SADRI RAMABAJA: AUTENTICITETI POLITIK I VETËVENDOSJES

(Prishtinë, 15. 10. 2012) – Forca e subjekteve të kësaj natyre, siç është Vetëvendosja, qëndron te konceptet politike, jo tek individët që militojnë brenda tyre. Kultura e debatit që kultivohet brenda forumeve të Vetëvendosjes, që me kohë ka promovuar ndershmërinë në politikë si maksimë të saj, duhet shtrirë tutje në ambientet publike, brenda shoqërisë civile, kudo në komunitet, duke e shndërruar këtë formë debati në shkollë politike autentike.
Politologu ynë ndër më të mëdhenjtë që kishim, Ukshin Hoti, në vitet e `90-ta, pasi kishte veneruar qartë procesin e pashmangshëm të përplasjeve konceptuale që po sillte rilindja e nacionalizmit evrolindor dhe inaugurimi i hapur i autoritarizmit në emër të demokracisë, kishte bërë përpjekje të promovonte mendimin politik mbi demokracinë autentike, si koncept që do t` i ndihmonte procesit tranzitor në të cilin po hynte Shqipëria. Ndërkaq bazuar në këtë filozofi mendimi, ai shtronte njëkohësisht çështjen e çlirimit të Kosovës (Bëje ose vdis) dhe të ndërtimit të demokracisë. Politika shqiptare, sipas tij, do të duhej të shfrytëzonte parametrat autentik të barazisë që kishte promovuar edhe e drejta zakonore shqiptare, duke ruajtur të pa cenueshëm dinjitetin moral e njerëzor pavarësisht përkatësisë klasore etj.
Në rrethanat aktuale, në hapësirën shqiptare në përgjithësi, e në Kosovë në veçanti, kur në politikë dominon shtresa e biznes-politikanëve makutë, promovimi i politikës me fytyrë njerëzore si aktivitet publik, merr konotacione shenjtërie, për të mos thënë se shndërrohet në punë sizifi.

……………………………………………….

Megjithatë si ide dhe veprim konkret tashmë i provuar nga Vetëvendosja, ajo është e mrekullueshme. Merreni me mend: këmbëngulja që formacioni të funksionoj nga poshtë-lartë, duke insistuar në ndershmëri të funksionarëve, në aplikim të moralit publik, në përdorimin e gjuhës së drejtpërdrejtë të komunikimit, në selitjen e demokracisë autentike… në kohën kur politika nga një pjesë e mirë e opinionit akceptohet si „mjet për pasurim personal“, si „rrenë e kulluar“, si „karrem mashtrues“… a nuk mund të vlerësohet krejt kjo si diçka ideale?
Këto kërkesa Vetëvendosja para se t`ia shtroj opinionit, ia ka shtruar vetëvetes. Dhe ato kanë të bëjnë pikërisht me idenë për ta bërë politikën më humane. Ky qëllim kaq fisnik e sublim, duket në shikim të parë tejet abstrakt dhe njëkohësisht edhe si thikë me dy teha për vetë këtë subjekt. Sepse këto kërkesa të larta, mud të jenë të paarritshme për kohën dhe ambientin tonë. Idealja të marrë përmasat e diçkaje të mundshme, reale, duket si iluzion për një shtresë të gjerë! Disi ngjashëm si revolucionet shoqërore dikur në Francë, kur shteti absolut po ia lëshonte vendin e rendin shtetit liberal..
Por ngjashëm, si në epokën e përmbysjeve shoqërore, elementët si Jozef Fushe, mund të ndrrojnë bashkë me ngjyrën edhe kostumet. Penetrimi i „mishit të huaj“ brenda Vetëvendosjes si koncept dhe si ide nuk përjashtohet si mundësi. Formacinet politike, sidomos ato që pretendojnë të promovojnë ide dhe filozofi të re, janë „objekt çitjeje“ për elementët siç ishte Fusheja. Ndërkaq Vetëvendosjes i mbetet të mos bie në kurthin që ditë më parë ra një pjesë e Partisë së Piratëve në Berlin, duke potencuar se „XY është `pleh`, por ai është i yni“!

Prishtinë, 14.10.2012: Fjala e Albin Kurtit në mbledhjen e VI’të të Këshillit të Përgjithshëm.

……………………………………

Forca e subjekteve të kësaj natyre, siç është Vetëvendosja, qëndron te konceptet politike, jo tek individët që militojnë brenda tyre. Kultura e debatit që kultivohet brenda forumeve të Vetëvendosjes, që me kohë ka promovuar ndershmërinë në politikë si maksimë të saj, duhet shtrirë tutje në ambientet publike, brenda shoqërisë civile, kudo në komunitet, duke e shndërruar këtë formë debati në shkollë politike autentike.
Por duhet të kihet parasysh se edhe autenticiteti në mendim dhe veprim, nuk do konceptuar si filozofi politike në vetëvete përjashtuese. Në asnjë mënyrë. Në secilin nivel të vendimarrjes, strukturat drejtuese të Vetëvendosjes do të duhej ta kishin parasysh mbi të gjitha misionin që kanë si strukturë dhe forcë politike. Ata mund të jenë në vendimmarrje shumë njerëzor, tej mase autentik, por që ta përmbysin këtë rend politik, kanë nevojë të ndjeshme për frymë pune kolektive si garancë e suksesit.
Puna këmbëngulëse, intenzive për realizimin e misionit politik të sublimuar në programin politik dhe atë qeverisës që po shpërfaqet këto ditë, flet në dobi të filozofisë që ngërthen në vete sllogani „Bashkë është e mundshme“, por gjithësesi jo duke mbajtur nën çilim „plehun tonë“.
Në programin politik dhe statutin që rregullon funksionimin strukturor të Vetëvendosjes ka hapësira për përmirësim në dobi të misionit politik që i ka parashtruar kjo forcë vetëvetes në këtë çast historik që po kalon Republika e ngulfatur nga fryma absolutiste.

……………………

Albin Kurti – Bashkë është e mundshme
 

……………………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura