SHERADIN BERISHA: NË VITI 1912 SHKUPI KISHTE 80% SHQIPTARË!

(Pashtriku.org, 24. 11. 2012) – Sipas një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Italisë, të zbuluar në arkiva nga historiani Skënder Hasani, 100 vjet më parë (në vitin 1912) Shkupi, kryeqendra e Vilajetit të Kosovës popullohej me 80% shqiptarë. Kishte gjithsejt 50 mijë banorë, prej të cilëve 40 mijë ishin shqiptarë, katër mijë bullgarë dhe 150 serbë dhe të tjerë.

Shkupi

Një historik i shkurtër për Vilajetin e Kosovës
Vilajeti i Kosovës u formua në vitin 1877 dhe përfshinte një sipërfaqe të gjerë gjeografike prej 32.900 km katrorë. Brenda kufirit administrativ të Vilajetit të Kosovës bënin pjesë gjashtë sanxhaqe: Sanxhaku i Prishtinës, i Shkupit, i Prizrenit, i Jeni Pazarit, i Pejës dhe i Tashllixhes (Plevljes). Sipas shënimeve zyrtare të Perandorisë Osmane të shpallura në gazetën zyrtare të qeverisë së atëhershme Osmane ‘La Turquie’ (maj 1878), thuhet se Vilajeti i Kosovës i kishte 1.199.154 banorë, ndërsa sipas statistikave turke të viteve 1896 dhe 1900, Vilajeti i Kosovës kishte një popullsi të përgjithshme prej 996.738 banorësh. Sipas regjistrimeve të viteve 1896-1900, Sanxhaku i Shkupit kishte 324.982 banorë. Sipas regjistrimeve osmane të vitit 1900, vetëm kryeqendra e Vilajetit të Kosovës – Shkupi, i kishte 4.682 shtëpi me afër katërdhjetë mijë banorë, pjesën më të madhe të të cilëve e përbënin shqiptarët myslimanë.
Sipas një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Italisë, të zbuluar në arkiva nga historiani Skënder Hasani, 100 vjet më parë (në vitin 1912) Shkupi, kryeqendra e Vilajetit të Kosovës popullohej me 80% shqiptarë. Kishte rreth 50 mijë banorë, prej të cilëve 40 mijë ishin shqiptarë, katër mijë bullgarë dhe 150 serbë dhe të tjerë. Historiani Hasani ka thënë se ky dokument është shumë argumentues, sepse informatat dalin nga një zyrtar (këshilltar) në Kuvendin e qytetit të Shkupit. Në brendësinë e këtij dokumenti argumentohet prejardhja ilire e popullatës shqiptare në Shkup, si dhe përfshin periudhën e fundit të sundimit të Perandorisë Osmane. Në aspektin demografik nga ky dokument kuptohet se Shkupi historikisht – në vazhdimësi ka qenë me shumicë shqiptare.

*  *  *
“Menjëherë pas pushtimit të Shkupit nga serbët në vitin 1912, qeveria serbe ka nisur jetësimin e projektit të tyre ku përmes reformës agrare kanë sjellë kolonë nga ‘Shumadia’ dhe brendia e Serbisë dhe mes dy luftërave botërore ndjeshëm e kanë ndryshuar strukturën e popullsisë…” ka thënë Hasani.
Sipas këtij dokument, gjatë luftës së dytë botërore Shkupi ka pësuar një ngritje të madhe të popullsisë, gjegjësisht në Shkup dhe rrethinë kishin ardhur mbi 40 mijë kolonë. Në dokument thuhet se në vitin 1943-1944 Shkupi numëronte 87 mijë banorë, prej të cilëve 33 mijë ishin shqiptarë.
Pas luftës së dytë botërore, saktësisht në shkurt të vitit 1953 me marrëveshjen jugosllavo – turke (Tito-Kypërli), nga Shkupi dhe rrethina shpërngulën shumë shqiptarë.

Në këto bisedime Titoja ka thënë: “Do të ishte në interes të të dyja vendeve që të punojmë për harmoninë e popujve në të ardhmen. Kjo do të thotë se nuk do të na ngarkojë fare e kaluara. Sa u takon shqiptarëve të religjionit musliman në Kosovë dhe Maqedoni, atyre përmes vizave që do t’u lejohen nga Qeveria e Juaj (turke), do të kenë mundësi të integrohen me familjet e tyre që i kanë andej në Turqi. Ato lidhje familjare janë krijuar shekuj me radhë. Për mënyrën e vizave të pasaportave, ne nuk do të vendosim, por ne do të përkujdesemi që të keni sa më tepër kërkues. Atyre u nevojitet t’u sigurohet pasuri tokësore, sepse afër 90% e tyre janë bujq… Besoj se deri në vitin 1959 atje do të keni përafërsisht një milion qytetarë bujq të zellshëm. Kështu flasin informatat nga terreni, për të cilat ne kemi punuar që nga viti 1951… Bartja le të fillojë nga Shkupi, sepse prej andej shqiptarët ndjehen më të sigurt që të lëvizin. Kosovarët janë më të egër, por do të përkujdesemi që të natyralizohen aty për fillim…” .
Në vitet 1950-1966 u formuan komisione të posaçme, me qendër në Shkup, që paraqiteshin në opinion duke u ofruar ndihmë dhe kushte lehtësuese atyre që do të shpërnguleshin në Turqi
Gazeta “Nova Makedonija” e Shkupit ndërmjet muajve janar 1956 – janar 1957 i botonte emrat e 2.976 kryefamiljarëve, familjet e të cilëve po shpërnguleshin në Turqi. Qyteti i Shkupit, veçanërisht stacioni i tij hekurudhor, ishte dhe mbeti nyja më e rëndësishme tranzitore e largimit të shqiptarëve drejt tokës së panjohur turke.
Pas tërmetit të vitit 1963 që goditi Shkupin e deri më sot, regjimet jugosllave – maqedone sollën mijëra sllavo-maqedon nga Egjeu dhe Europa Lindore, të cilët ngritën në mënyrë enorme popullatën sllave në Shkup dhe nga këto politika antishqiptare, shqiptarët u dëmtuan shumë në përbërjen e popullsisë në këtë qytet të lashtë shqiptar. Dhe, Shkupi nga një qytet me 80% shqiptarë, sot ka mbetur me një përqindje simbolike!

Dokumenti i MPJ-së italiane me të dhëna statistikore është

përkthyer në shqip, maqedonisht dhe anglisht.

==============================

(Kryredaktori i Pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura