Prishtinë, 01. 04. 2013 – Pse më kthehen në mendje pyetjet e profesorëve në Universitetin e Bazelit mbi pozicionet e UÇK-ja në veri, në Trepçë dhe në Shalë të Bajgorës sot? Pse insistonin ata që UÇK për asnjë çmim nuk duhej të tërhiqej nga veriu? Pse po lejojmë që veriu i Kosovës të shndërrohet në peng të fatit politik të Hashim Thaçit?
– Në maj të vitit 1999 Dr.Stephan Kux, ligjërues në Institutin për Studime Evropiane të Universitetit të Bazelit, autor i studimit “Shkaqet dhe mundësitë e zgjidhjes së konflikteve në Ballkan: pasojat e marrëveshjes së Dejtonit”, që kishte bërë që ai të jetë personi të cilit i referoheshin qarqe diplomatike jo vetëm gjermanofone, për të marrë mendimin e tij për luftën tashti në Kosovë, më kishte ftuar për t`më pyetur në dinte gjë UÇK-ja për planin Patkoi. Po ky personalitet i botës akademike kishte shprehur gatishmërinë të vihet në dispozicion të delegacionit tonë në Rambuje dhe duke parë rrjedhat negative të pritshme, më kishte kërkuar ndihmën time për t` i përcjell delegacionit tonë atje një studim të thuktë për variantin e parë të marrëveshjes së Rambujesë. Shih për këtë, ftesës së tij për të mbajtur një ligjëratë për profesorët dhe studentët e Universitetit të Bazelit lidhur me luftën në Kosovë dhe rrjedhat në Ballkan pas përfundimit të pritshëm të luftës, iu pata përgjigjur me kënaqësi të veçantë.
Dr.Stephan Kux, ligjërues në Institutin për Studime Evropiane të Universitetit të Bazelit, autor i studimit “Shkaqet dhe mundësitë e zgjidhjes së konflikteve në Ballkan: pasojat e marrëveshjes së Dejtonit”.
* * *
Bombardimet e aviacionit të NATO-s kishin filluar ta bënin efektin e pritur në terren, por edhe në qarqe akademike dhe diplomatike edhe aty në shtetin e helvetikëve, ku parimet e drejtësisë dhe neutralitetit, por edhe raportet e veçanta me SHBA-të në rrafshin diplomatik, ekonomik etj., kanë lënë gjurmë të thella.
Aula nr. 8 e Universitetit të Bazelit rrallë kishte pasur publik më të veçantë, por edhe objekt trajtimi kaq specifik. Përveç stafit të Institutit, drejtorit dhe themeluesit të tij, profesorit të nderuar Georg Krajs, në ligjëratë, në cilësinë e publikut aktiv merrnin pjesë personalitete drejtuese të Universitetit, rektori, ekspertë e të ftuar të Ministrisë së jashtme, por edhe qytetarë të interesuar për rrjedhat në Kosovë dhe Ballkan.
Në panel ishim dy studentë shqiptarë, Sabri Kiçmari, nga Universiteti i Bohumit, atëbotë përfaqësues politik i UÇK për Gjermani, tashti ambasador i Republikës sonë në Austri dhe unë në cilësinë e studentit pasuniversitar të Institutit për Studime Europiane të Universitetit të Bazelit.
E veçanta e ligjëratës ishte edhe fakti që aty zyrtarisht ishte i ftuar edhe përfaqësuesi politik i UÇK-së. Shih për këtë, që në fillim të ligjëratës, diku nga mesi i sallës, u ngrit një mjek serb, që atëbotë punonte në Klinikën Universitare të Bazelit dhe ishte jashtëzakonisht i njohur nga publiku, duke protestuar për prezencën e përfaqësuesit politik të “njërës prej bandave më kriminale në Evropë, që kur u mund nazizmi”, si e cilësoi ai UÇK.
Pas këtij reagimi, sikur mori forcë edhe një asistente me origjinë serbe, që punonte në Universitet, respektivisht Institut, dhe në fjalën e saj përkujtoi neutralitetin tradicional zviceran dhe cenimin e kësaj fryme që po bëhej, sipas saj, me këtë rast.
Për neutralizimin e këtyre zgjatimeve të pushtetit serb, që tashmë në sytë e opinionin zviceran dhe atij botëror ishte diskredituar në Bosnjë përmes ushtrimit të gjenocidit, dhe po diskreditohej edhe më shumë duke pretenduar që ciklin e luftërave ta përmbyll me gjenocidin ndaj shqiptarëve, me pak fjalë ligjëratës i dha rrjedhën e duhur pikërisht profesori Kux, duke na dhënë pastaj mundësinë e referimit mua dhe kolegut tim Sabriut, për të paraqitur historikun dhe rrjedhat e zhvillimeve të fundit në Kosovë.
Diku nga fundi i ligjëratës, njëri nga pjesëmarrësit, shumë mirë i informuar për pretendimet serbe ndaj veriut të Kosovës, na e shtroi një pyetje të drejtpërdrejtë:
– çfarë pozicionesh ka UÇK-ja në veri, në Trepçë dhe në Shalë të Bajgorës?
Si përfaqësues politik i UÇK-së, Sabriu, duke qenë më i informuar, i dha një përgjigje të thuktë dhe në shikim të parë me informacion bindës. Por, pavarësisht kësaj bindje që mund të krijonte përgjegjia e përfaqësuesit të UÇK-së, nga reagimet me shikime drejt meje, kisha përshtypjen se jo vetëm ai, por edhe profesor Kuksi, nuk ishte shumë i kënaqur me përgjigjen që morën, sidomos rreth forcës së UÇK-së të pozicionuar në atë zonë.
Në përmbyllje, gjatë koktejit, që të dytë m`u afruan duke vazhduar të diskutonim për planin Patkoi, si projekti më morbid i Beogradit për deshqiptarizimin definitiv të Kosovës, të cilin e kisha zënë në gojë gjatë ligjëratës, por edhe rreth perspektivës pas përmbylljes së luftimeve. Ajo që potencuan bashkëbiseduesit, e që më bëri shumë përshtypje, ishte insistimi i tyre që UÇK me asnjë çmim nuk duhej të tërhiqej nga veriu. Një vit më vonë, derisa po insistoja që me një ekip të TV Zviceran të kaloja në veri dhe aty tek ura e Ibrit, më kthyen mbrapsht ushtarët francez, e kisha të qartë insistimin e miqve zviceran për pozicionin e UÇK në veri, por edhe urdhërin që kishin marrë ushtarët tanë atje nga Shtabi i Përgjithshëm për tërheqje.
* * *
Ndërkaq tashti, derisa po zhvillohen bisedimet politike mes Prishtinës dhe Beogradit pikërisht për veriun e Kosovës, dhe tek jemi në prag të përmbylljes së tyre, kryeministri duke toleruar ravijëzime autonomish serbe me emrin Bashkësia Serbe, që nuk është gjë tjetër pos një lloj ndarje e butë e Kosovës, na kujton pikërisht tërheqjen e parë që kishte urdhëruar ta bënin ushtarët e UÇK-së nga ajo pjesë e Republikës, por edhe urdhërdhënësit e saj, që më pas u shpërblyen me poste politike dhe tashmë po zhvillojnë bisedime në Bruksel për fatin e kësaj pjese të Republikës. Ndërkaq më 2 prill Hashim Thaçi duket se do ta bëjë publike pikërisht marrëveshjen që kishte arritur me palën frënge atëbotë, si ndërmjetësuese reale, duke vënë peng këtë pjesë të Republikës me fatin e tij politik.