SALI ONUZI: E VËRTETA E LUFTËS SË MADHE TË MUSHQETASË

Tiranë, 15. 11. 2013 – Beteja e Mushqetasë, që u zhvillua ne kuadrin e operacionit për çlirimin e Tiranës gjatë Luftës së Dytë Botërore, është padyshim beteja më e madhe që është bërë në Shqipëri aso kohe, ndofta edhe nga më të mëdhatë në Ballkan. Në atë Betejë u shkatërrua dhe gati asgjësua tërësisht grupimi i forcave gjermane “Steyrer” prej mbi 2000 vetash të nisur nga Elbasani për të goditur nga shpina forcat e UNCSH që kishin rrethuar kryeqytetin dhe po luftonin per çlirimin e tij. Në Mushqeta luftuan 9 batalione të Brigatës 17, të Br.4, Br.8 dhe te Br.1 sulmuese.
Fitimtare dhe ne permasa te medha beteja e Mushqetasë , i ka bërë xheloz disa autore të huaj që kanë dashur t’i japin autorësinë e tyre. Kanë shkruar sikur aviacioni aleat, britanik , me kerkesen e misioneve britanike ne Shqipëri, bombardoi kolonen gjermane te grupit “ Steyrer” dhe beri kerdinë mbi të.Partizanet shqiptare, në të dy anet e rrugës paraqiten ose si faktor i dores së dyte ose si dekor. Këtë e ka paraqitur kështu edhe Peter Lucas, në botimin e tij “Misioni Amerikan në Shqipëri” (2008), ku shkruan se sado trima te ishin partizanët ata nuk kishin atë fuqi zjarri për të shkaktuar kaq shumë dëme mbi gjermanët. Ishte forca ajorore Aleate që shkatërroi kolonën gjermane, ndërsa partizanët kryen c’kishte mbetur për tu bërë në këtë operacion. Por ajo, vijon Lucas, ishte një fitore dhe Shehu ishte aq i zgjuar sa ta pretendonte si fitore të tijën dhe të partizanëve. Aleatët duket nuk kundërshtuan” ( f.245)

– Parakalimi pas çlirimit të Tiranës, nëntor 1944 – 

 Vërtetë aviacion nuk kishin , por brigatat partizane kishin artileri dhe ajo u përdor, sic do ta shohim, me efektivitet ne Mushqeta.Nga ana tjetër referenca e Lucasit tek R. Hibbert nuk është e saktë. Ky i fundit nuk ka shkruar për sulmin aleat mbi Mushqeta , por për sulmin brenda në qytetin e Tiranës dhe mbi rrugën Tiranë-Elbasan para datës 28 tetor 1944. (shih “ Fitorja e Hidhur..”Tiranë,1993 fq.326 përkthyer nga Xhevat Lloshi)
Tani kohët e fundit kete meritë e kerkon per aviacioni italian nje autor italian ,Franko Benanti ne librin e tij “Lufta ime më e gjate. 1943-l948” Ja cfarë shkruan tekstualisht autori ne fjalë: “Kolonat gjermane që marshonin drejt Tiranës, me të arritur në Qafën e Kërrabës, pësuan një sulm të dhunshëm ajror të realizuar, edhe pse në kushte atmosferike të stërkëqija, nga një skuadrile gjuajtësish italianë, të dërguar nga komandanti i RAF-it nënmarshalli Eliot, sipas kërkesës së Misionit Ushtarak Anglez dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare.Kolonat e motorizuara gjermane u dërmuan nga aviacioni italian. Gjermanët pësuan në këtë sulm 1300 të vdekur. Një pjesë e te mbijetuarve arriti të kapë Tiranën, të tjërët u sulmuan nga partizanët e brigatës së 15-të dhe u zunë robër. Për aksionin e shkëlqyeshëm skuadrilja e gjuajtësve italianë mori një lavdërim të nxehtë nga nënmarshalli Eliot.” (f 181)Këtë të ashtuquatjur sukses të aviacionit italian autori e permend edhe dy here te tjera në librin e tij. Dhe po të ish i vërtetë s’do mend se meritonte edhe me shume.
Historiografia shqiptare e ka thene që herët se kjo betejë e madhe , e Mushqetasë, ishte veper e brigatave te Ushtrisë Nacionalclirimtare. E ka shkruar komandanti i Shtabit operativ per clirimin e Tiranes, Mehmet Shehu, dhe te gjitha botimet e bera jo vetem para viteve 90 , por edhe ne shume prej atyre të pas viteve 90. Argumenetet kane qenë e janë të tilla që nuk te lënë vend per dyshime.Për më tepër që kanë jetuar dhe ende jetojne per fat te mire nje pjesë e ish partizaneve që moren pjesë në këtë beteje te Madhe dhe kjo nuk mund te zhbëhet.
Megjithatë le të shohim se c’thonë vete ushtarakët gjermanë pjesmarrës dhe komandues ne këtë Betejë. Komandanti i kësaj kolone për luftimet e zhvilluara në Mushqeta, 13-15 nëntor 1944 u raportonte eprorëve të vet si më poshtë:
“Marshimi i pararojës ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, duke kaluar në një rrugë të zjarrtë prej 6km, që rrihej me armë të rënda. Pati humbje si në pararojë, ashtu edhe ne grupin e motorizuar. Armët e tyre të rënda ishin kalkuluar me mjeshtëri…U vura në dijeni rreth orëes 10.00 të datës 15 . 11.1944 se grupi i mesit dhe prapavija po luftonin me cetat partizane dhe se avancimi i mëtejshëm i këtyre forcave ishte i pamundur.I shoqëruar nga katër tanke dhe një autoblindë, që m’u dërgua nga Tirana, shkova të kontrolloj gjendjen. Forcat kishin mbetur në vend nga një zjarr i forcave partizane nga më të vështirët. Rruga rrihej nga të shtënat e armëve të rënda nga lartësitë dhe ishte mbuluar me automjete të shkatërruara të të gjitha llojeve, me të plagosur, të vdekur dhe ushtarakë që po vdisnin…
E njëjta gjë ishte edhe për kuajt dhe mjetet tërheqëse… Morali i trupës, duke përfshirë edhe oficerët, ishte i dyshimtë…Udhëheqësit nuk po gjenin rrugëdalje që të vazhdonin përpara…Pjesa kryesore e praparojës kishte zënë vend në oborret e fshatarëve, në banesat dhe shpellat për tu mbrojtur nga sulmet e dendura, të organizuara nga të gjitha anët. Edhe këtu automjetet e shumta dhe armët e rënda kishin mbetur plotësisht të shkatërruara në rrugë dhe nëpër hendeqe. Humbjet në ushtarë te vdekur e të plagosur dhe në kafshë e mjete tërheqëse qenë të mëdha… Shkëputja e kontaktit me armikun nuk qe e mundur me gjithë zjarrin e tankeve dhe të mjeteve të blinduara…” ( AIH, DUGJ, 27.11.1944. T.311/184)
Lexuesi mund të shohë vete se në këtë raport nuk bëhet fjalë gjëkundi për avionë luftarakë që të kenë bombarduar kolonën gjermane.Bëhet fjalë, sic ka qenë, për partizanë, për armët e tyre te rënda etj etj. Avionë nuk ka në këtë raport.Edhe historiani amerikan i ditëve tona Bernd Fischer ne librin e tij Shqipëria gjatë luftës 1943-1945” nuk shkruan për aktivitet të aviacionit luftarak britanik kundër kolonës gjermane ne Mushqeta. Ai shkruan aty për bombardime te aviacionit britanik në qytetin e Tiranës, ku RAF-i brenda një dite hodhi në veprim 28 avionë raketalëshues beaufighters, të cilët i shkaktuan dëm të madh kazermave të fortifikuara dhe pozicioneve ushtarake që kishin ndërtuar gjërmanët. (pozicionet e topave, saktëson R. Hibbert)

Aeroplani bombardues amerikan ditën e çlirimit duke fluturuar mbi Tiranë.

Është e vërtetë kërkesa që Shtabi i Pergjithshëm i UNCSH i kishte bërë Misionit Ushtarak britanik për të dërguar aeroplanë luftarakë që të bombardonin e mitralonin kolonën gjermane në rrugën Elbasan – Tiranë, por këto aeroplanë ( që tani marrim vesh se paskan qene italianë, sic shkruan F, Benanti) erdhën me 16 nëntor mbi hapsirën e fushes se betejës, që kishte përfunduar një ditë më parë .( Historia e Luftes Antifashiste NCl te popullit shqiptar,v.4.Tirane,1989,f.803)
Me 15 nëntor 1944 komandanti i Divizionit I të UNCSH , Mehmet Shehu, personalisht ndodhej ne qytetin e Tiranës . ( Jecobs ne Raportin e tij derguar Departamentit Amerikan të Shtetit në verën e vitit 1945).Këtë e pranon edhe Lucas: ”Më 15 nëntor ai (M. Shehu) shkoi në qender ku nje forcë fanatike e praparojës priste partizanët.”
Ushtarakët anglezë dhe amerikane ashtu dhe aviacioni aleat kane dhene nje ndihmese te vyer ne Luften Antifashiste Nacionalclirimtare te popullit shqiptar. Historiografia shqiptare e dy dekadave te fundit me të drejtë është duke e rivleresuar kete kontribut historik që qëndron ne themelet e Luftës së përbashkët antifashiste dhe te miqësisë mes popujve tane. Por kjo veper duhet ndricuar realisht, pa mohime e zvogëlime si në të kaluaren, por edhe pa teprime.

– Sali Onuzi – Kolonel R. – 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura