SAIMIR LOJLA: NË FILLIM TË FILLIMIT E DERI NË KONGRESIN E ABECESË MË 1908

Pashtriku.org, 27. 11. 2013 – Në 105 vjetorin e Kongresit të Manastirit – (Në fillim të fillimit) – Zanafilla 1:1 – Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. (Libri i Parë i Dhjatës së Vjetër, Orthodox Jewish Bible, English Standard Version Bible, Genesis 1:1). Zanafilla 6:4 – Kishte nëfillimë mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të atyre kohëve. (Genesis 6:4)Zanafilla 11:1 – Dhe tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë. (Genesis 11:1)Zanafilla 11:6 – Dhe Zoti tha: “Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t’i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë (Genesis 11:6).Numrat 13:33 – Dhe aty pamë nëfillimët (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga nëfillimët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t’u dukeshim atyre” (Libri i Katërt i Dhjatës së Vjetër, Numbers 13:33).


 OLD TESTAMENT – THE FIRST BOOK
Genesis 1:1
In the beginning God created the heavens and the earth.
Genesis 6:4
The Nephilim were on the earth in those days, and also afterward, when the sons of God came in to the daughters of man and they bore children to them. These were the mighty men who were of old, the men of renown. (English Standard Version Bible)
HaNefilim were on ha’aretz in those yamim; and also after that, when the bnei HaElohim came in unto the banot HaAdam, and they bore children to them, the same became gibborim which were of old, men of renown. (Orthodox Jewish Bible)
Genesis 11:1
And the whole earth was of one language, and of one speech.
Genesis 11:6
And the LORD said, “Behold, they are one people, and they have all one language, and this is only the beginning of what they will do. And nothing that they propose to do will now be impossible for them”.
OLD TESTAMENT – THE FOURTH BOOK
Numbers 13:33
And there we saw the Nephilim (the sons of Anak, who come from the Nephilim), and we seemed to ourselves like grasshoppers, and so we seemed to them. (English Standard Version Bible)

And there we saw the Nephilim, the Bnei Anak, which come of the Nephilim; and we were in our own sight as grasshoppers, and so we were in their sight. (Orthodox Jewish Bible)
Dritëza nga e shkuara
Viti 1210 – Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit, i gjetur në Vatikan, është botimi më i vjetër i njohur deri tani i gjuhës Shqipe. I tëri është në pergamen dhe ka 208 faqe. I gjithë dorëshkrimi është i shkruar me shkronja latine dhe i tëri në gjuhën shqipe, në të folurën e veriut. Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në faqet 1r-97r mbi teologjinë; faqet 98r-146r mbi filozofinë dhe faqet 147r-208r mbi historinë. Ndërsa në fund, autori ka firmosur vetë duke shkruar: “Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’ Lummnummitt ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’ Mmarxxitee. THEODOR SSCODRAANNITTEE”. Rëndësia e këtij libri, dhe e të tjerëve që nuk janë abetare, është se tregon se ka patur shkrues, botues dhe lexues të shkolluar të Shqipes në vitin 1210.
Viti 1332 – Kryepeshkopi francez i Tivarit, me emrin Brocardus Monacus dhe i shëtitur nëpër Shqipëri, në një letër të përcjellur në latinisht shkruan: “Sado që shqiptarët kanë një gjuhë fare të ndryshme nga latinishtja, prapë ata kanë në përdorim në tërë librat e tyre shkronjat latine”.
Fillim shekulli XIV – Një libër Dhjate i shkruar në italisht dhe në Shqip ku, përshembull, një fletë e tij përmban: “Scala I. Ligierata VI. Si e krijoi zotne Adamne et Evene. Të paretë tanë print”.
Viti 1462 – Formula e pagëzimit e shkruar nga kryepeshkopi i Durrësit Imz. Pal Ëngjelli gjatë një vizite në dioqezën e Matit më 8 Nëndor 1462, jepet: “Un të pagëzonj pr’emen’t Atit e t’birit e t’shpirtit shenjt”.
Viti 1497 – Fjalori i udhëtarit Arnhold von Harff përmban 26 fjalë Shqip, 8 shprehje dhe numrat nga 1 deri 10 dhe 100 e 1000. Fjalori i Arnold von Harffit është i pari dokument në Shqip i shprehjeve dhe numrave.
Fillim Shekulli XVI – “Perikopeja e Ungjillit të Pashkës” është një dokument fetar i shkruar në gjuhën e kishës lindore (greqisht) dhe mendohet se i përket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI. Ky dokument përmban dy pjesë të vogla nga Dhjata e Re në gjuhën shqipe me gërma të gjuhës së kishës lindore.
Viti 1504 – Marin Barleti përmend në librin e tij në latinisht “Rrethimi i Shkodrës” se ai kishte shfletuar libra historikë të shkrojtur në gjuhën Shqipe (Arbërore).
Viti 1555 – Meshari i Gjon Buzukut është i pari libër i njohur deri më tani në gjuhën shqipe. Cilësia e gjuhës së shkruar pohon për një gjuhë shqipe të organizuar. Meshari i plotë ka patur 110 fletë (200 faqe) dhe nga këto janë gjendur vetëm 94 fletë. Libri është kishtar i shkruar me gërmat latine dhe përmban 154’000 fjalë. Meshari është i shkrojtur simbas të folurës veriore dhe origjinali gjendet në Vatikan.
Viti 1592 – Arbëreshi Lekë Matrënga boton përmbledhjen fetare “E mbësuame krishterë” ku përfshin edhe vjersha të tij. Ai ishte njëkohësisht prift i ritit lindor në bashkësinë shqiptare të Siçilisë.
Viti 1618 – Prifti katolik Pjetër Budi boton librin “Doktrina e kërshtenë” duke përfshirë edhe 54 faqe me vjersha fetare ku një pjesë janë origjinale të tijat. Në vitin 1621 boton librat “Rituali Roman”, “Cusc zzote mesce keto cafsce i duhete me scerbyem” dhe “Paschyra e t’rrëfyemit”.
Viti 1635 – Peshkopi katolik Frang Bardhi boton një fjalor latinisht-shqip “Dictionarium latino-epiroticum”, më 1636 një libër për Gjergj Kastriotin dhe një përmbledhje për krijimtarinë popullore.
Viti 1685 – Peshkopi katolik Pjetër Bogdani boton prozën e parë të njohur origjinale në Shqip të titulluar “Banda e Profetëve”.
Vitit 1731 – Vjershëtari popullor Ibrahim Nezimi nga Frakulla e Fierit botoi vjersha në Shqip duke përdorur gërma arabike, si dhe një fjalor të tillë Shqip-osmanisht.
Viti 1762 – Arbëreshi nga Kozenca e Italisë së Jugut dhe njëkohësisht prift katolik, Jul Variboba, botoi në Romë librin me vjersha të titulluar “Ghiella e Shën Mëriis Virghiër”.
Viti 1770 (përafërsisht) – Sulejman Naibi nga Berati shkruan vjersha e këngë në Shqip me gërma osmane, si përshembull “Mahmudeja e stolisurë”.
Viti 1777 – Arbëreshi Nikollë Keta nga Kundisa (Contessa Entellina) në Siçili boton vjersha në Shqip, përfshirë edhe sonetin e parë poetik shqiptar.
Viti 1800 (përafërsisht) – Hasan Zyko Kamberi nga Kolonja boton vjersha te ndryshme në Shqip me gërma osmane, si për shëmbull “Gjerdeku”, “Paraja”, etj.
Gjysma e dytë e shekullit XIX – Arbëreshi Zef Serembe nga Kalabria në Itali të Jugut boton vjersha dhe përkthime në Shqip.
Shekulli XIX – Të njohura janë 4 dorëshkrime e 77 libra në Shqip të 34 autorëve.
Abecetë origjinale shqiptare (1761-1844)
Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve njihet si Anonimi i Elbasanit (1761) është shkrimi më i hershëm Shqip i shkruar me një Abece origjinale. Autor ishte Gregori i Durrësit, i njohur edhe si Gregori i Voskopojës, i cili qëndroi 15 vjet në Elbasan para hartimit të dorëshkrimit. Ai u përpoq të shkruante në një gjuhë të përbashkët që ta kuptonin shqiptarët nga krahinat e ndryshme. Një gjë bie në sy në Dorëshkrimin Elbasanas: ka shumë pak fjalë të huaja, vetëm tri fjalë latine dhe shtatë fjalë turke. 59 faqet e përkthimeve biblike në Dorëshkrimin Elbasanas përmbajnë 6113 fjalë të shkruara me një Abece prej 40 gërmash: 35 gërma të zakonshme dhe 5 gërma të rralla. Shumica e gërmave të kësaj Abeceje janë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve dhe Abeceve të popujve fqinjë.
Gjithashtu, në kapakun e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve gjëndet një vizatim dhe 12 fjalë të shkruara me një Abece që ndryshon krejtësisht nga Abeceja e dorëshkrimit; por e pa zbërthyer akoma.
Abeceja e Todri Haxhifilipit (1730-1805) nga Elbasani, e cila është një sistem i ndërlikuar prej 52 gërmash që u përdor aty këtu në Elbasan nga fundi i shekullit XVIII.
Abeceja e Kodeksit të Beratit (1764-1798), një dorëshkrim prej 154 faqesh, Shqip e greqisht. Me shkronja të kishës lindore është, bie fjala, një vjershë e titulluar “Zonja Shën Mëri përpara kryqësë”. Në faqen 104 janë dy radhë Shqip të shkruara me një Abece origjinale prej 37 gërmash të ndikuara nga glagolishtja.
Një Abece tjetër paraqitet në Gjinokastër nga fundi i shekullit XVIII ose fillimi i shekullit XIX, e cila është një sistem prej 22 gërmash, por pak e përhapur.
Një Abece tjetër e lindur në Jugun e Shqipërisë është ajo e Jani Vëllarait (1771-1823). Ai ishte autori grek i shënimeve gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t’i mësuar shqip grekërve. Gjuhën shqipe e shkroi me një Abece origjinale prej 30 gërmash në bazë të latinishtes dhe të greqishtes.
Abeceja e Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korça prej 33 gërmash të botuara në abetaren e tij Shqipe në vitin 1844. Jehona e kësaj Abeceje, e cila i ngjan një lloj armenishtje të pjerrët, ishte e pakët.
Ajo periudhë njëqindvjeçare 1750-1850 përmban një shumëllojshmëri shkrimesh nga shqiptarët. Pas vitit 1850, gjuhës shqipe të shkruar sipas shtatë Abeceve origjinalë të lartpërmendura iu shtuan edhe tre përshtatje të Abeceve të gjuhëve latine, greke dhe arabe. Është për t’u çuditur që kultura shqiptare arriti ta dallonte veten dhe të mbijetonte me një madhështi e krijimtari të tillë letrare. Egzistenca e tyre çjerr njëkohësisht keqësinë me të cilën u ndesh delegacioni Shqiptar në Kongresin e Berlinit më 1878 ku iu tha JO për shtetin Shqiptar të kërkuar me “arësyen” se “nuk mund të kishte komb pa gjuhë të shkruar”. Ndërkohë që kishte jo një, por dhjetë Abece që mund të përzgjidheshin e zbatoheshin.
Kongresi i Manastirit ose ndryshe Kongresi i Abcesë (14-22 Nëntor 1908)
Mendjet më të ndritura shqiptare përpiqeshin me këmbëngulje të zgjonin kombin arbëror dhe të bashkonin tërë popullin duke i kujtuar misionin mijravjeçar që kishte për të trashëguar dhe përparuar kombësinë e tij. Atdhetarët përballeshin me një përçarje dhe përgjumje në popull që shkaktohej nga politika përça-e-sundo e qeverisë osmane dhe armiqve të tjerë, nga ngrehinat shoqërore feudale-fisnore në Shqipëri, nga një shpërndarje e palidhur e popullatës dhe nga animet e ndryshme fetare të cilat përdornin osmanishten, greqishten, italishten e gjermanishten në vend të Shqipes.

Në ato kushte hutimi por edhe lulëzimi kombëtar, shoqëria Bashkimi e Manastirit thirri më 14 Nëntor 1908 kongresin e parë të përgjithshëm për diskutimin dhe miratimin e një Abeceje të njësuar. Aty ishin të pranishëm 50 delegatë (32 votues e 18 vëzhgues) të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga bashkësitë shqiptare në Rumani, Turqi, Egjypt, Itali, Amerikë e gjetkë. Kongresi u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit, cili mbajti edhe fjalimin e mirëseardhjes. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit që pat kryesuar Lidhjen I të Prizrenit, kurse përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike Britanike dhe shkrimtari Gjergji Qiriazi u zgjodh nënkryetar.
Françeskani At Gjergj Fishta, i ardhur me përfaqsuesit e Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës themeluar më 1899, me kumtesën e tij “Për alfabetin latin” i dha drejtimin e duhur marrëveshjes për Abecenë dhe pjesmarrësit në Kongres e zgjodhën atë Kryetar të Komisionit të Abecesë. Anëtarët e tjerë të Komisionit ishin Mithat Fashëri (nën-kryetar i Komisionit), Luigj Gurakuqi (shkrimtar, botues, politikan, figurë kombëtare nga Shkodra), Gjergj Qiriazi, Don Ndre Mjedja (profesor jezuit nga Shkodra), Grigor Cilka (prift protestant nga Korça), Dhimitër Buda (financues nga Elbasani për arsimin), Shahin Kolonja (gazetar dhe politikan nga Kolonja), Sotir Peçi (matematikan nga Korça dhe përfaqsues i shqiptarëve të Amerikës), Bajo Topulli (figurë kombëtare nga Gjinokastra) dhe Nyzhet Vrioni (politikan nga Berati). Parashqevi Qiriazi, e Shkollës së Vajzave në Korçë, shërbeu si sekretare e komisionit. Ajo ishte e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori që mori pjesë në një forum mbarëshqiptar.
Ditën e dytë të kongresit, Gjergj Fishta mbajti një fjalim tjetër të mrekullueshëm për vetitë e mira të shqiptarëve dhe nevojat e tyre. Për këtë rast, zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë, e pranishme aty si vëzhguese, shkruante për poetin Gjergj Fishta: “Kumtesa më e mirë u mbajt nga një prift katolik nga Shkodra, fjalët e të cilit bënë që dëgjuesve t’u rridhnin lotë; një hoxhë u prek aq shumë, saqë rendi dhe e përqafoi para gjithë të pranishmëve”. Don Nikollë Kaçorri ishte një nga dijetarët më të ndritur në Kongres. Tetë nga trembëdhjetë parashtrimet e poetit Ndre Mjeda u miratuan nga Kongresi, i cili, ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe njihte 13 gjuhë, mbi gjuhën Shqipe nuk vinte gjë tjetër:
Nji kto gjuhë, qi jam tue ndie
janë të bukra me temel;
por prep’ këjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.

Kongresi nëntëditor vendosi me votë të plotë që shqiptarët ta linin mënjanë Abecenë e Stambollit (e cila bë më vonë Abeceja e Turqisë moderne) dhe ta shkruanin gjuhën e tyre vetëm me Abecenë latine. Kjo Abece ishte përpiluar nga At Gjergj Fishta dhe në Shkollën e Fretëneve në Shkodër ku ai ishte drejtor gjuha Shqipe e shkruar me Abecenë e sotme ishte në përdorim që në vitin 1902. Abeceja e pranuar në Manastir përmbante 36 shkronja apo bashkime shkronjash latine. Duke qenë se para kësaj mbledhjeje gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja lindore (arabe, cirilike apo përshtatje të tyre), vendosmëria e këtyre delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi nje shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që shkaktoi kundërveprime të ashpra nga bizantinët (qeveria osmane e moslemanët, qeveritë fetare sllave e greke).
Kongresi vendosi gjithashtu ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave Shqipe. Por shpejt qeveria osmane i mbylli të gjitha shtypshkronjat shqipe. Megjithatë më 1911, Hoxhson, përfaqsuesi i Shoqërisë Biblike të Kostandinopojës, raportonte: “Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur pa pikë mëshire, kurse përpjekjet ngulmuese për ndalimin e gjuhës dhe zhdukjen e letërsisë Shqipe nuk kanë rreshtur kurrë. Gjendja e rëndë politike mund të marrë flakë nga çasti në çast”. Tashmë shqiptarizmit i kishte shpërthyer lulëzimi me një përhapje e ripërtëritje që nuk do i ndaleshin më. Shqiptarët e Kongresit të Abecesë e kryen misionin e tyre; të tjerët kishin misione të tjera për të kryer në shekullin e sapofilluar dhe në shekujt e mëpasëm.
(Shkrimi është mbështetur edhe në botime të autorëve Musa Ahmeti, Robert Elsie, Edwin E. Jacques, At Donat Kurti).
FUND

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura