SERVET BYTYQI: MIGENA ARLLATI – SHEMBULLI POZITIV I NDËRTIMIT TË ‘URAVE’ MIDIS SHQIPTARËVE

Londër, 22. 11. 2016: Libri Etern’ars i autores Migena Arllati është ndër librat më prestigjiozë të botuar kohët e fundit, përsa i përket kritikës letrare në Kosovë dhe ndoshta në gjithë hapësirën shqiptare. Libri përmban gati 50 shkrime ku secili prej tyre të bën ta rilexosh. Libri ndahet në 4 kapituj ku zënë vend kumtesat dhe ligjëratat që autorja ka mbajtur ndaj figurave të artit e letërsisë në shërbim të çështjes kombëtare si: Bogdani, Çajupi, Migjeni Fan Noli, Dritëro Agolli, Ali Podrimja etj., si dhe kumtesat ndaj Plisit si simbol i shqiptarëve, dhe festës se 8 Marsit.
Kryefjalë e këtij kapitulli është shkrimi me titull “I PËRULEM NË GJUNJË VENDLINDJES SIME”. Para një viti Migena Arllati mori titullin “Qytetare nderi” e Elbasanit, nga Bashkia e këtij qyteti, dhe me këtë rast mbajti një fjalim para autoriteteve të qytetit, publikut dhe familjes së saj të madhe, miqve e dashamirëve. Edhe në esetë për Bogdanin Çajupin e autorët që përmendëm më sipër, vihet re krahas vlerave artistike, të para në syrin kritik, edhe kontributi i poetëve në mbajtjen gjallë, rritjen dhe trashëgiminë në breza të frymës kombëtare Shqiptare.
Kapitulli tjetër përmban shkrime kritike ndaj veprave dhe vëllimeve letrare në prozë e poezi. Më vjen shumë mirë që ndërmjet këtyre shkrimeve gjendet dhe parathënia e librit tim me poezi,dhe ndihem i privilegjuar për këtë. Besoj se seicili autor është ndjerë i tillë, pasi seicili shkrim ka të veçantën dhe origjinalitetin, falë një pune shumë serioze. Një kulturë e gjerë, një njohje e thellë e profesionit dhe një gjuhë e pasur stilistike e figurative në këto vështrime kritike, në të vërtetë të krijon përshtypjen dhe të shfaq portretin e një intelektualeje të arrirë dhe mjaft të lartë si profil.Kështu ajo na ka dhënë një harmoni dhe sinkronizim të atdhedashurisë, estetikës gjuhësore dhe artit në një nivel të tillë që unë do e quaja simfoni.

Në kapitullin “Unë dhe Unë ” autorja na jep një pershkrim të pasur të librave të saj të cilët po shtohen çdo ditë. Roli i saj si albanologe na shfaqet në një sërë studimesh e botimesh të saj, dhe me këtë rast do veçoja: “VËSHTRIM MBI FRAZEOLOGJINË E SË FOLMES SË GJAKOVËS” si dhe “PATRONIMET…”. Pasuria e frazeologjisë së të folmes së Gjakovës ka gjetur një trajtim dhe prezantim mjaft të mirë.
Për këtë libër si dhe për vetë autoren janë bërë një sërë shkrimesh, në të cilat vërtetë, vërehet një superlativë dhe një vlerësim, i justifikueshëm dhe refleksion real i punës serioze dhe rolit që autorja e këtij libri luan në një sëre fushash. Ish studentja e Universitetit ‘Aleksander Xhuvani’ të Elbasanit tanimë është një emër i afirmuar në mbarë trevat Shqiptare dhe në diasporë, ku ka dhënë kontributin dhe ndihmesën e saj në një sërë nivelesh e fushash. Një CV shumë e pasur dhe rol aktiv në mbajtjen gjallë e promovimin e vlerave dhe kulturës Shqiptare. Kjo ma bën vërtetë të vështirë të shkruaj në pak rrjeshta. E lindur në Elbasanin e njohur të traditës, kulturës dhe atdhetarizmit, dhe e rritur në një familje me të gjitha këto cilësi ajo tashmë jeton në Gjakovë. Është Ligjëruese në Universitetin publik Fehmi Agani të Gjakovës, profesoreshe e Gjuhës-Letërsisë në Gjimnazin Hajdar Dushi të Gjakovës, kryetare dhe anëtare e disa forumeve e shoqatave dhe si e tillë nuk ka munguar të jetë pjesë edhe në mitingjet dhe takimet e diasporës Shqiptare. Italia, Sllovenia, Gjermania…, janë vendet ku komunitetet shqiptare e kane pasur të ftuar Migena Arllatin si ligjëruese e shumë kumtesave.
Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve ‘Pegasi’ dega Kosovë, Shoqata “Nermin Vlora Falaschi”, Shoqata Nënë Tereza, kanë kontributin dhe firmën e z. Migena. Fituese çmimesh në disa konkurse letrare të poezisë, (edhe poezia e saj e spikatur meriton vëmendje). Si vlerë humane ajo është modeli i gruas së re, të mençur dhe të bukur, që vrapon, gjithmonë vrapon, dhe me punën e saj çdo ditë ngjitet lartësive. Njerëzit si ajo, krahas suksesit në karrierë, dinë të sfidojnë veten për një familje të lumtur, dhe nuk e konsiderojnë familjen dhe fëmijën si pengesë për ecurinë në profesion. Mbi njëzet vite ka që jeton në Gjakovë, me bashkëshortin Behar Arllati, dhe fëmijët. Profesor Behari ka rolin e tij të çmuar si muzikant dhe autor tekstesh e studimesh. Një njohës i përsosur dhe përques i muzikës shumë të pasur Gjakovare, Shqiptare e botërore. Edhe vajzat dhe djali kanë ndjekur rrugën e prindërve. Poezia, gazetaria dhe muzika janë rrugët respektive për Borën, Rinën dhe Triumfin.
Rina është edhe një recituese e mirë dhe njohëse e anglishtes degë të cilën ka zgjedhur ta ndjekë dhe studiojë. Gjakova, Elbasani, Berati kanë lidhje me emrin e Migena Arllatit dhe në një shkrim të sajin ajo ka zgjedhur një simbolikë shumë të veçantë më titull “Ura”! Rrugët me kubëza urojmë të jenë rrugët ku të gjithë shqiptarët aspirojnë të ecin së bashku për një familje më të madhe shqiptare, dhe duke ndërtuar ura të miqësisë, respektit e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha trojeve tona. Migena Arllati është shembulli pozitiv i ndërtimit të këtyre urave … Gurët gumëzhijnë dhe urat frymojnë shqip.
Servet Bytyçi, Londër 21/11/2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura