtë edhe me rikthimin e plotë të interesave gjermane në rajon. Përmes këtij kursi të ri gjerman, kancelarja do të mund të hynte në histori si vizionare e mirëfilltë, duke ia rikthyer plotësisht Ballkanin kontinentit të vjetër.
Politikat që kishte ndjekur pararendësi i saj, Gerhard Shrëder, lidhur me forcimin e marrëdhënieve ekonomike me Rusinë, tashmë po dëshmohen si të dështuara. Ndërkaq kursi i ri gjerman i kujdeshëm në raport me prosperimin e reformave brenda BE-së, që dëshmoi më shumë idenë për europianizimin e Gjermanisë se sa gjermanizimin e Evropës, siç trumpetohej nga euroskeptikët, do të mund të fitonte peshë në rast se Berlini do të përqëndrohej më shumë në zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull në Gadishullin Ilirik. A ka gjasa që këtij kursi t’i japin shtysën e duhur socialdemokratët, si partner me përvojë në orjentimin e tyre proevropian? Si qëndrimi diferencues i ministrit të jashtëm gjerman Frank Vallter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) ashtu edhe ai i udhëheqësit të socialdemokratëve, njëherësh partner në qeverisjen aktuale të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, pritet që të influencojnë ndjeshëm në kursin e politikës së jashtme të kancelares, duke i dhënë një drejtim të ri. Pa një agjendë të tillë nuk mund të flitet për një Gjermani me ide të reja, më dinamike dhe për një Evropë të sheklullit 21.
Në veriun e Kosovës ka kohë që është etabluar pushteti i Serbisë përmes të të ashtuquajturëve grupe nacionaliste serbe. Kjo u shpërfaq pa maska edhe me rastin e defilimit të xhandarmërisë serbe në protestën e së dielës që po lamë pas në Mitrovicë. Shtatë kushtet që i pat parashtruar Berlini zyrtar për Serbinë para se asaj t’i jipej statusi i vendit kandidat për BE, fare pa filluar as të ashtuquajturat biseda teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, ishin në përputhje me vizionin gjerman për rajonin, gjakimin për stabilitet dhe paqë afatgjatë në rajon. Çfarë ndodhi ndërkohë? Prej nga ky mirëkuptim për pozicionin e Serbisë në veri? Ky lloj i mirëkuptimit në raport me politikat aktuale serbe, që vije disi si zgjatim i mirëkuptimit të shpërfaqur të qarqeve të ndryshme gjermane për politikat e Putinit në Krime dhe përgjithësisht në Ukrainë, duke filluar nga konservativët e llojit të Alexander Gauland-it dhe Peter Gauweiler-it e deri tek ato të dy ish kancelarëve pararendës socialdemokratë dhe të Gregor Gysi dhe Sarah Wagenknecht, flet qartë për dualizmin egzistues të politikës së jashtme gjermane. Kjo tumirje e interesave ruse të sigurisë, që po reflektohet edhe me një lloj trajtimi tejet të zbutur ndaj Serbis, hedh dritë edhe në dobësitë gjermane në raport me vlerësimin real të potencialit të rrezikshmërisë me të cilin përballen një lagje shtetesh në Lindje dhe Juglindje të Evropës. Pasojat që do të prodhonte ky lloj “mirëkuptimi” gjerman për sigurinë Ruse në njërën anë dhe atë Serbe në veriun e Kosovës, mund të jenë me përmasa të paparashikueshme edhe për vet Gjermaninë, por mbi të gjitha për Gadishullin Ilirik, Poloninë dhe republikat e Baltikut. Polakët nuk mund ta harrojnë kurrë sesi në kurrizin e tyre ishin bërë marrëveshje mes Rusisë dhe Gjermanisë që nga fundi i shekullint XVIII e deri tek i famshmi pakt mes Hitlerit dhe Stalinit (1939). Ndërkaq shqiptarët i kanë të stivuara gjithashtu në kujtesën e tyre historike vendimet tragjike të Kongresit të Berlinit (1878) për shkëputjen e Toplicës (8 qytete dhe mbi 600 fshatra shqiptare) në dobi të interesave serbe në këtë pjesë të Ilirikumit dhe të Hotit,Grudës, Tivarit e Ulqinit në dobi të Malit të Zi!
Të gjitha këto qarqe konsevatore gjermane me këtë lloj mirëkuptimi ndaj interesave të sigurisë ruse dhe aleates së saj Sebrisë, luajnë me kartën e ripozicionimit gjeopolitik dhe kanë për qëllim promovimin e kursit që do të shpiente drejt një pozicionimi të ri gjerman në dobi të ringjalljes së një lloj tradite të fjetur ruso-gjermane. Natyrisht kjo agjendë është e destinuar të dështojë, meqë ajo jo vetëm që nuk do të gjejnë mirëkuptimin e Berlinit zyrtar, por parasësgjithash as të popujve, interesat e tëcilëve vihen sërish në rrezik. Ndërkaq fakti se ky kurs do të sillte vet Aleancën Atlantike dhe Bashkimin Evropian para sfidës më të madhe historike, e bën atë të pamundur, duke e përshpejtuar diferencimin mes Perendimit dhe Rusisë. Shikuar në retrospektivë, shih për këtë, ky diferencim jo vetëm kulturor dhe konceptual politik mes Perendimit dhe Rusisë, duket pothuajse si ajo bërthama e amzës së historisë që e bën Perendimin më perendimor pikërisht përmes shpërfaqjes së traditës së tij në rrafshin e vlerave politike që pasqyrohen në vet sistemin politik plural, kulturën e theksuar të individualizmit progresiv, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, sovranitetin popullor dhe demokracin përfaqësuese. Perendimi transatlantik, pjesë e të cilit tashmë është edhe nukleusi i Kombit dhe Shtetit Shqiptar (Republika e Shqipërisë), ka marrë në konsideratë edhe këta elementë të traditës historike. Gjatë bisedimeve që kishte ndërmarrë BE-ja me Kievin, por edhe me Shkupin, Tiranën, Prishitnën… në raport me marrveshjen e Asociimit dhe të vet statusit kandidat për aderim në BE, kishte ringjallur shpresat dhe optimizmin se këto vende tashmë nuk janë para alternativës: me Brukselin apo me Moskën. Mundet që Beogradi, ashtu si ka luajtur për më shumë se një shekull me kartën edhe me Perendimin por edhe me Rusinë, ka krijuar iluzione në Berlin, por kjo nuk do të thotë se loja mund të vazhdojë në pambarim. Ky momentum historik do të duhej të shërbente, shih për këtë, për rikëndellje të plotë jo vetëm të Berlinit, por gjithësesi edhe të Brukselit si kryeqendra e Evropës sonë të përbashkët. Dhe,që të arrihet ky momentum, ka nevojë urgjente për ringjalljen e racionalizmit tipik gjerman në fushën e mendimit politik.
* ) Ligjërues në Universitetin ILIRIA, Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura