REXHEP KASUMAJ: FLAMUJT E MELANKOLISË (NJË KEQKUPTIM PANSLLAV I LIRISË)

Berlin, 21. 02. 2014 – 1. Një grusht qytetarësh nga vënde të ish-hemisferës sovjetike demonstroi në udhët e stadiumet e tyre, në Bratisllavë, Pragë e Varshavë, kundër pavarësisë së Kosovës. Nuk pamë të ketë ndodhur kështu në sheshe metropolësh të tjerë në Holandë a Gjermani, Zvicër a Suedi dhe asnjëherë e askund në Europën e vjetër.
Vlerësimi fillimtar i tyre, pasuar nga dy-tri fjalë shtjelluese, ishte: si dhe përse ringrihej kjo kulturë dhe ndjesi e përceptimit negativ të lirisë: të rezervuar për një palë dhe të papërkitshme për një palë popujsh të tjerë. Dhe, në fakt, ç’ishte sentimenti i çuditshëm pansllav, fragment i të cilit rezulton të jetë dhe ky afsh solidarësie me serbë?
Sigurisht, ruajmë besimin se ato kjenë ca grupime margjinale, ose mëkëmbje e mbetje qarqesh revanshiste neokomuniste (si në vitet e britmave të vetmuara për Millosheviqin), apo dhe hjekësi agjenturash të ruso-serbëve të sprapsur e disfatuar. Po nëse, ndërkaq, pretendojnë shpërthimin autokton e të vetvetishëm, aherë manifestimet e tyre, do të sipërshfaqnin një marrëdhënie problematike të trefishtë: pra, me lirinë, pastaj me Europën dhe, së fundmi, me ata vetë.
Për zymtësinë e parë, ndoshta, ka një shpjegim. Dashni të zjarrtë mes kombesh, si mes njerëzish, nuk ka e nuk kishte ndonjëherë. Janë prore ineresat që i çojnë në afrimitet akut e kohëshkurtër apo natyral e të gjithmonshëm.

Mandej, keqkuptimi i dytë i këtij pejsazhi histerik të Lindjes është Europa mbarë. Ajo, padyshim, është asimetrike (Stefan Kornelius S.Z.) në kultin e punës a shkallën zhvillimore, përkushtimin idealist a shpirtësinë e trashëguar…Por e tillë nuk duhet të jetë me pasionet njeriut për t’ardhmen e përbashkuar të saj. Por këta, me sa duket, vuajnë pikërisht komlekset e anës së keqe të asimetrisë. E, për pasojë: kjo na qenkësh, Shtëpia e përbashkët që ata ëndërrojnë e konceptojnë? Kombe në renditje tabelare? Me aftësi shtetërore dhe pa të tillë, domethënë kombe më të poshtëm nënshtetërorë? Nuk është e papritshme, ndaj, që një intelektual i tyre, Henryk Brokeri mohimtar, përtall identitetin dhe greminos vetë idenë e Europës. Kurse një tjetër, po nga ky nënqiell, ish-Presidenti çek Klaus, ndihet i frikësuar nga një bashkësi e shtrënguar kontinentale dhe pledon për një aleancë voglanësh që do të mbroheshin prej saj! Po prej kujt? Shih paradoksin ironik: prej botës atllantike që i çliroi nga vargojtë e diktaturës dhe kolonializmi moskovit.
Dhe mosmarrëveshjen e tretë, më të zorshmen, ata e kanë me veten e tyre! Do të kujtojmë një thënje gati profetike që sikur hedh gjithnjë dritë mbi këtë kaos të ndërgjegjes nacionale, po dhe njerëzore përgjithësisht. Kur gjeneralë të Wehrmachtit kaluan tokën çeke, prefekti i atëbotshëm i Pragës do të thoshte, figurshëm bukur dhe pashlyeshëm saktë, fjalinë proverbiale: “Me gjermanët si invadorë humbim lirinë, kurse me rusët ne humbim shpirtin”! Apo mbase, ende më lektural vjen evokimi i Valesës së paharruar, që në intervistën për një gazetë perëndimore në mesvitet e 80-ta të stuhishme, jepte me humor të zi tabllonë e rrojtjes në mëshirën e “internacionalizmit proletar” të bllokut dhe traditën e grykësisë gllabëruese ruse ndanë të gjithëve në fqinjësinë e saj, e më tutje rrokullisë. Një traditë e shndërruar, tevona, në stil, mënyrë e kod të sjelljes imperiale të tyre. Dhe, i pyetur për bashkëpunimin me sovjetët, ai pohon me një elokuencë të hollë sarkastike: “Kemi bashkëpunim të shkëlqyer, siç i ka hije miqëve. Ne atyre u japim sheqer, kurse ata ne na marrin vaj”! Që këtej, më qartë në brutalitetin e saj cinik, nuk mund të pikturohej mneri i qizmes dhe revanit barbar të ariut të panginjur stepor. A nuk shprehte ai kësodore një përjetim kolektiv të bashkëkombësve të tij? Si transformohej, prandaj, urrejtja e ligjshme për gjakun e pushtimin, në admirim për to? A mund të luftoje okupimin dhe, madje, rrethimin gati të përjetshëm rus dhe, më pas, në një kohë e rast të dytë, të hymnizosh shtypjen, armët dhe etnocidin serbian mbi shqiptarët, që kanë poaq dhe mentorësinë ruse? Përse pra, ky sindrom, kjo psikologji e anëmbajtjes ndanë projektit dhe praktikës së krimit, që fundi i shekullit do ta identifikonte me Serbinë, sikurse dikur, mesi e vijimi i tij, shenjëzohej me ariozofinë e tmerrshme nacional-socialiste apo “sovranitetin e kufizuar” të protektorit vëllamadh, që do vrisnin, prenin e poshtëronin atdhetë e tyre? Aherë e atë kohë, që s’është fort moti, kur jo vetëm vdekja dhe kampet e saj bënin plojë, po dhe në rrafsh frymësie, teoritë e varietetit të racave si paravan i seleksionizmit mortor, do ti shpallnin sllavët inferiorë, pa zotësinë dhe të drejtën jetës egalitare.
Nga ky përvijim, rrjedhon të jetë konservuar dhe nënshtresa plasaritëse, tashmë, mbareuropiane. Sipas një silogjizmi të kulluar, rrjeshtimi proserbian, shpie tek portat e Kremlinit, për të mbyllur rrethin në një llogore të hapur kundër Europës! Gjallojnë, kësisoji, akoma ato tri Europat e moçme subidentitare – gjermanike, latine e sllave – në përpjekjet e tyre latente për dominancë, mbi të cilat, kjo e sotmja komunitare, s’është veçse një pelhurë që posa hekuroset sërish zhubroset, derisa një ditë të shohim me pikëllim pllakën përkujtimore në varrezën e saj?!
Perandoritë janë, mbase, të doemosshme. Këtë dilemë shtronte, disi në formë pyetjeje e sfide mendimore, Herfried Münkler (në librin e mrekullueshëm “Imperien”), natyrisht, jo në kuptimin hegeljan se gjithçka reale është e arsyeshme, por në atë historik: si përskajuese të sigursë e paqes, anipse shpesh të padrejtë. Madje dhe Meternich, po nga ky kundrim, ishte dalzotës i sajesave të mëdha shtetërore në Rendin e atëbotshëm të tij. Tek mësoja për brohorimat e dishrimit të egër në bulevardet e provincializmit politik, ca pyetje të ngjashme do të shtroja dhe unë. Athua ishte aq e mirë e përthekuese Perandoria e kuqe për këta popuj? E tillë që tani të ketë lënë pas afektin e varësisë prej saj? Jo vetëm si binjakëri shpirtërash, po dhe nëvojë mëkimi e rehatimi politik? Dhe prirjen iracionale të vetëvuajtjes për të qenë lumturisht të sunduar? A ishte ajo, që këtej, një instancë drejtimi e frenimi, vitaliteti e sendërtimi për ata që, ja, nuk e përvetësojnë dot kurrësesi universalitetin e lirisë?
Mirëpo, megjithë ngucjet e pamira nga oborret e tyre, dhe disa supozime të sipërthëna që nuk janë të papërfillshme, nuk imitojmë kurrë marrëzinë humbamane. Dhe nuk e bëjmë aspak për bonafiditet formalist, por pse, njëmendësisht, është i huaj përçmimi biologjist i popujve, qoftë dhe i atyre natyrorë, si fillesë e ligë e darvinizmit etnik. Votrat e tyre kanë kaluar kalvar të vërtetë mbijetese me gjak e lot dhe janë farkues të mëdhenj të fateve e qytetnisë europiane. Ndaj behte e befta: si ishte i qasshëm ky relikt apo ribulëzim i skemave e sferave të arkivuara interesore me vëllazërinë e përflakur sllave në mes? E, rrjedhimisht, dhe i pashmangshmi elaborim i kontekstit socio-politik të tij.
2.
“Humbja e shpirtit” që parandjente prefekti i atdhetar i Pragës, duhej të ushqente analogjinë e kundërt (tek çekët me Republikën e tyre, thuajse të paemër): jo thirrjen histerike për amnestinë e krimit të testamentuar, por bashkëndjesinë e humbjes së shpirtit shqiptar nga okupimi i lodhshëm serb. Pastaj, a nuk përgjason një copë udhe komuniste e lënguar paralelisht dhe, veçanërisht, fataliteti gjeopolitik (i polakëve, mes kudhrës gjermane e çekanit rus) me fatalitetin e njëjtë të vendshtrirjes së tokave arbnore midis serbëve e grekëve që kanë grabitur e rrudhur hapsinë e tyre? E pse jo, dhe madhësia a madhështia modeste (bie fjala e sllovakëve anonimë) do të duhej të përnxiste, njëlloj mirëkuptimi për aspiratën liridashëse të një nacioni, poashtu të vogël e të lashtë.
Mirëpo, me sa duket, smira e zezë dhe afeksioni i rindezur e i habitshëm sllavoman, kanë errësuar arsyen e zogorisë që deklamoi vullnet të panatyrshëm kundër lirisë, kësaj përmase të lindur njeriu dhe vlere të shejtnuar të Europës së re!

Porse, vetëjetesës sovrane e të lirë të shqiptarëve, nuk mund t’ia prejnë udhën flamujt e melankolisë gjithësllave. Atë e kanë në dorë vetë shqiptarët: për ta bërë ose për ta humbur!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura