Prishtinë, 01. 07. 2013 – Mercenarizmi politik shqiptar i shpërfaqur më 19 prill 2013 është produkt i historisë politike të Kosovës që nga korriku i 1912-ës e tutje. Mercenarët politik që penetruan brenda UÇK-së tek bën puçin e njohur (1998) dhe likuiduan kokat politike brenda ilegales në vend, janë ata që kanë marrë peng sot Republikën. Ndërkaq mercenarizmi politik i dekadës së fundit të shekullit të kaluar (1989-1999), është amëza që prodhoi turpin politik të 27 qershorit 2013. Dërgimi në histori i mercenarëve politikë është proces historik dhe i gjatë, ndërkaq përplasja mes konceptit politik mercenar dhe atij liberator në këtë proces, mbetet e pashmangshme.
Kodet penale në një varg republikash moderne, tutje, si në Mesjetën e hershme, mercenarizmin e trajtojnë si strukturë ushtarake dhe politike që vihet në shërbim të nxitjes së terrorizmit, urrejtjes etnike, fetare dhe politike. Roli i mercenarëve shqiptarë në të gjitha perandoritë që kishin pushtuar këtë pjesë të Evropës Juglindore, për fat të keq nuk është trajtuar sa e si duhet. Jo rrallë, palë të veçanta, këtë lloj veprimi (mercenarizmin), qoftë në ngjitje në Perandorinë Romake, atë Bizantine, Osmane… e deri tek Jugosllavia e Titos, jo rrallë e kanë trajtuar si diçka pozitive, dëshmi të “vlerave” që ne si popull i paskëshim pasur.
Nëse shikohet me sy kritik, krijimi i elitave politike nacionale si proces, nuk kishte si t`i ikte këtij fenomeni. Sidomos në ato mese ku largimi i perandorive u pasua me krijimin e shteteve-kombe dhe jo me ndërrimin e pushtuesve, nga kjo shtresë, gradualisht u krijua elita politike. Përjashtimet janë pjesë e jetës.
Në këtë këndvështrim, si model i veçantë mund të shërbej ai i gjermanëve në Perandorinë Romake. Në procesin shtet-formues roli i mercenarëve gjerman në ushtrinë e perandorisë romake si dhe ai i krijimit të elitës politike që ka bashkëpunuar nga pozitat e vasalizmit me këtë Perandori, në fund rezultoi me krijimin e elitës reale gjermane.
Mercenarizmi politik i dekadës së fundit të shekullit të kaluar (1989-1999), është amëza që prodhoi turpin politik të 27 qershorit 2013!
* * *
Në Kosovë, ky lloj modeli pati përpjekje të mishërohet në strukturat politike që pasonin Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, Degën e saj në Kosovë, me levat e saj, që do të transformohej në Lidhjen Demokratike dhe satelitët e saj, ndërkaq gjatë luftës në strukturën që do të njihet me akronimin FARK (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës).
Ky proces tek gjermanët pati sukses, meqë ai ishte dhe mbeti ngushtësisht i lidhur me fenomenin e ngjizjes së ndërgjegjes kombëtare dhe me vullnetin politik tashmë të transformuar në gjakim për krijimin e shtetit-komb. Disi i ngjashëm është edhe rasti me Zvicrën. Qyteti i Bazelit psh. pësoi njëfarë lulëzimi në saje të kalimit të mercenarëve nga qyteti i Solloturnit në Paris dhe nxitjes së zhvillimit të industrisë minerare dhe lundrimit nga administrata e qytetit që po rritej me shpejtësinë që kërkonte ky veprim politik i qendrës (Romës).
Në Kosovë, ky proces nuk pati këtë rrjedhë për dy arsye:
1. Kombi Shqiptar që prej viti 1912, pas daljes nga zgjedha e Perandorisë osmane, kishte arritur ta krijonte shtetin e tij. Ndërkaq pas viti 1948 udhëheqja e Republikës së Shqipërisë, siç dëshmohet tashmë nga studiuesit serioz, Kosovën e trajtonte si pjesë të aneksuar të shtetit dhe konform këtij gjykimi kishte aprovuar politikat që do të duhej të përmbylleshin me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe organizimin e rezistencës së armatosur në Kosovë.
2. Forcat politike ilegale që po vepronin në Kosovë, fill pas Luftës së Dytë Botërore, në shenjë të mospajtimit me rianeksimin e Kosovës dhe viseve tjera shqitare tashmë nga Jugosllavia, po dilte në skenë një plejadë krijuesish dhe veprimtarësh (si Gjon Sereqi, Marie Shllaku, Metush Krasniqi, Adem Demaçi etj…) që po mbanin lart flamurin e mosnënshtrimit, por edhe do të hartonin programe politike, që do të shërbejnë për mbledhjen e djalërisë shqiptare për veprimtari atdhetare në dobi të Lëvisjes Atdhetare Shqiptare për çlirimin e Kosovës dhe viseve shqiptare nën Jugosllavi dhe për bashkimin me Shqipërinë.
Kjo kriptoelitë gjatë historisë arriti, jo vetëm të hartojë strategjinë kombëtare dhe rrugët që do të ndiqeshin për çlirimin e Kosovës. Si e tillë, kripto elita mbeti jashtë kontrollit të fuqive të huaja dhe mundësive për të penetruar brenda saj mercenarë politik. Këtë ajo e bëri edhe duke qenë në luftë të përhershme me logjikën mercenare që po ushqente elita vasale e pushtetit jugosllav në Kosovë. Kurorëzimi i kësaj lufte në dy fronte: kundër pushtuesit real, por edhe kundër mercenarizmit të elitës autonomiste, do të përsoj goditje të fuqishme më 17 janar 1982, kur do të themelohej Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, pavarësisht se akti i themelimit të saj do të jetë i përgjakshëm, dhe më pas krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, produkt i kësaj Lëvizjeje. Ndërkaq maji i vitit 1998 po shënonte penetrimin më të fuqishëm të mercenarizmit politik edhe brenda strukturës së UÇK-së dhe për pasojë ekskomunikohej kriptoelita. Ushtria mbetej pa kokë politike; ajo vihej në shërbim të agjendave të huaja…
Tashmë është fakt notar se pikërisht UÇK-ja do të shndërrohet në sinonim të lirisë së Kosovës, por ajo do të shërbejë edhe si instrument i gjeopolitikës. Për pasojë, Ballkani nga një zonë e interesit rus, do të rirreshtohet në pozicionin e natyrshëm që kishte para invazionit aziatik (1371, Perandoria Osmane dhe 1945 Bashkimi Sovjetik). Kjo përmbysje e rendit gjithsesi se do të krijojë krahas miqësive të reja edhe mëri të reja. Duket se edhe miqësitë e reja, të mishëruara tashmë në Projektin e Madh që lidhet me Brukselin politik (BE), në vend të kërkimit të partnerëve në një pjesë të Ballkanit, sidomos në Serbi dhe Kosovë, qoftë edhe përkohësisht, kanë zgjedhur të kërkojnë për partner dhe kanë gjetur mercenar politikë. Ky përcaktim është produkt i logjikës neokoloniale, që bie ndesh me vet filozofinë politike të BE-së. Kjo logjikë, zatën projektin e çlirimit të Kosovës, në themel të të cilit është gjakimi për liri dhe demokraci, e ka shndërruar tashmë në “projekt mercenar”!
Marrëveshja e 19 prillit 2013 nuk ka se si shihet ndryshe, përveç si produkt i kësaj logjike. Humbësit real mbesin jo vetëm “mercenarë e legjionarë”, tashmë të veshur me kostum e kollare dhe me imunitetin që u jep pushteti i votës (qoftë ajo edhe e vjedhur), të konvertuar në makinë votuese (deputetë), apo në kryelegjionarë (kryeministër), por gjithsesi edhe populli i somnabulosur.
Menaxheri i njohur gjerman Thomas Sattelberger në studimet e tij do ta pagëzoj këtë lloj mercenarizmi si “fuqi elastike, fluide”, e cila mbetet tutje tërësisht e përkushtuar për pushtet, e gatshme për flijim, siç ishin dikur në Mesjetë “ushtritë mercenare”.
Përplasja mes dy rrymave tashmë të qartësuara: në njërën anë ajo e idealistëve të grumbulluar rreth Vetëvendosjes pothuajse të vetmuar dhe në anën tjetër PDK-së, LDK-së dhe AAK të veshur me petkun e ri të mercenarizmës, të gjithë tokë, mund t`i ngjajë asaj përplasjes së dhunshme e kaotike mes mercenarëve të dështuar dhe vizionarëve të vetmuar, që na e kujton verën e vitit 1912 dhe pozitën e Hasan Prishtinës përballë kundërshtarëve të tij jo të paktë në Shkup, që e penguan ta shpallë pavarësinë e Shqipërisë!
Mercenarizmi politik shqiptar i shpërfaqur sërish më 19 prill 2013 është produkt i historisë politike të Kosovës nga korriku i 1912-ës e tutje. Mercenarët politik që penetruan brenda UÇK-së tek bën puçin e njohur (1998) dhe likuiduan kokat politike brenda ilegales në vend, janë ata që kanë marrë peng sot Republikën. Ndërkaq mercenarizmi politik i dekadës së fundit të shekullit të kaluar (1989-1999), që sinjifikon akronimi LDK dje dhe sot, është amëza që prodhoi turpin politik të 27 qershorit 2013.
Përmbysja e kësaj logjike trajtimi që i bënë Brukseli, por jo vetëm ai, klasës së re mercenare të Kosovës, pa diferenca të ndjeshme nga ato që i bënte dje Beogradi, kërkon mendësi të re politike që zakonisht prodhojnë revolucionet demokratike ose një rilindje politike që mund të jetë e përafërt me atë të 23 qershorit që përfshiu gjysmën e kombit tonë brenda kufijve të Shqipërisë politike. Tek atëherë mund të llogarisim që në pushtet mund të vije një klasë që njëkohësisht është përfaqësuese e interesave të popullit, por edhe partnere reale dhe e denjë e Brukselit. Dërgimi në histori i mercenarëve politikë është proces historik dhe i gjatë. Historia e Kosovës, sidomos kjo modernia, dëshmon qartë se ç`rrugë duhet të ndjekin idealistët për rikthimin e pozicionit të grabitur nga mercenarët politik. Kjo përplasje mund të jetë e hidhur, siç ishte më 27 qershor, brenda në Kuvendin e Republikës së zënë peng, por edhe jashtë në sheshe, mes qytetarëve aktiv dhe legjionarëve somnambulë. Ndërkaq hartimi dhe ndjekja e një strategjie të mirëfilltë politike nga ana e Vetëvendosjes dhe mbështetësve të saj jo të paktë, që do të jetë gjithsesi në përputhje me frymën dhe parimet konceptuale mbi të cilat është ngritur kjo forcë politike, por edhe në akordancë me interesat gjeopolitike afatgjata të miqëve tanë real, këtë përplasje të pashmangshme mes konceptit politik mercenar dhe atij liberator, do të mund ta bënte t`i ngjajë fare lehtë rilindjes së 23 qershorit që tashmë e përjetoi gjysma e kombit tonë.