Pashtriku.org, 30. 08. 2015: (Një faqe arkivore nga historia e Isa Mustafës!) – Në ish’Jugosllavi (1945 – 1990), parimet themelore të LKJ’së, janë ndërtuar mbi bazën e ‘fryteve të revolucionit të UNҪJ’së, të vëllazërim – bashkimit, e të besnikërisë ndaj Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë vetëqeverisëse të Titos”. Mbi këtë bazë është ndërtuar i gjithë sistemi politikë i atij regjimi edhe në Kosovë. Madje mbi këtë frymë u krijua edhe një klasë politike shqiptare, nën tutelën e së cilës u profilizua edhe një “elitë intelektuale” shqiptare, e cila fillimisht kishte kaluar nëpër “sita” të regjimit, për të parë besnikërinë dhe lojalitetin e tyre ndaj doktrinës komuniste-titiste. Intelektualët “elitarë” si anëtarë të devotshëm të LKJ’së, bartnin edhe pozita politike’pushtetore në institucionet e regjimit. Dhe, njëri nga “elitarët” e partisë dhe të regjimit komunist – nga gjysma e dytë e viteve 70’të, ishte padyshim edhe Pedagogu i Ri i Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1974) ISA MUSTAFA, aktualisht Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kryeministër i Kosovës.
Si pionier i devotshëm i Jugosllavisë titiste, Isa Mustafa karierën e tij politike e nis pikërisht në Organizatën e Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës, dhe në vitin 1980 në saje të përkushtimit të tij në këtë “forum rinorë”, zgjidhet Kryetar i Kryesisë së Konferencës Krahinore të LRS së Kosovës!
Isa Mustafa, kryetari i Kryesisë së Konferencës Krahinore të LRS të Kosovës!
Për të mësuar për aktivitetin dhe përkushtimin e Kryetarit të Kryesisë së Konferencës Krahinore të LRS së Kosovës, Isa Mustafa, në vijim sjell dy intervista – dhënë revistës javore “Zëri i Rinisë”, të parën pas vdekjes së Josip Broz Titos (më 04 Maj 1980) dhe të dytën më 07 Mars 1981, (vetëm 3 ditë para demonstratave të para studentore të 11 marsit 1981)
***
“TITO NUK DO TË JETË FIZIKISHT PARA NESH, POR AI MBETI NË QENIEN TONË…RINIA GJITHHERË KA QENË ME TITON DHE PËR TITON” kështu ka thënë Isa Mustafa në intervistën e parë dhënë “Zërit të Rinisë, Maj 1980”.
Zëri i Rinisë: Shoku kryetarë, fati tragjik deshi që sivjet 25 majin (1980) ta kremtojmë në kushte dhe në mënyrë specifike. Shoku Tito u nda, por vetëm fizikisht prej ndesh. Cilat janë detyrat më të rëndësishme për rininë e Krahinës në momentin e tanishëm?
Isa MUSTAFA: 25 Majin po e kremtojmë këtë vit pa prezencën e shokut Tito, ashtu si do të kremtojmë edhe në të ardhmen. Tito më nuk do të jetë fizikisht para nesh, por ai mbeti në qenien tonë. Dita e Rinisë dhe ditëlindja e shokut Tito gjithnjë do të jenë impulse të veçanta në mobilizimin e të rinjve në të gjitha lëmit e jetës dhe të punës. Detyrat tona, të cilat nuk i përkasin një kohe dhe një momenti, por përcaktimit strategjik të zhvillimit tonë, janë të përmbajtura në paluhatshmërinë për realizimin e porosive të shokut Tito dhe të veprës së tij kolosale revolucionare. Veçmas këtu duhet të theksojmë nevojën për punë më të suksesshme, ruajtjen dhe themelimin e barazisë dhe të unitetit, zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve vetëqeverisëse socialiste dhe të politikës sonë të pavarur dhe të painkuadruar në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Zëri i Rinisë: Intervistën e fundit dhënë “Mladostit” shoku Tito përfundon me fjalët: “Rinia mua gjithmonë më përkrah”. Kjo edhe më fuqishëm u dëshmua edhe në momentet më të vështira gjatë varrimit dhe tash?
Isa MUSTAFA: Rinia gjithherë ka qenë me Titon dhe për Titon. Ajo në të gjitha etapat e zhvillimit tonë revolucionar përkrahu Titon, sepse në veprën e tij e pa ardhmërinë e saj të sigurt. Dhembja dhe pikëllimi për Titon nuk mund të matet dhe të shprehet as me lotët e miliona qytetarëve, punëtorëve, studentëve, nxënësve e fshatarëve, as me dinjitetin e pashoq të tyre e as shumë tejkalimin e normave në punë në shumë OPB. Ajo është shumë më e madhe se sa që mund të shpresohet. Madhësia e saj pozitivisht na orienton përpara në ardhmëri të trasuar nga gjenialiteti dhe largpamësia e kolosit tonë Tito.
Zëri i Rinisë: Ndër porositë e fundit të Titos, fjalë të cilat edhe i ka theksuar vazhdimisht janë edhe ato që të angazhohemi në detyrat që kanë të bëjnë me zhvillimin më të shpejtuar, veçmas në kursim. Çka parashtrohet para rinisë së Kosovës në këtë drejtim?
Isa MUSTAFA: Parashtrohet obligimi për konkretizimin e detyrave dhe aktivitetit. Lufta për zhvillim më të shpejtuar nënkupton ndryshimin pozitiv të qëndrimit të çdo individi ndaj punës, rrjeteve të punës dhe të mësimit. Ajo është e lidhur ngushtë me sjelljet tona të përditshme. Së bashku me përpjekjet për përmirësimin e ecurive prodhuese e materiale duhet të shtohen edhe rezultatet konkrete në thellimin e marrëdhënieve vetëqeverisëse dhe pa angazhimin e të gjithë subjekteve shoqërore. Lidhja e Rinisë Socialiste aktivitetet e veta po i konkretizon me aksionet që stimulojnë në punë, në mësim dhe në studim. Me aksionin “Të mbledhim lëndët e para sekondare” dukshëm do të kontribuojmë në racionalizimin e shpenzimeve. Është me rëndësi që të shtohet përgjegjësia e çdo të riu për kursim dhe të ashpërsohet lufta kundër mentaliteti konsumues, nga i cili nuk janë imunë as të rinjtë.
Zëri i Rinisë: Jeni kryetar i parë me mandat njëvjeçar në rininë e Kosovës. Kanë kaluar disa muaj nga koha kur edhe në rininë e Kosovës u fillua me udhëheqjen dhe përgjegjësinë kolektive. Na thoni, cilat janë përvojat e para dhe sa rinia është e përgatitur që të punoj, të udhëheq dhe të ndajë përgjegjësinë kolektivisht?
Isa MUSTAFA: Po shtohet përgjegjësia kolektive dhe individuale në punë dhe në udhëheqje. Më tepër po vijnë në shprehje iniciativat e bazës dhe vetiniciativat e aktivistëve. Aktiviteti është decentralizuar në trupe punuese, kështu që shqyrtimin e problemeve po e zëvendëson angazhimi në zgjidhjen dhe trajtimin e tyre sipas lëmenjve të caktuar. Mendoj se është e nevojshme të theksoj se realiteti për punën dhe udhëheqjen kolektive duhet të zgjoj vetëdijen te çdo individ mbi përgjegjësinë kolektive për sukseset dhe mossukseset tona.
Zëri i Rinisë: Çfarë risish janë aplikuar në metodologjinë e punës së organizatës rinore?
Isa MUSTAFA: Koha prej më pak se dy muaj e gjysmë është relativisht e shkurtër për tu fol për risitë në metodologjinë e punës e veçmas për rezultatet konkrete që i kanë dhënë këto risi. Iniciativa e shokut Tito nuk mund të realizohet vetëm me ndryshimin e dokumenteve e pa ndryshimin esencial të marrëdhënieve dhe sjelljeve në organizatë. Në këtë drejtim po bëhen përpjekje në hapjen më të madhe të forumeve dhe të organeve të LRS ndaj bazës deleguese. Po vjen në shprehje më tepër puna e komisioneve. Kryesia ka marrë rolin e organit politko-ekzekutiv, në të cilën në mënyrë aktive po inkuadrohen të gjithë anëtarët pa marrë parasysh a janë në punë profesionale apo jo. Hapa kualitativë veçmas po bëhen në mobilizimin më të madh të masës rinore në organizatat themelore të LRS.
Zëri i Rinisë: Të rinjtë përherë kanë dëshmuar se janë (kur krijohen mundësitë) edhe vetëqeverisës të mirë. Si po realizohet kjo në jetë, në realitet cili është roli i tyre, në sistemin politik të vetëqeverisjes socialiste?
Isa MUSTAFA: Ende nuk jemi plotësisht të kënaqur me inkuadrimin e të rinjve në organet vetëqeverisëse në organizatat e punës së bashkuar në krahasim me mundësitë që shtrohen. Të rinjtë duhet të jenë më të përgatitur, më aktiv dhe të guximshëm në realizimin e rolit të delegatit në organizatat shoqërore-politike, kuvendet e bashkësive shoqërore-politike dhe në bashkësitë vetëqeverisëse të interesit. Në Krahinë janë bërë hapa të rëndësishëm në përfshirjen e të rinjve në sistemin e delegimit. Më nuk paraqitet problem përfaqësimi numerik, por pjesëmarrja aktive në sistemin politik të vetëqeverisjes socialiste. Organizata e LRS duhet shumë më tepër të punojë me delegatë dhe delegacione. Posaçërisht duhet punuar në informimin koherentë të tyre. Për këtë vit me programin tonë i kemi parashtruar vetit detyrë që në mënyrë komplekse të analizojmë dhe të orientojmë aktivitetin e delegacioneve të LRS. Përndryshe nuk ekziston mënyrë adekuate e realizimit të interesave të brezit të ri jashtë sistemit të delegimit.
EKSKLUZIVE: Isa Mustafa,në një mbledhje të Lidhjes Socialiste vitet e 80-ta
Zëri i Rinisë: Kryesia e Konferencës Krahinore të LRS të Kosovës kohëve të fundit ka vënë në rend të ditës shumë tema të rëndësishme nga jeta jo vetëm rinore. Po diskutohet mjaftë edhe për reformimin e arsimit të mesëm, i cili po ballafaqohet edhe me vështirësi. Cilat janë qëndrimet e rinisë në këtë plan?
Isa MUSTAFA: Tani do të kemi edhe seancën e Konferencës Krahinore të LRS lidhur me transformimin e arsimimit të orientuar. Angazhohemi për punë konkrete në realizimin kualitativ të arsimimit dhe të edukimit, në zhvillimin vetëqeverisës të tij, për harmonizimin e domosdoshëm të arsimit dhe të edukimit me nevojat e punës së bashkuar dhe për orientimin profesional dhe për orientimin profesional në këto suaza. Do të angazhohemi që edhe si pjesë e frontit të forcave të organizuara socialiste ta realizojmë funksionin tonë.
Zëri i Rinisë: A mund të flitet për reformë të arsimit përderisa arsimi i lartë nuk transformohet në hap me arsimin e mesëm?
Isa MUSTAFA: Ekuilibrin e vet arsimi i mesëm i orientuar dhe arsimi i lartë, si edhe pikën e gërshetimit të tyre e kanë punën e bashkuar të prodhimtarisë materiale. Në atë rast, kur arsimi i mesëm dhe i lartë do të zhvilloheshin sipas nevojave të punës së bashkuar, mendoj se do të eliminoheshin edhe mos-harmonizimet në mes tyre. Tani për tani arsimi i lartë, sa i përket nomenklaturës së profesioneve, ka mbetur jashtë proceseve të reformimit të arsimit të mesëm të orientuar.
Zëri i Rinisë: Ndër format e kontributit të të rinjve në stabilizimin e ekonomisë janë edhe aksionet punuese vullnetare, si edhe ato tradicionale. Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë ndaj kërkesave të shumta të të rinjve. Çka mund të pritet sivjet në këtë sferë, apo kur mund të presim ndonjë?
Isa MUSTAFA: Rinia e Kosovës po jep kontribut të madh me aksionet e veta tradicionale “Punëtori i ri vetëqeverisës”, “Mësim, mësim dhe vetëm mësim”, “Kërkojmë fshatin më aktiv” etj. Këto rezultate po shprehen në inkuadrimin e frymës së garave në prodhim, mësim, studim, e prodhimtari bujqësore dhe në stimulimin material e moral të rinjve. Përveç kësaj, qe tri vjet me radhë po e organizojmë aksionin federativ të rinisë “Ibër-Lepencë”. Përpos rezultateve konkrete në ndërtimin e hidrosistemit, në këtë aksion u farkua vëllazërimi e bashkimi i mijëra të rinjve nga mbarë vendi ynë. Në këtë vit në këtë aksion do të marrin pjesë rreth 1200 të rinj nga mbarë vendi. AFPR, nga Krahina do të marrin pjesë rreth 2500 të rinj e të reja. Do të zhvillohen edhe shumë aksione lokale.
Zëri i Rinisë: Çka duhet ndërruar në aksionet tradicionale?
Isa MUSTAFA: Duhet përparuar mënyrën e udhëheqjes së tyre. Ato duhet të zhvillohen në mënyrën kontinuele, e jo prej rastit në rast, respektivisht kur duhet të shpallen rezultatet. Aksionet duhet të masivizohen dhe në realizmin e tyre të inkuadrohen të gjitha strukturat – në OTHPB, veçmas Lidhja e sindikatave, në shkollë dhe në fakultet trupi arsimor, në bashkësi lokale organizata e LSPP.
Zëri i Rinisë: Sivjet filloi nga puna edhe cikli i dytë i shkollës politike të LRS të Kosovës. Sa është arritur në ngritjen e cilësisë dhe në përmbajtjen e punës së shkollave politike të rinisë?
Isa MUSTAFA: Rezultat e ciklit të parë të shkollës politike po shprehen shumë pozitivisht në aktivitetin e organizatave të Lidhjes së Rinisë Socialiste në organizatat punuese të arsimit të mesëm. Tani është në përfundimi cikli i dytë me rininë punëtore. Vijuesit janë të kënaqur me përmbajtjen programore. Kemi një përkrahje shumë të mirë të punës në realizmin cilësorë të programit të shkollës politike. Po ashtu po realizohet me sukses edhe programi lidhur me temat nga fushë-veprimtaria e organizatës së LRS. Na mungon literatura në masë të nevojshme dhe mjetet e konkretizimit.
Zëri i Rinisë: Ndër parakushtet e rëndësishme për punë të suksesshme të vet organizatës është krijimi i kuadrove të afta. A është kjo e vetmja mënyrë e aftësimit të tyre dhe çka në këtë drejtim po bëhet nëpër konferencat komunale të LRS?
Isa MUSTAFA: Po organizohen shkolla politike me karakter instruktiv me kuadrat e LRS. Po zbatohen edhe seminaret e ndryshme dhe ligjëratat me aktivistët e LRS. Me rëndësi është që të rinjtë t’i përgatisim që të punojnë me masën e gjerë rinore e jo në forume.
Zëri i Rinisë: Nganjëherë dëgjojmë thëniet: Mbledhjet po zgjasin shumë, nuk po kanë efektin e duhur, janë bërë të mërzitshme. Shpesh edhe është kështu. Të rinjtë më shumë duanë punë, efekte të aksioneve. Çka duhet të ndërrohet në metodologjinë e punës, në mënyrën e organizimit të mbledhjeve, për të qenë më tërheqëse organizata e rinisë?
Isa MUSTAFA: Ky problem sidomos duhet të zgjidhet në kushtet e punës kolektive. Ende nuk jemi liruar nga formalizmat dhe nga vlerësimi i aktivitetit, varësisht nga numri i mbledhjeve dhe koha e zgjatjes së diskutimeve. Organizata LRS është organizatë e aksionit të gjerë të të rinjve. Mbledhjet tona nuk guxojnë të jenë debate në të cilat detyrat u caktohen subjekteve abstraktë, por marrëveshje punuese për aksione. Gjatësia e tyre në rend të parë varet nga qartësia e koncepcionit tonë lidhur me konvokimin e saj. Kur përgatitjet bëhen me kohë dhe me sukses, kur informimi është në nivel, me propozimin e mjeteve dhe të rrugëve konkrete mbledhja është shumë më shkurtër dhe më efikase për aksione konkrete.
Zëri i Rinisë: “Zëri” sivjet kremton 35 vjetorin. Çka na porositni në këtë moment?
Isa MUSTAFA: Ju dëshiroj që edhe në të ardhmen t’i kryeni detyrat me sukses. Duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta, që revista, përmes trajtimit të problemeve të të gjitha pjesëve të rinisë, të jetë vërtet revistë e të gjithë të rinjve. Përmes veprimtarisë botuese, të cilën e filluam në këtë vit, duhet të kontribuojmë në afirmimin e të rinjve në lëmin e shkencës, të artit, të kulturës, si edhe në rritjen e interesimit të të rinjve për publicistikë.
***
Në vijim lexoni Intervistën e patranskriptuar të kryetarit të Kryesisë së Konferencës Krahinore të LRS së Kosovës, Isa Mustafa – dhënë gazetarit Muhamet Krasniqi (Zëri i Rinisë, më 7 mars 1981)