SADRI RAMABAJA: TRIBUNALI KUNDËR UÇK’së, PRODUKT I AGJENDËS ANTISHQIPTARE

Prishtinë, 07. 04. 2014 – Çka kanë të përbashkët e djathta evropiane, ekstremistët islamik dhe nostalgjikët jugosllav të konvertuar në kuazidemokrat? Po ç’hynë në këtë mes Tribunali kundër UÇK’së?
Kushdo që në mediat tona merr guximin qytetar e intelektual të shkruaj për rrezikun nga islami radikal dhe nga rikthimi i mundshëm i nostalgjikëve jugosllav në pushtet, ballafaqohet me një llum kritikash dhe kualifikimesh nga më banalet dhe nga më të paprincipta, duke u akuzuar si nacionalist utopik ose si i majtë marksistë i papërmirësueshëm.

Agjenda politike e që të dy këtyre grupimeve ka një emrues të përbashkët: antishqiptarizmën. Derisa grupimi i parë njihet si turkofil, pasues të agjendës së neootomanistëve, respektivisht nacionalizmit panarab, grupimi i dytë ka të bëjë me sllavofilët, që nënkupton se kjo kategori vazhdon të ushqejë një lloj simpatie të gërshetuar me varësinë politike që po prodhon mirëkuptim për interesat serbe në Kosovë.
Në substrat këto grupime i bashkon antiamerikanizmi dhe rrjedhimisht edhe antishqiptarizmi. Kjo nuk paraqet në esencë asgjë të re. Për turkofilët e vjetër dhe këta të rinjtë, soj i Haxhi Qamilit të vitit të mbrapshtë, ashtu si edhe për nostalgjikët jugosllav, shqiptarizma, Shqipëria reale, sistemi i demokracisë liberale, drejtësia sociale, vlerat evropiane të popullit tonë, vet historia jonë e bujshme etj., ishin dhe mbeten halë në sy. Këto rryma prezente në hapësirën shqiptare sot, çuditërishti bashkon diç edhe me vet Hitlerin: si ata edhe Hitleri ishin njëkohësisht kundërshtarë të rreptë të botës anglosaksone, por edhe antisemitist të përbetuar!

Gjykimi i UҪK’së me izëm të “miqëve” tanë amerikanë e europianë!!! (sh.b)

  Së fundmi këto kategori kanë fituar mbështetjen edhe nga ekstremi i djathtë evropian. Profesori i njohur i njërit prej universiteteve elitare evropiane, siç është ai i Kembrixhit, historiani Brendan Sims, duke rishikuar historinë që ndërlidhet me LDB dhe Hitlerin shprehet se: “Hitleri ishte bërë një antiamerikan dhe antibritanik i rreptë, para se ai në fakt të ishte antihebre. Ai ishte shndërruar në armik të hebrejve për shkak të ndjesive armiqësore që kishte tashmë ndaj fuqive kapitaliste anglosaksone”.
Disi ngjashëm si Hitleri, edhe turkofilët dhe neootomanistët, tok me nostalgjikët jugosllav të konvertuar në kuazidemokrat, po dëshmohen antihebre, respektivisht antishqiptar, para se të pozicionohen për agjendat politike sllave në Ballkan dhe qëndrimin aspak evropian të Greqisë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Brendan Sims ndërkohë është duke shkruar një biogrfi të re për Hitlerin. Të dhënat e reja nga studimi i tij gjithëpërfshirës do t’i publikojë nën një titull sa provokues aq edhe sinjifikativ: “Kundër një bote armiqësh: Ndikimet e Luftës së Parë Botërore në zhvillimin e ideologjisë së Adolf Hitlerit” pikërisht në revistën „International Affairs“.
Intenca për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar ekstra për të dënuar ish ushtarët dhe oficirët e UÇK’së, në fakt luftën e drejtë të shqiptarëve, më rezulton e ngjashme me këtë alibin e Sims’it për të rehabilituar disi Hitlerin dhe gjithë makabritetin që prodhoi e djathta ekstreme në teatrin e madh të LDB.
E përbashkëta e të djathtës evropiane, ekstremistëve islamik dhe nostalgjikëve jugosllav të konvertuar në kuazidemokrat, rezulton në antishqiptarizmin e tyre të ngritur në sistem.
Ndërkaq alibitë e pompuara rreth domosdoshmërisë për revizionimin e historisë në dobi të politikave obkurantiste pushtuese, në ndëshkimin e luftërave antikoloniale etj., prodhojnë përherë mekanizma politik si ky i Tribunalit kundër UÇK, që po i imponohet Kosovës.
Historiani gjerman Tomas Veber (Thomas Weber), në një ese të publikuar në „Spiegel“ (7/2014) duke shkruar mbi fajësinë gjermane dhe shpërthimin e LPB në njërën anë dhe grindjen e historianëve rreth kësaj çështje, në anën tjetër, potencon se: „Nuk ka të vërteta historike. Ka vetëm një stad të hulumtimit, që disponon tutje zbrazëtira, të cilat do të mbushen me spekulime, me interpretime […]
Edhe për ndërhyrjen e NATO’s duke u angazhuar pro ndalimit të gjenocidit serb në Kosovë (1999), historian e politikanë të djathtë të sojit të Dik Martit, i pati shqetësuar tej mase. Kjo lagje politikanësh dhe “akademikësh”, që për turpin e shkencës shqiptare, ndonjëri sosh, tashmë është edhe anëtarë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kaherë janë angazhuar jo vetëm për të na e shkruar historinë, por edhe për hapjen e Tribunaleve që do t’na përdhosnin atë.
Në intervistën e 12 marsit 2008, për «Réseau Voltaire» të titulluar «Pavarësia e Kosovës nuk është vendosur në Prishtinë» Dick Marty ishte pozicionuar fare hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër shteteve të cilat e njohin këtë pavarësi.
Duket se e djathta evropiane që imponoi fillimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit fillimisht nën petkun e bisedimeve teknike, e më pas me marrëveshjen e 19 prillit të vitit që lamë pas, duke i kurorëzuar ato në dialog të pastër politik në dëm të pavarësisë së Republikës së Kosovës, përmes imponimit tashmë të Tribunalit kundër UÇK, do të krijojë terren të përshtatshëm për interpretime të reja të epokës më të lavdishme të historisë sonë.
Lufta e drejtë, antikoloniale që zhvilloi UÇK, kjo organizatë politiko-ushtarake nga më të sukseshmet në historinë moderne të guerilës gjithandej, duke u shndërruar shpejt në faktor me peshë për ndryshimet gjeopolitike të rajonit, ka tendenca të hapura që të revidohet!
Në këtë rrafsh aleatë të së djathtës evropiane ishin gjithësesi ekstremistët islam shqipfolës tok me ish kolonën e pestë të kolaboratorëve titistë, që tashmë po japin shenja pa dro se mëtojnë të rikthehen në pushtet. Ndërkaq politikanët e papërgjegjshëm që ka kohë kanë koketuar me këto qarqe, vetëm sa e kanë lehtësuar realizimin e agjendës antishqiptare të forcave ekstreme të të gjitha ngjyrave.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura