SHERADIN BERISHA: MASAKRA E LIKOSHANIT, ҪIREZIT DHE PREKAZIT TË POSHTËM – KRIME TË PANDËSHKUAR!

(Pashtriku.org, 04. 03. 2013) – Në shkurt 1998 te gjashtë lisat e Likoshanit, forcat serbe pësuan një goditje të rëndë nga njësitë e UҪK-së, dhe më pas të mllefosur nga kjo humbje më 28 shkurt forca të shumta ushtarake-policore serbe, në shenjë hakmarrje, vranë dhe masakruan dhjetra civilë shqiptarë të paarmatosur, në Likoshan të Drenasit dhe në Ҫirez të Skënderajt. Këtë ekspeditë shfarosëse (më 5 – 7 mars) e vazhduan edhe në Prekaz të Poshtëm.
Likoshani shtrihet 12 km në verilindje të Drenasit. Është vendbanim kodrinor, malor e fushor, i ndarë në dy lagje. Likoshani para luftës kishte 187 shtëpi me 1086 banorë shqiptarë. Gjatë luftës (1998 – 1999) janë djegur dhe shkatërruar 181 shtëpi si dhe shkolla e fshatit. Më 28 shkurt dhe 1 mars 1998 janë vrarë e masakruar 10 anëtarë të familjes Ahmeti dhe një mysafir. Ndërkaq, gjatë viteve 1998 – 1999 janë vrarë 34 banorë civilë dhe kanë rënë dëshmorë katër ushtarë të UҪK-së, ndërsa janë të zhdukur tre banorë. Ҫirezi, shtrihet rreth 15 km në juglindje të Skënderajt. Është vendbanim kodrinor e fushor dhe ka disa lagje. Para luftës fshati kishte 130 shtëpi, me 1280 banorë shqiptarë. Gjatë luftës u dogjë tërë fshati, dyqanet zejtare, kooperativa bujqësore, ambulanca, dy objekte të shkollës, zyra e vendit, Biblioteka dhe Xhamia. Më 28 shkurt në këtë fshat dhe në fshatin Likoshan u vranë 24 banorë të paarmatosur. Gjatë luftës gjithsejt u vranë 45 banorë civilë dhe gjashtë luftëtarë ranë dëshmorë, ndërsa një banor është i zhdukur. Prekazi i Poshtëm shtrihet rreth 2 km në lindje të Skënderajt. Është vendbanim i shtrirë në kodrina dhe lugina i ndarë në lagje. Para luftës fshati kishte 220 shtëpi, me 1630 banorë shqiptarë. Më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz të Poshtëm janë vrarë 56 shqiptarë, prej tyre 21 anëtarë ishin të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit. Në mesin e të vrarëve shumica ishin gra, fëmijë dhe pleq. Gjatë luftës janë djegur e shkatërruar 178 shtëpi dhe objekte të shumta ekonomike, ndihmëse dhe të tjera.

PËR MASAKRAT NË LIKOSHAN, ҪIREZ DHE NË PREKAZ TË POSHTËM – ËSHTË PËRGJEGJËS EDHE GRUPI I KONTAKTIT!
Dalja publikisht e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës më 28 Nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës (me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci) ka bërë kthesë historike në vetëdijsimin e popullit shqiptar, në kuptimin, se UÇK’ja ekziston dhe si e tillë nuk ishte krijesë e “shërbimeve sekrete serbe”, ashtu siç e kishte cilësuar shpeshherë presidenti “historik” dhe kryetari i LDK’së Ibrahim Rugova. Pas daljes publike të UÇK’së, kryekrimineli serb Sllobodan Millosheviq intensifikojë operacionet policore – ushtarake kundër UÇK’së dhe popullatës shqiptare. Janari i vitit 1998, solli me vete kumtin e fundit të paqes së rrejshme në Kosovë. Më 22 janar 1998 forcat kriminale serbe sulmuan familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm. Ndërkohë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës po bëhej gjithnjë e më shumë mbizotruese e situatës në Kosovë, u vu në lëvizje diplomacia ndërkombëtare. Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ndërtohej mbi qëndrimin e njohur “mospranimi i gjendjes status quo” dhe “kundërshtimi i aspiratave të shqiptarëve për pavarësi”. Mbi këtë bazë, Grupi i Kontaktit dhe qendrat tjera ndërkombëtare të vendosjes përmes diplomacisë së ashtuquajtur lëvizëse (Shuttle diplomacy), do të ngarendin sa në Beograd e sa në Prishtinë për të gjetur një zgjidhje politike për Kosovën, përmes negociatave. Ngjarjet më kulmore që i dhanë kahje zhvillimeve politike në Kosovë, konsiderohen vizitat e shpeshta të ambasadorit amerikan Robert Geldbard, i deleguari special i SHBA’ve për ish’Jugosllavinë, në janar – mars të vitit 1998 në Prishtinë dhe në Beograd. Ambasadori Robert Geldbard në një nga takimet e tij (më 22. 02. 1998 ) me kryetarin e LDK’së Ibrhim Rugova në Prishtinë publikisht e akuzoi UÇK’në si “organizatë terroriste”.

Lexoni deklarimin e z.Geldbard – CNN, 23. 02. 1998:

Me këtë veprim ambasadori amerikan, ashiqare kërkonte forcimin e lidershipit politik në krye me Ibrahim Rugovën. Një ditë më vonë z.Geldbard gjatë një takimi me Millosheviqin, i dhuroi Beogradit lehtësira, duke deklaruar se disa nga sanksionet ekonomike që ia kishin vënë Serbisë do të hiqen! Ky diplomat amerikan, skajshëmrisht akuzues për UÇK’në, në të vërtet i dha forcë shtytëse në aspektin politik kreut të LDK’së, ndërsa në aspektin ushtarak e trimëroi Sllobodan Millosheviq, për të marrë një ofensivë për zhbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vrasjen e shqiptarëve dhe shkatërrimin e vendbanimeve të tyre. Dhe, në të vërtet kjo nbdodhi! Më 28 shkurt 1998 forcat ushtarake-policore të Millosheviqit në “emër të spastrimit të terenit nga bandat terroriste të UÇK’së“ sulmuan fshatrat Ҫirez dhe Likoshan, me ç´rast vranë e masakruan 24 shqiptarë, gra, fëmijë e pleq të pafajshëm në shtëpitë e tyre. Ndërkaq, një javë më vonë, më 5, 6 e 7 mars 1998, forcat barbare serbe sulmuan fshatin Prekaz i Poshtëm, duke përdorur gjithë arsenalin ushtarak modern, kundër familjes së Shaban Jasharit. Pas një lufte tre ditore (të pabarabartë), çetnikët e Beogradit vranë mizorisht 56 anëtarë të familjes Jashari, në mesin e të cilëve ra për të mos vdekur kurrë edhe komandanti legjendar i UÇK’së Adem Jashari. Kryekrimineli Millosheviq dhe disa qarqe ndërkombëtare gjykuan se me vrasjen e Adem Jasharit kanë shuar edhe UÇK’në, por ngjarjet që pasuan më vonë dëshmuan të kundërtën. Pas këtyre ngjarjeve, ndërhyri diplomacia ndërkombëtare, e cila kërkojë ndërprerjen e dhunës së armatosur për t´i lënë rrugë zgjidhjes së problemeve përmes dialogut në mes palëve. Më 9 mars 1998 në Londër mbahet mbledhja e Grupit të Kontaktit, ku do të diskutohet për gjendjen e rëndë në Kosovë. Në deklaratën e Grupit të Kontaktit, kritikohet „përdorimi i tepruar i forcës“ dhe „tejkalimi i autorizimeve“ të njësive speciale të policisë serbe, „që ka sjellë për pasojë së paku 80 humbje jete“, ndërsa denohen në tërësi siç theksohet në deklaratë „aksionet terroriste të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të çfarëdo grupi apo personi.“ Pra, Grupi i Kontaktit, operacionet shfarosëse të njësive speciale serbe kundër shqiptarëve i cilëson si përdorim i tepruar i forcës, ndërsa veprimet e UÇK’së që ishin në mbrojte të popullatës shqiptare nga forcat serbe, i cilësonte si “aksione terroriste”!
Lexoni deklaratën e grupit të Kontaktit:

http://pashtriku.beepworld.de/files/Rugova_2008/Foto/deklarategrupittkontaktitprkosovn.htm
Prandaj, duke pas parasysh këtë dyftyrësi diplomatike, pashmangshëm për vrasjen dhe masakrimin e familjeve shqiptare në Likoshan, Ҫirez dhe në Prekaz të Poshtëm, janë përgjegjës edhe shtetet e Grupit të Kontaktit!

MASAKRA E LIKOSHANIT, ҪIREZIT DHE PREKAZIT TË POSHTËM

Forcat e armatosura serbe, nga janari 1998, kur eskaloi kriza në Kosovë dhe mori përmasa të luftës të armatosur, kanë bërë ekzekutime arbitrare e masakrime në masë duke mos kursyer, madje, as gratë e fëmijët, as pleqët e të sëmurët. Vrasjet masive të shqiptarëve filluan në fillim të këtij viti në Likoshan dhe në Ҫirez të Drenicës. Më 28 shkurt në këtë rajon të Drenicës u organizua një sulm i kombinuar i forcave serbe që zgjati 24 orë, me ç’rast u angazhuan një numër i madh i policëve, i paramilitarëve dhe i ushtarëve serbë të maskuar. Në atë sulm është përdorur edhe armatim i rëndë dhe helikopterë. Gjatë këtyre operacioneve në fshatrat e Drenicës, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë vendosi lidhjen mes Beogradit dhe bazave të veta në Kosovë dhe me helikopterë u sillte ndihmë forcave serbe, që qëllonin pa ndërprerë në fshatrat me popullsi shqiptare. Civilët shqiptarë janë vrarë e masakruar në shtëpitë e tyre, mosha e të cilëve sillet prej 16 deri në 70 vjeç. Policët janë futur në familjen 36 anëtarëshe të familjes Ahmetaj në Likoshan, ku i kanë detyruar të gjithë, burra, gra e fëmijë, të shtrihen përtokë, i kanë ndarë meshkujt, i kanë nxjerrë jashtë dyerve të oborrit, i kanë rrahur dhe i kanë masakruar një nga një në mënyrën më barbare, aq sa vështirë është bërë identifikimi i tyre. Nga kjo ekspeditë shfarosëse në Likoshan janë masakruar e vrarë 10 anëtarë të familjes Ahmeti, si: Ahmet Ahmeti (50), Gani Ahmeti (46), Elmi Ahmeti (44), Hamëz Ahmeti (44), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Lumni Ahmeti (20), Shemsi Ahmeti (19), Basri Ahmeti (19), Elhami Ahmeti (16). Ndërkaq në Qirez janë vrarë e masakruar: Beqir Sjediu (31), Nazmi Sejdiu (1975), Bedri Sejdiu (1975), Bekim Sejdiu (1974), Xhemshir S.Nebihu, Rukije Nebihu, Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Xhela (70), Naser (Muhamet) Xhela (37) dhe Rexhep Ajeti (60)…

*  *  *

NJË FOTO FLET MË SHUMË SE 10 000 MIJË FJALË!

*  *  *

* * *
Pas masakrës së Likoshanit dhe Ҫirezit, më 5 mars 1998, rreth orës 5.00 të mëngjesit, forcat policore serbe ndërmorën një sulm të kombinuar mbi fshatrat: Prekaz i Poshtëm, Llaushë, Polac, Marinë, Vojnik dhe Rakinicë të komunës së Skënderajt dhe ky sulm zgjati deri me 7 mars. Më 5, 6 dhe 7 mars 1998 vetëm në Prekaz janë vrarë 56 shqiptarë, prej tyre 21 anëtarë ishin të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit. Në këtë operacion shfarosës nga forcat serbe u vranë: Shaban Murat Jashari (74), Zahide Shaban Jashari (72), Zarife Rifat Jashari (49), Hamëz Shaban Jashari (47), Ferida Hamëz Jashari (43), Adem Shaban Jashari (43), Adile Adem Jashari (40), Selvete Hamëz Jashari (20), Hidajete Rifat Jashari (18), Fitim Adem Jashari (17), Afete Hamëz Jashari (17), Besim Hamëz Jashari (16), Valdete Rifat Jashari (14), Lirije Hamëz Jashari (14), Igballe Rifat Jashari (14), Kushtrim Adem Jashari (13), Blerim Hamëz Jashari (12), Igball Rifat Jashari (11), Fatime Hamëz Jashari (8), Blerim Hamëz Jashari (7). Ndër të vrarit ishin 15 fëmijë, të moshës 7 deri 16 vjeç, dhe 17 femra. Ndër të masakruarit kishte pleq e plaka deri në moshën 74 vjeçare. Të gjitha viktimat e identifikuara dhe të paidentifikuara policia i varrosi më 10 mars, pa respektuar kurrfarë normash të traditës ose të rregullave të varrimit, si dhe pa e bërë obduksionin.

*  *  *

(Masakra dhe varrimi i familjes së Shaban Jasharit në Prekaz)

NJË FOTO FLET MË SHUMË SE 10 000 MIJË FJALË!

 

======================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura