Paris, 25. 02. 2014 – (Një shkrim imi i hedhur në tregun mediatik të Kosovës më 25 prill 2001, vetëm dy ditë pas vdekjes së Fadil Hoxhës në Prishtinë.) – A mund të përfundojmë për një rol fund e krye negativ të Fadil Hoxhës në historinë e Kosovës. Assesi jo. Medalja ka edhe faqen tjetër. Sa ishte e zezë njëra, aq është e ndritshme tjetra. Dhe kjo është karakteristikë edhe e shumë figurave të tjera politike, jo vetëm e Fadil Hoxhës, i cili si dhe të tjerët, siç do të thoshte Enver Hoxha, hidhnin vallen në gojën e ujkut. Çdo gjë që ka arritur Kosova pas Luftës së Dytë Botërore lidhet domosdo edhe me emrin e Fadil Hoxhës.
Para dy ditësh vdiq Fadil Hoxha, komunisti më i njohur jugosllav i kombësisë shqiptare të Kosovës. Vdekja e tij në moshën 85- vjeçare mprehu edhe njëherë penat e zhurnalizmit, të cilët nxituan që ta shpallnin personalitetin më të shquar të Kosovës së shekullit XX. Fadil Hoxha ishte një komandant partizan, i cili në Kosovë luftoi kundër “reaksionit shqiptar“.
FADIL HOXHA (1916 – 2001)
Luftoi krejt pak ose aspak kundër italianëve e gjermanëve, ndërsa në periudhën e Luftës së Dytë Botërore nuk e shkrepi asnjë fishek, as vetë, as aradhat e tij, kundër bandave çetnike.
Fadil Hoxha, ndërkaq, është shquar me luftë të rreptë kundër shqiptarëve, që Luftën e Dytë Botërore e shihnin pak më ndryshe sesa shihej ajo përmes dioptrisë së kuqe komuniste e internacionaliste. Edhe në bazë të ditarit të tij “Kur pranvera vonohet“ shihet se përpjekjet e partizanëve të Brigadës së tij ishin vetëm përleshje ndërshqiptare, që, në fakt, forcojnë tezën se në Kosovë nuk pati farë lëvizje nacionalçlirimtare, por një luftë qytetare, e cila u shfrytëzua që në Kosovë me tërë brutalitetin e saj të riinstalohej Serbia dhe aparati shtypës serbomadh.
Pas çdo shkëlqimi të Fadil Hoxhës, ka pasuar rënia e tij dhe e popullit kosovar në humnera të thella: Bujani u pasua me herrjen e idesë së bashkimit; Prizreni i lavdishëm, çerdhja e atdhetarisë shqiptare u bë vendi i trathëtisë së madhe ku Fadil Hoxha e partizanët e tij ngritën gishtat për bashkim të Kosovës me Serbinë; Shaban Polluzha, i cili nuhati trathëtinë serbo-malaziaso-çetniko-komuniste, në vend të përkrahjes mori thikën në shpinë nga bashkëkomunistët e partizanët e Fadil Hoxhës; Dhunën dhe terrorin rankoviqist-titist, nga e cila mund t’i shkonte koka edhe atij vetë, e zbuti duke e quajtur deformim i UDB-së dhe duke amnistuar me atë rast një platformë të ndërtuar dhe të institucionalizuar antishqiptare të serbëve dhe të jugosllavëve;
Në kohën e Titos (dhe të Fadil Hoxhës), burgjet serbe e jugosllave çdo ditë mbusheshin me shqiptarë që nuk pajtoheshin me pozitën e popullit shqiptar pas “fitoreve“ që u kishin sjellë partizanët dhe komunistët jugosllavë të Titos.
Fadil Hoxha është pozicionuar jashtëzakonisht mbrapshtë e tragjikisht rreth ngjarjeve të vitit 1981. Ai ka quajtur “pleh Kosove“ ata që kërkuan ngritjen e Kosovës në nivel republike, ndërsa ka kërcënuar ata se do t’i fusë në “birë të minit“ e cila po ta gjenin (demonstruesit) do ta paguanin « treqind groshë »… Fadil Hoxha ka qenë shumë aktiv në “demaskimin e kërkesave armiqësore për Kosovën-Republikë“; Fadil Hoxha ka qenë në Kryesi të RSFJ-së kur në Kosovë është aplikuar gjendja e jashtëzakonshme; Fadil Hoxhën e zhveshën nga çfarëdolloj pushteti gratë serbe me një miting; Fadil Hoxha ka besuar në idenë e komunizmit dhe të jugosllavizmit, prandaj ai, duke heshtur pafalshëm, ka marrë me vete shumëçka që do të ishte e vlefshme për gjeneratat e tashme e të ardhshme si dhe për vetë historinë e Kosovës brenda përqafimit të hekurt serbo-jugosllav.
* * *
Fadil Hoxha dallon shumë nga ish-udhëheqësit komunistë të Kosovës
Nga sa u tha, a mund të përfundojmë për një rol negativ të Fadil Hoxhës në historinë e Kosovës. Assesi jo. Medalja ka edhe faqen tjetër. Sa ishte e zezë e para, aq është e ndritshme tjetra. Dhe kjo është karakteristikë edhe e shumë figurave të tjera politike, jo vetëm e Fadil Hoxhës, i cili si dhe të tjerët gjendeshin praktikisht në gojë të ujkut. Çdo gjë që ka arritur Kosova pas Luftës së Dytë Botërore lidhet domosdo me emrin e Fadil Hoxhës. Aty janë: hapat gjigantë në arsimimin e popullit shqiptar, i cili ishte pothuajse qind për qind analfabet; hapja e shkollave të mesme, e të larta, fakulteteve,
krijimi i Universitetit të Kosovës, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve; ngritja e infrastrukturës shkollore përmes Huasë Popullore që u organizua nga vetë Fadil Hoxha sa ishte në krye të Kryesisë së Kosovës; përkujdesja e tij për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi; ngritja e mirëqenies ekonomike të popullit në Kosovë; bërja e gjuhës shqipe gjuhë zyrtare në Kosovë dhe përdorimi i saj edhe në organet e Republikës Socialiste të Serbisë dhe të RSFJ-së së dikurshme; krijimi i kushteve për një hapësirë gjithëshqiptare kulturore; lufta e rreptë e tij me shovinizmin serbomadh; pozicionimi i tij i padyshimtë dhe mbështetja pa rezervë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkrahja që ai i shprehu Shtabit të Përgjithshëm të saj, partisë dhe TMK-së që doli nga UÇK-ja.
Fadil Hoxha dallon shumë nga ish-udhëheqësit komunistë të Kosovës. Ai pati kurajon që të shohë dhe më vonë edhe të pranojë dobësitë e tij dhe të ideologjisë, së cilës i qëndroi besnik pjesën më të madhe të jetës. Fadil Hoxha ishte komunist, por edhe një shqiptar i bindur. Kjo e dyta ishte e tepërt për ish-komunistët jugosllavë. Atyre nuk u duhej shqiptari Fadil Hoxha.
TAKIMI IM I PARË DHE I VETËM ME FADIL HOXHËN
Fadil Hoxha: “Aq kemi ditur, e aq kemi mundur…”
Me Fadil Hoxhën jam takuar vetëm një herë. Në një kuvend të një partie, në një nga sallat e hotelit “Grand“ takova Azem Vllasin, i cili më prezentoi duke i thënë kush jam dhe se i kisha sha shumë. Fadil Hoxha ishte ulur. Ishte me Iljaz Kurteshin. U ngritën në këmbë, Fadili duke u mbështetur në shkopin e tij u ngrit në këmbë. Nuk pranoi, përkundër lutjes sime, që të flisja me të pa pasur nevojë që të ngritej.
Me të, pasiqë u përqafuam sikur t’ishim miq të vjetër, zhvilluam këtë dialog të shkurtër:
Unë: Nderimet e mia, zoti Fadil! Si jeni me shëndet?
Fadili: Falemnderit, zotni Kabashi. Po mbahem disi! Ju si jeni?
Unë: Urime për Kosovën e lirë! Edhe ju keni meritat tuaja për këtë ditë…
Fadili: Ne kemi ba sa kemi mundur e sa kemi ditur… Nuk kemi mundur as kemi ditur ma tepër…
Unë: Zoti Fadil, ne gazetarët e Kosovës jemi hidhëruar pak në ju…
Fadili: Pse?
Unë: Askujt këtu nuk i keni dhënë intervistë, ndërkohë që keni folur me Blendi Fevziun për “Klanin“ e Tiranës.
Fadili: Ata ishin këmbëngulës dhe më bindën. Nuk m’u hoqën dere derisa ia arritën…
Unë: Po qe kështu, do të kujdestarojmë me javë para derës suaj…
Fadili: Çka t’ju them tjetër, pos se kam ba sa kam mundur, e sa kam ditur… Nuk kam ditë më shumë, as nuk kam mundë më shumë.
* * *
– Ali Shukrija, Sinan Hasani e Kolë Shiroka –
Para tridhjetë e sidomos para njëzetë vjetësh Fadil Hoxhën nuk e kam dashur. Edhe më keq: gati se e urreja! Asokohe, më 1974, kam pas shkruar një pamflet kundër tij. Më vonë e kisha goditur edhe në “Danas“ të Zagrebit, “Mladina“ të Lubjanës, domosdo edhe në “Alternativa“. Deri atëherë Fadil Hoxha dhe ne të tjerët politikanë ilegalë e gjysmëilegalë qëndronim në dy brigje të kundërta. Por, edhe diçka është e vërtetë: mbi Fadil Hoxhën, megjithatë, nuk zbrazej ndonjë urrejtje e veçantë. Ndërsa shpirtin na e hanin Sinan Hasani, Kolë Shiroka e Ali Shukrija. Dhe kur erdhëm deri këtu, të përmend se nga tashmë i ndjeri Xhavit Nimani, para katër vjetësh (1996) në Lubjanë, kuptova se kishim pasur të drejtë në urrejtjet tona ndaj tyre. “Trojka“ e sapopërmendur kishte qenë fillim e mbarim armike e Kosovës dhe e kuadrove të saj në Kosovë dhe në ish-federatën jugosllave. Gjatë bisedës së shkurtër dhe të vetme me Fadil Hoxhën, gjatë gjithë kohës ishte pranë edhe më i merituari për takimin – Azem Vllasi, i cili në një moment, duke qeshur, përsëriti se jam nga ata që ka sharë të gjithë komunistët e Kosovës. Fadil Hoxha, duke qeshur tha: “E di, po mbasi i ka sha të gjithë, po ia bajmë hallall… Gazetarët s’kanë detyrë tjetër pos me kritikue…“. U ndamë duke u përqafuar dhe duke u fotografuar. Më vjen shumë keq pse nuk pata rastin që me Fadil Hoxhën të bisedoja gjerë e gjatë. Edhe më keq duhet t’u vijë kolegëve të mi, që duke e pasur në derë të shtëpisë na lanë pa kuvendimet aq të dobishme, që mund të dilnin pas bisedave me të…
—————————————
Prishtinë, prill 1981: Fjala e Fadil Hoxhës para aktivit politik të Prishtinës – mbi demonstratat e mars – prillit 1981!
**************************************
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)