Tiranë, 28. 06. 2014 – Ballkani nuk është më një “ fuqi baruti”. Pas marrëveshjes së Dejtonit 1995, konferencës së Rambujesë 1999, Marrëveshjes së Kumanovës 1999, marrëveshjes së Ohrit 2001 dhe marrëveshjes midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Sërbisë në Bruksel 2013, Ballkani politik duket të jetë stabilizuar dhe të ketë hyrë në një epokë të re atlantike dhe europiane.
Por një shekull më parë Ballkani ishte një ”fuqi baruti”. Më 1912-1913 ishin zhvilluar dy luftëra ballkanike, që shërbyen si parathënje, si eksperiment i Luftës së Madhe. Dhe me 28 qershor 1914, plot 100 vjet më parë, në Sarajevë të Bosnjes, një terrorist sërb boshnjak, i “Dorës së zezë”, i përgatitur qëllimisht me kohë, vrau arkidukën Franc Ferdinandin, pasardhësin e fronit perandorak të Austro-Hungarisë dhe të shoqen Sofia. Një muaj më pas, më 28 korrik Austro-Hungaria i shpalli luftë Sërbisë. Menjëherë aleancat e krijuara që herët, Gjermani, Austro-Hungari dhe Antanta (Angli, Francë dhe Rusi) filluan luftën e madhe, atë që më pas u quajt lufta e parë botërore, luftë që nuk ishte parë në historinë e Botës, kasaphanë e vërtetë. (10 milion ushtarë të vrarë, mbi 20 milion njerëz të plagosur, mbi 70 milione të mobilizuar, pjesmarrës në luftime).
Franz Ferdinand (1863 – 1914)
Në fakt lufta kishte kohë që po përgatitej. Nacionalizmi ekstrem, militalizmi i shfrenuar, lufta për tregje dhe koloni, ishin faktorët negativë që ia kishin gërryer nëntokën asaj që ishte quajtur “bela epoka” 1850-1914. Por fuqia e barutit që i dha flakë Europës dhe Botës, shpërtheu në Ballkan. Edhe pse kishte strateg të shquar si shefi i shtabit të përgjithshem austriak, Konrad, që e shihte saktë rrezikun e luftës europiane, bota u shtang nga përshpejtimi që morën ngjarjet, nga mënyra si u kalua kaq pa përgjegjësi nga paqja në luftë. Kjo është përshkruar si një habi nga shumë historianë, publicistë dhe shkrimtarë. Mes tyre dhe nga shkrimtari i famshëm, hebreu Stefan Cvajg, i cili me analizat e tij i pat bërë thirrje Botës të nxirrte mësime nga Lufta e Parë Botërore. Dhe kur kjo u përsërit më 1939 me luftën e dytë botërore, me këtë marrëzi të paparë, ai bashkë me të shoqen të dëshpruar, të zhgënjyer i dhanë fund jetës me vetvrasje më 1942, në Brazil, ku kishin shkuar.
***
Bota ka 70 vjet që e ka lënë pas Luftën e dytë Botërore dhe nuk ka pak ditë që përkujtoi me madhështi 70 vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi të Francës. Po historia është për të nxjerrë mësime, siç thoshin romakët. Terrorizmi i sotëm është sofistikuar dhe modernizuar me teknologjitë e kohës sonë. Nuk është më një Gavrillo Princip me nje pistoletë në dorë, që hapi zjarr në Sarajevë 100 vjet më parë. Masakrat e tmerrëshmne në Bosnjë-Hercegovinë dhe ato në Kosovë, në Lindjen e mesme etj., janë tregues real se luftërat nuk janë bërë aspak me ”njerëzore” dhe se nacionalizmi, ekstremizmi fetar etj., janë një rrezik real e potencial.
Duket si një trill i historisë, gati e pabesueshme por njëri nga 6 anëtarët e grupi kriminal që organizoi dhe ekzekutoi vrasjen e shekullit në Sarajevë, ishte Vasa Cubriloviç (1897-1990) atëherë student serbo-boshnjak nacionalist e më pas politikan e “shkencëtar” që pat botuar më 1937 “Shpërngulja e shqiptarëve” të cilin e vunë në program e në zbatim të gjithë qeveritë sërbe e jugosllave deri sa arriti kulmin nën Sllobodan Millosheviçin.
Trifko Grabezh, Nedeljko Čabrinović dhe Gavrilo Princip
Në krye të organizatës serbe “Dora e zezë” qëndronte kolonel Dragutin Dimitrijeviç, shef i kundërzbuimit të ushtrisë sërbe. Mbreteria sërbe e shihte perandorinë Austro-Hungareze si armike nr. 1 të saj, sidomos në çështjen shqiptare. Perandoria Austro-Hungareze kishte ngulur këmbë dhe nuk kishte lejuar daljen e Sërbisë në brigjet e detit Adriatik. Ajo ishte bërë lobuesi më i madh në Europë i pavarësisë së Shqipërisë. Arkiduka Franz Ferdinandi personalisht kish luajtur një rol të rëndësishëm. Nuk ka diskutim që edhe ky qëndrim i tij ishte vënë në motivet e krimit të Sarajevës. “Dora e zezë” që shtiu ndaj arkidukës Franz Ferdinand vazhdoi të shkrehte këmbëzën e vdekjes kundër shqiptarëve edhe për 85 vjet të tjera duke u shndërruar në një terrorizëm shtetëror të frikshëm në Ballkan, për ndalimin e të cilit u desh të futej në luftë edhe NATO, në të vetmen luftë që ajo ka bërë gjatë historisë së saj.
***
Më 1912, Ismail bej Vlora u prit në Vjenë dhe në një bisedë sekrete me ministrin e jashtëm kontin Berchtold, u inkurajua dhe mori siguri për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Por vetë perandoria Austro-hungareze kishte shqetsime. Perandorisë Austro-hungareze i duhej në rast lufte me Sërbinë dhe Rusinë mbeshtetja e plotë e Gjermanisë, perandori i së cilës pak kohë më parë ishte shprehur se nuk mund të hynte në luftë për këto shkaqe. Prandaj nga Vjena u nis për të biseduar në Berlin nr. 2 i Perandorise A-H, arkiduka Franz Ferdinand, i cili, siç shprehet vetë ”ia preznatoi fill e për pe pikëpamjen” e politikës së Vjenës dhe siguroi mbështetjen totale të Gjermanisë.
Ja një pjesë nga teksti i telegramit që Franz Ferdinandi niste nga Hanoveri me 22 nëntor 1912 për ministrinë e punëve të jashtëme: “Perandori Wilhelm më deklaroi se do të na përkrahë në të gjitha. Siguri e plotë nga çdo anë. Ne duhet të jemi të sigurtë në përkrahjen e tij. (“Shqipëria në dokumentet austro-hungareze. ”Viti 1912.vellimi VI). Po atë ditë, më 22 nëntor, edhe ambasadori gjerman nga Berlini njoftonte ministrinë e jashtme në Vjenë me nje telegram “tepër konfidencial” për bisedimet sekrete të arkidukës se “Perandori siguroi se e llogarit edhe një luftë botërore për të ruajtur prestigjin e Austro-Hungarisë…”( po aty f 286)
Vetëm pas këtij takimi dhe kësaj përgjigjeje perandorake gjermane, Perandoria Austro-hungareze do të ishte e sigurtë dhe e vendosur në kërkesat e saj ultimative dhe nuk do të nguronte të moblizonte rreth 1 milion ushtarë për të detyruar mbretërinë sërbe të tërhiqte trupat e sajë pushtuese nga kufiri i Shqipërisë më 25 tetor 1913. Besohet se mbretëria sërbe ta ketë zbuluar rolin e Franz Ferdinandit në këtë garanci dhe siguri gjermane të Austro-Hungarisë. Është fakt që shteti austro-hungarez bëri përgjegjës Sërbinë për vrasjen kriminale.
Perandoria Austro-Hungareze pa dyshim projektonte dhe mbronte interesat e saj gjeostrategjike ne Ballkan. Por ato përkonin me pavarësinë e Shqipërisë dhe prandaj ajo u bë edhe një lobuese dhe mbrojtëse e çështjes shqiptare. Po kjo nuk ia ul vlerat e saj historike. Ky është rasti kur gjeopolitika dhe drejtësia e shqiptarëve janë në nje linjë, siç do të përsëritej kjo në fund të shekullit të XX-të në Ҫlirimin e Kosovës.
Franz Ferdinandi, ky politikan mik i shqiptarëve, që kishte zhvilluar këto bisedime sigurie me Gjermaninë, meriton të kujtohet, respektohet e nderohet në këtë 100 vjetor të rënjes së tij e në vazhdimësi. Ai ishte ndodhur më 21 nëntor 1912, në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe kish bërë gjënë e duhur, atë që u ndihmonte shqiptarëve zhvillimet historike.
– Sali Onuzi – kolonel në rezervë. Kontakti: salionuzi@gmail .com.
—————————————————————–
(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)