SHERADIN BERISHA: MANIPULIMET E RUZHDI SARAMATIT DHE E VËRTETA PËR OPERACIONIN ‘SHIGJETA’ – PASHTRIK, (MAJ – QERSHOR 1999) (PJESA E PARË)

Pashtriku, 2 Qershor 2020: Filozofi, historiani dhe arkeologu i shquar anglez, Robin George Collingwood (1889 – 1943) në librin e tij: “Der Historiker als Detektiv – der Detektiv als Historiker” (Historiani si dedektiv – Dedektivi si historian) shkruan: “Histori është ajo që e bën historiani. Kur historianët e kundërshtojnë njëri tjetrin në mënyrë kritike, atëherë mendoj se është hapur shtegu për hulumtime.” Hulumtimet e të dhënave arkivore shkrimore etj., janë bazë mbi të cilat historiani shkruan histori, ndërkaq opinionet e njerëzve janë të lira, por nuk janë shkencore!
***
Në 20 vjetorin e Luftës në Koshare (prill – qershor 1999) dhe të Operacionit “Shigjeta” në Pashtrik (maj – qershor 1999), për këto ngjarje historike, u zhvilluan debate të shumta televizive dhe diskutime të pashterrshme në rrjetet sociale, të cilat kryesisht ishin opinione të zhurmshme dhe emocionale. Dhe si të tilla parimisht ato nuk shpërfaqnin të vërtetën e mirëfillt historike, sepse opinioni i bazuar në imagjinatë e dëmton faktin historik!
Çka thonë dijetarët për imagjinatën?
Filozofi i shquar i rilindjes franceze, Michel de Montaigne (1533 – 1592) për imnagjinatën ka thënë: “Ai që nuk është i sigurt në imagjinatën e tij, nuk duhet të lëshohet tepër në gënjeshtra.” Matematicienti dhe filozofi francez, Rene Dekart (René Descartes 1596-1650) thotë: “Imagjinata është shkaku i gabimeve”. Ndërkaq matematicienti, fizicienti dhe filozofi tjetër francez, Blaise Pascal (1623 -1662) ka nënvizuar se: “imagjinata është mbretëresha e gabimeve”.
***
Prandaj, rrjedhimisht në histori, ngjarjet e luftës nuk mund të trajtohen me imagjinatë, sepse imagjinata të futë në pellgun e gabimeve dhe gënjeshtrave, të cilat të çojnë pashmangshëm në manipulimin e fakteve arkivore!
Në këtë kuadër mund të them se, ngjarjet as nuk mund të imagjinohen, të falsifikohen, apo të manipulohen, por ato faktohen nga burime të ndryshme arkivore, dhe shkruhen ashtu si kanë ndodhur në kontekstin e kohës, e jo ashtu si dëshirojmë ne të kishin ndodhur! Historia e rrëfyer pa dokumente rrezikon të shndërrohet në përrallë!
***
Edhe historia e operacionit “Shigjeta” në Pashtrik (maj – qershor 1999), si një nga ngjarjet më të rëndësishme të Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës (UÒªK-së), duhet të faktohet me dokumente, materiale e dëshmi shterruese arkivore!
Për t’i hulumtuar përmasat e Operacionit “Shigjeta”, duhet të kihen parasysh tre faktorë ushtarak!
1. Ushtria Òªlirimtare e Kosovës (UÒªK-ja),
2. Ushtria Shqiptare në epiqendër me Divizionin e Kukësit, dhe
3. Bashkëpunimi me NATO-n.
***
Deri më tani nuk është shkruar asnjë studim i mirëfillt shkencor për Operacionin “Shigjeta”, ndonëse nëpër portale janë botuar disa shkrime madje dhe janë mbajtur shumë fjalime përkujtimore në përvjetorët e rënies së dëshmorëve, veçanërisht të dëshmorëve që ranë në vijën mësymëse – sulmuese të Gorozhupit (DT3), gjatë këtij operacioni!
Për 20 vjet rresht, më datë 31 maj – në Gorozhup të Hasit, atje ku tashmë (me investim të Komunës së Prizrenit) në emër të “brigadës 128” është ndërtuar një Memorial për Dëshmorët e Kombit, organizohen tubime përkujtimore. Organizator i këtij tubimi është Ruzhdi Saramati! Ai në emër të “brigadës 128”, ndonëse përkujtimin e dëshmorëve dhe të gjithë Operacionit “Shigjeta”, e ka shndërruar në një ritual të përvitshëm, me imagjinatën e tij këtë histori me përmasa të gjera historike të UÒªK-së, e ka reduktuar në një histori të “brigadës 128”, me moton “Epopeja e Gorozhupit – Brigada 128 bartëse e operacionit luftarak – sulmues “Shigjeta” në Pashtrik”!
***
Në këto tubime përkujtimore, Ruzhdi Saramati (i cili prezentohet si “gjeneral brigade”), përveç manipulimit dhe falsifikimit të ngjarjeve me “vijat frontale (nga Drini i Bardhë deri në Qafë Prush) për katër batalionet e brigadës 128”, e cila gjatë Operacionit “Shigjeta” nuk ka ekzistuar, me historikun dhe vendrënien e dëshmorëve në fushëbetejat e zonës së Gorozhupit, Ai ka manipuluar dhe i falsifikuar thëniet e Gjeneralit amerikan të NATO-s, Wesley Clark, të shkruar në librin e tij “Të bësh luftë moderne” (në origjinal: Waging Modern War)!
***
Në vazhdim po i referohem fakteve!
FJALIMI I RUZHDI SARAMATIT, GOROZHUP – 31 MAJ 2016
Në tubimin përkujtimor, të mbajtur më 31 maj 2016 në ambientet e Memorialit të Dëshmorëve në Gorozhup, Ruzhdi Saramati (i prezentuar si “gjeneral brigade”), pasi ka përshëndetur:
– familjarët e dëshmorëve,
– veteranët, invalidët dhe të denuarit politik,
– Prof.Dr.Ramadan Mujën, kryetar i komunës së Prizrenit,
– Njazi Kryeziun, drejtor i urbanizmit në KP,
– Gjeneral Sadik Halitjahën, “komandant” i ZOP-it,
– Ilir Dakon nga Tirana,
– Xhavit Dafkun, kolonel nga Kukësi,
– Sokol Pogën, luftëtar dhe epror, dhe pjesëmarrësit e tjerë…
ka lexuar kumtesën e përgatitur me titull: “Jehona e Operacionit ‘Shigjeta’ në Pashtrik”
***

Me këtë rast nga fjalimi i Ruzhdi Saramatit (i cili pretendon se po i referohet librit “Të bësh luftë moderne – Waging Modern War”), po shkëpusim fragmentin që ka të bëjë me manipulimin dhe falsifikimin e thënieve të gjeneralit amerikan, Wesley Clark, i cili gjatë 78 ditëve të bomardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë…, ishte komandant i kësaj force të madhe veriatlantike! Për më tepër Ruzhdi Saramati, edhe gënjeshtrat e veta që i ka ripërsëritur shumë herë në shkrime e fjalime përkujtimore për dëshmorët, lidhur me “katër batalionet e brigadës 128” ia atribuon gjeneralit Clark!!! Kur e kam kuptuar këtë gënjeshtër të pashembullt të Ruzhdi Saramatit jam trishtuar shpirtërisht!

***
Ruzhdi Saramati në fjalimin e tij të mbajtur më 31 maj 2016, në prani të zyrtarëve të komunës së Prizrenit, ish’eprorëve të UÒªK-së dhe familjeve të dëshmorëve, deklaron – lexoni citatin:
“Po e vazhdojmë leximin me disa komunikata të gjeneralit të NATO-s Klark! Askush nuk mund të flasë me mirë dhe me saktë për 78 ditët e luftës së NATO-së ndaj ish Jugosllavisë së mbetur në vitin 1999 se sa gjenerali amerikan Wesley Clark, i cili ka udhëhequr të gjitha operacionet në terren. Clark në librin e tij “Modern War” (Lufta moderne) zbardh detajet e përgatitjes së kësaj aleance për të hyrë me forca tokësore ndaj Serbisë së Millosheviqit.
Clark tregon se marrja e pikës strategjike në kodrat e Pashtrikut nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës i hapte rrugë NATO-së për të nisur me lehtë dhe më shpejtë operacionin tokësor ndaj Serbisë.
“Pak ditë me vonë morëm informata se UÇK-ja kishte trajnuar dhe nisur për Kosovë nga Shqipëria katër batalione me rreth 2 mijë luftëtarë. Ushtria Çlirimtare iu vërsul maleve të Pashtrikut (janë male në Kosovë që fillojnë nga Qafa e Morinës e deri në luginën e Drinit të Bardhë në Vërmicë) një terren jashtëzakonisht i egër dhe një maje e kodrës jashtëzakonisht strategjike për ta pasur nën kontroll gjatë luftës.
Kjo duhet shfrytëzuar nga NATO u thashë vartësve të mi – thotë Klark, shprehet Gjenerali Amerikan Klark… Ndërsa zbardh detaje se ky terren do të shfrytëzohej si “pikë strategjike” nga NATO në planifikimin e saj për invadim tokësor të Jugosllavisë.
Strukturat komanduese dhe monitoruese të NATO-së arritën të kuptojnë se luftimet në Pashtrik nuk po shkojnë në favor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngase serbët kishin një përparësi absolute në makineri dhe artileri.
“Thirra Ric Shinskenin…
“Me 28 maj stafi me barti linjën e komunikimit me shefin e shtabit të bashkuar të armatës Dennis Reimer dhe isha i shkurtër në interesimin tim. “Wes me tha – pse nuk përdorni në rajonin e Pashtrikut raketa me rreze të gjata veprimi, i thash që për përdorimin e këtyre raketave na duhet personel i specializuar amerikan dhe aktualisht nuk gjendet ndonjë nga ta në bazat e NATO-së prej nga ndërmerren veprimet. Duhet nisur stafi dhe duhet nisur raketat m’u përgjigj Reimer, krahas kësaj duhet nisur përgatitjet për operacionin tokësor të NATO-s, duke shfrytëzuar terrenin e hapur të Pashtrikut” – tregon Clark.
“Krahas nisjes se përgatitjeve për invadim tokësor, diplomacia filloi t’i tregoi efekt. Beteja në Pashtrik vazhdoi deri në përfundimin e luftës, respektivisht deri në nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës mes NATO-së dhe Ushtrisë Jugosllave me 9 qershor, që parashihte tërheqjen pa kushte të policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serb. Ushtri Çlirimtare e Kosovës ja arriti në Pashtrik jo vetëm t’i ruaj pozicionet, por edhe t’i avanconte ato.”
“Në Pashtrik ka operuar Brigada 128 e komanduar nga komandant Ruzhdi Saramati” – citon gjenerali Klark. “E cila operoi me Njësinë Speciale Diverzanto vëzhguese që e komandonte Safet Peci Boletini nga Mitrovica, dhe 4 batalione luftarake, dhe 1 bateri të artilerisë. Më 24 Maj të vitit 1999, Brigada nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së mori urdhrin për sulm në hapësirën kufitare të Gorozhupit e Pashtrikut.”
“Komanda e brigadës me në krye komandandin Ruzhdi Saramatin” – citon Klarku – hartoi planin strategjiko luftarak. Si vijë frontale ishte caku: Drini i Bardhë – Gryka e Lumës – Gorozhupi – Maja e Pashtrikut – Kurora – Shpella e pëllumbave e deri te Qafa e Prushit. Detyra kryesore ishte: Kapja e vijës përgjatë Drinit të Bardhë – Ura e Nashecit – Ura e Fshejtë, ndërsa në planin e detyrave të largëta ishte bashkangjitja me formacionet luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pikat: Kleçkë – Nishor – Zatriq. Kurse në Qafë Prush brigada 128 lidhej me brigadën 138 të Zonës Operative të Dukagjinit. Formacioni i brigadës 128 “Pashtriku” ishte si më poshtë:
Batalioni i II-të i komanduar nga oficeri i Ushtrisë Shqiptare të fshatit Bicaj të Kukësit Adem Shehu, në drejtimin nga Drini i Bardhë, Grykë Lumë deri në Gorozhup.
Nga Gorozhupi ishte i vendosur shtabi i brigadës dhe Bataljoni i I-rë vazhdonte në vijën frontale Gorozhup, Rrasa e Kuqe, i komanduar nga Komanda e Brigadës, respektivisht nga komandanti i Brigadës Ruzhdi Saramati.
Nga Rrasa e Kuqe, Maja e Pashtrikut, shtrihej batalioni i III-të, i komanduar nga komandanti trim Xhelal Limani nga Gadimja e Epërme.
Në vijën frontale nga Maja e Pashtrikut, Lugu i Zi; Qafë Mullar; Kurorë; Shpella e pëllumbave, shtrihej batalioni i IV-ërt i komanduar nga Abdurrahman Nazifi, me nofkën Bugari. Në krahun e majtë të batalionit të IV-ër, operonte në mbështetje të Brigadës edhe Batalioni “Atlantiku” me komandant Uran Rexhepin.
Ndonëse zyrtarisht asnjëherë kjo nuk është pranuar, të gjitha indikacionet flasin se plani “Shigjeta” për ta marrë rajonin e Pashtrikut nga ana e UÇK-së, ndonëse i miratuar nga ana e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte i hartuar nga ana e ekspertëve ushtarak të shtetit shqiptarë të cilët madje kishin stërvitur ushtarët për t’iu përgjigjur planit dhe teknikave që dilnin prej atij plani.” Me kaq Klark e mbyll komentin e tij.”!!! – Përfundon citati i shkëputur nga fjalimi i Ruzhdi Saramatit.
Në vijim deklarimin e tij të lartëcituar mund ta shikoni e dëgjoni edhe në video – youtube:
Manipulimi i Ruzhdi Saramatit me thëniet e Gjeneralit Vesli Klark!
https://www.youtube.com/watch?v=e65ScZerHww
***
– VIJON –

____________________________

Në 21 vjetorin e Operacionit “Shigjeta” – Pashtrik (II)
SHERADIN BERISHA: MANIPULIMET E “GJENERALIT” RUZHDI SARAMATI DHE E VËRTETA PËR OPERACIONIN ‘SHIGJETA’ – PASHTRIK, (MAJ – QERSHOR 1999) (PJESA E DYTË)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10129

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura