OPOZITËS I THËNÇIN OPOZITË, OPOZITARIZMI KREJTËSISHT I TREDHUR!

OPOZITËS I THËNÇIN OPOZITË, OPOZITARIZMI KREJTËSISHT I TREDHUR!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Në mungesë të minjve, macet bëhen luanë

Gjendjen në Kosovë e kemi si e kemi, pozita është dominuese në çdo fushë shkaku i numrave që i ka në Kuvend duke e shkelur, në raste e raste edhe duke e turpëruar opozitën kurse opozita po sillet sikur të ishte pjesë e sistemit politik e parlamentar të Madagaskarit. Pozita po e kalon çdo ligj apo nismë që e ka premtuar në fushatën zgjedhore pavarësisht se a do të jetë i zbatueshëm apo jo duke u mbështetur në një parim krejtësisht komunist se; prej kuantitetit del kualiteti! Nuk ka qeveri që e ka ngritur nepotizmin dhe klientelizmin në një nivel aq të lartë e që askujt nuk i jepë llogari. Nuk ka qeveri që punësimet në baza nepotiste  thuaja i ka bërë pjesë të sistemit duke i legalizuar ato e që, jo se nuk ndjenë përgjegjësi por krijon arsyetim për secilin veprim. Nuk ka qeveri që ka qenë më jotransparente në bisedime me Serbinë  e që vazhdon të jetë e tillë edhe sot duke e caktuar si kryenegociator një analfabet politik funksional si puna e Besnik Bislimit. Për të gjitha këto, ka shumë edhe për të përmendur, LV e ka mbajtur Kosovën në gjendje lufte , që nga themelimi e deri te marrja e pushtetit me 51 % të votave. Realisht, sot në Kosovë e kemi një demokraci krejtësisht të kontrolluar dhe të mbikëqyrur nga pushteti e që në perëndim quhet diktaturë paqësore që, lehtësisht mund të përfundojë në diktaturë të dhunshme që pashmangshëm do ta prodhojë një rezistencë të dhunshme , nëse jo nga opozita atëherë, sigurisht nga ndonjë forcë tjetër e cila do t’i përgjigjej dhunës institucionale,  me dhunë fizike. Sot kemi një qeveri, unë e quaj të baushtellës  ku disa ministra në aspektin kombëtar nuk dallojnë nga regjimet e mëparshme antishqiptare. Së paku nëse i referohemi deklaratave të disa ministrave siç ishte rasti i Hekuran Muratit dhe sufleres që me një kryeneqësi të paimagjinueshme po e luan rolin e ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë , Donika Shvarc . Merreni listen me emra të ambasadorëve që janë propozuar  nga Albin Kurti përmes Vjosa Osmanit e që, me kënaqësinë më të medhe e ka noterizuar zonja Shvarc dhe lehtësisht e vëreni se , ose kanë qenë bijë e bija të dhunuesve të gjithë atyre që kanë kontribuar për çështje kombëtare ose , në rastin më të lehtë në mënyrë aktive , si anëtarë të mediave apo mendermethënë shoqërisë civile  kanë punuar kundër interesave kombëtare dhe politike kurse, kryeministrin aktual Albin Kurtin e patën gozhduar më keq se Jezu Krishtin. Tash, duke e lëpirë kurorën prej therrave të murrizit që  i kishin vënë mbi kokë Krishtit (Albinit), po bëhen më albinë se vet Albini, më Vetëvendosje se e gjithë Vetëvendosja dhe më patriotë se sakrifikuesit më të mëdhenj. Të poshtër dhe të pafytyrë janë këta kameleonë dhe jargë njerëzore! Mirëpo, tash rolet janë ndërruar ; Albin Kurti nuk është më Krishti por Pont Pilati duke i shkelur të gjitha premtimet dhe duke u arsyetuar se çdo veprim apo vendim po e merrë shkaku i atyre që 20vjet ishin në pushtet në Kosovë e të cilët nuk kanë marrë vendime të mira por , në mesin e vendimeve të këqija, këto të Albinit dhe Bislimit qenkan më pak të këqija! Çfarë hipokrizie! Merreni sot gjendjen në shëndetësi ku një minister i baushtellës, mbathur me kaubojka e trajton Kosovën si ranç kurse pacientët (banorët) i trajtonë si banorë të rançit (lopë apo në planin më afirmativ, si kuaj ). Apo kjo ministrja e Tregtisë,  Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, më shumë kujdeset për mirëqenien e indianëve të Utar Pradeshit se qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, ka zbuluar diçka që nuk fort të bëjë me kualifikimin e pakualifikuar për punën që e bënë ; se si një fëmijë mund ta shkelë një veturë e jo vetura fëmiun ! Me këtë teori i ka shkelur dy shkencëtarët më të mëdhenj të fushës ,Albert Ajnshtajnin dhe Jahja Kokën ! Hekuran Murati ,  si plakat e këtyrehershme që e ruanin kapitalin në një qese në gjoks por se kur e kërkonte nevoje e zgjidhnin qesen , ai ato para i ruanë në prapanicë dhe nuk ka prapanicë ta bëjë asnjë veprim për të ndihmuar qytetarët në rrethana kur inflacioni ka kaluar 14 % duke kontribuar në varfërimin galopant të qytetarëve . Pasi në ekonomi i ka zgjidhur të gjitha problemet i ka dalë koha të merret me veteranët e UÇK-së, si autoritet i dëshmuar kombëtar dhe politik sikur që është i njohur që me robë e fëmi është sakrifikuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për ministritë dhe ministrat tjerë, në shkrimet tjera!

Merreni Kuvendin e Kosovës dhe analizoni shumë sipërfaqësisht paraqitjet e deputetëve të opozites dhe të pozites. E shihni se shumica e tyre e kanë humbur rrugën në oborr , në vend se të shkojnë e të vijojnë një kurs elementar të analfabetizmit politik dhe parlamentar , flasin e sillen sikur të ishin qendra e botës!

Presidentja Vojsa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë kundërshtarët më të mëdhenj të Rusisë dhe Vlladimir Putinit sikur edhe përkrahësitë më të mëdhenj të Ukrainës dhe të Volodimir Zelinskit të cilin bota gabimisht e konsideron si president të Ukraines. Definitivisht, edhe Kurti sikur edhe Vojsa Osmani janë shpresa e vetme e botës që të zgjidhin problemin e Ukrainës meqë angazhimin kryesor e kanë në këtë front kurse punën në Kosovë e kanë fakultative , kthehen për vizita familjare . Opozita e qortoi kryeministrin Kurti për qëndrim të gjatë në Greqi në një pushimore krejtësisht modeste, edhe për standardet e Illon Maskut apo Xhef Bezosit në ndërkohë që darabuku  i qeverisë deklaroi se shpenzimet për qëndrim nuk i paguan qeveria por organizatori. Në fund të fundit, çka ka kjo rëndësi se kush i paguan, vendi i punës i kryeministrit është në Kosovë e jo në Athinë ! Kryeministri i Kosovës  ka të drejtë që të shfrytëzojë pushimin ku të dojë dhe aq kohë sa i takon me ligjin e punës, me paratë e veta dhe për këtë askush nuk mund ta sulmojë sepse nuk kanë të drejtë !

Opozitarizmi i tredhur të cilit nuk i ndihmojnë as të gjitha viagrat e Ferit Muratit

Kurrë në Kosovë nuk ka pasur opozitë më të lodhët dhe më jovepruese se që e kemi sot. E mbaruar fare. Thonë se nuk e duan pushtetin që edhe unë besoj por se deklarojnë se Albin kurti po punon për ta . Mendoj se Albin Kurti po punon vetëm për veten e tij dhe se e ka pushtetin 100 përqind . Kjo opozitë , në rrethanat e 51 %  të votave të pozites e ka të pamundur të bëjë opozitë parlamentare konstruktive sepse po shkelet nga një pozitë me mendësi të Xhingis Kanit. Mrëpo, kjo opozitë seriozisht duhet të mendojë e të bërit opozitë jashtëparlamentare, ose, nëse këmbëngul që fushëbeteja të jetë Kuvendi i Kosovës , atëherë duhet ta mbajë nën presion poziten me seanca të jashtëzakonshme të cilat duhet të thërrasë çdo ditë sikur edhe duke sjellë qindra e mijëra amanadamente për ligjet apo nismat e propozuara nga pozita . Më kujtohet se kur partitë shqiptare kërkonin zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut, VMRO – DPMNE i pati propozuar 33,000 mijë amandament për ligjin e propozuar duke e vonuar për më shumë se tetë (8) muaj votimin e këtij ligji. LDK-ë është si është , me Lumin e Xhikës u bë pararojë e Zyres së Vojsa Osmanit duke pritur që përmes saj , Albin Kurti t’i thërrasë të bëhen pjesë e qeverisë pasi i duhet edhe dikush tjetër për ta nënshkruar marrëveshjen me Serbinë . PDK –ë sikur po distancohet të qenit parti e dalur nga lufta e lavdishme e UÇK-së duke bërë përpjekje të transformohet e që e kanë bërë punën lesh. PDK–ë vazhdimisht duhet ta theksojë dhe të krenohet se është parti që është formuar si vazhdimësi e luftës së UÇK-së , tash me mjete politike e që e kam bindjen se nuk po e bënë këtë . Madje , kontribuesit më të mëdhenjë të PDK-së për lirinë e Kosovës , ose janë të burgosur dhe syrgjyrosur në Hagë , ose janë hijezuar nga ndërkombëtarët duke bërë përpjekje që politikisht të ekzekutohen nga kolaboracionistët vendorë . Ata që e sollën lirinë e Kosovës kanë emra dhe mbiemra dhe e mbajnë lavdinë e përjetshme ndërsa përfituesit e çastit janë të çastit , pa identitet kombëtar dhe patriotik . Çdokush që është aktivizuar në politikë si pjesëtarë i UÇK-së duhet të ndjehet krenarë dhe asnjëherë nuk duhet t’i nënshtrohen një oportunizmi politik . LV nuk është e interesuar ta fusë PDK-në në pushtet për dy arsye ; e para sepse nuk i beson dhe se ia ka frikën dhe, e dyta sepse PDK–ë ka deklaruar se do ta votojë Marrëveshjen përfundimtare me Serbinë e që pikërisht i duhet LV–së. PDK–ë dhe asnjera parti politike në Kosovë e që janë në opozitë nuk duhet ta votojnë një marrëveshje të tillë për të cilën nuk pyeten fare dhe LV e ka të qartë se nën trysni të ndërkombëtare do të detyrohen ta votojnë çdo marrëveshje që do të arrihet !

Marrëveshja me Serbinë dhe liberalizimi i vizave

Duket qartazi se Kosovës , në një  afat jo shumë të largët do t’i liberalizohen vizat . Këto viza do të liberalizohen në kohën më të keqe për Kosovën e që do të ndikojnë në zbrazje të Kosovës në përpjekje për një jetë më të mirë. Natyrisht se zbrazja edhe tani është shqetësuese , pas liberalizimit i cili do të jetë i kushtëzuar, Kosova do të përgjysmohet dhe më nuk do të vlejë koha e pensionimit apo do të importojmë fuqi punëtore nga shtetet tjera , nëse gjejmë budallenjë të tillë. Ndonëse nuk thuhet publikisht, procesi i liberalizimit të vizave është i kushtëzuar me arritjen e një Marrëveshjeje me Serbinë prandaj, jam i sigurt se është i draftuar teksti i në Marrëceshjeje që  arritja e saj nuk do të varet nga Kosova por nga Serbia dhe Aleksandar Vuçiqi . Sikur që ishte Marrëveshja e Rambujesë. Jam i sigurt se kjo qeveri dhe kjo presidente do të nënshkruajnë çdo marrëveshje dhe se gabohet rëndë opozita kur thotë se Albin Kurti nuk është në raporte të mira me amerikanët. Amerikanët krejtësisht e përkrahin Albin Kurtin ndryshe, Albini moti do të mbetej pa pupla (pushtet)! Amerikanët janë deklaruar për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që nënkupton fleksibilitet , kreativitet dhe kompromis të dhimbshëm. Këtu është topi dhe kush i pranon këto rregulla apo parime , mbetet pjesë e lojës. Ta shohim, nëse gaboj në parashikimin tim, botërisht do të kërkoj falje dhe do ta përkrahë kryeministrin Kurti, pa asnjë hezitim. Por, me keqardhje e them se e vërteta do të jetë ashtu si po e them .

Për këtë arsye dhe me këtë opozitë Albin Kurti mund të mbetet në pushtet në Kosovë sa Enver Hoxha në Shqipëri dhe Josip Broz Tito në Jugosllavi.

15 korrik 2022 Prishtinë          Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura