PROF.AS.DR.MAKSIM SHULI: LIBRI, ‘NAFTA SHQIPTARE, PORTRETE, INTERVISTA…’ PADIT KORRUPSIONIN QEVERITAR SHQIPTAR…

Tiranë, 5 prill 2017: Tani afër në Shqipëri u botua një libër i ri për naftën. Edhe ky libër sikurse “Nafta dhe Politika” shkruar kohë më parë, skanon me kurajo dhe me ndjesi personale holokaustin e Naftës Shqiptare. Në këtë libër, autori Ing.Ahmet Çollaku nëpërmjet portreteve dhe intervistave kryqëzon makro korrupsonin qeveritar shqiptar të kohës poste moniste të quajtur demokratike. Pamëdyshje, ky libër do të shfaqet në raftet e librarive tona si një “Titanik” që nuk u qaset partive të majta apo të djathta, të cilat me artin e gënjeshtrave, vazhdojnë të ngopin me lugën bosh, këtë popull të varfër. Ky libër gjithashtu sfidon gjithë zhgarravinat me lojëra politike, librat me stoli seksi, apo me grafikë në sistemin 3D dhe 4D, librat artistikë që kërkojnë me ngut çmime supreme. Nafta bën art, arti sado qiellor të jetë, nuk bën naftë! Reformën e shumëpritur në drejtësi, këtë sfidë kaq të gjatë, shopitëse, cfilitëse me skena dhe prapaskena, këtë lojë intrigash shqiptare, e bën zap vetëm nafta. Le të filloj kjo reformë nga zyrtarët shqiptarë në vite që kanë drejtuar naftën, rezultatet do të jenë befasuese, miliarda euro të përvetësuar në mënyrë të padrejtë. Të gjitha duhet ti kthehen popullit sepse është pasuri e tij.
Autori Ing. Ahmet Collaku, tashmë është i njohur për publikun shqiptarë, nëpërmjet shkrimeve për naftën tonë të cilën e konsideron super pasuri dhe moral familjar e shteteror. Ai, herë pas here, në mediat e shkruara dhe ato elektronike shquhet më shumë se kushdo tjetër, sepse thërret të mbrojmë këtë pasuri të pa rinovueshme. Ahmeti është një patriot i madh, kjo duket tek aktiviteti i tij shkencor, prej vitesh të tëra në projektimin e strukturave të reja në zonën e Papër-Tiranë si dhe në vendosmërinë e tij për të mbrojtur këtë pasuri, nëpërmjet botimit në shtypin e përditshëm të problemeve që kanë shoqëruar naftën si dhe të botimit të dy librave me vlera të jashtëzakonshme për naftën shqiptare.

Libri në fjalë, ngacmon për një çmim të lartë sepse ai përformon naftën shqipatare me spektrin e saj moral, me fuqinë, efikasitetin dhe perspektivën e pa diskutueshme. Liderit Rama, Meta dhe Basha e kanë tashmë këtë libër dinjitoz në tavolinat e tyre, postuar nga vete autori, le të shpresojmë se stafet e tyre do të dinë të përfitojnë sa më shumë në të mirë për vëndin tonë. Autori këtë printim e ka bërë me atë pension qesharak, që nuk kalon 200 mijë lekë në muaj. Llogarisni pastaj me laps sa e ka rracionin ditor ky naftëtarë me një stazh mbi 35 vite në punë!?
Liria, pavarësia, ekonomia, të gjitha kanë si bazë pasuritë natyore, naftën, jo fidanet kanabis fshehur ferrave, që jo pa qëllim lulëzojnë në kushtet të cilat ndodhet vëndi jonë. Menaxhimi i keq i naftës është vetë azgjësimi i ekonomisë shqiptare.
Botimi “Nafta shqiptare, portrete, intervista… “me 416 faqe, ka një ndërtim krejt origjinal. Ky libër nis me fjalën e art të shënjetores dhe nobelistes tonë Nënë Terezes (Shën Trereza), pasuar me një pasazh të shkurtër të njeriut misterioz, Ramiz Alia në naftën shqiptare. Pa dyshim edhe këta dy fragmente, janë një prolog plotë kuptim, vendosur jo pa qëllim në krye të këtij libri që distilon korrupsioni në naftë. Korrupsioni shqiptar në naftë, me siglat e të gjitha partive.
Së pari autori na prezanton me Ing. Sherif Toptanin, i cili ka lënë hije nëpër rrugët e bukura të Kuçovës, e, që herë-herë shfaqet i ndritshëm si meteor në qiell të atij qyteti, e përtej. Me poshtë autori vijon me gjeologët Koco Plaku, Milto Gjikopulli, Kadri Rama, kryespecialistin novator Ramadan Perhatin… Në zemër të librit shfaqet edhe gjelogu Dhimitër Gjenerali. Ja çfarë thote autori, në faqen 143 për këtë gjeneral: Tani, gati i vetëmuar si gjithë ne brezi i tretë, ai jeton në një cep të botës, shumë lag Shqipërisë, ku vazhdon të inventarizojë njohuritë, njerzit, të zgjedh libat me atë fanatizëm, si puna e ushqimit, ai thotë se vëndburimet e deritanishme të naftës dhe të gazit janë vetëm një parathënie e nëntokës. Në faqet e këtij libri është edhe gjeologu Vangjel Kici, i cili do shiste Myzeqenë për të shpuar një pus nafte në depozitimet e Paleozoit, në VL midis Shqipërisë dhe Kosovës. Shqipëria thotë Prof. Vangjeli ka zbuluar rreth 30% të rezervave të naftës së saj, janë ende shumë për të zbuluar dhe vendosur në shfrytëzim që nga Shpiragu e deri në Mitrovicë. Kurse gjeologu Telo Velaj mendon çfarë bëhet poshtë pusit pusin D-6, dhe thotë gati me zë, ah sikur pusi të kishte shpuar edhe 200ml me thellë…

– Ing.Ahmet Çollaku –

Duhet thënë e vërteta, se deri më sot në Shqipëri nuk është botuar një libër e kësaj natyre ku ndjesitë personale-kolektive interferojnë totalisht në sens të kundërt me ato të qeveritarëve shqiptarë. Gjthmonë populli ynë ka qënë në kah të kundërt me qeveritarët shqiptarë, sepse gjithmonë qeveritarët tanë janë vetëzgjedhur me allishverishe, me onshore dhe offshore, ata për këto farsa kanë përdorur gjithmonë monedhat e naftës shqiptare. Nafta nuk është si supa gatuar në kuzhinë.
Në shqipëri ka pak botime për naftën, por edhe shumica e tyre vlen për të dëshiruar sepse autorët nuk ekspozojnë asgjë, ata janë libra pa nerv, shkruesit nuk janë kritik, ata shtiren dhe kanë frikë. Çuditërisht mes tyre ka edhe nga ata që me energji rreken të ekspozojnë me fines ritualet e kohës moniste, por që tani nuk mbajnë asnjë qëndrim ndaj vetes së tyre për ditët kur ushqeheshin me dieta komuniste. Të gjthë sot konvertohen të persekutuar, enkas edhe istruktorët e partive, çobenerit që fundoseshin nëpër makinat e anëtarëve të Byros Politike.
Këtu lexesi nuk do gjejë emra të kurorës së naftës shqiptare, matricën Thoma Gjikondin, të brishtin Tomi Kriston, shpërthyesin Ziver Meko, viganin Beqir Alija, Ing. Vangjush Kokonozin që u dashurua aq shumë me partinë, sa harroi akademitë, këta janë elitarë që nuk do të përsëriten më kurrë, këtu nuk është shkruar për Prof. Zuberin, të cilit i takon edhe një film serial, këtu nuk është shkruar as për gjeologun e urtë Vllashi Janopulli, i cili si ishull, i rezistoi erës moniste, ai që di të lexojë dhe interpretojë diagramat e karrotazhit si as një tjetër… Dhe për më tepër nëse do të vazhdonte sistemi komunist ende pas vieve 90-të, prof. Janopulli do të përfundonte si armik i klasës dhe sabotator. Edhe për këta do të shkruhen libra sepse nafta kishte shumë fronte, sektorë, laboratorë, siç kishte dhe shumë spiuna, istruktorë, ekspertiere, rezila, edepsësa… Për naftën do të shkruhet gjithmonë, sepse dhembja dhe era e sajë ndihet edhe në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoni, kudo ku ka shqipatrë.
Kjo përmbjedhje është origjinale, larg prozaizmave dhe përrallave të ditës. Nëpër faqet e tij autori pikturon dhe interviston specialist real të mirënjohur të naftës, me kontribute reale, autorë studimesh dhe projektimesh, të cilët kanë zbuluar vëndburime nafte dhe gazi dhe kanë bërë studime të tjera për prespektivën e vendit tonë, jo si ata të skemave artistike, këta personazhet janë të një realiteti konkret, elitarë të naftës tonë që kanë më shumë dhembje sesa ditë të bukura, më shumë ëndrra hidrokabure sesa buzëqeshje. Një prozë letrare mundet të harrohet shpejtë, por kurrë nuk mundet të harrohet një ese, një potret naftëtarësh, si, vjen fjala portreti për Ramada Perhatin, për gjeologun Kadri Rama, për frashëlliun Alfred Frashërin…Të gjithë këta janë një elitë e papërsëritëshme që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për këtë sektor nevralgjik.
Falë njohjes dhe ndjesive persoanle të tij këto ese janë shkruar me shumë vërtetësi dhe pasion. Gati të gjithë portretet plotësohen me intervista, të cilat qëndrojnë shumë më lartë se ato showt për estetikë seksi nëpër studjo apo gazeta. Personalisht do të isha shumë i kënaqur nëse Fevzo, Balla, Cane, e me dhjetëra të tjerë, të thërrasin specialist të naftës shqiptare, të dëgjojnë çfarë tragjedije ndodh në këtë vënd që quhet Shqipëri.
Këtu çdo gjë është shkruar me dhembje sepse vetë autori ka punuar në naftë, ai ka qenë pranë personazheve të tij. Në epiqëndër të librit është nafta shqiptare, ky gjak i shenjtë magjik nën këmbët tona që vazhdon të mbush çisternat e të huajëve që nga viti 1918 (dhe nga viti 1878 me minierën e Selenicës). A e keni parë çfarë spektri të bukur ka nafta? Si ylberi! Me naftën blihet gjithçka, vetëm kohë nuk blihet! Nafta nuk prodhon vetëm armë, ajo prodhon edhe neilone, parfume, dashuri.
Në rreshtat e librit mplekset një prozë e rrjedhëshme, pikante me shumë fugura artistike dhe ndiesi personale, këtu ekspozohet kohë e naftës post moniste nëpërmjet specialistëve të njohur. Në këtë vështrim libri ngjan me një manual monografik. Intervistat skanojnë naftën shqiptare në aspektin moral, ekonomikë, shoqërorë dhe politikë. Specialistët e naftës rrëfehen jo për të larë ndonjë mëkatë. Ata na thonë, se nafta shqipare u shkatërrua për qëllime personale mafioze, se duhet të gjenden dhe të dënohen gjithë ata që kanë firmosur këto marrëveshje robëruese, mafioze. Shëmbull i qartë është Bankers Petroleum dhe kontratat e tjera të lidhura për shfrytëzimin e vëndburimeve të naftës. Nafta mbetet kryesisht një biznes qeveritar, thotë amerikani Dik Ceney. A nuk duhej të ishte në qëndër të Tiranës, aty pranë heroit tonë kombëtar Skënderbe, një kullë naftë, si kulla Eifel?
Ky almanak u kundërvihet edhe rreshterëve të Armatës së Naftëtarëve, këtij repati fiktive i cila në facbook ekspozon kapele, tatuazhe dhe ndonjë mbetje talenti, po ama kurrë shkrime kundër qeverive. Autori i neverit istruktorët e partisë, ish drejtorat, shefat, informatorët. Ka edhe gjoja elitarë, që janë fansa të qeverive, që dallohen lehtë nëpër ato flirte tinzare duke u përdredhur majtas-djathtas. Nafta është adrenalina më e mirë për qeveritë shqiptare. Më tregoni lëvizjet e bordit të Albpetrolit apo të AKBN, dhe unë do të nxjerrë një monedhë të re të mirëqënies të popullit tim!
E këshilloj autorin, që në të ardhmen të shkruaj edhe për prapavijën e naftës më shumë sektorë dhe heronjë të thjeshtë që nuk lanë kodër pu u ngjitur dhe burime uji pa provuar, fontana pa mbyllur dhe zjarre pa fikur, për ata që ktheheshin në shtëpi një herë në muaj, jo si familjarë po si miq të largët. Do ti thosha të shkruaj edhe për ato mbledhje speciale partish ku specialistët vriteshin psikologjikisht më keq se me plumb. Kështu, këto ngjarje të trysnuara, të përshkruara me stilin e këtij autori, do të bëheshin më mbresëlënëse.
Shqitarët duhet ta shikojnë të ardhmen jo në gjelbërimin dhe tymin e drogës që trullos mendjet e njerëzve, por tek pasuritë minerale, tek nafta që ka miliona kalori dhe prodhon mijra pushtete. Në këtë libër autori është unik me personazhet e tij për perspektivën e naftës shqiptare, sepse radhiten vëndburimet e zbuluara dhe ato të pa zbuluara.
Qeveritarët në përgjithësi janë cinik dhe meskinë, ata duhet të dinë më shumë për prespektivën e naftës, biografinë e pusit Ca-12, ku u dogjën me miliarda dollarë, qeveritarët tanë nuk janë kurioz të dinë çfarë bëhet në zonën Pekisht, Papër, Delvinë, nën Dumre, Rodon, në veri të Shqipërisë, apo gjatë gjithë hapsirës detare nga Greqia deri në Malin e Zi. Kjo është e ardhmja e naftës shqiptare, e ardhmja e brezave tanë, kjo është pasurija jonë kombëtare që nuk duhet ta shpërdorojmë. Kjo është edhe detyra e intelektualëve të naftës të cilët duhet ta mbrojnë këtë pasuri madhore.
Libri është një manual për qeverinë, për kompanin shqiptare Albpetrol, që e skanon shqipërinë si Kal Troje, për AKBN-në e cila shkruan natën dhe prish ditën, për ministritë përgjegjëse. Kurse për shqiptarët ky libër është një armë për të mbrojtur naftën, pasurinë tonë të pa rinovueshme, për të cilën një personalitet thotë; këtej e tutje për kombet dhe popujt një pikë nafte ka vlerën e një pike gjaku.
______________
Shenim: Librin, Ahmet Ҫollaku,“NAFTA SHQIPARE, PORTRETE, INTERVISTA, PERSPEKTIVA…” mund ta kërkoni me indeksin ISBN 978-9928-218-09-4, Botimi “ENJA” Tiranë, Viti 2016. Tel.: +355672351665.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

DR.sc.ILMI VELIU: REAGIM KUNDËR DEKLARATAVE SHOVENISTE TË SKENDER ASANIT PËR GZETËN SHQIPTARE – KOHA

Shkup, 17 shtator 2020: (Deklarata e Skender Asanit) Застрашувачки е антисемитскиот јазик на весникот КОХА! За својата реализирана…